Kriza Pa Fund e Jetimëve në Rumani

Dhjetë vjet pasi trajtimi i fëmijëve jetim të sëmurë në Rumani tronditi botën, gjendja e tyre pothuajse nuk ka ndryshuar aspak.

Kriza Pa Fund e Jetimëve në Rumani

Dhjetë vjet pasi trajtimi i fëmijëve jetim të sëmurë në Rumani tronditi botën, gjendja e tyre pothuajse nuk ka ndryshuar aspak.

Të abandonuar dhe apatik, ata dridhen nga të ftohtit, në fjetinat e ndyra dhe të tejmbushura. Gjymtyrët e tyre të mbledhura janë të holla si shkopa.


Këto pamje të jetimoreve të Rumanisë tronditën botën pas rënies së diktaturës së Çausheskut.


Një dekadë pas rrëzimit të regjimit komunist, miliona dollarë në ndihma të huaja janë shpenzuar për përmirësimin e gjendjes në këto institucione, por pjesa më e madhe e tyre janë akoma në kushte të tmerrshme.


Mijëra fëmijë të abandonuar nga familje të varfra jetojnë akoma në jetimore apo në rrugët e qyteteve.


Sipas statistikave zyrtare, në institucionet shtetërore gjenden rreth 33,000 fëmijë jetim. Numri i fëmijëve të padëshirueshëm thuhet të jetë rritur me rreth 20 përqind që prej vitit 1989.


Kriza nuk mund t'i faturohet më regjimit komunist. Gjatë dekadës së fundit reformat ekonomike të dështuara dhe papunësia e lartë kanë çuar në thellimin e varfërisë - numri i fëmijëve të abandonuar është rritur në proporcion me shtimin e varfërisë së familjeve.


Të paktën 1,000 fëmijë abandonohen çdo vit - shumë prej tyre nga nëna të reja në moshë dhe tepër të varfëra, 60 përqind e të cilave janë të pa martuara. Jetimoret vazhdojnë të marrin pak financime. Në fakt këtë dimër ato kanë mbetur praktikisht pa ushqime, duke detyruar BE-në të dërgojë ndihma urgjente.


Autoritetet rumune po vihen nën një presion të madh për t'i dhënë fund vuajtjeve të fëmijëve të padëshirueshëm. Si pjesë e përpjekjeve të saj për anëtarësim në BE, Bukureshti duhet të tregojë prova të dukshme se të drejtat e fëmijëve po mbrohen.


Më herët këtë muaj zyrtarët rumunë kanë paraqitur një strategji për mbrojtjen e fëmijëve në Parlamentin Europian. Programi synon të përcaktojë përgjegjësi të qarta për institucionet e kujdesit për fëmijët, të përmirësojë shërbimet e ofruara nga institucionet e specializuara, të promovojë mbrojtjen e fëmijëve në familje dhe të ristrikturojë jetimoret.


Fondet e qeverisë do të drejtohen për ushqime, mjekime, dhe shkollimin e fëmijëve të këtyre institucioneve, sipas strategjisë.


Inisiativa pason krijimin e një Agjencie për të Drejtat e Fëmijëve (ANDP) në janar të këtij viti. Agjencia do të marrë 10 milion Euro nga BE dhe synon të kthejë fëmijët e abandonuar tek familjet e tyre të vërteta kur është e mundur dhe në rast të kundërt t'i vendosë ata me familje adoptuese dhe të ofrojë edhe shërbime shtesë në jetimoret ekzistuese. Disa zyrtarë të BE mendojnë se mbështetja e kësaj strategjie është më mirë se sa të shpenzohen para për të mbajtur atë që ata e konsiderojnë si një sistem përkrahje të vjetëruar.


Në të njëjtën kohë Rumania ka shtrënguar ligjet për adoptimin e fëmijëve nga të huajt pas shqetësimeve se fëmijët vidhen për të përfunduar në qarqet e pedofilisë dhe për transplantimin e organeve.


Kjo pasoi zhurmën e bërë pas arrestimit të çiftit britanik, Adrian dhe Bernadet Mjunei, të cilët u dënuan me dy vjet burg në vitin 1994, pasi u kapën duke u përpjekur të nxirrnin fshehtazi nga Rumania një fëmijë rom.


Presidenti i atëhershëm Ion Iliesku, duke u përpjekur të shmangte një publicitet të keq përpara vizitës së tij të planifikuar për në Londër, u dha atyre amnistinë.


Dëri më 1995, kontrollet e dobta dhe problemet legjislative kanë lejuar që rreth 10,000 fëmijë të adoptohen nga familje të huaja në rrethana dhe kushte të dyshimta dhe ndoshta edhe të paligjëshme.


Tani prindërit e ardhëshëm adoptues duhet të paguajnë 3,500 dollarë amerikan dhe të jenë të përgatitur të presin disa vjet përpara se ata të marrin fëmijën. Megjithatë, pavarësisht pengesave burokratike, familjet perëndimore vazhdojnë të adoptojnë jetimët rumunë.


"Vetë rumunët nuk janë akoma në gjendje të adoptojnë fëmijë për shkak të kushteve ekonomike," ka thënë presidenti i Agjensisë Kombëtare për të Drejtat e Njeriut. "Për ne ky nuk është një problem real. Ne po përpiqemi të gjejmë familjen më të mirë për fëmijët dhe jo fëmijën më të mirë për një familje."


Marian Kiriak është redaktor i lajmeve të Agjencisë së Lajmeve MediaFax në Bukuresht dhe redaktor i Politika e Jashtme, një revistë tremujore e botuar nga Akademia Rumune e Shkencave.


Frontline Updates
Support local journalists