KOSOVE: SERBET MBESHTESIN RADIKALET

Suksesi i ultra nacionalistëve në zgjedhjet në Serbi shton shpresat e serbëve në Kosovë për një përmirësim të gjendjes së tyre.

KOSOVE: SERBET MBESHTESIN RADIKALET

Suksesi i ultra nacionalistëve në zgjedhjet në Serbi shton shpresat e serbëve në Kosovë për një përmirësim të gjendjes së tyre.

Monday, 21 February, 2005

Rreth dhjetë kilometra rrugë me baltë lidhin Prishtinën me Preoce, një fshat në rrethinat e një prej enklavave të minoritetit serb në Kosovën qendrore, ku mbështetja për Partinë Radikale Serbe, SRS, të ekstremit të djathtë, e cila ka dalë në krye pas zgjedhjeve parlamentare të fundit, është shumë e madhe.


Popullsia në Preoce përbëhet kryesisht nga serbë dhe romë, gjysma e të cilëve janë refugjatë nga Prishtina, Obiliq dhe qytete të tjera aty pranë.


Kur IWPR ka mbërritur në fshat, një ditë pas festimeve të krishtlindjeve ortodokse fshati kishte 15 orë pa energji elektrike, dhe rrugët ishin krejtësisht në errësirë.


Jeta në Preoce përqëndrohet rreth një dyqani të vogël, ku burrat mblidhen rreth dy tavolinave – nën dritën e një qiriri dhe të rrethuar me rafte të boshatisura – pinë ndonjë gotë dhe diskutojnë problemet e tyre.


“Që prej vitit 1999, kur Kosova është bërë një protektorat ndërkombëtar, jeta jonë i ngjan asaj në një burg,” thotë 22 vjecari serb, Mihajlo. “Ne mund të lëvizim vetëm në tre fshatra. Fëmijët kanë harruar se si duket një qytet. Unë mendoj se partia radikale është e vetmja parti në Serbi e cila është e vendosur të na ndihmojë ne të kthehemi në shtëpitë dhe pronat tona”.


“Ne jemi të mbyllur në këtë fshat dhe jam i sigurtë që radikalët janë të vetmit që mund të na ndihmojnë të rifitojmë ato që kemi humbur pas vitit 1999,” pranon Simbad, një rom 21 vjecar të cilin e kemi takuar të ulur pranë një sobe me dru në një tjetër lokal të mbushur me tym në qendër të fshatit.


Sipas shifrave zyrtare, SRS ka fituar pothuajse 50 përqind të 97,000 votave të hedhura nga anëtarët e pakicave etnike në Kosovë, pjesa më e madhe e të cilëve janë serbë dhe rom të cilët jetojnë në enklavat e mbrojtura nga OKB.


Serbët e Kosovës – të cilët nuk mund të përdorin gjuhën e tyre lirisht, nuk mund të lëvizin, për shkak të sulmeve të shpeshta nga grupet ekstremiste të shqiptarëve, dhe nuk kanë përfaqësim në nivel të njëjtë me shqiptarët në institucionet shtetërore – mendojnë se SRS do ti mbështesë ata.


Ata thonë se kushtet e jetesës nuk janë përmirësuar gjatë katër vjetëve të fundit që prej mbërritjes së forcave ndërkombëtare dhe krijimin e protektoratit ndërkombëtar në Kosovë.


“Edhe kafshët jetojnë më mirë se ne. Pa ujë, pa energji elektrike, pa liri lëvizjeje. Më keq se kaq nuk mund të ketë. Njerëzit kanë votuar me shpresën se më në fund dikush mund ti ndihmojë në një farë mënyre,” thotë Milovan, një serb i zhvendosur nga Obiliq i cili tani jeton në Preoce dhe siguron jetesën duke shitur mallra kontrabandë.


Disa vëzhgues paralajmërojnë se mbështetja e serbëve të Kosovës për SRS mund tu kushtojë më tepër atyre duke shtuar tensionet në rajon.


Gjatë viteve nëntëdhjetë, kur Millosheviq ka drejtuar Serbinë në koalicion me radikalët, serbët në Kosovë kanë pasur mbështetjen e plotë të qeverisë, ndërsa shqiptarët vendas janë dëbuar nga punët shtetërore dhe nuk kanë pasur të drejtën për arsim në gjuhën e tyre.


Në përgjigje ndaj kësaj shtypjeje, popullsia shqiptare ka krijuar sistemin e saj paralel shtetëror.


Nga fundi i viteve nëntëdhjetë, qëndresa pasive shpërtheu në një konflikt të armatosur ndërmjet grupeve të guerrileve dhe ushtrisë serbe. Konflikti që pasoi ka cuar në ndërhyrjen e NATO-s në pranverën e vitit 1999.


Që prej asaj kohe gjërat kanë ndryshuar dhe shumë serbë në Kosovë, të cilët janë gjendur në kushte të ngjashme me atë të shqiptarëve gjatë periudhës së Millosheviqit, tani kanë drejtuar sytë nga SRS me shpresë se kjo parti mund të ndihmojë në rikthimin e privilegjeve të cilat i gëzonin gjatë sistemit të kaluar.


Gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare në Serbi, ku asnjë parti tjetër nuk kishte një politikë të qartë mbi Kosovën, SRS ka premtuar të rivendosë autoritetin e Serbisë në rajon. Dhe ka qenë e vetmja parti, së bashku me Alternativën Demokratike të Nebojsha Coviq, e cila ka mbajtur takime zgjedhore edhe në Kosovë.


Gjatë një takimi në qytetin e ndarë të Mitrovicës në Kosovën veriore, Tomislav Nikoliq, zëvendës kryetar i SRS, ka thënë se ideja e shkëputjes së rajonit nga Serbia është e papranueshme. Ai gjithashtu ka thënë se partia e tij do të ngulë këmbë për rikthimin e ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë, dhe ka premtuar një mbështetje të madhe ekonomike për serbët dhe pakicat e tjera etnike në Kosovë.


Këto premtime janë të mirëpritura ndërmjet serbëve në Kosovë – të cilët si ata burrat në lokalin në Preoce, që ngrohen duke pirë ndonjë gotë gjatë ndërprerjeve të përditëshme të energjisë – pasi ata janë krejtësisht të zhgënjyer nga të gjitha alternativat politike.


Por ekziston rreziku që mbështetja për SRS mund të shkaktojë shtimin e tensione në rajon.


Marrëdhëniet ndër etnike në Kosovë janë të këqia, dhe pikpamjet e Ivan, një 22 vjecar serb, kamerier të cilin e kemi takuar në një kafene pothuajse të boshatisur në qendër të Preoce, nuk janë vetëm të tij. “Unë nuk dua të jetoj me asnjë shqiptar,” thotë ai për IWPR, “vetëm me Serb”.


Mbështetja e serbëve të Kosovës për SRS ndoshta do të rrisë tensioned dhe do të shtojë ndjenjat anti serbe në rradhët e shqiptarëve në rajon.


Veton, një arkitekt shqiptar, 37 vjecar, ka thënë për IWPR se ekziston rreziku që gjendja e tanishme mund të dëmtojë më tepër serbët e Kosovës duke shtuar mbështetjen për grupet radikale shqiptare.


Shumë zyrtarë shqiptarë këtu pranojnë se mbështetja e serbëve të Kosovës për SRS është një hap prapa për rajonin. Kryeministri Bajram Rexhepi ka shprehur keqardhjen e tij të thellë që shumica e serbëve të Kosovës kanë votuar për ultranacionalistët në zgjedhjet e fundit.


“Eshtë vërtet për të ardhur keq, sepse ka qenë pikërisht politika e atyre ekstremistëve e cila ka shkaktuar luftën në Kosovë gjatë viteve nëntëdhjetë. Dhe viktimat e asaj politike kanë qenë dhe janë ende populli serb që jeton këtu,” thuhej në një deklaratë për shtyp të lëshuar nga zyra e kryeministrit një ditë pasi janë njoftuar rezultatet.


Megjithatë, shumë serbë thonë se gjendja e tyre nuk mund të keqësohet më tepër, dhe se ata janë të vendosur të bëjnë sa kanë mundësi për të rikthyer Kosovën nën kontrollin e Serbisë. “Kosova ka qenë 500 vjet nën sundimin turk dhe përësëri u bë serbe pas asaj kohe aq të gjatë,” thotë Ivan, i cili është anëtarësuar në rradhët e SRS vitin e kaluar. “Unë pres që partia radikale ta zgjidhë cështjen e Kosovës brenda më së shumti një vit”.


Tatjana Matiq është koordinatore e projektit të IWPR në Kosovë.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists