KOSOVË: BLLOKOHET PUNA NË GJYKATAT E MBINGARKUARA

Ndërsa kanë shumë pak gjykatës dhe shumë çështje gjyqësore, kosovarët duhet të presin për vite, ndoshta edhe dekada, për vendime nga gjykatat e tyre.

KOSOVË: BLLOKOHET PUNA NË GJYKATAT E MBINGARKUARA

Ndërsa kanë shumë pak gjykatës dhe shumë çështje gjyqësore, kosovarët duhet të presin për vite, ndoshta edhe dekada, për vendime nga gjykatat e tyre.

Valdet Gashi ka pothuajse dy dekada që merret me Gjykatën Bashkiake të Prishtinës. Një mësues i anglishtes rreth 40 vjeç, jeta e tij është pjesërisht e bllokuar që prej vitit 1985, kur babai i tij ka vdekur dhe i ka lënë trashëgimi shtëpinë.


“Jeta e familjes sime ndikohet drejtpërsëdrejti nga vendimi i gjykatës,” thotë ai. “Në momentin kur ka vdekur babi im, xhaxhai ka kërkuar gjysmën e pronës. Pas 18 vjetësh, ai ende përdor dy dhoma të shtëpisë sonë.


“Pavarësisht nga gjithë dokumentacioni i cili provon të drejtën time, unë nuk kam mundur të fitoj të drejtën time nga gjykata”.


Kjo çështje kaq e gjatë mesa duket nuk është aspak e pazakontë në Kosovë, ku mijëra njerëz përballen me vonesa të gjata në dhënien e vendimeve të thjeshta ligjore.


Pesë vjet pas krijimit të një administrate të drejtuar nga komuniteti ndërkombëtar në Kosovë, sistemi i drejtësisë, dhe veçanërisht gjykatat lokale, janë pothuajse të bllokuara, dhe të paafta të përballen me ngarkesën e madhe të çështjeve gjyqësore.


Gjykatat në Kosovë kanë pasur vështirësi prej disa kohësh. Sistemi është ndërprerë fillimisht kur qeveria e Sllobodan Millosheviq në Serbi i hoqi Kosovës autonominë dhe largoi gjykatësit shqiptarë. Këta të fundit janë zëvendësuar nga njerëz të caktuar nga Millosheviq të cilët nuk kanë pasur kurrë besimin e pjesës më të madhe të komunitetit shqiptar.


Puna e gjykatave është ndërprerë përsëri në vitin 1999 pas tërheqjes së forcave ushtarake serbe nga Kosova, kur shqiptarët kanë zëvendësuar gjykatësit serb dhe stafin e gjykatave të cilët ishin larguar së bashku me policinë dhe ushtrinë e tyre.


Sistemi i drejtësisë në Kosovë përbëhet nga një gjykatë e lartë, pesë gjykata të rretheve dhe 24 gjykata bashkiake, ku këto të fundit janë veçanërisht të ngarkuara për shkak të një sërë problemesh. Ky ka qenë edhe përfundimi i një raporti të misionit të Organizatës për Sigurim dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, në Kosovë i publikuar në maj të vitit 2004.


Këto probleme përfshijnë pasjen e një numri relativisht të vogël gjykatësish, vështirësi në paraqitjen e dëshmitarëve dhe të pandehurve në sesionet e gjykatës dhe gjykime të dyshimta, thuhet në raport.


Gjendja është më e rëndë në qendrat urbane, si Prishtinë dhe Gjilan, në juglindje të kryeqytetit, ku kryetarët e gjykatave thonë se problemi më i madh i tyre është se nuk kanë numrin e duhur të gjykatësve dhe një hapësirë të kufizuar.


Kryetari i gjykatës së Gjilanit, Shefqet Xhelili, thotë se njerëzit janë të mërzitur nga vonesat në gjykimin e çështjeve, gjë e cila bën që “ne të humbasim besimin e fituar pas luftës së vitit 1999 në sytë e tyre”.


Xhelili thotë se gjykatësit nuk kanë faj: “Ata janë të mbingarkuar. Numri i çështjeve gjyqësore është shtuar me mbi 50 përqind që pas përfundimit të luftës, ndërsa numri i gjykatësve është ulur”.


Kryetari i gjykatës së Prishtinës, Nuhi Uka ka të njëjtin mendim: “Të gjithë gjykatësit përballen me një numër shumë të madh rastesh, gjë e cila e vështirëson shumë punën tonë”.


Gjendja është disi më e mirë në bashkitë e vogla, ku përqindja e gjykatësve për banorë nuk është aq e vogël sa në qytete, të cilat kanë pasur një influks të madh njerëzish gjatë viteve të fundit. Në vitin 2002 dhe 2003, gjykatat e Malishevës dhe Lipjanit, për shembull, kanë përfunduar të gjitha rastet që kanë pasur.


Duke përmendur presionet me të cilat përballen gjykatësit në qytete, Uka ka thënë se “është dëshira e tyre për të punuar në sistemin e drejtësisë e cila i bën ata të vazhdojnë punën,” duke shtuar se kjo është e habitëshme “po të kemi parasysh se si trajtohen ata, pagat që marrin dhe kushtet e punës”.


Natyrisht, pagat e gjykatësve në Kosovë janë shumë të ulta në krahasim me standarded evropiane. Pjesa më e madhe e tyre paguhen 420 euro në muaj, shumë e cila nuk mjafton për të mbajtur një familje.


Por njerëzit e thjeshtë të cilët kanë pasur eksperienca direkte me gjykatat ankohen se shumë gjykatës nuk janë të aftë, apo janë të korruptuar dhe pa kualifikimin dhe eksperiencën e nevojëshme.


Xhavit Krasniqi, një avokat nga prishtina i cili ka punuar si gjykatës për 16 vjet, thekson se gjendja e tanishme në gjykatat e Kosovës është një shkelje e konventës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, e cila thotë se çdo process gjyqësor duhet të jetë efektiv, i shpejtë dhe i ndershëm. “Ky nen shkelet në çdo rast në Kosovë,” thotë ai.


Shumë avokatë dhe gjykatës mendojnë se njerëzit po humbasin besimin në sistemin e drejtësisë, por i mbështesin shpresat e tyre në dy nene të reja të kodit penal – të miratuara në muajin prill – të cilat e sjellin sistemin gjyqësor të Kosovës më pranë standardeve evropiane.


“Me këto dy ligje, ne jemi bërë të njëjtë me sistemet më të avancuara të drejtësisë në botë, kur bëhet fjalë për kodin penal,” thotë Krasniqi.


Megjithatë, ekspertët ligjorë pranojnë se do të duhet ketë një përmirësim të vazhdueshëm në cilësinë e stafit të gjykatave dhe kushteve të punës përpara se të shihen përmirësime të ndjeshme në punën e tyre.


Mevlyde Salihu po ndjek një kurs trajnimi gazetarie të IWPR të mbështetur nga OSBE.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists