Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

KOSOVARËT KËRKOJNË PROGRES PËR ?ËSHTJEN E TË HUMBURVE

Beogradi nuk pranon se ka bllokuar procesin e identifikimit dhe kthimit të kufomave të shqiptarëve etnik për arësye politike.
By Daniel Sunter

Familjet shqiptare të Kosovës të cilat kanë humbur njerëzit e tyre janë zemëruar nga pranimi i Beogradit se mund të duhen edhe 18 muaj të tjerë për të identifikuar dhe kthyer rreth 500 kufoma të zbuluara në një varr masiv rreth tre vjet më parë.


Anëtarë të familjeve të personave të zhdukur janë takuar me Soren Jessen Petersen, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithëshëm të Kombeve të Bashkuara, në kryeqytetin kosovar, Prishtinë më 8 shtator, dhe i kanë kërkuar atij të ushtrojë presion diplomatik ndaj Serbisë për të shpejtuar këtë proces.


Ndërsa autoritet serbe thonë se ato po bëjnë çdo gjë të mundur për të identifikuar dhe kthyer qindra kufoma të shqiptarëve të Kosovës të zbuluara në vitin 2001, shumë njerëz në protektoratin ndërkombëtar mendojnë se është humbur shumë kohë dhe kanë akuzuar Beogradin se po e pengon këtë proces me arësye politike.


Flora Brovina, kryetare e Komitetit për Personat e Zhdukur në asamblenë e Kosovës, ka thënë për IWPR se “Ne nuk mund të ushtrojmë presion ndërkombëtar mbi Serbinë sepse Kosova është një protektorat i Kombeve të Bashkuara, prandaj është përgjegjësi e OKB-së për të paraqitur kërkesën tonë për kthimin e shpejtë të trupave.


“Ne nuk duam zhvillimin e një dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës pa përfunduar më parë kthimi i kufomave të zhvarrosura të shqiptarëve,” ka shtuar ajo, duke pasur para sysh procesin e bisedimeve për të përcaktuar statusin përfundimtar të protektoratit.


Rreth 10,000 vetë – pjesa më e madhe e të cilëve shqiptarë etnik – janë vrarë gjatë shtypjes së kryengritjes nga ish presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviq në vitin 1999 në Kosovë.


Sipas Zyrës për Personat e Zhdukur të UNMIK, rreth 3,400 persona ende mbeten të humbur. Rreth 800 serbë dhe pjestarë të pakicave të tjera etnike numërohen ndër ata të cilët figurojnë të zhdukur.


Gjetja e tyre mbetet një ndër detyrat më të vështira për ish armiqtë e dikurshëm.


Në vitin 2001, 836 trupa janë zbuluar të varrosur në një varr masiv në territorin e një qendre stërvitore të policisë në Batajnica, pranë Beogradit, si edhe në varre të tjera në Petrovo Selo në lindje të Serbisë dhe Liqenin Perucac, pranë kufirit perëndimor me Bosnjen. Mendohet se këta kanë qenë kryesisht civilë, të vrarë nga forcat serbe gjatë bombardimeve 78 ditore të NATO-s të cilat i dhanë fund luftës.


Zhvarrimi i kufomave ka përfunduar në vitin 2002, dhe ndërsa autoritetet e Beogradit kanë identifikuar dhe kthyer rreth një të tretën e këtyre kufomave familjeve të tyre në Kosovë, përpjekjet për identifikimin e kufomave të tjera vazhdojnë.


Zyrtarët serbë e shohin këtë si një provë që vërteton se ata po e kryejnë më së miri këtë punë, por kosovarët mendojnë ndryshe, duke e përshkruar procesin si “jashtëzakonisht të ngadaltë”.


Analistët kosovarë përmendin shembullin e vëllezërve Bytyçi – Agron, Ylli dhe Mehmet. Shtetas amerikanë me origjinë shqiptarë nga Kosova, ata janë zhdukur pasi janë transferuar nga një burg serb në duart e disa oficerëve të policisë të paidentifikuar në vitin 1999.


Dy vjet më pas, zyrtarë amerikanë dhe Byroja Federale e Hetimeve, FBI, kanë ushtruar presion ndaj autoriteteve serbe për të shpejtuar identifikimin e kufomave të nënshtetësve amerikanë. Ky proces është kryer brenda tre muajsh, krahasuar me pritjen prej dy vjetësh që janë detyruar të vuajnë shumë familje të tjera kosovare.


Megjithatë, komiteti për personat e zhdukur në Serbi dhe Malin e Zi ka hedhur poshtë akuzat se procesi i identifikimit zgjatet në mënyrë të panevojëshme. Kryetari i këtij komiteti Gvozden Gagiq ka thënë për IWPR se pjesa më e madhe e kufomave të gjetura në territorin e Serbisë do të identifikohen dhe do tu kthehen familjeve brenda 18 muajsh.


Rreth njëqind kufoma janë pranë identifikimit dhe duhet të dërgohen në Kosovë nga fundi i vitit, ka shtuar ai. Por ai ka paralajmëruar se rreth njëqind kufoma të tjera mbeten të paidentifikuara, sepse në shumë raste, asnjë prej framiljarëve të viktimave nuk ka qenë në gjendje të japë një mostër të ADN-së për krahasim.


Analistët ndërkombëtarë mendojnë se procesi i identifikimit është vështirësuar nga disa faktorë, disa teknik dhe të tjerët politik.


Kjo pikpamje ndahet edhe nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Humbur në ish ish Jugosllavi, ICMP, i cili ka qenë i përfshirë në procesin e zhvarrimit dhe identifikimit të viktimave të konfliktit në Kosovë.


Ana Kron, koordinatore e ICMP për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe me qeverinë, ka thënë se organizata e saj ka mbledhur mostra të ADN-së nga secila kufomë, dhe i ka ruajtur ato në qytetin e Tuzlës në Bosnje.


Mostra gjaku u janë marrë edhe të afërmëve të atyre të cilët rezultojnë të humbur gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë. Këto mostra më pas janë krahasuar me ADN-në e siguruar nga kufomat e zhvarrosura në një përpjekje për të siguruar lidhje të mundëshme. Megjithatë, Kron ka theksuar se shumë mostra nuk janë marrë ende, dhe kjo në rastet kur familjarët e të humburve janë larguar nga zona.


Beogradit i janë dhënë rreth 600 analiza të ADN-së, përfshirë edhe disa të cilat nuk përputheshin me ato të viktimave. ICMP ngul këmbë se analiza e ADN-së është vetëm një hap drejt identifikimit përfundimtar të një personi të zhdukur. Të dhënat personale të siguruara nga të afërmit dhe ato të pasvdekjes janë shumë të rëndësishme.


Mungesa e personelit të kualifikuar dhe laboratorëve është një faktor i rëndësishëm. Pjesa më e madhe e patologëve të cilët punojnë në procesin e identifikimit janë profesorë të shkollës së mjeksisë në universitetin e Beogradit, dhe nuk mund të punojnë me kohë të plotë gjatë gjithë vitit, për shembull gjatë sezonit të provimeve të studentëve.


ICMP ka thënë për IWPR se ajo është e kënaqur me përpjekjet e Serbisë për identifikimin dhe kthimin e të zhdukurve, por pranon se klima e tanishme politike mund të jetë përgjegjëse për ngadalësimin e ritmeve të kësaj pune.


“Procesi është ngadalësuar pak që prej krijimit të qeverisë së re në Beograd,” pranon Kron. “Ndryshimi i klimës politike ndikon në ritmet e këtij procesi, por nuk ka vonesa dhe ne nuk kemi vërejtur ndonjë përpjekje të qeverisë së Beogradit për të penguar këtë proces”.


Deklarime të tilla nuk kanë kënaqur plotësisht shqiptarët e Kosovës, të cilët ende mendojnë se Serbia po zvarrit këtë çështje për arësye politike.


Arsim Gërxhaliu i Zyrës së UNMIK për Personat e Zhdukur, i cili ka udhëtuar shpesh në Beograd në kuadrin e detyrës së tij, ka thënë për IWPR se vetëm 333 kufoma janë kthyer në Kosovë deri më sot.


“Unë di që analizat e ADN-së të rreth 300 kufomave të tjera të cilat dergjen në morgjet në Serbi kanë përfunduar, dhe për rrjedhim arësyeja për mos kthimin e tyre nuk mund të jetë teknike – ajo duhet të jetë politike,” thotë ai.


Megjithatë, Kron nga ICPM ngul këmbë se “nuk ka asnjë trup të identifikuar i cili nuk është kthyer në Kosovë, përveç atyre rasteve të rralla kur identifikimi i disa anëtarëve të së njëjtës familje duhet të përfundojë në mënyrë që trupat e tyre të kthehen të gjithë njëkohësisht në Kosovë.


“Dua të përsëris se përfundimi i analizave të ADN-së nuk do të thotë automatikisht identifikim i një personi të zhdukur. Ajo është vetëm një fazë në këtë proces”.


Deklarime të tilla nuk mund të ngushëllojnë familjet e të zhdukurve në Kosovë, të cilat kërkojnë të mësojnë sa më shpejt të jetë e mundur fatin e të afërmve të tyre.


Nysrete Kumanova nga organizata jo qeveritare Thirrja e Nënave ka qenë një ndër 25 protestuesit shqiptarë të cilët janë arrestuar në Prishtinë më 30 gusht – Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve – gjatë një demonstrate ku kanë kërkuar nga autoritetet lokale zgjidhjen e çështjes së të zhdukurve.


“Serbia e ka kushtëzuar kthimin e kufomave të shqiptarëve me kthimin e serbëve të Kosovës të cilët jetojnë në Serbi,” ka ngulur këmbë Kumanova.


“Vetëm kur ndonjë zyrtar i lartë ndërkombëtar si sekretari i përgjithëshëm i OKB-së, Kofi Anan, viziton Kosovën, autoritetet serbe sillen në mënyrë demokratike duke kthyer njëzet apo tridhjetë nga trupat e djemve tanë”.


Daniel Sunter është një bashkëpunëtor i IWPR në Beograd. Muhamet Hajrullahu është një bashkëpunëtor i IWPR në Prishtinë.