KROATËT E BOSNJES MBËSHTESIN TË DJATHTËN EKSTREME
Zgjedhjet në Kroaci kanë theksuar zhgënjimin e disporës me ish mbështetësit e tyre politik.
KROATËT E BOSNJES MBËSHTESIN TË DJATHTËN EKSTREME
Zgjedhjet në Kroaci kanë theksuar zhgënjimin e disporës me ish mbështetësit e tyre politik.
Kroatët e Bosnjes pritet të mos mbështesin më Bashkimin Demokratik Kroat, HDZ, duke votuar për partitë e ekstremit të djathtë në zgjedhjet parlamentare të cilat mbahen në Kroaci këtë fundjave.
Për herë të parë që prej përfundimit të luftës, kroatët e Bosnjes - të cilët kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhjet në Kroaci - duket se do të mbështesin një parti më nacionaliste për ti përfaqësuar ata na zgjedhjet e 23 nëntorit.
Shumë prej rreth 350,000 kroatëve të cilët jetojnë në Bosnje - grupi më i madh i diasporës nga Kroacia - ende ëndërrojnë se rajonet e banuara prej tyre mund të bashkohen me Kroacinë dhe janë gjithnjë e më të pakënaqur me HDZ, e cila dikur ka qenë përfaqësuesja e kësaj ëndërre të tyre, por që në këto zgjedhje duket se po ndjek një axhendë më pak nacionaliste.
Një anketim i kryer javën e kaluar nga agjensia e marketingut Promedia ka treguar se 98 përqind e mbi 5,000 kroatëve të Bosnjes të pyetur kanë thënë se ata dëshirojnë heqjen e kufinjve me Kroacinë.
Por kryetari i HDZ Ivo Sanader ka minimizuar ambicjet e mëparëshme të partisë së tij për krijimin e Kroacisë së Madhe, sepse kjo konsiderohet si arësyeja kryesore që vendi nuk ka ecur me ritmin e duhur drejt anëtarësimit në BE.
Ndryshimi i qëndrimit të HDZ-së është dukur qartë kohët e fundit pas mos pranimit nga ana e saj për të vendosur në listën e kandidatëve të saj zgjedhor anëtarë nga dega e saj në Bosnje për të përfaqësuar kroatët lokal në zgjedhjet e ardhëshme.
Si rezultat i politikës së HDZ, kroatët e Bosnjes ndjehen të tradhëtuar nga ajo që ata e shohin si atdheun e tyre, dhe tani duket se nuk do të mbështesin më partinë me të cilën dikur kanë qenë shumë të afërt.
Pakica vazhdon të mendojë se e ardhmja e tyre është në Kroaci, dhe jo Bosnje. Shumë pjestarë të këtij komuniteti janë ndjerë të tradhëtuar nga marrëveshja e paqes së dejtonit në vitin 1995, e cila i dha fund luftës dhe ndau vendin në dy entitete - Republika Srpska dhe Federatë.
Edhe tani, kroatët e Bosnjes ndjejnë se ata janë detyruar të pranojnë të jetojnë në Federatë dhe ende kanë shpresa për krijimin e një entiteti të vecantë apo edhe një bashkim me Kroacinë.
Në Mostar, një kroat vendas, i cili është prezantuar vetëm si Petar, ka shprehur qëndrimin e shumë njerëzve kur ka thënë se "Cështja e kroatëve në Bosnje nuk do të zgjidhet deri sa ne të shkëputemi. Ose do të shkëputemi ose do të zhdukemi.
"HDZ nuk është ajo që ka qenë në kohën e Tugjman, dhe politikanët të cilët na përfaqësojnë janë të interesuar vetëm për karriket e tyre dhe nuk mendojnë për njerëzit e thjeshtë".
Ai së bashku me shumë kroatë të tjerë të Bosnjes mendohet se do të votojnë për koalicionin e së djathtës ekstreme i përbërë nga Blloku Kroat dhe partia e Rilindjes së Vërtetë Kroate - një grup i drejtuar nga Marko Tokiq, një ish ministër i HDZ i cili ka për qëllim të krijojë një republikë kroate në Bosnje.
Kjo do të jetë një humbje e madhe për HDZ, sepse votat e kroatëve të Bosnjes mund ta ndihmonin partinë të krijonte një qeveri, nëse sic pritet, ajo do të fitojë me një diferencë të vogël votash ndaj koalicionit qeveritar në zgjedhjet e fundjavës.
Kroatët të cilët jetojnë jashtë vendit, si ata në Bosnje, lejohen të marrin pjesë në zgjedhjet në Kroaci - dhe votat e tyre mund të zgjedhin pesë deri në tetë deputet në parlament, në varësi të pjesëmarrjes së zgjedhësve.
Kroatët e Bosnjes janë grupi më i madh i atyre që votojnë jashtë Kroacisë. Në zgjedhjet e vitit 2000, 110,000 nga 127,000 votat e hedhura jashtë vendit kanë qenë nga Bosnje, dhe ata kanë votuar në shumicë për HDZ.
Megjithëse HDZ ka pësuar një humbje të thellë nga një koalicion pro europian në zgjedhjet e vitit 2000, anketimet e opinionit publik tregojnë se ajo është ende partia më e fuqishme në Kroaci.
Megjithatë, analistët mendojnë se koalicioni i Tokiq mund të shfrytëzojë mungesën e besimit të diasporës ndaj HDZ, dhe të sigurojë votat e tyre.
Synimet e Tokiq për të krijuar një entitet të kroatëve në Bosnje nuk kanë ndryshuar gjatë dy vjetëve të fundit, qëkur komuniteti ndërkombëtar e detyroi atë të largohej nga politika active pas një përpjekjeje të dështuar për të krijuar një territor autonom në këtë rajon.
Gjatë një takimi zgjedhor me votues kroat në Mostar, Tokiq ka thënë se ai është krenar për veprimet e tij në të kaluarën dhe ka theksuar të drejtën e pakicës për të pasur republikën e saj brenda vendit - një thirrje e cila është pritur me duartrokitje të shumta nga pjesëmarrësit.
Koalicioni i Tokiq përfshin edhe Venera Kodriq, bashkëshorte e Dario Kodriq, i cili është dënuar me 25 vjet burgim nga gjykata e krimeve të luftës për pjesëmarrjen e tij në spastrimin etnik dhe krime të tjera të kryera gjatë luftës në Bosnje.
Anëtarë të tjerë të aleancës kanë shprehur ide të ngjashme të cilat mbështesin dëshirat e kroatëve të Bosnjes për marrëdhënie të ngushta ndërmjet tyre dhe Zagrebit.
Analistët thonë se edhe nëse koalicioni ultra nacionalist fiton votat e disporës, anëtarët e tij do ta kenë shumë të vështirë të promovojnë axhendën e tyre të ekstremit të djathtë, sepse autoritetet e Zagrebit nuk dëshirojnë të dëmtojnë marrëdhëniet e tyre me komunitetin ndërkombëtar dhe të dëmtojnë mundësinë e Kroacisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Tina Jelin është një gazetare me Studio 088 në Mostar. Nerma Jelaciq është drejtues i projektit të IWPR në Bosnje Herzegovinë.