KOSOVA PËRPARA NJË VJESHTE TË VËSHTIRË

Ndërprerja e vazhdueshme e furnizimit me energji elektrike, papunësia në rritje dhe një ndjenjë e mungesës së shpresës përbëjnë një përzierje të rrezikëshme, e cila sipas disave mund të përfundojë vetëm me një shpërthim të ri dhune.

KOSOVA PËRPARA NJË VJESHTE TË VËSHTIRË

Ndërprerja e vazhdueshme e furnizimit me energji elektrike, papunësia në rritje dhe një ndjenjë e mungesës së shpresës përbëjnë një përzierje të rrezikëshme, e cila sipas disave mund të përfundojë vetëm me një shpërthim të ri dhune.

Monday, 21 February, 2005

Një të martë në mëngjes me shi, 25 vjeçari Arsim Graicevci qëndron i ulur në kafe Kaqa në Prishtinë dhe përpiqet të mbysë zhurmën shurdhuese të gjeneratorit duke kënduar vargjet e këngës së Xhorxh Gershuin, “Kohë vere dhe jeta është e lehtë”.


Në fakt, jeta në Prishtinë nuk është aspak e lehtë. “I gjithë qyteti është pa energji elektrike që prej 18 orësh dhe uji ndërpriteet për shtatë orë cdo natë,” thotë Graicevci, duke pirë kafen e mëngjesit. “Nuk më mbetet tjetër gjë, përveç se të këndoj për jetën e lehtë në verë, gjë e cila është krejtësisht e kundërt me realitetin në Kosovë”.


Në Mitrovicën e ndarë, qyteti në veri të Kosovës i përfshirë nga dhuna etnike në muajin mars, sheshi kryesor është i mbushur me njerëz të cilët kërkojnë t’u shesin kalimtarëve cigare dhe karta telefoni.


Ismeti, një shitës i kartave telefonike, thotë se puna ka rënë shumë, “Njerëzit më mirë shkojnë presin në rradhë në zyrën e postës për të blerë kartat me 10 euro sesa ti blenë nga ne me 11 euro”.


Ismeti dhe shokët e tij e kalojnë ditën duke shëtitur nëpër qytet, apo të ulur jashtë në kafenetë e qytetit duke pirë kafe, nëse kanë fituar ndonjë gjë nga shitja.


Ndërsa fondet e donatorëve ndërkombëtar pakësohen, papunësia shtohet dhe infrastruktura e Kosovës dëmtohet, ekziston frika se pakënaqësia e publikut mund të shpërthejë përsëri, në mënyrë të ngjashme me atë në muajin mars.


Miftar Bala, një minator, 41 vjeçar, ka shfaqur pakënaqësinë e tij pak kohë më parë duke mbajtur një parrullë 15 metra të gjatë përpara ndërtesës së parlamentit të Kosovës më 14 korrik në një protestë të organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, BSPK.


Bala, me një pamje të lodhur dhe dëshpëruar, dhe rreth 10,000 protestues të tjerë, kanë kërkuar vende pune, paga dhe kushte më të mira për punëtorët, si edhe privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore.


Zeqir Shkodra, një zyrtar i BSPK, ka thënë se bashkimi do të ndërmarrë veprime më radikale në shtator nëse kërkesat e tij nuk përmbushen.


“Nëse kërkesat tona nuk merren seriozisht nga institucionet lokale dhe ndërkombëtare ne mund të bojkotojmë zgjedhjet e përgjithëshme në tetor,” ka thënë Shkodra për IWPR.


Me 126,000 anëtarë, në profesione të ndryshme nga minatorë tek mësuesit, doktorët dhe punonjësit e shërbimit civil, kërcënimi i BSPK nuk mund të nënvleftësohet si një bllof.


Por protestat e punëtorëve janë vetëm maja e ajzbergut të pakënaqësisë sociale dhe ekonomike që ka përfshirë shumë kosovarë.


Sipas një raporti të qershorit 2004 nga Riinvest, një institut zhvillimi dhe studimesh, shkalla zyrtare e papunësisë është shtuar me 30 përqind gjatë dy vjetëve të fundit.


Ndërsa financimet e huaja kanë rënë nga 957.7 milion euro në vitin 2000 në 120.2 milion në vitin 2003, numri i të papunëve është shtuar nga 208,000 në dhjetor 2001 në 287,525 në shkurt të këtij viti.


Kërkimet e Riinvest tregojnë gjithashtu se është shtuar pakënaqësia për punën e parlamentit të Kosovës me rreth 10 përqind në periudhën nga nëntor 2002 deri mars 2004.


Pakënaqësia e publikut mund të reflektohet edhe në pjesëmarrjen e ulët të votuesve në zgjedhjet e përgjithëshme të muajit tetor.


Ramiz Muja, 73 vjeç, nga Gjilani, 45 kilometra në jug lindje të Prishtinës, është një prej shumë njerëzve të cilët thonë se nuk ia vlen të votosh kur as institucionet lokale dhe as ato ndërkombëtare nuk bëjnë asgjë për të përmirësuar jetesën.


Organizmat lokale, thotë Muja, “thonë vazhdimisht se ato nuk kanë pushtet për të ndryshuar gjërat për mirë në Kosovë, por vazhdojnë të ngulin këmbë që ne të votojmë për ta,”. Ai shtron pyetjen: “E çfarë kuptimi ka të votojmë?”


Një raport për Kosovën i botuar këtë shtator nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, PNUD, thekson pakënaqësinë në rritje të popullsisë së Kosovës ndaj autoriteteve lokale dhe ndërkombëtare.


“Partitë janë larguar shumë nga njerëzit, politikanët nuk janë të përgjegjëshëm dhe platformat e partive janë sipërfaqsore, duke lënë pas dore nevojat e vërteta të popullsisë,” thuhet në raportin e PNUD.


Statistikat më dramatike në raportin e Riinvest kanë të bëjnë me pozicionin e autoritetit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, dhe drejtuesit të tij, Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithëshëm. Besimi në këto organizma ka rënë me 40 përqind gjatë dy vjetëve të fundit, thuhet në raport.


Ky fakt është veçanërisht shqetësues, sepse tregon se UNMIK mund të jetë në qendër të zemërimit publik në rast të një shpërthimi tjetër, sepse publiku e konsideron atë kryesisht përgjegjës për gjendjen e rëndë ekonomike dhe zhvillimin social në Kosovë.


Isa Mustafa, zëvendës president i Riinvest, thotë se komuniteti ncdërkombëtar nuk mund të përjashtojë pjesën e përgjegjësisë që ka për gjendjen e rëndë ekonomike në Kosovë.


“Administrata ndërkombëtare ka një departament të tërë të drejtuar nga BE i cili është përgjegjës për zhvillimin ekonomik,” ka thënë Mustafa, gjatë një debati televiziv, të titulluar “Të Flasim për Kosovën”. “Janë pikërisht ata të cilët nuk po bëjnë sa duhet për të zhvilluar një strategji dhe politikë zhvillimi për Kosovën”.


Megjithatë, zyrtarë të OKB-së, vazhdojnë të ngulin këmbë se ekonomia nuk është një prej prioriteteve të tyre, sepse detyra e tyre është ruajtja e paqes.


“Komuniteti ndërkombëtar nuk është këtu për të zhvilluar ekonominë e Kosovës,” ka thënë një zyrtar i lartë për IWPR. “Ne jemi një mision paqeruajtës i përkohëshëm i cili varet nga Departamenti i Operacioneve të Paqeruajtes në Nju Jork, jo një qeveri e cila u përgjigjet kërkesave të votuesve apo qytetarëve”.


E ardhmja e Kosovës duket edhe më e zymtë për Safir Berishën, ndërsa qëndron i ulur në sheshin Shadervan të Prizrenit, i cili dikur shihte mbi një prej pamjet më të bukura të Kosovës – një numër catish me ngjyra të ndryshme, të shtëpive të stilit ottoman dhe rrugica të shtruara me gur.


Shumë prej atyre shtëpive janë djegur gjatë përleshjeve të muajit mars, kur rreth 700 shtëpi të serbevë dhe pakicave të tjera jo-shqiptare janë sulmuar në të gjithë Kosovën.


Berisha, një përfaqësues i Shoqatës së Veteranëve të Luftës, e cila bashkon ish luftëtarët e luftës së armatosur të viteve nëntëdhjetë ndaj forcave serbe, thotë se depresioni i tanishëm social, politik dhe ekonomik mund të shërbejë si ndezës i dhunës ndaj autoriteteve, dhe veçanërisht UNMIK.


“Shqiptarët e kanë parë dikur UNMIK si një forcë patriarkale fjala e të cilit nuk mund të kundërshtohej,” thotë Berisha. “Por akulli është thyer në mars dhe pasi hidhet guri i parë kuptohet se është më lehtë të bëhet përsëri”.


Berisha, një drejtues lokal i partisë së dytë më të madhe në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës, PDK, thotë se ai flet në rradhë të parë si përfaqësues i veteranëve, të cilët ai i përshkruan si “pjesa më e dëmtuar e shoqërisë”.


Ndërsa partitë kryesore me qendër në Prishtinë po humbasin lidhjen e tyre me popullin në terren, grupe militante, si Shoqata e Veteranëve të Luftës, ku ai bën pjesë, po zgjerojnë dhe forcojnë ndikimin e tyre në rradhët e njerëzve me anë të deklarimeve të tyre populiste dhe anti ndërkombëtare.


“Ne kemi organizuar mbi 30 takime me njerëzit në fshatrat rreth Prizrenit këtë vit, kemi dëgjuar problemet e tyre dhe shohim që njerëzit janë të zemëruar,” thotë Berisha. “Ata janë shumë të pakënaqur me atë që ka bërë administrata ndërkombëtare deri më tani për Kosovën dhe nuk kanë çfarë të humbasin”.


Nuk është ende e qartë se çfarë forme do të marrë pakënaqësia në Kosovë gjatë muajve të ardhëshëm. Forcat paqeruajtëse në Kosovë, KFOR, thonë se ato janë të përgatitura për çdo rast dhe kanë shtuar numrin e tyre pas trazirave të muajit mars.


Nexhmedin Spahiu, një analist politik në Mitrovicë, thotë se dislokimi i më tepër ushtarëve nuk është përgjigja më e mirë për problemet.


“Kjo është vetëm një qetësi përpara stuhisë,” thotë ai. “Por mund të shihet edhe si një mundësi për UNMIK dhe institucionet lokale të përmirësojnë veten dhe gjendjen në Kosovë. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë një tjetër valë proteste është e mundëshme pas verës”.


Bahri Shabani, drejtues i BSPK, nga ana tjetër, ngul këmbë se protestat do të kenë formë paqësore, të ngjashme me ato të organizuara nga BSPK kohët e fundit.


Sidoqoqoftë, gjendja e tanishme nuk tërheq investitorët e mundshëm fondet e të cilëve mund të zhvillojnë ekonominë e Kosovës, dhe të ndihmojnë në uljen e papunësisë dhe tensioneve.


Shemsi Llapashtica, pronar i një punishte orendish shtëpiake në rrethinat e Prishtinës, thotë se mungesa e furnizimit me energji elektrike ka dëmtuar zgjerimin e biznesit të tij, dhe për rrjedhim edhe shtimin e numrit të punëtorëve.


“Makineritë prishen shpesh për shkak të mos furnizimit të rregullt me energji, dhe unë nuk mund të marr punëtorë të rinj të cilët do të rrijnë orë të tëra pa punë duke pritur që të rikthehet energjia elektrike,” thotë Llapashtica.


Në Mitrovicë, pensionisti Ahmet Beqiri, 60 vjeç, është i bindur se gjendja nuk përmirësohet. “Unë kam gjashtë djem të moshës 20 deri 34 vjeç, dhe asnjë prej tyre nuk punon,” thotë ai. “Me vështirësi sigurojmë jetesën me pensionin tim dhe pagesat e vogla të ndihmës sociale”.


Dilema është nëse ektremistët nga njëra anë, apo partitë e moderuara dhe autoritetet ndërkombëtare nga ana tjetër, do të arrijnë të kanalizojnë zemërimin e popullsisë.


Për Ramiz Mujën, në Gjilan, e vetmja gjë e sigurtë është se vjeshta që po afron nuk do të sjellë ndryshime për mirë. “Nuk e di nëse vjen era barut, por di të them se me siguri që nuk vjen erë e mirë”.


Arben Salihu, Muhamet Hajrullahu dhe Zana Limani po ndjekin një kurs gazetarie të organizuar nga IWPR me mbështetjen e OSBE.


Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists