Kumanova Përgatitet për Luftë

Rrugët e këtij qyteti me popullsi të përzier etnike kanë rënë në qetësi, dhe disa familje Shqiptare janë larguar, ndërsa predhat fluturojnë aty pranë dhe popullsia e sheh gjithnjë e më pranë një konflikt të armatosur.

Kumanova Përgatitet për Luftë

Rrugët e këtij qyteti me popullsi të përzier etnike kanë rënë në qetësi, dhe disa familje Shqiptare janë larguar, ndërsa predhat fluturojnë aty pranë dhe popullsia e sheh gjithnjë e më pranë një konflikt të armatosur.

IWPR

Institute for War & Peace Reporting
Sunday, 6 May, 2001

Me uturimën e helikopterëve ushtarak mbi kokë, dhe shpërthimet në fshatrat aty pranë të kontrolluara nga luftëtarët në Vaksince dhe Slupcane, qyteti i Kumanovës është çuditërisht i qetë.


Për banorët e këtij qyteti verior të Maqedonisë, me një popullsi prej 90,000 banorë ku përfshihen Maqedonas, Shqiptarë, Serbë, Vlleh, dhe Romë, dhe një të kaluar me bashkëjetesë dhe tensione, konflikti në Maqedoni ka filluar seriozisht. Kështu që ata kanë braktisur rrugët dhe strehoen në shtëpitë e tyre.


"Lufta", thotë Selver Halimi, duke i shpjeguar djalit të tij 10-vjeçar se përse duhet të qëndrojnë në shtëpi, "ka filluar"


Ndërsa disa kilometra më në perëndim vazhdojnë bombardimet e Ushtrisë Maqedonase për të tretën ditë, shkollat janë mbyllur, pak dyqane janë të hapura, dhe ekipi i futbollit të qytetit ka anulluar takimet e tij sepse nuk mund të mbledhë lojtarët: pjesa më e madhe e tyre jetojnë në zonën e konfliktit. Është vendosur ndalim qarkullimi nga ora 22.00 deri në orën 5 të mëngjesit.


Kafeneja e Latifit, një nga më të populluarat në qytet, është një nga pak lokalet që janë ende hapur, megjithëse nuk ka shumë klientë. Të gjithë bëjnë të njëjtën pyetje: "Kur do të mbarojë e gjithë kjo?"


Dy komunitetet kryesore kanë mendime krejt të kundërta për këtë çështje.


Një Maqedonas mbështet fuqimisht ushtarakët. "Ushtria jonë po mbron vendin nga terroristët," thotë ai.


Shqiptarët janë më të kujdesëshëm, duke mos kritikuar haptazi luftëtarët Shqiptarë të Ushtrisë Clirimtare Kombëtare (UCK) por duke shprehur shqetësim të madh për veprimet e ushtrisë.


"Nuk e besoj dot se po ndodh kjo," thotë Iljaz Abazi. "Civilët po qëllohen me raketa dhe helikopterë ndërsa disa fshatra janë shkatërruar krejtësisht".


Përpara se të niste ofensivën e saj dy ditë më parë në përgjigje të vrasjes dhe plagosjes së disa anëtarëve të forcave të sigurimit Maqedonase nga ana e luftëtarëve Shqiptarë, autoritetet Maqedonase i kanë bërë thirrje civilëve në fshatrat Slupcane dhe Vaksince për t'u larguar.


Slupcane, ku bombardimet kanë qenë më të rënda, është i banuar nga rreth 5,000 civilë. Popullsia e Vaksince është rreth 2,000 banorë.


Përveç një numri të vogël grash dhe fëmijësh të cilët janë larguar në drejtim të Kosovës dhe kufirit me Serbinë, pjesa më e madhe e banorëve duket se kanë mbetur në fshatrat e tyre. Banorët e Lojane, Lipkovo, Hotla dhe fshatra të tjerë nuk i janë përgjigjur thirrjes së autoriteteve për t'u larguar nga fshatrat. Por pas një ultimatumi të ri nga autoritetet, për sot në mëngjes, më 6 Maj, rreth 50 fshatarë nga Slupcane janë larguar.


Ushtria Maqedonase thotë se fshatarët po përdoren nga UCK-ja si "mbulesa njerëzore" për të shmangur sulmet. Megjithëse gëzon mbështetjen ndërkombëtare, Ushtria Maqedonase është paralajmëruar haptazi nga Brukseli dhe Uashingtoni për të shmangur viktimat në rradhët e civilëve.


Por sipas informacioneve që vijnë në Kumanovë nga zonat përreth, fshatarët Shqiptarë hedhin poshtë zërat se luftëtarët po i mbajnë peng. Shumë fshatarë duket se janë mbledhur në grupe të mëdha, prej 100 deri 200 njerëz në një shtëpi duke u strehuar nëpër bodrume.


"Nuk është e vërtetë që luftëtarët Shqiptarë po mbajnë fëmijët dhe gratë pengje," ka thënë në një bisedë telefonike nga Vaksinca Ljumnuse Avdilji. "Ne nuk jemi terroristë dhe nuk po sulmojmë asnjeri. Në fakt, ne po sulmohemi nga forcat Maqedonase".


"Është vendimi ynë për të qëndruar këtu," thotë një grua tjetër Shqiptare. "Ne nuk duam të largohemi nga shtëpitë tona".


Bombardimet kanë filluar të Shtunën në mëngjes, pas skadimit të afatit të fundit të orës 11 të vënë nga Ushtria Maqedonase për tërheqjen e UCK-së.


Është e pamundur të verifikohen njoftimet për humbjet, apo të konfirmosh numrin e saktë të të plagosurve në rradhët e civilëve apo të luftëtarëve. Burimet Maqedonase kanë përgënjeshtruar sulmet ndaj civilëve.


Por njoftimet nga një doktor vendas, Doktoreshë Fatmire Hasani, thonë se rreth 8 persona kanë vdekur dhe 50 të tjerë janë plagosur, pa dhënë ndonjë informacion për humbjet në rradhët e ushtrisë dhe të policisë Maqedonase.


Ndërkohë, disa burime Shqiptare kanë paralajmëruar se shtëpitë e Shqiptarëve në këto fshatra po digjen, dhe në disa raste banorët e tyre kanë mbetur brenda.


"Në Slupcane po ndodh diçka e tmerrshme," thotë Dr. Hasani. "Njerëz të pafajshëm po humbasin jetën vetëm sepse janë Shqiptarë".


Rreth 20 policë Shqiptarë thuhet të jenë larguar nga policia Maqedonase dhe i kanë dhënë armët dhe uniformat e tyre UCK-së.


Burime të afërta me luftëtarët, të cilët thonë se kanë marrë pajisje ushtarake të sofistikuara, kanë thënë për median lokale se ata kanë përballuar me sukses sulmet ushtarake të Maqedonasve. Ata thonë se kanë rrëzuar tre helikopterë dhe kanë kapur dy tanke. Burimet zyrtare Maqedonase kanë përgënjeshtruar këto humbje.


E gjithë kjo krijon një tension të madh në Kumanovë.


Popullsia është tepër e përzier. Këtu jetojnë Serbë, Maqedonas dhe Shqiptarë. Banorët vendas kanë frikë se nëse konflikti zgjerohet në qytet atëherë gjendja mund të degjenerojë në një gjakderdhje ndër etnike.


Marrëdhëniet ndër etnike kanë qenë gjithnjë sfida më e madhe e Kumanovës. Qyteti ka qenë gjithnjë i tensionuar, dhe Serbët dhe Maqedonasit kanë qenë shpesh në konflikt me Shqiptarët. Armët e para të Luftës së Dytë Botërore në Maqedoni janë shkrehur pikërisht në këtë qytet.


"Kumanova mund të shndërrohet në një Vukovar të dytë," thotë një Maqedonas etnik.


Deri më tani, nuk ka pasur incidente ndërmjet banorëve të qytetit. Politikanët vendas dhe policia ka bërë thirrje banorëve vendas të mos i përgjigjen asnjë provokimi.


Kryetari i bashkisë së Kumanovës, Slobodan Kovaçevski, u ka bërë thirrje Maqedonasve dhe Serbëve të mos shkatërrojnë dyqanet dhe shtëpitë e Shqiptarëve, siç ka ndodhur në Bitola pas funeraleve të katër ushtarëve të vrarë nga UCK-ja.


Kovaçevski u ka bërë thirrje gjithashtu Shqiptarëve të largohen nga UCK-ja dhe të bashkohen me Ushtrinë Maqedonase për të mbrojtur vendin e tyre nga sulmet e luftëtarëve të UCK-së.


Husamedin Halili, kryetari i bashkisë së Lipkovës, i ka bërë thirrje Ushtrisë Maqedonase të ndalojë bombardimet e fshatrave Shqiptare.


Problemi është se sa influencë mund të kenë politikanët lokalë në këto rrethana. Banorët e Kumanovës mendojnë se gjendja është tashmë jashtë kontrollit.


Natën e kaluar, janë shpërndarë në rradhët e komunitetit Shqiptar se Maqedonasit dhe Serbët etnik po përgatiteshin të shkatërronin shtëpitë e Shqiptarëve. Sot në mëngjes, disa qindra familje Shqiptare janë larguar nga Kumanova në drejtim të Shkupit.


"Ne po presim në shtëpitë tona të shohim se çfarë do të ndodhë më pas," thotë një Shqiptar i shqetësuar. "Është më mirë të qëndrosh brenda se të dalësh jashtë. Mund të jetë e rrezikëshme".


Edhe një Serb 40 vjeçar mendon kështu. "Kam frikë se fëmijët e mi mund të bien viktimë e kësaj çmendurie," thotë ai.


Nexhat Aqifi është një gazetar në Kumanovë.


Macedonia, Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists