Koshtunica Injoron Del Ponte-n
Kryeprokurorja e gjykatës për krime lufte Karla Del Ponte largohet duarbosh nga Beogradi
Koshtunica Injoron Del Ponte-n
Kryeprokurorja e gjykatës për krime lufte Karla Del Ponte largohet duarbosh nga Beogradi
Kryeprokurorja e gjykatës së Hagës, Karla Del Ponte është larguar javën e kaluar nga Beogradi pa marrë përgjigjen e një pyetjeje të rëndësishme: A është Serbia e gatëshme të nisë bashkëpunimin me gjykatën e Hagës?
Javën e kaluar u duk se përgjitha e kësaj pyetjeje është negative.
Del Ponte është nxehur mjaft nga mospranimi i Presidentit Koshtunica për të ekstraduar Sllobodan Millosheviçin apo ndonjë nga të dyshuarit e tjerë për krime lufte në të ardhmen e afërt. "Unë jam zhgënjyer disi," ka thënë prokurorja në mënyrë diplomatike.
Por ka edhe disa shenja inkurajuese.
Duke pranuar të bisedojnë me Del Ponten, drejtuesit e Beogradit në fakt kanë njohur gjykatën - diçka që në të kaluarën nuk kanë pranuar ta bëjnë. Dhe ndërsa Koshtunica dhe kryeministri Serb Zoran Xhinxhiç nuk pranojnë të bëjnë më tepër, disa nga kolegët e tyre kanë lënë të kuptohet se janë të gatshëm të bashkëpunojnë më tepër.
Është gjithashtu e rëndësishme, që prezenca e kryeprokurores në Beograd ka detyruar njerëzit e thjeshtë të përballen me të kaluarën e përgjakëshme të Millosheviçit - autoritetet e mëparëshme kanë insistuar prej kohësh se Serbët nuk kanë asnjë përgjegjësi për krimet e luftës.
Por këto rezultate natyrisht kanë qenë shumë më të vogla se kërkesat e Del Pontes.
Në një intervistë me IWPR, ajo ka pranuar se se ajo nuk kishte pasur shumë shpresa për ekstradimin e ish presidentit në Hagë.
Del Ponte ka thënë se ajo kishte shpresuar se Millosheviçi do të arrestohej menjëherë pas revolucionit të 5 Tetorit. Ajo kishte ndjekur të gjitha zhvillimet dramatike në TV ndërsa ishte për një vizitë në Maqedoni
"Unë isha e sigurtë se administrata e përkohëshme do ta arrestonte Millosheviçin," ka thënë ajo. "Të gjitha shenjat tregonin për një gjë të tillë".
Kur kjo gjë nuk ndodhi, ajo vazhdoi të besonte tek qeveria e re. Por edhe pas zgjedhjes së saj në Dhjetor, asgjë nuk ka lëvizur.
Takimi i kohëve të fundit i Koshtunicës me Millosheviçin për të diskutuar "zhvillimet politike" ka qenë goditja më e fundit për kryeprokuroren. Del Ponte ka ndjerë se shpresat që autoritetet e reja të merreshin seriozisht dhe me vendosmëri me këtë çështje ishin zhdukur brenda natës. "Kjo është arësyeja që unë mendova se ishte e rëndësishme të vija në Beograd tani," ka thënë ajo.
Del Ponte nuk ka arritur asnjë rezultat në takimin me Koshtunicën. "Unë thjesht kam dëgjuar për një gjysëm ore gjëra që i dija më parë," ka thënë ajo për takimin me presidentin Jugosllav. "Unë dëshiroja një dialog…por ai donte të bënte një deklaratë politike."
Megjithatë, ajo është inkurajuar nga bisedimet e saj me drejtues të tjerë të lartë reformist, të cilët sipas saj kanë shprehur një dëshirë më të madhe për të bashkëpunuar me të. "Takimet e tjera kanë qenë shumë pozitive," ka thënë prokurorja.
Megjithëse edhe ata janë po aq të vendosur sa Koshtunica të mos e dërgojnë Millosheviçin në Hagë, disa nga zyrtarët e lartë të cilët ka takuar ajo kanë lënë të kuptohet se ata mund të pranojnë që ai të gjykohet për krime lufte në Beograd.
Del Ponte thotë se kjo gjëështë "e pamundur", por vetë fakti që ata janë të përgatitur të mendojnë për të dënuar Millosheviçin për krime lufte përbën një progres.
Dëshira për të bërë një farë kompromisi rrjedh nga frika se komuniteti ndërkombëtar mund të vendosë sanksione apo të mos ofrojë ndihmë financiare deri sa të ofrohet një bashkëpunim më i madh.
Serbët e thjeshtë kanë filluar gjithashtu të kuptojnë se kjo gjë është shumë e rëndësishme - ata kanë filluar të pranojnë se gjykata është një institucion serioz dhe që ka pushtet të madh, dhe jo një shaka, siç e ka paraqitur rregjimi i kaluar.
Në një përpjekje për të fituar mbështetjen e opinionit publik, Del Ponte ka bërë të pamundurën për të hedhur poshtë idenë ende të përhapur shumë se gjykata është anti-Serbe. "Unë dua që populli Serb të jetë i sigurtë se ne po hetojmë edhe mbi krimet e kryera ndaj Serbëve në Kosovë, Kroaci dhe Bosnje," ka thënë ajo.
Del ponte është përpjekur të fitojë sa më shumë mbështetje për dënimin e Millosheviçit. Ajo ka deklaruar se Millosheviçi e dinte që televizioni shtetëror Serb do të bombardohej gjatë sulmeve ajrore të NATO-s por nuk ka bërë asgjë për të mbrojtur stafin e tij. Gjashtëmbëdhjetë njerëz të cilët punonin në atë ndërtesë janë vrarë kur ajo u godit nga avionët e NATO-s.
Serbia e re duhet të largohet përfundimisht nga të dyshuarit për krime lufte - nëse Koshtunica dhe Xhinxhiç e kuptojnë apo jo këtë gjë, kjo është çështje tjetër.
Ata duhet të kuptojnë që nëse nuk bashkëpunojnë me gjykatën, Serbia rrezikon të izolohet përsëri nga komuniteti ndërkombëtar.
Petar Lukoviç është një komentator i njohur në Beograd.