Lehtësim për Kroatët e Dyshuar për Krime Lufte

Kryeprokurorja e Hagës mendohet se ka arritur një marrëveshje sekrete me kryeministrin Kroat Ivica Raçan

Lehtësim për Kroatët e Dyshuar për Krime Lufte

Kryeprokurorja e Hagës mendohet se ka arritur një marrëveshje sekrete me kryeministrin Kroat Ivica Raçan

Tuesday, 6 September, 2005

Gjeneralët Kroatë të dyshuar për krime lufte duket se janë falur nga gjykata e Hagës për krimet e luftës.


Kroatët mezi e besonin kur kryeprokurorja e gjykatës së Hagës Karla Del Ponte përfundoi një vizitë në Zagreb në mesin e muajit Janar pa akuzuar gjashtë gjeneralët Kroatë.


Ajo gjithashtu ka tërhequr një kërkesë që shefi i shtabit të përgjithëshëm të ushtrisë, Gjeneral Petar Stipetiç, të thirrej në Hagë si dëshmitar dhe aty të mund edhe të arrestohej.


Kroacia morri më tepër zemër nga refuzimi i udhëheqjes Jugosllave javën e kaluar për të ekstraduar Millosheviçin dhe të dyshuar të tjerë për krime lufte në gjykatën e Hagës. Zagrebi ka qenë i mendimit se Del Ponte nuk mund të bëjë presion mbi Kroacinë për të pranuar kërkesa të cilat tashmë Serbia i ka hedhur poshtë.


Gjatë vizitës së saj në Zagreb, Del Ponte e ka bërë të qartë se ajo nuk ka humbur interesin ndaj Stipetiç si dëshmitar. Ajo nuk ka njoftuar akuzat ndaj gjashtë gjeneralëve të tjerë Kroatë, Mirko Norac, Ivan Korada, Damir Krstiçeviç, Rahim Ademi, Ante Gotovina dhe Mladen Markac, dhe as ndaj ish ministrit të brendëshëm, Ivan Jarnjak.


Para largimit nga Zagrebi, Del Ponte është shfaqur si në marrëdhënie shumë të mira me Kryeministrin Raçan, në ndryshim të dukshëm me muajt e fundit kur ndërmjet Zagrebit dhe Hagës ka pasur marrëdhënie tepër të tensionuara.


Nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar për ndonjë lëshim të bërë nga Raçan, por ka zëra se kryeministri duhet t'i ketë ofruar diçka Del Pontes që e ka detyruar të ndryshojë qëndrim.


Thirrja e Gjeneralit Stipetiç kishin zemëruar keq Kroatët dhe për një farë kohe qeveria e Raçanit është rrezikuar të bjerë. Zagrebi është zemëruar veçanërisht për sa i përket kërkesave të gjykatës për të pyetur gjeneralin në bazë të neneve 42 dhe 43 të Statutit të Hagës. Kjo do të thoshte se ai nuk ishte thirrur thjesht si dëshmitar por edhe si një i dyshuar i mundëshëm.


Gjenrali Stipetiç ka qenë në krye të Operacionit Stuhia, një operacion ushtarak në Kroaci gjatë Gushtit të vitit 1995, gjatë të cilit janë dëbuar 200,000 Serbë. Gjenerali ka qenë gjithashtu në krye të operacioneve rreth Banijas dhe Kordun.


Vendimet e gjykatës së Hagës ngarkojnë me përgjegjësi për krime lufte jo vetëm ata që kanë kryer krimet por edhe oficerët drejtues të këtyre veprimeve. Kjo do të thotë që ekzistonte një rrezik i madh, që duke shkuar në Hagë si dëshmitar, Stipetiç mund të dilte edhe vetë në gjyq.


Qeveria e Raçanit ka qenë nën një presion të madh politik jo vetëm nga përkrahësit e linjës së ashpër të krahut të djathtë por edhe nga disa partnerë të koalicionit të tij për të mos pranuar kërkesat e gjykatës.


Mosmarrëveshjet me gjykatën kanë arritur një pikë kulminante në fund të vitit të kaluar pasi zëvendës prokurori i përgjithëshëm i gjykatës, Graham Bluit, ka thënë se Haga po përfundonte akuzat ndaj gjeneralëve Kroatë. Një zëvendës kryeministër i qeverisë Kroate, Goran Graniç, ka thënë se Kroacia nuk do të përmbushte kërkesat e Hagës edhe nëse kjo do të thoshte vendosje e sanksioneve ndërkombëtare.


Në një deklaratë prej 13 pikash, qeveria Kroate i ka kërkuar gjykatës së krimeve të luftës të kryejë hetime vetëm ndaj krimeve specifike dhe jo ndaj veprimeve ushtarake legjitime si rasti i Operacionit Stuhia.


Nëse Del Ponte do të kishte kërkuar paraqitjen e Stipetiç përpara gjykatës së Hagës, qeveria e Raçanit do të ishte përballur me probleme të shumta. Në pikën më të lartë të kësaj mosmarrëveshjeje, është krijuar një përçarje në qeveri me partnerin më të fortë të Raçanit në koalicion, Partinë Social Liberale Kroate, HSLS, të drejtuar nga nacionalisti Drazhen Budisha, e cila kundërshtonte prerë një ekstradim të mundëshëm.


Dy partitë më të vogla të koalicionit, Bashkimi Demokratik i Istrias, IDS, dhe Partia popullore Kroate, HNS, kishin mbështetur një bashkëpunim të plotë me Hagën. Sipas tyre, do të ishte më mirë të bashkëpunohëj me Hagën sesa vendi të përballej me izolim ndërkombëtar.


Këto dy parti së bashku me presidentin Mesiç kishin sugjeruar, përpara se Del Ponte të ndryshonte qëndrim, se nëse koalicioni nuk arrinte të binte dakort për një qëndrim ndaj Hagës, atëherë duheshin thirrur zgjedhje të parakohëshme parlamentare.


Raçanit i është dashur të qetësojë si gjykatën ashtu edhe koalicionin e tij.


Pak përpara mbërritjes së Del Pontes, qeveria e Raçanit ka vendosur të transferojë 17,000 transkriptime të bisedave të ish Presidentit Franjo Tuxhman nga zyra e presidentit në arkivat shtetërore, ku ato do të mbahen të mbyllura për publikun të paktën për 30 vjet.


Në këtë mënyrë, Raçan nuk e lejon Presidentin Mesiç t'ua ofrojë këto transkriptime Hagës, një hap të cilin presidenti kishte ndër mend ta bënte shumë shpejt. Mbyllja e dokumentave është bërë në rradhë të parë për të kënaqur HSLS-në por edhe ka forcuar pozitat e Raçanit ndaj presidentit Mesiç i cili është më i hapur për bashkëpunim. Tani Raçan, dhe jo Mesiç do të vendosë se cilat dokumenta do ti jepen Hagës.


Dokumentat mendohet të përmbajnë edhe emra të kriminelëve të luftës. Tani ato do të ekzaminohen nga një organizëm special i qeverisë për të vendosur se cilat informacione mund ti jepen edhe gjykatës. Për më tepër, qeveria ka krijuar edhe një Zyrë të veçantë për Dënimin e të dyshuarve për Krime Lufte me qëllim që të shpejtohet ky proces.


Ky hap i fundit konsiderohet si një sinjal i rëndësishëm për Del Ponten se qeveria e Raçanit, në ndryshim nga rregjimi i Tuxhmanit, është e përgatitur të hetojë për krimet e luftës dhe të tregojë dëshirën për të çuar fajtorët përpara drejtësisë ndërkombëtare.


Gjatë vizitës së saj në Zagreb, Karla Del Ponte e ka bërë të qartë se Stipetiç nuk do të përballet me ndonjë akuzë nëse nuk pranon të dalë para gjykatës. Ajo ka thënë se Haga nuk do të dënojë komandantët ushtarakë të cilët nuk kanë urdhëruar në fakt kryerjen e krimeve. Kjo deklaratë në fakt e çliron Stipetiçin.


Por Zagrebi ende po përpiqet të kuptojë nëse Raçan i ka bërë ndonjë premtim sekret Del Pontes. Në Kroaci ekziston një ndjenjë se gjykata nuk do ti injorojë krimet e luftës dhe nuk do të falë përsonat përgjegjës për to. Mbi këtë bazë, shumë Kroatë mendojnë se akuzat ndaj gjeneralëve, duke përjashtuar Stipetiçin, mund të vijnë shumë shpejt në Zagreb.


Disa ditë më parë, në një intervistë ekskluzive me mua, Raçan nuk pranoi t'i përgjigjej një pyetjeje nëse ai kishte bërë ndonjë marrëveshje sekrete apo premtime Del Pontes. Ekzistojnë zëra se Raçan mund të ekstradojë të dyshuarit sapo të mbërrijnë akuzat ndaj tyre.


Një ide tjetër është se Del Ponte është detyruar të bëjë kompromispër shkak se në atë momet pozicioni i saj ndërkombëtar ishte shumë i dobët. Ajo ka dashur të shmangë me çdo kusht një konflikt me Kroacinë pasi ajo ka mësuar gjatë vizitës së saj në Zagreb se presidenti Jugosllav Koshtunica kishte në plan të mos e takonte fare atë në Beograd. Koshtunica duket se ka ndryshuar mëndjen pasi ka mësuar atë që kishte ndodhur në Zagreb.


Në të njëjtën kohë, ish Sekretarja Amerikane e Shtetit Madlen Ollbrajt ka thënë se Uashingtoni do të pranonte që Millosheviç të gjykohej në Beograd. Në këto kushte, Del Ponte do ta kishte shumë të vështirë të bindte Kroacinë se ajo duhet të ekstradonte personat e dyshuar për krime lufte.


Megjithatë, Haga nuk ka hequr dorë nga kërkesat e saj për ekstradimin e të dyshuarve Kroatë. Raçan mund të ketë përdorur vizitën e Del Pontes për të fituar pak kohë për të zgjidhur problemet e tij të brendëshme politike. Përgjigja do të dalë në dritë shumë shpejt.


Dragutin Hedl është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Serbia, Croatia
Frontline Updates
Support local journalists