Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

KOSOVË: PËPRLASJE RRETH VARREZAVE MASIVE

Zbulimi i më shumë trupave të civilëve serb mund të përkeqësoj atmosferën politike para bisedimeve të rëndësishme mbi statusin përfundimtar të provincës.
By Berat Buzhala

Zbulimi i fundit i varrezës së dytë masive e cila përmban trupa të civilëve serbë në Kosovë ka ngritur tensionet para fillimit të bisedimeve për status final të parapara për këtë vjeshtë.

Në mes të majit, hetuesit e UNMIK-ut kanë zbuluar trupat e 13 serbëve në një varrezë masive në Malishevë, në qendër të Kosovës.

Ekspertët e mjekësisë ligjore thanë se të gjitha kufomat ishin të veshura në rroba civile dhe duart i kishin të lidhura prapa shpinës. Viti i ekzekutimit të tyre besohet të ketë qenë 1998, kur konflikti në mes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, dhe forcave serbe ishte në kulmniacion.

Ky zbulim në Malishevë pason pas gjetjes së varrezës masive në prill të vitit 2005 në Voljakë të Kosovës, rreth 60 kilometra në perëndim të Prishtinës, e cila përmbante kufoma të serbëve.

Nëntë nga 24 kufomat në Voljakë janë identifikuar si serbë të zhdukur, por ekspertët e mjekësisë ligjore të UNMIK-ut thanë se ata besonin se kufomat ishin të serbëve vendor të zhdukur gjatë vitit 1998.

Zbulimi ka nxitur frikën se kjo çështje shumë emocionale mund të tensionoj edhe më shumë marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në pregaditje për bisedat rreth statusit përfundimtar. Vëzhguesit e pavarur theksojnë se edhe më herët çështja e personave të zhdukur është manipuluar, apo shfrytëzuar për qëllime politike.

Në thelb të mosmarrëveshjes është fati i pazgjidhur i mijëra shqiptarëve, serbëve dhe të tjerëve të cilët u zhdukën gjatë konfliktit të të nëntëdhjetave në Kosovë. Asgjë nuk dihet për fatin e rreth 2,900 personave të zhdukur. Sipas Kryqit të Kuq, ICRC, rreth 2400 prej të zhdukurve janë shqiptarë dhe 700 joshqiptarë, përfshirë rreth 500 serbë. Bisedimet në mes të zyrtarëve serb dhe shqiptar janë zhagitur pa zgjidhjen e fatit të tyre, dhe palët kanë akuzuar njëra tjetrën për qëllime të pamoralshme.

Pas një pauze një vjeçare si rezultat i dhunës të ushtruar ndaj serbëve, bisedimet në mes të ekspertëve qeveritar të Kosovës dhe Serbisë vazhduan në Beograd në mars 2005.

Por ngurimi për të zgjidhur problemin nuk buron vetëm nga ana serbe. Zemërimet rreth zhagitjes së Beogradit ka shtyer edhe shqiptarët të kërkojnë tërheqje nga bisedat rreth personave të zhdukur.

Shqiptarët u zemëruan kur UNMIK-u thirri ekspertë serbë për t’i ndihmuar atyrë në Malishevë dhe Voljakë, derisa homologët e tyrë shqiptarë nuk u lejuan të shkonin në Serbi për të zhvarrosur kufomat e shqiptarëve të zbuluara atje.

Shqiptarët dëshirojnë përshpejtimin e kufomave shqiptare të gjetura në varreza masive në Serbi. Shumë prej tyre janë zbuluar në Batajnicë, afër Beogradit, kur rreth 800 trupa janë zhvarrosur që nga viti 2001.

Rreth 500 janë kthyer në Kosovë në grupe prej 20 deri 40, por vonimet në proces kanë frustruar anën shqiptare.

Kohëve të fundit, mediat serbe kanë zbuluar se një numër i madh i kufomave shqiptare gjithashtu ishin djegur në fabrikën e aluminit në Mackaticë, në jug të Serbisë. Pa përparim më të shpejtë në kthimin e këtyre trupave, grupet shqiptare për persona të zhdukur thonë se qeveria kosovare duhet të ngadalsoj kthimin e trupave serbe.

Ali Aliburolli, udhëheqës i Asociacionit të Familjeve të Personave të Zhdukur, tha se Kosova duhet “menjëherë të ndaloj” bisedimet rreth personave të zhdukur me të gjithë zyrtarët serb të cilët kanë mbajtur pozita qeveritare në Kosovë gjatë konfliktit.

“Qeveria jonë duhet të tërhiqet nga këto bisedime,” ai tha, pas një takimi me komisionin e qeverisë së Kosovës për persona të zhdukur.

Në anën tjetër, liderët serbë të Kosovës pohojnë se zbulimi i varrezave masive të serbëve në Voljakë dhe Malishevë ndryshon gjithë dinamikën e diskutimeve rreth krimeve të luftës.

Përfaqësuesja serbe Rada Trajkovic deklaroj për IWPR se zbulimi i trupave tregon se intervenimi i perëndimit në Kosovë ka qenë gabim. “Bashkësia ndërkombëtare bëri një gabim me intervenimin në Kosovë gjatë vitit 1999, duke na shtyer në pozitë në të cilën gjindemi tani,” ajo tha. “UÇK-ja ka ekzekutuar civilë serbë në territorin e kontrolluar nga kjo organizatë.”

Pohime të tilla brengosin disa liderë shqiptarë. Jakup Krasniqi, zyrtar i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK – dhe ish anëtar i stafit të përgjithshëm të UÇK-së – tha se kufomat e zbuluara në Kosovë “mund t’i takojnë ushtrisë serbe.”

Ai pohoj, “Trupat ishin veshur me qëllim në rroba civile dhe ishin varrosur nga udhëheqësit ushtarak të tyre.”

Në një ambient të tensionuar politik rreth personave të zhdukur, burimet e UNMIK-ut i thanë IWPR se ata brengosen se zbulimi i varrezës masive serbe mund të ngritë tensionet dhe dëmtoj planifikimin e bisedimeve rreth statusit përfundimtar të Kosovës gjatë kësaj vjeshte.

Por Jose Pablo Baraybar, kryesues i zyrës së UNMIK-ut për persona të zhdukur, nuk u pajtua. “Koha kur këto varreza masive zbulohen nuk është e rëndësishme. Njerëzit duhet të ballafaqohen me të kaluarën e tyrë në mënyrë që të ecin përpara,” ai tha.

Oliver Ivanovic, një lider i moderuar serb i Kosovës, u pajtua duke shtuar se zbulimi i varrezave të reja nuk duhet të ketë ndikim politik në zhvillimet në Kosovë.

“Sa më herët që faji individualizohet në të dy anët, mundësitë janë më të mëdha për pajtim në mes të dy palëve të cilat vazhdojnë të akuzojnë kolektivisht njëra tjetrën rreth ngjarjeve të cilat ndodhën gjatë luftës,” ai tha.

Por ka pak shenja të njerëzve apo politikanëve nga të dy anët e bashkësive të cilët pranojnë se faji për krime të tilla është çështje individuale. Dhe derisa gjykatat nga të dy anët ngurojnë të padisin personat përgjegjës për këto vrasje, ndjenjat e armiqësisë të nxitura nga zbulimi i varrezave masive duket se do të rriten.

Berat Buzhala është redaktor menaxhues i të përditshmës kosovare Ekspres.