Malazezët i Shmangen Shërbimit Ushtarak

Malazezët duket se po humbasin përkushtimin e tyre dikur legjendar për shërbimin ushtarak.

Malazezët i Shmangen Shërbimit Ushtarak

Malazezët duket se po humbasin përkushtimin e tyre dikur legjendar për shërbimin ushtarak.

Friday, 4 August, 2000
IWPR

IWPR

Institute for War & Peace Reporting

Malazezët gjithnjë kanë qenë të njohur për dashurinë e tyre për armët dhe idealet e tyre për "dinjitet dhe trimëri". Në ish-Jugosllavi ata janë të njohur nga Ljubljana në Shkup për përkushtimin e tyre ndaj ushtrisë. Malazezët ishin të shumtë në rradhët e korpusit të oficerëve; të rinjtë të cilët nuk kishin kryer shërbimin ushtarak do ta kishin të vështirë të martoheshin në një shoqëri e cila e maste karakterin me aftësitë ushtarake.


Por një dhjetëvjeçar konfliktesh në të gjithë ish-Jugosllavinë ka lënë shenjë edhe në entuziasmin malazez. Entuziasmi me të cilin ata rrethuan qytetin kroat të Dubrovnikut në 1991 që prej asaj kohe është zbehur shumë. Sot ata nuk kanë dëshirë të përfshihen në ndonjë aventurë tjetër ushtarake të presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq. Kundërshtimi i ngjarjeve në Kosovë, frika se jetë të tjera të pafajshme mund të humbasin dhe mungesa e sigurisë rreth planeve të Millosheviqit për republikën e tyre kanë ndryshuar pikpamjen e tyre jokritike ndaj ushtrisë.


Në Nikshiq 23 vjeçari Predrag ka marrë një thirrje për ushtar disa ditë më parë. "Unë nuk do të shkoj asgjëkundi deri sa të qetësohet situata," thotë ai. "Tanimë ne nuk jemi më të sigurtë as për faktin që jemi në të njëjtin vend me Serbinë."


Predrag është i bindur se rekrutët malazezë i nënshtrohen një trajtimi më të ashpër se serbët dhe thotë se shumë nga shokët e tij kanë të njëjtin mendim.


Letra e tij e thirrje është sjellë nga një postier. Policia malazeze, e kontrolluar nga presidenti malazez Milo Gjukanoviq, nuk e ndihmon më ushtrinë të mbledhë rekrutët që nuk dëshirojnë të shkojnë ushtar. Kjo i ka detyruar postierët të përmbushin detyrimin ligjor të shpërndarjes së thirrjeve me çdo mjet. Disa prej tyre presin me orë të tëra për të gjetur rekrutët e rinj dhe pastaj u zënë pritë për t'u dorëzuar thirrjet. Nga ana tjetër, në qytete të vegjël si Nikshiq marrëdhëniet shoqërore dhe miqësore me postierin mund të bëjnë që thirja për ushtar të "humbasë diku në postë".


Për një farë kohe nuk e kryeje shërbimin ushtarak po të paguajë një shumë parash si rrushfet, por tani vetëm studentët e sistemit të ditës përjashtohen nga ky detyrim - e madje edhe ata përkohësisht. Edhe rekrutët me një raport mjekësor të gjendjes shëndetësore të keqe dërgohen për vizita të mëtejshme në spitalet ushtarake në Podgoricë dhe Beograd, ku nuk ka asnjë garanci se do të quhen të paaftë. Alternativa e vetme është të mos pranosh të shkosh ushtar. Por ata që nuk kanë kryer shërbimin ushtarak nuk mund të marrin pasaportën dhe sipërfaqja e vogël e Malit të Zi nuk të lejon të fshihesh për shumë kohë, siç mund të bëjnë në një qytet të madh si Beogradi.


Shumë të rinj më në fund binden të kryejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, sepse nuk mund të përballojnë një jetë të tillë duke u fshehur në disa fshatra malore, apo duke u akuzuar si burracakë. "Trimëria është thembra e Akilit për malazezët," thotë Pavle 22 vjeçar. "Në periudhë lufte stigma e burracakut mund të jetë më e fortë se shqetësimet se në cilën ushtri po merr pjesë."


Megjithatë gjatë bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi disa rekrutë të rinj malazezë kanë dezertuar nga njësitë e tyre në Kosovë. Predrag Calasan nga Nikshiqi ka qenë një ndër ta. Një gjykatë ushtarake e ka dënuar në mungesë me shtatë vjetë burgim. Ai tani fshihet.


Dikur e konsideruar nga qytetarët si një gardiane e idealeve revolucionare, ushtria tanimë po e humbet respektin. Ushtarakët tani nuk organizojnë më as përkujtimore të luftërave, duke ia lënë këtë detyrë Kryqit të Kuq malazez.


Në Nikshiq mbetjet e Batalionit të Shtatë, një forcë paraushtarake thellësisht besnike ndaj presidentit Milosheviq, ka përkeqësuar edhe më tej marrëdhëniet. Anëtarët e këtij batalioni së fundi kanë zënë pozicione në qendër të qytetit, duke hedhur sllogane politike, duke sharë me fjalë të ndyra dhe duke drejtuar me "shaka" automatikët e tyre ndaj kalimtarëve të rastit. Në një incident të veçuar, një rreshter i dehur i Batalionit të Shtatë sulmoi klientët që po darkonin në një restorant duke mallkuar "nënat e tyre turke".


Njësitë e ushtrisë së fundi kanë bllokuar edhe rrugën nga Nikshiq në Trebinje. "Ata sillen si një ushtri pushtuese," thotë Zorak 45 vjeçare, e cila dikur ka qenë një përkrahëse e Beogradit, por që tani ka ndryshuar qëndrim. Por pavarësisht nga këto provokime policia ka urdhëra të prera të mos u përgjigjet, thotë një burim i afërt me qeverinë malazeze. Mendohet se ushtria po përpiqet të provokojë një incident si një pretekst për të marrë nën kontroll kufinjtë e Malit të Zi dhe të mbyllë të gjitha pikat kufitare.


Ushtria ka mbyllur tashmë një herë pikën kufitare me Shqipërinë në Bozhaj duke kërkuar që shqiptarët të paraqisnin vizat, megjithëse qeveria malazeze ka hequr kërkesën për vizë për shtetasit e huaj. Megjithëse kushtetuta i lejon ushtrisë të kontrollojë dhe sigurojë kufirin, ajo nuk ka të drejtë të kontrollojë pikat e kalimit kufitar dhe të bllokojë rrugët.


Ndërsa ambasadori amerikan në OKB Riçard Hollbruk paralajmëroi disa ditë më parë se NATO nuk do të qëndrojë duar kryq nëse njësitë e Armatës së Dytë Jugosllave dhe të Batalionit të Shtatë shtrëngojnë lakun ushtarak ndaj Malit të Zi, pak analistë në Podgoricë mendojnë se komuniteti ndërkombëtar do të vepronte me të vërtetë në mbrojtje të integritetit të Malit të Zi. Ndërkohë presidenti Gjukanoviq vazhdon të punojë për pavarësinë. "Mali i Zi do të ndjekë kursin e tij politik," ka thënë së fundi ai. "Askush nuk mund të na diktojë se çfarë të bëjmë, as edhe garda e Millosheviqit."


Dragana Nikoliq është bashkëpunëtore e IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists