Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Koshtunica Përqafon Kishën

Liberalët në Serbi janë të shqetësuar për rritjen e influencës së Kishës Ortodokse
By Milanka Saponja-Hadzic

Qeveria e re Jugosllave po përqafon fenë Ortodokse me një zell aq të madh sa liberalët Serbë tremben nga krijimi i një shteti të dominuar nga Kisha.


Presidenti Vojisllav Koshtunica po përkrah një program të Kishës për edukimin fetar në shkolla, ushtri, polici dhe në burgje. Gjithashtu, qeveria ka në plan të fillojë kthimin e pronave të Kishës të konfiskuara në kohën e Titos.


Kryeministri Zoran Ziziq i ka thënë Patriarkut Ortodoks Serb Pavle, në mesin e muajit Nëntor se qeveria do të miratojë ligje të reja me qëllim që të sigurojë që marrëdhëniet ndërmjet Kishës dhe Shtetit të "ndërthuren".


Duke gjykuar nga marrëdhëniet e Presidentit Koshtunica me klerikët e lartë, duket se ai e konsideron mirëqënien e Kishës Ortodokse Serbe, SPC, çështjen më të rëndësishme pas largimit të Millosheviqit.


Në qarqet diplomatike, Koshtunica dhe njerëzit e tij kanë filluar të quhen me emrin 'Amish' (si në sektin Amerikan Menonit).


Por nga klerikët, Koshtunica nuk ka përfituar asgjë përveç vlerësimeve mburrëse. Peshkopi Vasilije i Sremit ka thënë: "Ne mendojmë se do të lidhim marrëdhënie më të ngushta me presidentin. Do të flasim rreth problemeve të popullit Serb."


Idea e shkrirjes së Shtetit me Kishën ka zemëruar Liberalët në Serbi. Filozofi Nenad Dakoviq ka paralajmëruar në fillim të Dhjetorit se Serbia, e cila ka 36 fe të ndryshme, po përjeton një rritje të nacionalizmit fetar jo demokratik.


Që prej ardhjes në pushtet, Koshtunica, i shoqëruar nga një numër i madh ministrash, takohet me Pavlen çdo ditë, ndërsa Patriarku ka marrë pjesë në shumë vizita shtetërore dhe private. Tanimë është bërë një çështje prestigji të shihesh në shoqërinë e një prifti.


Vizita e Koshtunicës në fillim të muajit Dhjetor në Manastirin Ortodoks Serb të Hilandarit në Malin Athos në Greqi ka tërhequr një vëmendje të madhe. Në grupin prej rreth 40 njerëzish që e shoqëronin ishin 18 ministra, dhe shumë politikanë, figura publike dhe gazetarë. Megjithëse vizita u përshkrua si një udhëtim privat, shpenzimet janë paguar nga qeveria Serbe. Për disa ditë, media e Beogradit ka përmendur dendur këtë vizitë.


Por jo të gjithë kanë reaguar në favor të kësaj vizite. Mirko Gjorgjeviq, një ekspert i çështjeve fetare, ka thënë se vizita "binte erë fondamentalizëm". Ai e ka përshkruar si anakronike dhe qesharake, duke paralajmëruar se ajo nuk do t'i shërbente as Kishës as Qeverisë.


Qeveria i ka hedhur poshtë këto kritika. Ministri federal i çështjeve fetare, Bogoljub Sijakoviq, ka këshilluar kolegët e tij të ndjekin shembullin e tij dhe t'i kërkojnë Patriarkut Pavel të bekojë gjithë vendimet e tyre.


Menjëherë pas ndryshimit të qeverisë në Tetor, ka qenë e qartë se SPC, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në rrëzimin e Millosheviqit, do të luante një rol të madh në çështjet publike.


Autoritetet e reja nuk kanë humbur kohë për të shprehur mirënjohjen e tyre. Kryeministri Zoran Ziziq ka thënë në Nëntor se qeveria kishte dhuruar rreth 300,000 marka Gjermane për Kishën e Shën Savës në Beograd. Ai ka thënë se rreth 600 kisha dhe ndërtesa të tjera fetare do të rindërtohen së shpejti. Kjo ndodh në një kohë që paga mesatare në Serbi është rreth 80 marka Gjermane në muaj.


Pavarësisht kësaj mbështetjeje për fenë, studimet tregojnë se Serbët nuk janë veçanërisht besimtarë. Sociologu nga Novi Sadi Lazar Zolt ka arritur në përfundimin se vetëm 36 përqind e njerëzve në Serbinë qendrore janë fetarë.


Pavarësisht tendencave fetare, shumica e njerëzve kanë mirëpritur rritjen e influencës së fesë ashtu siç kanë mirëpritur edhe vendimet e Millosheviqit kur ka qenë në pushtet.


As qeveria as Kisha nuk janë të gatëshme të flasin tani për rolin e SPC-së në luftërat e viteve të fundit apo për përkrahjen që i ka dhënë kisha Millosheviqit gjatë këtyre luftërave. Radmila Radiq, një shkencëtare në Institutin e Shkencave Sociale në Beograd, thotë se SPC i ka kthyer shpinën Millosheviqit jo për shkak të gabimeve të tij por sepse ai nuk arriti të realizojë ëndrrën e Serbisë së Madhe. "Tani Kisha po përpiqet të përmbushë nëpërmjet Koshtunciës atë që nuk mundi ta bëjë me Millosheviqin," ka thënë ajo.


Olga Popoviq-Obradoviq, një profesore e ligjit në Universitetin e Beogradit, mendon se çështja kryesore në Serbinë e sotme është nëse do të kemi një shtet civil apo fetar.


Në Nëntor, Këshilli i SPC-së, organi më i lartë i Kishës, ka njoftuar se është krijuar një komision për përgatitjen e një programi kombëtar për studimet fetare në shkollat fillore dhe tetëvjeçare. Planet për studimin fetar në ushtri, polici dhe burgje kanë filluar tashmë, megjithëse Kisha e pranon se zbatimi i tyre mund të vonohet si pasojë e mungesës së stafit të nevojëshëm.


Pas takimit të tij të fundit me Pavlen, shefi i shtabit të përgjithëshëm të ushtrisë Jugosllave, Gjenerali Nebojsha Pavkoviq, të cilin Koshtunica e ka mbajtur në këtë post edhe pas rënies së Millosheviqit, ka thënë se ai e mirëpret futjen e priftërinjve në ushtri si një mënyrë për t'u dhënë ushtarëve të drejta dhe liri të plota fetare.


Skeptikët në Beograd kujtojnë se i njëjti Gjeneral nuk ka menduar shumë për të drejtat dhe liritë fetare ndërsa "çlironte" qytetarët e ish-Jugosllavisë nga shtëpitë dhe jeta e tyre gjatë luftërave të fundit.


Ata që kundështojnë përzierjen e fesë me politikën e konsiderojnë politikën e qeverisë së re si një hap prapa.


Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut ka pralajmëruar qeverinë në Nëntor se Jugosllavia Federale dhe Serbia janë shtete sekulare sipas kushtetutës dhe se Kisha dhe Shteti janë të ndara qartësisht me ligj.


Kjo do të thotë se studimet fetare nuk mund të zbatohen ligjërisht në isntitucionet publike.


Kritikët e qeverisë mendojnë se feja duhet të jetë një çështje private. Disa si profesori i Socialogjisë Zaga Goluboviq mendojnë se futja në shkolla e fesë do të zëvendësonte me një ideologji të re atë komuniste.


Përfaqësuesit e SPC-së nuk kanë pranuar një ftesë të Komitetit të Helsinkit për të marrë pjesë në një debat publik për këtë çështje edhe me pjesëmarrjen e besimeve të tjera fetare. Në vend të këtij takimi, SPC-ja ka bombarduar gazetat dhe televizionet me bindjet e saj.


Opinioni publik, pasi ka hezituar për një farë kohe, tani duket se përkrah fortë Kishën. Ende pa pasur një vendim zyrtar, disa mësime fetare kanë filluar tashmë të kryhen, siç është rasti i një kopështi fëmijësh në Uzice.


Publiku për përgatitet me kujdes për programin e Kishës. Në një përpjekje për të mos u dukur si shumë dogmatik, autoritetet kanë thënë se studimet fetare do të jenë jo të detyrueshme dhe mundësisht të zhvillohen në marrëveshje me besimet e tjera fetare.


Megjithatë, fjalën e fundit do ta kenë fëmijët. Ata mund të vendosin që ora e mësimit të fesë është tepër e mërzitëshme dhe të largohen prej saj. Dhe autoritetet mund ta kuptojnë se duhet më tepër se ndihma e Zotit për të mbushur barkun bosh të njerëzve.


Milanka Saponja-Haxhiq është një bashkëpunëtore e IWPR-së.