Kroacia dhe Serbia Rregullojnë Marrëdhëniet Ekonomike

Pengesat që kishin bllokuar tregtinë ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë gjatë dekadës së fundit të konfliktit kanë filluar të zhduken.

Kroacia dhe Serbia Rregullojnë Marrëdhëniet Ekonomike

Pengesat që kishin bllokuar tregtinë ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë gjatë dekadës së fundit të konfliktit kanë filluar të zhduken.

Thursday, 12 July, 2001

Kroacia dhe Serbia, armiq të betuar gjatë luftërave Ballkanike të viteve Nëntëdhjetë, tani në vend të bombardimeve dhe predhave po synojnë rritjen e eksporteve. Marrëdhëniet ekonomike të cilat kanë qenë shumë të forta dhe suksesëshme gjatë periudhës së Jugosllavisë së Titos po rindërtohen.


Të dyja vendet janë dëmtuar rëndë nga pengesat e vendosura gjatë luftës. Tani këto pengesa po hiqen aq shpejt saqë Nadan Vidoseviq, president i Dhomës Kroate të Tregtisë, ka thanë: "Mos u habisni nëse tregtia ndërmjet dy vendeve tona arrin një miliard dollarë Amerikan brenda pak vjetësh". Vitin e kaluar, tregtia ndërmjet Jugosllavisë dhe Kroacisë arriti në 136 milion dollarë.


Vidoseviq dhe kolegu i tij Serb, Slobodan Korac, po përpiqen për krijimin e një zone të lirë tregtie ndërmjet dy vendeve dhe heqjen e vizave të cilat tani pengojnë kontaktet ndër-kufitare të biznesit.


Atmosfera e përmirësuar vihet re në të gjitha fushat. Ka filluar të flitet për tregtinë e makinave, ndërtimin e anijeve, naftën dhe shumë sektor të tjerë. Një rimëkëmbje e tillë e marrëdhënieve do të kishte qenë e pamendueshme kur Sllobodan Millosheviqi dhe Franjo Tugjman ishin në pushtet.


Qindra sipërmarrës Kroat dhe Jugosllavë kanë filluar të bashkëpunojnë për të arritur shumën prej një miliard dollarë shkëmbime tregtare.


Milorad Saviçeviq, drejtor i fabrikës së ndërtimit të makinave Zastava në Kragujevac, e njohur për prodhimin e modelit Yugo, ka thënë për gazetën Kroate Jutarnji List javën e kaluar se ai do t'i shkruante një letër zëvendës kryeministrit Kroat, Slavko Lukiq, dhe do ti propozonte që Kroacia dhe Serbia të prodhojnë së bashku 100,000 makina në vit. Fabrika në Serbi prodhon momentalisht 10,000 makina Yugo.


Kohët e fundit ky model makine ka filluar të shitet përsëri në Kroaci. Një blerës i mundëshëm duke parë një makinë të tillë në panairin e Splitit thotë: "E di se nuk është cilësi e mirë si Volksëagen, por rroga ime është më e ulët se ajo e një Gjermani. Meqënëse shumë Kroatë nuk fitojnë shumë para, kjo është makina e duhur për xhepat tanë".


Fabrika Konçar në Zagreb, ka në plan të fillojë ndërtimin, instalimin dhe riparimin e ashensorëve në ndërtesat e Beogradit, siç bënte edhe përpara viteve Nëntëdhjetë. Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, ashensorët në Beograd pothuajse nuk janë riparuar fare.


Ekziston një logjikë e fortë pas kësaj përpjekjeje për të shtuar marrëdhëniet tregtare. Ekonomia e dobët Kroate e ka të vështirë të gjejë tregje në Perëndim. Ajo mund të gjejë më mirë tregje nëpërmjet lidhjeve me ish Jugosllavinë.


Për shembull, në Kroaci prodhoheshin anije me fletë çeliku të prodhuara në republikat jugore të ish Jugosllavisë. Kur lufta ndërpreu këto burime të lëndëve të para të lira, kantieret Kroate të Splitit dhe Rijekës janë detyruar të importonin fletë çeliku të shtrenjta nga Linzi në Austri.


Industria Kroate e naftës, INA, ka arritur një xhiro totale prej 70 miliard dollarë në tregun Jugosllav. Naftësjellësi i Adriatikut dhe Jugopetrol (Industria e Naftës në Serbi) kanë nënshkruar një marrëveshje prej 1.5 milion dollarë në muajin Mars për transportin e naftës së INA-s.


Në mesin e muajit Maj, prodhuesi ushqimor Podravka në Koprivnica, ka filluar eksportimin në tregun Jugosllav, dhe pret të bëhet një nga firmat kryesore në këtë fushë nëpërmjet filialit të saj në Beograd.


Edhe Jugosllavia ka filluar të eksportojë mallra në Kroaci. Përveç Mobiljeve Simpo nga Vranje, dhe makinave Yugo, kompania Zastava në Kragujevac ka filluar eksportin e pushkëve të gjuesitsë dhe sportive në Kroaci pas një ndërprerjeje prej një dekadë. Deri më tani rreth 400 armë përfshirë edhe pushkë gjuetie, dhe pistoleta janë shitur. Pritet që shitja e këtyre mallrave të rritet ndjeshëm.


Mitros, një kompani prodhuese e mishit nga Sremska Mitrovica në Serbinë veriore, ka filluar të paketojë prodhimet e saj me ambalazh të prodhuar nga kompania Kroate Omis, dhe ka në plan të hyjë në tregun Kroat. E vetmja pengesë që ka mbetur është mungesa e një marrëveshjeje të përbashkët për kushtet veterinare dhe higjenike.


Presidenti Kroat Stipe Mesiq dhe kryeministri Serb Zoran Gjingjiq janë takuar së fundi në Takimin Ekonomik Europian në Salzburg, ku Gjingjiq e ka ftuar Kroacinë të marrë pjesë në privatizimin e rreth 7,000 ndërmarrjeve Serbe që do të fillojë së shpejti.


Por ministri i jashtëm i Kroacisë Tonino Pikula ka thënë se kontaktet me qeverinë Serbe nuk janë të mundëshme për aq kohë sa aty të jetë i përfshirë edhe Momçillo Perishiq, gjenerali i cili është dënuar nga një gjykatë Kroate në mungesë me 20 vjet burgim për bombardimin e qytetit të Zadarit.


Megjithatë, ekstradimi i Millosheviqit në Hagë e ka përmirësuar gjendjen. Mundësitë për bashkëpunim do të shtoheshin edhe më tepër nëse "treshja e Vukovarit" - Mile Mrksiq, Veselin Sljivançanin dhe Miroslav Radiq - i dorëzohen gjykatës.


Pikula dhe kolegu i tij Jugosllav Gora Svilanoviq janë takuar në fund të Majit dhe kanë rënë dakort të punojnë për zgjidhjen e problemeve ndërkufitare. Pikula ka thënë se të dyvendet janë të gatëshme të nënshkruajnë një marrëveshje për bashkëpunimin ekonomik dhe të liberalizojnë vizat.


Jugosllavia është momentalisht vendi i tetë në listën e partnerëve ekonomik të Kroacisë. Sipërmarrësit në të dy vendet po presin që politikanët të ndryshojnë këtë pozicion.


Turizmi është një tjetër mundësi e madhe bashkëpunimi, por Goran Svilanoviq ka thënë: "Kjo gjë nuk varet vetëm nga vizat apo tregtia por nga mendimet e njerëzve në të dyja palët. Mendoj se ende ekzistojnë tensione, megjithëse gjendja është shumë më e mirë se më parë. Megjithatë, duket se ka nevojë të kalojë kohë përpara se qytetarët e Jugosllavisë të kenë interes të shkojnë për pushime nmë bregdetin Kroat të Adriatikut".


Turizmi varet në bashkëpunimin kulturor. Mundësi të reja janë hapur nga Xhorxhe Ballasheviq - një këngëtar tepër i njohur nga Vojvodina, i njohur për pikpamjet e tij kundër luftës - i cili ka dhënë një koncert të suksesëshëm përpara 10,000 njerëzve në qytetin Kroat të Pulas.


Një shenjë tjetër e mirë ka qenë edhe shfaqja e filmave Jugosllavë në festivalin e fundit në Pula. Njerëzit shpresojnë që te zhvillohet marrëdhëniet kulturore edhe në fusha të tjera.


Goran Veziq është një gazetar i agjensisë së pavarur të lajmeve Stina në Split.


Balkans, Serbia, Croatia
Frontline Updates
Support local journalists