KROATËT E BOSNJES TREGOJNË MUSKUJT

Kroatët e linjës së ashpër në Bosnje po kërcënojnë se do të krijojnë shtetin e tyre.

KROATËT E BOSNJES TREGOJNË MUSKUJT

Kroatët e linjës së ashpër në Bosnje po kërcënojnë se do të krijojnë shtetin e tyre.

Nacionalistët Kroatë të Bosnjes të cilët takohen në Mostar këtë fund jave mund të shpallin krijimin e një entiteti të pavarur Kroat, vetëm pak ditë pas krijimit të qeverisë së moderuar në nivelin Federal dhe atë shtetëror.


Më 1 Mars, Ante Jelaviq, përfaqësuesi i Kroatëve të Bosnjes në presidencën tripalëshe të Bosnjes, ka denoncuar autoritetet e tanishme të Federatës si "të paligjshëm". Ai ka folur në një manifestim, në qytetin Busovaca, në përkrahje të Dario Kordiq, një drejtues Kroat gjatë luftës i cili është dënuar së fundi me 25 vjet burgim nga Gjykata e Hagës për krime lufte.


"Ka ardhur koha që ne ta themi haptazi se nuk mund të marrim më pjesë në këtë proces të Dejtonit," ka thënë para turmës Jelaviq. "Që nga dita e sotme Federata është një entitet kombëtar i Muslimanëve të Bosnjes, pa pjesëmarrjen e Kroatëve. Autoritetet e reja në Bosnje janë të paligjëshme.


"Ne as nuk do të marrim pjesë në to dhe as do t'i njohim vendimet e tyre. Unë ju ftoj të gjithëve ju në Mostar ditën e Shtunë për të marrë këtë vendim historik."


Jelaviq, i cili është drejtuesi i Bashkimit Demokratik Kroat, HDZ, nuk e ka bërë të qartë se cili do të jetë ky "vendim", por ka shumë shenja që tregojnë se ai do të bëjë thirrje për përfshirjen e zonave të banuara nga Kroatët në një entitet të veçantë të Bosnjes. Zyrtarët ndërkombëtarë në Bosnje kanë hedhur poshtë komentet e tij si "budallallëqe ekstremiste".


Më 22 Shkurt, një bojkotim i nxitur nga nacionalistët i institucioneve të përbashkëta të Bosnjes është shmangur kur blloku opozitar, Aleanca për Ndryshim, ka arritur të krijojë një qeveri të moderuar shtetërore. Bozhidar Matiq, kandidati i Partisë Social Demokrate multi etnike, SDP, është zgjedhur kryeministër i Bosnje Herzegovinës.


Aleanca ka arritur një fitore të dytë menjëherë më pas, duke zgjedhur kandidatët e saj si kryetar dhe zëvendës kryetar të dhomës së lartë të parlamentit Federal, apo të Dhomës së Popullit.


Por koalicioni pothuajse shkoi drejt shpërbërjes si pasojë e negociatave të gjata dhe përpjekjeve për të përfituar sa më tepër nga partitë e ndryshme. Mbetet për t'u parë ende rezultati i këtyre mosmarrëveshjeve të gjata.


Është dashur një nxitje nga ana e komunitetit ndërkombëtar për të shmangur pengesat e nacionalistëve.


Përfaqësuesi i Lartë petriç ka deklaruar se sipas marrëveshjes së Dejtonit, kryeministri i vendit mund të emërohet nga Dhoma e Përfaqësuesve të shtetit, pa apriovimin e Dhomës së Popullit.


Partitë nacionaliste, veçanërisht HDZ-ja, kishte penguar zbatimin e rezultateve të zgjedhjeve të përgjithëshme të 11 Nëntorit nga Dhoma e Popullit, e cila ka pesë përfaqësues nga secili prej tre grupeve më të mëdha etnik. Dy kantonet në të cilat HDZ-ja ka fituar shumicën nuk kanë pranuar të emërojnë përfaqësuesit e tyre në këtë asamble.


Petriç ka dhënë edhe një shtytje tjetër kur shkarkoi ish kryeministrin e federatës Ethem Biçakçiq nga posti i tij i ri si drejtor i kompanisë së fuqishme Boshnjake të shpërndarjes së energjisë elektrike, Elektroprivreda BiH.


Biçakçiq, një figurë kryesore në Partinë e Veprimit Demokratik, SDA, të nacionalistëve të Bosnjes, akuzohet se ka keqpërdorur rreth 300 milion marka Gjermane nga fondet publike.


Megjithatë, më 22 Shkurt, Dhoma e Përfaqësuesve të shtetit ka zgjedhur Matiq në postin e kryeministrit të vendit për të drejtuar Këshillin e ri të Ministrave. Matiq menjëherë ka sigururar shumicën e votave për kandidatët e tij për postet ministrore.


Matiq është zgjedhur në këtë post pasi zgjedhja e parë e presidencës tre palëshe, politikani i HDZ-së Martin Raguz, nuk është pranuar nga shumica e deputetëve.


Matiq, një profesor në Universitetin e Sarajevos, drejtor i firmës konglomerate të ndërtimit, Energoinvest, dhe një anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Bosnjes, ka fituar me 22 vota pro dhe vetëm 3 kundër. Dhjetë deputetë të SDA-së dhe Partisë Demokratike Serbe kanë abstenuar. Shtatë deputetë të tjerë mungonin, përfshirë edhe deputetët e HDZ-së, të cilët u largun nga salla përpara votimit.


Zyrtarët e HDZ-së e quajtën zgjedhjen e Matiqit si një "ngjarje historike e turpshme". Ata kanë thënë se Matiq, megjithëse një Kroat etnik, nuk përfaqëson interesat e Kroatëve të Bosnjes.


Drejtuesit e SDS-së dhe SDA-së janë ankuar gjithashtu se kryministri i ri nuk ka marrë mendimin e tyre për emërimin e ministrave të tij.


Matiq menjëherë ka premtuar bashkëpunim në nivel shtetëror dhe të entiteteve në një përpjekje për të rimëkëmbur ekonominë e shkatërruar të vendit.


"Unë do të punoj për të mirën e të gjithë Bosnje-Herzegovinës," ka thënë Matiq pas zgjedhjes së tij, diçka që asnjë nga drejtuesit nacionalistë nuk e kanë premtuar gjatë dhjetë vjetëve të fundit.


Ai ka theksuar nevojën për të krijuar një ekonomi të qëndrueshme, një synim i cili mund të arrihet vetëm duke shtuar eksportet dhe tërhequr investimet e huaja. Në të vërtetë, komentet e Matiqit gjatë ditëve të fundit tregojnë se ekonomia përbën prioritetin e tij të parë.


Ndërkohë, një ndërhyrje tjetër e Petriç i ka siguruar Aleancës fitoren edhe në parlamentin e Federatës. Përfaqësuesi i Lartë vendosi që dhoma e lartë e Federatës ose Dhoma e Popullit mund të krijohej edhe nëse HDZ-ja nuk pranonte të dërgonte përfaqësuesit e saj. Kjo ka ndodhur më 23 Shkurt. Asambleja e re ka zgjedhur kandidatin e SDP-së Ivo Komsiq si kryetar dhe Meliha Aliç nga Partia për Bosnje Herzegovinën si nënkryetare të parlamentit.


Me vetëm 58 deputetë, nga 80 që duhet të ishin, dhoma më pas zgjodhi kandidatin e SDP-së Karlo Filipoviq si president të Federatës. Safet Haliloviq, nga partia për Bosnje Herzegovinën, është zgjedhur zëvendës president.


Filipoviq dhe Haliloviq duhet të pranohen nga Dhoma e Përfaqësuesve të Federatës përpara se të mund të krijohet qeveria e entitetit.


Megjithëse në pamje të jashtëme gjendja duket e qetë, suksesi i Aleancës ka ardhur vetëm pas shumë javë debati të zjarrtë rreth ndarjes së posteve.


Disa nga partitë kanë kërcënuar se do të largoheshin nga koalicioni dhe Matiq ka ofruar dorëheqjen e tij të paktën dy herë. Duke qenë se koalicioni përbëhet nga dhjetë parti, të cilat kërkonin të gjitha poste, duket se jo të gjitha prej tyre do të merrnin poste të rëndësishme.


Presidenti i Inisiativës së Re Kroate, NHI, Kresimir Zubak, ka kërcënuar të largohet nga aleanca pasi nuk ka marrë asnjë nga postet qeveritare që dëshironte. Ai u qetësua vetëm pasi morri një post në qeveri.


Përpjeka e ethëshme prej 20 ditësh për të siguruar poste qeveritare ka qenë një spektakël jo i këndshëm dhe ka bërë që të dalin në dritë histori të reja për politikanët Boshnjakë të cilët vënë interesin e tyre personal përpara interesave kombëtare.


Megjithatë, më në fund, është arritur në nivel shtetëror një ndarje e kënaqëshme e posteve, megjithëse qeveria e re Federale ende nuk është përcaktuar përfundimisht. Takimi i nesërm në Mostar do të komplikojë edhe më tepër gjendjen.


Amra Kebo është një bashkëpunëtore e rregullt e IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists