Kosovarët Ndërtojnë Demokracinë

Kredencialet demokratike të Kosovës janë përmirësuar nga mënyra e rregullt dhe e qetë e kryerjes së fushatës për zgjedhjet lokale të kësaj fundjave.

Kosovarët Ndërtojnë Demokracinë

Kredencialet demokratike të Kosovës janë përmirësuar nga mënyra e rregullt dhe e qetë e kryerjes së fushatës për zgjedhjet lokale të kësaj fundjave.

Tuesday, 6 September, 2005

Kur Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, njoftoi se zgjedhjet lokale do të mbaheshin më 28 tetor, shumë vëzhgues ndërkombëtarë dhe vendas reaguan me skepticizëm duke kritikuar vendimin si të parakohshëm dhe si një nxitje për dhunën.


Ata kanë argumentuar se Kosova, vetëm një vit pas përfundimit të luftës, nuk ka qenë e gatshme për të filluar tranzicionin nga administrata ndërkombëtare në qeverinë lokale.


Dhuna ndëretnike, veçanërisht në zonat kufitare dhe rreth enklavave serbe në Kosovë, dhe tensionet ndërmjet politikanëve shqiptarë të Kosovës ishin shumë të larta, thanë skeptikët.


Gjatë verës një sërë sulmesh ndaj drejtuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, duket se parathonin një konflikt ndërmjet grupeve politike kryesore shqiptare.


Anketimet tregojnë se LDK, e drejtuar nga i moderuari dhe karizmatiku Ibrahim Rugova, ka një avantazh prej 20 përqind ndaj Partisë progresive Demokratike të Kosovës, të drejtuar nga ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, Hashim Thaçi.


Guerrilasit e UÇK-së, të cilët tani janë bërë politikanë, mendonin se ata meritonin një përkrahje të madhe për shkak të çlirimit të Kosovës. Ata mendojnë se mbështetja e vazhdueshme për Rugovën është shqetësuese për shkak të pasivitetit të tij dhe takimit "tradhëtar" me presidentin jugosllav Sllobodan Millosheviq gjatë luftës.


Megjithëse edhe një numër ish-luftëtarësh të UÇK-së janë goditur gjatë dhunës politike, LDK-ja e ka shfrytëzuar valën e incidenteve duke thënë se ata ishin viktimizuar dhe duke fajësuar për këtë krejtësisht rivalët e saj politikë.


Përgjigja e administratës ndërkombëtare ka qenë e paorganizuar dhe e ngadaltë. Në një kuadër të tillë thirrja e zgjedhjeve në fakt dukej një hap tepër i rrezikshëm dhe i pamenduar.


Por që prej fillimit të fushatës më 13 shtator, tensionet për çudi u zbutën. I vetmi burim tensionesh në ditën e zgjedhjeve është vendimi i OSBE-së për të mos lejuar vendosjen e flamurit shqiptar në qendrat e votimit.


Të gjitha partitë politike, megjithëse të papërgatitura për zgjedhjet, janë përpjekur të shmangin tensionet dhe dhunën. Kjo ndodh ndoshta sepse këto zgjedhje nuk janë shumë të rëndësishme. Në fund të fundit pushteti përsëri do të mbetet në duart e administratës ndërkombëtare. Partitë politike shqiptare e shohin më tepër 28 tetorin si një përgatitje për sfidën e vërtetë - zgjedhjet parlamentare të planifikuara për vitin e ardhshëm.


Një faktor tjetër që ka kontribuar në uljen e tensioneve ka qenë edhe mungesa e ndërhyrjeve nga jashtë.


Me gjendjen e vështirë në Serbi, Sllobodan Millosheviqi dhe shërbimet e tij sekrete nuk kanë pasur mundësi të përzihen në Kosovë. Grupet kriminale dhe mafioze janë goditur nga forcat e protektoratit dhe shërbimet e huaja sekrete.


Ushtarët e KFOR-it, UNMIK-ut dhe policia lokale zbuloi një sasi armësh dhe pajisje për përgatitjen e bombave në Graçanicë dhe arrestoi një numër të dyshuarish, të cilët mendohet të jenë agjentë të shërbimeve sekrete serbe. Operacione të tilla janë ndërmarrë edhe ndaj disa ekstremistëve të dyshuar shqiptarë dhe disa mafiozëve.


Këto veprime kanë shërbyer në parandalimin e veprimeve destabilizuese të dhunës përpara zgjedhjeve. Tani në provincë mbizotëron një ndjenjë sigurie.


Ndërkohë, vëmendja e botës dhe ajo e shqiptarëve të Kosovës ka qenë e drejtuar në zgjedhjet në vendet e tjera në rajon, në Shqipëri, Maqedoni dhe, natyrisht, Jugosllavi.


Megjithëse shqiptarët e Kosovës thonë se kanë pak interes për atë që ndodh në një "vend të huaj", rënia e Millosheviqit dhe demokratizimi i Serbisë kanë pasoja të pashmangshme për statusin e ardhshëm të Kosovës.


Pritja e ngrohtë e komunitetit ndërkombëtar për presidentin e ri të Jugosllavisë Vojisllav Koshtunica i ka shqetësuar shqiptarët. Ata kanë frikë se Serbia do të bëhet vendi i favorizuar në kurriz të Kosovës.


Kërcënimi i humbjes së ndihmave të huaja dhe mbrojtjes i ka shërbyer shqiptarëve të Kosovës për të forcuar rradhët, ashtu siç ndodhi edhe në konferencën e Rambujesë gjatë luftës, duke anashkaluar mosmarrëveshjet e brendshme ndërmjet politikanëve shqiptarë të Kosovës.


Pavarësisht nga përkatësia politike, çështja kryesore është e njëjtë - "çfarë drejtimi do të marrin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian?" Pavarësisht nga skepticizmi që rrethon demokratizimin e Serbisë, ajo do të thotë se tani fillon gara se cili do të jetë në gjendje të tërheqë më shumë vëmendjen e fuqive të mëdha.


Sllogani i momentit është: "Ne jemi demokratë dhe më të mirë se ata!" Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore që zgjedhjet e 28 tetorit duhet të shkojnë sa më mirë. Dëshira e kosovarëve për të përmirësuar kredencialet e tyre demokratike duhet të ketë një efekt pozitiv në bashkëpunimin dhe harmoninë në rajon.


Shkëlzen Maliqi është analist politik i pavarur dhe drejtues i korrespondentëve lokal të Radio Europa e Lirë në Kosovë.


Frontline Updates
Support local journalists