Luftëtarët Shqiptarë Drejt Luftës

Luftëtarët Shqiptarë po përgatiten përsëri për luftë pasi mesa duket u është mbaruar durimi me qeverinë Maqedonase

Luftëtarët Shqiptarë Drejt Luftës

Luftëtarët Shqiptarë po përgatiten përsëri për luftë pasi mesa duket u është mbaruar durimi me qeverinë Maqedonase

Pas disa javë qetësie në fshatrat e tyre, po vihen re shenja gjithnjë e më të mëdha se luftëtarët Shqiptarë janë të gatshëm të nisin përsëri luftimet.


Të mërzitur nga ritmi i ngadaltë i bisedimeve ndër partiake për përmirësimin e të drejtave civile të komunitetit të tyre, duket se Ushtria Clirimtare Kombëtare, UCK, po përgatitet për një valë të re luftimesh.


Tensionet ndërmjet UCK-së dhe autoriteteve janë përshkallëzuar gjatë javës së kaluar duke arritur kulmin me shpalljen nga ana e luftëtarëve Shqiptarë të një zone të lirë në afërsi të Kumanovës.


Gjatë fundjavës, luftëtarët Shqiptarë kanë vrarë tetë ushtarakë Maqedonas pranë kufirit me Kosovën, në shpërthimin më të madh të dhunës që pas përfundimit të betejave në afërsi të Tetovës në muajin Mars.


Në një intervistë me revistën Newsweek, të botuar të Hënën, një përfaqësues i lartë i UCK-së, Komandant Sokoli, ka thënë se grupi i tij po organizon tre brigada, të cilat do të kenë rreth 18,000 trupa, të gatshëm për një fushatë të re kundër forcave të sigurimit. Brigadat, ka thënë ai, do të kenë qendra në pjesë të ndryshme të vendit dhe mund të bëhen operative brenda 24 orësh.


Kjo deklaratë vjen një muaj pasi Hysni Shairi, një anëtar i Partisë Demokratike të Shqiptarëve, PDSH, i cili është bashkuar me UCK-në, ka thënë për të përjavëshmen Lobi se Shqiptarët duhet të marrin armët dhe të "zgjidhin problemet e tyre me pushkë në dorë".


"Ushtria jonë është e vendosur në të gjitha zonat e banuara nga Shqiptarët dhe është e gatëshme që në çdo moment ti përgjigjet forcës ushtarake dhe policore të Maqedonisë," ka thënë ai.


Në një lëvizje e cila mund të rrisë moralin e UCK-së, një ish komandant i Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, UCK, Xhavit Hasani, i cili konsiderohet nga pjesa më e madhe e Shqiptarëve si një hero i luftës, thuhet se është bashkuar me luftëtarët Shqiptarë në Maqedoni.


Këto zhvillime natyrisht që po i shqetësojnë së tepërmi autoritetet Maqedonase të cilat kanë deklaruar gjatë muajit të kaluar se operacionet e forcave të sigurimit në fakt e kishin shkatërruar UCK-në.


Përpara përleshjes së kësaj fundjave në kufirin me Kosovën, disa zyrtarë të Shkupit kishin paralajmëruar se luftëtarët Shqiptarë dukej se po rigrupoheshin në zonat kufitare por kanë thënë se gjendja e sigurisë ishte nën kontroll.


UCK-ja thotë se aktiviteti i shtuar i saj lidhet me zemërimin e tyre për ritmin e ngadaltë të bisedimeve për përmirësimin e të drejtave të Shqiptarëve. Qeveria deri më tani nuk ka pranuar kërkesat e komunitetit Shqiptar që statusi i tyre në kushtetutë të ngrihet nga pakicë në komb.


Ata thonë se janë zemëruar edhe më tepër nga provat se forcat policore kanë ngacmuar Shqiptarë të pafajshëm, gjatë operacioneve kundër objektivave të UCK-së.


"Këto provokime nuk mund të durohen dhe unë nuk e di se edhe për sa kohë do të zgjasë kjo qetësi nëse ata vazhdojnë kështu," ka thënë drejtuesi politik i UCK-së, Ali Ahmeti.


Tensionet janë shtuar edhe më tepër, të Martën, kur civilë Maqedonas kanë sulmuar prona të Shqiptarëve në Bitola pas funeralit të katër policëve të vrarë në luftimet e fundjavës në kufirin me Kosovën.


Pas luftimeve në Mars, shumë luftëtarë të UCK-së kanë zhveshur uniformat e tyre ushtarake, kanë groposur armët, dhe janë kthyer në fshatrat e tyre. Në intervista me IWPR-në, disa prej tyre tani thonë se ata janë të gatshëm të marrin përsëri armët sepse, sipas tyre, po u mbaron durimi me autoritetet.


"Nëse problemet tona nuk zgjidhen atëherë ne do të veshim përsëri uniformat," thotë një luftëtar. "Unë kam qenë në shumë vende. E di se çfarë do të thotë liri - këtu jam përballur me padrejtësi në çdo hap të jetës sime.


"Ne kemi menduar se sapo Maqedonia të çlirohet nga zgjedha Serbe, jeta për Shqiptarët këtu do të përmirësohej. Kjo nuk ka ndodhur. Kështu që ne jemi detyruar të ndjekim një rrugë tjetër. Kur të shkelet dinjiteti, nuk ke asnjë rrugë tjetër përveç se të luftosh".


Një tjetër luftëtar i ri ka hedhur poshtë thëniet se ofensiva e forcave të sigurimit në muajin Mars i kishte dhënë një goditje serioze UCK-së. "UCK-ja është tërhequr vetëm përkohësisht, jo për shkak të ofensivës Maqedonase por si rezultat i kritikave ndërkombëtare. Ne nuk dëshirojmë të shqetësojmë opinionin ndërkombëtar.


"Ofensiva e ushtrisë ka treguar se ajo është e pafuqishme përballë rezistencës së guerrilasve. Ne mund të kishim shkatërruar njësi të ushtrisë dhe policisë - por mesa duket komanda jonë nuk dëshironte diçka të tillë. Ne kemi pritur për një urdhër që nuk u dha kurrë".


Një tjetër luftëtar i UCK-së thotë se komuniteti ndërkombëtar nuk po ushtron presion të mjaftueshëm ndaj autoriteteve për të arritur një marrëveshje me përfaqësuesit e komunitetit të Shqiptarëve.


Dhe ai ka paralajmëruar se nuk do të ketë shumë progres në këtë drejtim nëse diplomatët Europianë vazhdojnë të ngulin këmbë se Shqiptarët në Maqedoni kanë më tepër të drejta se vëllezërit e tyre nën rregjimin e Millosheviqit. "Diplomatët nuk dëshirojnë luftë në Europë," thotë ai. "Kjo është një gjë e mirë. Megjithatë, është gabim të na thonë ne se meqënëse kemi më shumë të drejta se ata që kanë qenë skllevër, ne nuk kemi të drejtë të ankohemi".


Luftëtarët thonë se nëse bisedimet për paqen ndërpriten, ata nuk do të ngurojnë ti kthehen luftës së tyre të armatosur. "Unë kam shkuar në luftë i bindur se do të vdisja," thotë njëri prej tyre. "Së pari kam mundur armikun më të madh - frikën. Ne jemi betuar të luftojmë kurdo që të na e kërkojnë".


Macedonia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists