Ky artikull eshte duke u perkthyer.Gjyqi i Millosheviq: Ish Anëtari i Berretave të Kuqe Tregon Krimet

Ish anëtari i njësisë së shërbimeve sekrete të Serbisë duket se ka implikuar Millosheviqin në krimet e kryera në Mostar.

Ky artikull eshte duke u perkthyer.Gjyqi i Millosheviq: Ish Anëtari i Berretave të Kuqe Tregon Krimet

Ish anëtari i njësisë së shërbimeve sekrete të Serbisë duket se ka implikuar Millosheviqin në krimet e kryera në Mostar.

Një dëshmi e rëndë e një ish anëtari të forcave paraushtarake Serbe këtë javë mesa duket ka treguar që Sllobodan Millosheviq ka qenë në drejtim të trupave të cilat kanë kryer krime në Bosnje.


Dëshmitari, ka shprehur gjithashtu edhe keqardhjen dhe pendesën për atë që është bërë në emër të tij – dicka që nuk ka ndodhur në këto 14 muaj që ka zgjatur gjyqi.


Dëshmitari i mbrojtur C-17 ka qenë një anëtar i Berretave të Kuqe, krahu i armatosur i shërbimeve sekrete të Millosheviqit. Ai ka thënë se pak kohë pasi i është bashkuar kësaj njësie, ai është tronditur dhe zemëruar shumë nga sjellja e pjestarëve të tjerë të saj.


“Unë jam këtu në emër të atyre të cilët nuk do të mund të flasin më kurrë, njerëz të vrarë vetëm për arësye se ishin të një kombësie tjetër,” ka thënë C-17.


Në ndryshim nga një numër i të ashtuquajturve dëshmitarë të brendëshëm të cilët kanë dëshmuar në Hagë, disa prej të cilëve kanë qenë bashkëpunëtorë të rëndësishëm të Millosheviqit, ky dëshmitar ka dhënë një dëshmi grafike të krimeve të kryera nga forcat Serbe.


Dëshmia e tij ka përshkruar ngjarjet në Bosnje në pranverën e vitit 1992, kur grupet paraushtarake si Shqiponjat e Bardha, Berretat e Kuqe dhe lëvizja Cetnike e Vojisllav Sheshelj kanë mbërritur në Buna, një vend pushimi veror pak larg Mostarit ku banorë të klasës së mesme kalonin shpesh pushimet.


Kur C-17 ka arritur atje, ai ka parë tre anëtarë të Berretave të Kuqe të cilët po sulmonin një banor lokal Kroat, Pavo Gagro, shtëpia e të cilit sapo ishte djegur. Ata e qëlluan me shkelma sikur të ishte ndonjë top futbolli deri sa ai vdiq, ka thënë dëshmitari.


Një oficer i Ushtrisë Kombëtare të Jugosllavisë, JNA, ka kërkuar të dinte se kush i kishte dërguar njerëzit e Berretave të Kuqe. “Ti e di se kush na ka dërguar këtu,” është përgjigjur një prej tyre, një person të cilin C-17 e ka identifikuar si Njegos Kusiq.


“Kusiq tha se ai do të thërriste Frenki, ti shpjegonte atij se kush i kishte dërguar ata,” ka thënë dëshmitari, duke iu referuar Franko Simatoviq, komandanti i Berretave të Kuqe i cili njihej si një aleat i ngushtë i Millosheviqit. Mesa duket oficeri i JNA u tremb nga ky kërcënim dhe nuk e zgjati më tepër.


C-17 nuk e dinte në atë kohë se kush ishte oficeri i JNA, por më pas ka mësuar se ai ishte Momcilo Perishiq, njeriu i cili më pas u bë shefi i shtabit të përgjithëshëm të ushtrisë Jugosllave.


Dëshmia e dëshmitarit ka treguar se mesa duket shërbimet sekrete të Millosheviqit kanë pasur pushtet mbi JNA dhe se vecanërisht Berretat e Kuqe kanë qenë në krye të këtyre operacioneve.


Duke përforcuar këto deklarime të tij, C-17 ka thënë se ai ka parë një document me firmën e Millosheviqit i cili urdhëronte Perishiq të shkrinte një njësi paraushtarake të quajtur Lulediellit, e cila e kishte qendrën në një kazermë të JNA në Mostar.


C-17 ka thënë se Berretat e Kuqe, Cetnikët e Shesheljit, JNA nën komandën e Perishiq, së bashku me Serbët vendas kanë sulmuar qytetin e Mostar, më 5 Maj, 1992, duke vrarë një numër civilësh. Dëshmitari ka kujtuar se si një burrë është hedhur në një pus dhe më pas është hedhur edhe një granatë.


Pas sulmit mbi qytetin e Mostar, në një operacion të mbështetur edhe nga ushtria e Jugosllavisë, Berretat e Kuqe, së bashku me grupet paraushtarake të sapo mbërritura, Vukovarci, kanë sulmuar një fshat në veri të qytetit të quajtur Bijelo Polje. C-17 ka thënë se ata të cilët kishin mbetur gjatë pas sulmit janë vrarë nga Berretat e Kuqe, dhe ka përshkruar se si një paraushtarak i ka prerë veshin një plaku dhe e ka hedhur trupin e tij në një pellg me ujë, “dhe më pas ai filloi të hidhte tulla mbi trupin deri sa ai u zhyt në ujë”.


Por më e keqja do të ndodhte më pas. Në fillim të Qershorit, kur forcat e JNA filluan të tërhiqeshin nga Mostar, dëshmitari është urdhëruar të mbajë nën kontroll një pozicion të armikut përgjatë bregut të lumit. Ai ka hypur mbi një ndërtesë të lartë në zonën e kazermës dhe ka parë një grup civilësh të cilët po shoqëroheshin nga njerëz me uniforma me lara në drejtim të lumit Neretva. “Për këtë arësye jamë këtu,” ka thënë ai.


Përgjatë lumit, ai ka thënë se ka parë trupat Serbe të cilët kanë vrarë burra me pistoleta, thika, pushkë dhe “cdo mjet tjetër”.


Në rradhët e vrasësve , C-17 ka thënë se ka njohur një anëtar të Berretave të Kuqe dhe Cetnikëve të Sheshelj, Pero Divljakoviq, dhe një burrë të cilin ai e ka njohur vetëm me emrin Vranjac.


Pas tërheqjes nga Mostari, dëshmitari ka thënë se Berretat e Kuqe kanë shkuar në një tjetër qendër pushimesh, në bregun e Liqenit Boracko. Atje, ka thënë ai, na ka vizituar Simatoviq. “Frenki erdhi me helicopter. Ne ishim të rreshtuar dhe ai na mbajti një fjalim patriotik rreth kalorësve Serbë, i cili nuk më kujtohet më, por ishte një lloj propagande patriotike,” ka thënë ai.


C-17 ka dëshmuar gjithashtu se Berretat e Kuqe i kanë mbajtur gratë në një cadër në kamp, të cilën e vizitonin shpesh. “Unë nuk e di se cfarë u ka ndodhur atyre, por unë kam parë anëtarë të Berretave të Kuqe të cilët hynin dhe dilnin prej andej,” ka thënë ai.


Dëshmitari më pas është bërë anëtar i Ujqve të Bardhë, një grup paraushtarak – i cili përfshinte edhe mercenarë Rusë dhe Bullgarë – të cilët vepronin në zonën e Sarajevos, të cilët ishin nën urdhërat e gjeneralit Serb të Bosnjes, Ratko Mlladiq.


Të vendosur në Malin Jahorina, pranë qytetit, C-17 ka thënë se kjo njësi ka ndihmuar në marrjen peng të ushtarëve të OKB-së në pranverën e vitit 1995, kur NATO bombardoi pozicionet e Serbëve përreth kryeqytetit.


C-17 ka thënë se urdhëri për marrjen peng të ushtarëve të OKB-së është dhënë nga zyra e Momcillo Krajisnik, presidenti i parlamentit të Serbëve të Bosnjes.


Në seancën e pyetjeve, Millosheviq ka akuzuar C-17 se ka shpikur historinë rreth sulmit të JNA ndaj Mostarit dhe masakrën që ka ndodhur në brigjet e lumit.


Por C-17 u është përgjigjur akuzave të ish presidentit Jugosllav me prova mesa duket të pakundërshtueshme. “Ka mbi njëqind varre në Mostar të cilat kanë emrat e njerëzve të vrarë atë ditë,” ka thënë ai.


Emir Suljagiq ështe një i dërguar i IWPR në Hagë.


Frontline Updates
Support local journalists