Lista E Ndyre E Shpagimit
Vendimi për botimin e një liste me emrat e kriminelëve të dyshuar të luftës në një gazetë serbo boshnjake është konisderuar si një akt i ulët dhe i rrezikshëm.
Lista E Ndyre E Shpagimit
Vendimi për botimin e një liste me emrat e kriminelëve të dyshuar të luftës në një gazetë serbo boshnjake është konisderuar si një akt i ulët dhe i rrezikshëm.
Serbët nuk ishin të vetmit që kanë kryer krime lufte në Bosnjë. Ky është mesazhi politik që autoritetet në Republikën serbe të Bosnjës, RS, synojnë të transmetojnë nëpërmjet vendimit të tyre për të botuar një listë me njëmijë emrat e boshnjakëve dhe kroatëve të dyshuar si përgjegjës për krime lufte kundër serbëve gjate luftës atje.
Lista me 941 emrat dhe adresat u publikua më 6 gusht në të përditshmen qeveritare Glas javnosti në Banja Luka, vetëm katër ditë pasi gjykata për krimet e luftës e dënoi gjeneralin serb radislav Krstic për genocid dhe dy javë pasi qeveria e RS mezi pranoi të bashkëpunonte me Hagën.
Me ratifikimin e projektligjit nga shtatori RS mbetet i vetmi entitet në ish-Jugosllavi që ka refuzuar bashkëpunimin me gjykatën. Konumiteti ndërkombëtar ka dërguar sinjale të qarta se RS do të izolohet politikisht dhe ekonomikisht nëse refuzon bashkëpunimin.
Sipas rezultateve të disa anketimeve, vendimi për bashkëpunim me gjykatën e Hagës nuk u mirëprit nga publiku. Vecanërisht kundërshtohen pikat e ligjit që kërkojnë arrestimin dhe ekstradimin nga ana e autoriteteve të RS të ish-liderit serbo boshnjak Radovan Karaxhic dhe ish-komandantin e kohës së luftës Ratko Mladic.
Mjaft vetë e konsiderojnë botimin e listës si një përpjekje për të qetësuar opinionin. Duke bërë të ditur se qeveria është e angazhuar me gjurmimin e boshnjakëve dhe kroatëve që ajo i konsideron si kriminelë lufte ajo përpiqet ta bëjë më të pranueshëm për publikun gjykatën e Hagës.
Lista e hartuar nga Qendra qeveritare e Dokumentacionit përmban emrin e ish-presidentit boshnjak Alija Izetbegoviq, i akuzuar me "nxitjen e krimeve ndaj serbëve në kampin Celebic - Konjic". Ajo përmban edhe emrat e ish kryetarëve të bashkive të Tuzlës dhe Mostarit, Selim Beslagiq dhe Safet Oruceviq. I fundit akuzohet për "organizimin e trajtimeve cnjerëzore" të serbëve në burgun e Celovinas.
Qendra e Dokumentacionit u ngrit më 1999 me synim mbledhjen e informacionit për krimet e kryera kundër serbëve gjatë luftrave në ish-Jugosllavi - një veprim që shumë mendojnë se vendi duhet ta kishte ndërmarrë kohë më parë.
Krstan Simic, një anëtar i parlamentit i partisë së Pavarur Social demokrate fajësoi partinë Demokratike serbe, SDS, e cila udhëhoqi vendin gjatë luftës për mos mbledhjen e fakteve rreth krimeve të kryera nga serbët. Ai pohoi se i kishte kërkuar qeverisë së RS njohjen e rëndësisë së bashkëpunimit me Hagën.
Sipas një marrëveshjeje të nënshkruar nga të gjitha entitetet në Bosnjë në 1996 si Federata ashtu edhe Republika serbe janë të detyruara të njoftojnë gjykatën e Hagës mbi krimet e luftës që ato dëshirojnë të ndjekin penalisht.
Duke ju drejtuar kryetarit të parlamentit i SDS, Simic tha se "kundërshtimi nga ana juaj i gjykatës coi në mos marrjen e asnjë veprimi". Si avokat i cili kishte përfaqësuar serbët në Hagë, Simic pohoi se ai i kishte shkruar ish-kryetarit të parlamentit Momcilo Krajisnik që në 1995.
Simic pretendon se ai nuk mori asnjë përgjigje për atë letër, ashtu si dhe për letrat që i kishte nisur ministrisë së drejtësisë së RS më 1996 ku ai parashikonte nevojën e mbledhjes së fakteve mbi krimet e kryera nga serbët gjatë luftës në Bosnjë. Fakti se Qendra e Dokumentacionit u krijua në fund të 1999 duket se konfirmon ankesat e Simic.
Sipas Peja Durasinovic, drejtor i Qendrës së Dokumentacionit, janë mbledhur deri tani fakte për 3,170 persona të dyshuar si pjesëmarrës në krimet e kryera ndaj serbëve gjatë luftës. Ai pohon se akuzat për krime u janë kaluar gjykatave përkatëse dhe zyrave të prokurorisë në RS së bashku me deklaratat e dëshmitarëve dhe viktimave.
Pavarësisht se ai pohon se nuk ka dijeni nëse gjykatat në RS kanë ndërmarrë veprime konkrete për cdonjërin nga personat e listës, Durasinovic beson se "nuk ka arsye që dikush ta konsiderojë të padrejtë përfshirjen e emrit të tij në listë".
Reagimet për publikimin e listës kanë qenë të ashpra në Federatën kroato -boshnjake. E përditshmja Oslobodjenje e cilësonte listën si një "hap skandaloz", ndërsa radio Evropa e Lirë e përshkruante si "thirrje për lincim".
Të tjerët e shikonin me habi përfshirjen në listë përkrah udhëheqësve politikë dhe ushtarakë të Davorin Popovic, këngëtar i famshëm i pop-grupit sarajevas Indexi si dhe të Josip Pejakovic, një aktor i njohur.
Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë i dënuan aktivitetet e Qendrës së Dokumentacionit si "plotësisht të papranueshme dhe nxitëse të urrejtjes". Përvec kësaj, Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje ngriti pyetjen se nëse materiali I mbledhur ishte vërtet autentik, përse nuk ishte dorëzuar drejtpërsëdrejti në Hagë?
Deklaratë e dalë nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë theksonte se "publikimi I kësaj liste ka një peshë të vecantë pasi ajo bazohet në të dhënat e një agjencie zyrtare të qeverisë së RS". Ajo kritikonte në mënyrë të vecantë përfshirjen e të dhënave personale përkundër kushteve të vëna nga Marrëveshja e Paqes së Dejtonit pasi ajo do të pengojë lëvizjen e lirë të njerëzve.
Por kritikat kanë ardhur edhe nga vetë RS. Në një artikull të Nezavisne Novine, një gazetë e Banja Lukës, analisti politik Branko Peric akuzonte qeverinë e RS 2për kërcënime, pengim të rikthimit të refugjatëve dhe mbajtjen e kombit në tension".
Ish kryeministri Milorad Dodik, tani udhëheqës i opozitës socialdemokrate, beson se publikimi i listës do të ketë influencë negative për sigurinë në Bosnje Hercegovinë. Ai fajësoi Boro Maric, besnik i SDS, për shkatërrim të Glas Javosti që nga momenti kur erdhi në krye të saj.
Nënkryetari i parlamentit të RS Sulejman Tihic insistoi se "cdokush që ka kryer krime lufte duhet të përgjigjet për to por fajësia apo pafajësia e tyre duhet të përcaktohet nga gjykata e Hagës dhe jo nga media".
Tihic gjithashtu shprehu habinë që RS kishte vonuar kaq shumë për të nisur bashkëpunimin me gjykatën e Hagës duke i kujtuar parlamentit marrëveshjen e Romës së vitit 1996 "rregullat e rrugës" - që ndalonte procedimet në vend të cështjeve të destinuara për Hagën.
Në përgjigje të kësaj përfaqësuesit e qeverisë së RS pohuan se ata kishin dorëzuar materiale në gjykatën e Hagës por nuk dhanë më tepër detaje mbi përmbajtjen e këtij materiali.
Branislav Borenovic, një zyrtar i lartë i partisë Progresi Demokratik së kryeministrit Mladen Ivanic, shprehu "habinë se pse publikimi i listës shkaktoi pakënaqësi në publikun e Federatës kroato boshnjake dhe në radhët e përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar kur ka fakte që personat e përfshirë në listë kanë kryer krime ndaj serbëve.
"Me këtë veprim qeveria e RS demonstroi gadishmërinë për të bashkëpunuar me gjykatën e Hagës në mënyrë tërësisht transparente dhe dha prova se është serioze në përpjekjet e saj për aprovimin e ligjit i cili do ta konfirmojë zyrtarisht këtë bashkëpunim," that Borenovic.
Zyrtarët e Hagës janë më tepër të interesuar për bashkëpunimin me RS për arrestimin dhe ekstradimin e kriminelëve të dyshuar të luftës se sa për debatin publik mbi zërat pro dhe kundër bashkëpunimit me gjykatën.
Ndërkaq Haga e ka bërë të qartë se nuk shqetësohet nga debati në RS mbi bashkëpunimin dhe dëshiron të shikojë se Republika serbe e Bosnjës plotëson detyrimet e saj për arrestimin dhe transferimin e të pandehurve.
Jean Jacques Joris, këshilltar i posacëm i Prokurores së Përgjithshme të Hagës Carla Del Ponte, i tha televizionit të RS se aprovimi i ligjit për bashkëpuinimin nuk lidhet me aktivitetin e SFOR. "Ata do të arrestojnë të ikurit (në cdo rast). Ata kanë kryer arrestime në të shkuarën dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen," tha ai.
Koincidencë apo jo, një ditë më pas, më 10 gusht SFOR arrestoi në Banja Luka kolonel Vidoje Blagojevic në bazë të një akuze të firmosur. Blagojevic, akuzohet si përgjegjës për krime kundër njerëzimit kundër boshnjakëve në Srebrenicë në korrik 1995 në cilësinë e komandantit të brigadës Bratunac të korpusit të Vishegradit.
Gordana Katana është korrepondente në Banja Luka e së përditshmes Oslobodjenje të Sarajevos.