Kush Ka Kohë Të Lirë

Plazhi në ish Jugosllavi është gjëja më e mirë që mund të bësh, gjithnjë nëse ke mundësi financiare ta përballosh.

Kush Ka Kohë Të Lirë

Plazhi në ish Jugosllavi është gjëja më e mirë që mund të bësh, gjithnjë nëse ke mundësi financiare ta përballosh.

IWPR

Institute for War & Peace Reporting
Tuesday, 21 August, 2001

Është mesi i verës dhe turistët janë dyndur në ish Jugosllavi dhe përgjatë bregdetit Adriatik. Për ata që ende kanë kohë të lirë, kjo është një guidë e përgatitur nga IËPR për vendet turistike të verës, me synimin për të drejtuar lexuesit tanë dhe interesat e tyre të veçanta.


Po të marrësh tunelin Karavanken në jug të Austrisë del menjëherë nën diellin e shndritshëm të ish Jugosllavisë! Këtu fillon rruga e IWPR-së, pikërisht në atë vend ku, në Qershor të vitit 1991, vendi i vjetër pushoi së ekzistuari kur trupat Jugosllave hynë për të siguruar kufinjtë e Sllovënisë që po shkëputej.


Nuk ka nevojë të shpenzosh kohë në dalje të tunelit. Nisu me shpejtësi në drejtim të Bled, qytetin e mbushur me turistë në breg të liqenit ku njerëz me varka të çojnë në ishullin elegant në mes të liqenit. Gjatë rrugës ata të tregojnë ish rezidencën verore të dinastisë Karaxhorgjeviq, e cila tani është një hotel luksoz.


Kënaquni duke parë se pasardhësit e familjes mbretërore të Serbisë dhe Jugosllavisë sapo kanë rimarrë pronat e tyre në Serbi dhe pyetni drejtuesin e varkës suaj nëse ata "tashmë" kanë kërkuar rikthimin e kësaj rezidence në Slloveni.


Nëse drejtuesi i varkës duket disi konfuz, ngushëlloni veten me faktin që po kontribuoni në shtimin e lidhjeve tregtare ndërmjet ish republikave Jugosllave. Pranë kishës në ishullin Bled mund të blini patatina Serbe Smoki Flip. Këto janë të vetmet produkte Serbe të cilat kanë rihyrë në tregun Slloven, por këtu, ato janë edhe patatinat më të shtrenjta në Europë. Megjithatë, meqënëse restorantet në bregun e liqenit kanë çmime të njëjta me ato të Londrës apo Manhatanit, patatinat mund të jenë të vetmet gjëra që mund të blini për të ngrënë. Nxitoni në drejtim të jugut.


Vetëm pasi keni kaluar kufirin Kroat dhe të keni ndaluar në Karlovac e kuptoni se përse Sllovenia e pasur është në rrugë të mbarë drejt anëtarësimit të shpejtë në BE, dhe Kroacia jo. Karlovac, ku janë zhvilluar luftime të ashpra ndërmjet Serbëve dhe Kroatëve në vitin 1991-92, tregon ende shenjat e predhave dhe është një vend shumë i dëshpëruar. Vështirë se mund të gjehet ndonjë gjë për ta mbajtur një vizitor në këtë vend.


Merr autostradën e Adriatikut në Turanj, ish pika e kalimit për në Republikën Serbe të Krajinas.


Cilido që ka udhëtuar drejt RS deri në rënien e saj në verën e vitit 1995 do të mbetet i habitur. Rruga kryesore, në të cilën atëherë kalonin vetëm pak makina në ditë, tanimë është e mbushur me turistë që shkojnë në drejtim të jugut, ashtu siç bënin edhe përpara luftës.


Por turizmi ka ndryshuar shumë gjatë dekadës së fundit. Ka ende Gjermanë dhe Austriak këtu, por tani pjesa më e madhe e makinave të cilat shkojnë drejt jugut janë Hungareze, Ceke, Sllovake dhe Polake.


Por kujdes. Europiano Lindorët nuk shpenzojnë shumë. Ka dhoma për t'u marrë me qera përgjatë rrugës, por për të kursyer para, Sllovakët mund të ecin pa pushim me makinë nga Bratisllava në Brac - dhe nëse i zë gjumi në timon përballë jush, ka pak mundësi të shpëtosh.


Gjashtë vjet pas rënies së Krajinasvihen re ende shtëpitë e boshatisura dhe të shkatërruara përgjatë rrugës që i përket Serbëve të cilët nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre. Zymtësia dhe depopullimi është edhe më i madh më larg rrugës kryesore. Vini re edhe sipërfaqet e gjera të tokës dikur të kultivuar të cilat tanimë janë kthyer në gjendje të egër.


Disa turistë ndalojnë për të admiruar bukurinë e liqeneve të Plitvice. IWPR mendon se lexuesit e saj do të ishin më të interesuar për një shëtitje në Bosnje. Së pari mund të shkoni në Bihaç, qyteti kryesor i "xhepit" Boshnjak të rrethuar nga Serbët gjatë gjithë luftës dhe rajoni ku Boshnjakët kanë luftuar edhe luftën e tyre civile brenda luftës me Serbët.


Bihaç është një qytet i zhurmshëm dhe me shumë jetë, por lypsit e shumtë nëpër rrugë tragojnë për varfërinë e tij të pas luftës. Flamuri Boshnjak i vendosur nga të huajt pas luftës mund të shihet gjithandej. Shumë njerëz e ngatërrojnë flamurin Boshnjak me stemën e firmës së prodhimit të baterive Varta.


Më pas drejtohuni në jug për në Bosanski Petrovac, dikur një qytet me shumicë Serbe, i cili tani banohet kryesisht nga Kroatët e dëbuar nga pjesë të tjera të Bosnjes. Ky qytet është ndoshta një ndër qytetet më të zymtë në Europë. Mundohuni të shmangni Kafe NDH, e cila e ka marrë emrin për nder të shtetit fashist Kroat të krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nëse jeni vërtetë të uritur pak më larg nga NDH, është një burrë i cili pjek një derr, pranë posterave të cilët mbështesin Kroatët e akuzuar si kriminel lufte. Vini re gjithastu, se në këtë qytet nuk mund të flini sepse Hoteli Sarajevo është ende i shkatërruar si pasojë e predhave të luftës.


Kujdes: Në rrethinat e qytetit një polic me një radar gjobit cilindo që nget makinën me shpejtësi më të madhe se limiti prej breshke prej 40 kilometra në orë. Gjoba është 30 Marka Gjermane, por polici miqësor të ul 10 marka nëse keni fëmijë me vete.


Kthehuni në Kroaci, përgjatë maleve nëpërmjet Kninit, ish kryeqytetit të Krajinas, tani i mbushur me Kraotë të Bosnjes. Drejtohuni për në jug për në Kistanje, ish qytet Serb, i cili tani banohet nga Kroatë të kosovës nga Janjevo. Vizitoni manastirin e bukur Ortodoks në Krka. I mbyllur për vizitorët e thjeshtë prej vitesh, ai tani është hapur dhe disa artistë kanë filluar të pikturojnë edhe afreske të reja.


Drejtohuni për në Split. Është vështitrë të gjendet një vend për të kaluar natën dhe disa pjesë të qytetit së fundi janë mbuluar nga një perde tymi i cili ngrihet nga pyjet që digjen në thellësi. Për çudi në qytet ka shumë më pak restorante sesa bare. Arësyeja për këtë është sendoshta ato janë aq të shtrenjta saqë askush nuk shkon dhe nuk ka më klientelë, sepse edhe turistët Perëndimorë, për të mos përmendur ata Kroatë dhe nga europa lindore nuk dëshirojnë të paguajnë dy apo tre herë më tepër për një peshk të zgarës sesa në restorantin më të mirë të Parisit.


Kthehuni në Bosnje dhe shkoni në Herzegovinën perëndimore të banuar nga Kroatët, dhe më pas në Mostar. Habituni me punëtorët të cilët po rindërtojnë urën e vjetër të periudhës së Turqisë. Atmosfera është ende e rëndë në këtë qytet të ndarë ndërmjet Boshnjakëve dhe Kroatëve dhe, nëse makina juaj nuk është e siguruar ndaj vjedhjeve në Bosnje, nuk ju rekomandojmë të kaloni natën në këtë qytet.


Drejtohuni për në Dubrovnik. I bukur si gjithnjë, por, këshilla kryesore e IWPR-së është të shmangni vizitat në qytetin e vjetër gjatë paradites. Anijet e turistave janë rikthyer dhe këtë sezon rreth 400 syresh pritet të vizitojnë qytetin. Pasagjerët e tyre vizitojnë qytetin në mëngjes, kështu që ka shumë rrëmujë.


Disa hotele në Dubrovnik dhe përgjatë rivierës janë ende të mbyllur, si pasojë e luftës. Për këtë arësye është e vështirë të gjesh një dhomë. Por zyrtarët vendas të turizmit thonë se ende nuk është arritur turizmi në masë si përpara luftës. Ata dëshirojnë të inkurajojnë vizitorë të cilësisë së lartë, por, për momentin, shërbimet janë jo në lartësinë e duhur dhe çmimet tepër të larta. Një apartament në fshatin turistik të Kavtat nuk ka asnjë nga lehtësirat e nevojëshme si makina larëse apo edhe pajisje të guzhinës të cilat kërkohen nga turistët perëndimorë. Por, megjithatë, ai kushton sa edhe një vilë e madhe e mobiluar krejtësisht në një vend të ngjashëm turistik në Francë.


Drejtohuni për në jug, në Malin e Zi. Në kufi përgatituni të paguani 30 Marka Gjermane për sigurim të makinës, 20 marka për taksë rruge dhe 6 marka për të kaluar makinën në një gropë të mbushur me një lëng dizinfektant, i cili sipas inspektorit sanitar është për të mbrojtur republikën nga sëmundja e aftës epizodike që prek bagëtitë. Ai do të jetë veçanërisht entuziast nëse makina juaj është nga Britania.


Bregdeti i Malit të Zi është i tejmbushur. Pasi nuk kanë nevojë për vizë Malazeze dhe nuk kanë dëshirë të vizitojnë Kroacinë, të gjithë Serbët janë dyndur në Mal të zi, duke u ankuar për çmimet e larta. Turistët e huaj do të ishin të interesuar të shihnin posterat që i paralajmërojnë të mos prekin Radovan karaxhiqin, ish drejtuesin e Serbëve të Bosnjes, por të bësh një fotografi pranë një prej posterave mund të merret si një shenjë provokuese.


Për qetësi dhe rehati, shkoni në vende të mira dhe të qeta si Perast në Gjirin e Kotorrit. Kënaquni me mungesën e turmave dhe pamjet e mrekullueshme. Këtu gjendet edhe ajka e Jugosllavisë, me kompjuterat e tyre portabël në kafene apo dukemarrë diell në tarracat e shtëpive të tyre të mrekullueshme të shekullit të 18. Ata e dinë sekretin më të fundit të pushimeve në Europë, të cilin IWPR po e tregon tani: Gjiri i Kotorrit është Toskana e re.


Tim Xhudah është autori i librit; Serbët:Historia, Miti dhe Shkatërrimi i Jugosllavisë.


Frontline Updates
Support local journalists