KOMPROMISI PËR KUFIRIN E MALIT TË ZI

Serbia dhe Mali i Zi kanë zgjidhur një mosmarrëveshje të ashpër për çështjen e kufinjve, e cila për pak ka shkaktuar fillimin e luftës.

KOMPROMISI PËR KUFIRIN E MALIT TË ZI

Serbia dhe Mali i Zi kanë zgjidhur një mosmarrëveshje të ashpër për çështjen e kufinjve, e cila për pak ka shkaktuar fillimin e luftës.

Autoritetet malazeze duket se janë nënshtruar ndaj presionit të Beogradit duke pranuar prezencën e ushtarëve të Ushtrisë Jugosllave përgjatë kufinjve të saj.


Kjo pason muaj mosmarrëveshjesh të ashpra rreth kontrollit të kufinjve të Malit të Zi, të cilat kërcënonin të shpërthenin një konflikt me Serbinë.


Në një deklaratë të përbashkët thuhej se një pikë kufitare me Kosovën pranë Rozhajes do të patrullohet tani së bashku nga Ushtria Jugosllave, UJ, dhe Policia e Brendëshme Malazeze, PBM, si pjesë e përpjekjeve për të ndaluar kalimin e armëve dhe drogës në mënyrë ilegale nëpërmjet kufirit.


Marrëveshja e postobllokut, e nënshkruar nga oficerë të lartë të Armatës së Dytë të UJ dhe të PBM, lejon edhe krijimin e postoblloqeve të tjera të përbashkëta.


"Marrëveshja është arritur pas presioneve të forta nga UJ," ka thënë për IWPR-në një zyrtar i lartë i koalicionit qeveritar malazez. "Gjeneralët na akuzonin se po toleronim kalimin e armëve, që sipas tyre shkojnë për UÇK-në dhe rebelët e saj pranë Preshevës nëpërmjet Malit të Zi. Përfaqësuesit e UJ kanë kërcënuar se do të bllokojnë pikën e kalimit kufitar në Rozhaje. Ne na u desh të tërhiqeshim përballë këtyre akuzave dhe të lejonim kontrollin e mallrave që shkojnë në drejtim të Kosovës."


Zyrtari ka thënë se bisedime të fshehta kanë vazhduar që prej disa javësh ndërmjet UJ dhe qeverisë së koalicionit të presidentit malazez Millo Gjukanoviq.


UJ ka ngritur një postobllok ushtarak në kufirin Shqipëri-Mali i Zi në fund të muajit janar, duke shkelur kushtetutën jugosllave. Trupat e UJ më pas u vendosën në mënyrë të kundër ligjëshme edhe përgjatë kufirit të republikës me Bosnjen në fillim të muajit mars (Shih BCR Nr. 122 - Serbia i Shtrëngon Lakun Malit të Zi).


Mali i Zi e ka interpretuar këtë lëvizje si një shoë të qartë force nga Beogradi, duke përshkallëzuar mosmarrëveshjet e gjata ndërmjet dy republikave. Që prej disa vjetësh Mali i Zi është përpjekur të largohet nga Beogradi, duke marrë nën kontroll politikën e jashtëme, ekonominë deri edhe monedhën e republikës.


Për këtë arësye kompromisi i javës së kaluar që pranon prezencën e trupave të UJ ka habitur shumë publikun malazez.


Kontrolli mbi pikat kufitare me Kosovën është veçanërisht i rëndësishëm për autoritetet Malazeze. Tranziti i mallrave nëpërmjet Malit të Zi për në Kosovë ka sjellë përfitime prej disa milionë marka gjermane për autoritetet e Podgoricës që prej mbërritjes së trupave të KFOR-it në provincë.


Brenda dy ditësh pas ngritjes së postobllokut ushtarak, trafiku në drejtim të Kosovës është ulur mjaft. Disa njerëz frikësohen se prezenca e UJ do të vazhdojë të ulë volumin e mallrave që kalojnë kufirin, duke ulur kështu edhe fitimet e qeverisë malazeze.


Pavarësisht lëshimeve të mëdha të bëra ushtarakëve jugosllavë, përfaqësuesit e partive në koalicionin qeveritar, Partisë Demokratike të Socialistëve dhe Partisë Popullore, po përpiqen të paraqesin marrëveshjen si një fitore për qeverinë e Gjukanoviqit.


"Nëse kjo ul tensionet, nuk ka arësye të bëhet një analizë tani se kush i ka bërë lëshime njëri tjetrit," ka thënë Dragan Soc, ministri malazez i drejtësisë dhe drejtuesi i Partisë Popullore.


Partia Social Demokrate, anëtarja e tretë e koalicionit qeveritar, ka shprehur rezerva për marrëveshjen.


"Regjimi i Beogradit mënjëherë e ka marrë dëshirën tonë të mirë si shenjë dobësie," thotë Ratko Krivokapiq i SDP-së. "Përfaqësuesit e ushtrisë kanë kërkuar tashmë krijimin e postoblloqeve të tjera."


Ajo pjesë e medias e cila kontrollohet nga Millosheviqi nuk ka komentuar rreth marrëveshjes. Millosheviqi nuk i ka informuar miqtë e tij politik në Mal të Zi, Partinë Popullore Socialiste, SNP, rreth bisedimeve ndërmjet UJ dhe PPBM të Malit të Zi.


Zëvendës kryetari i SNP-së, Pedrag Bullatoviq, ka akuzuar Gjukanoviqin gjatë kohës së bisedimeve se Gjukanoviq kishte nisur një luftë propagande ndaj UJ për të rritur tensionet dhe destabilizuar Malin e Zi.


Rivali i fortë i Gjukanoviqit, Momir Bullatoviq, kryeministri federal dhe drejtues i SNP-së, ka thënë se bisedimet kanë qenë sekrete. Më 24 mars Bullatoviq tha se ministri malazez policisë ka vizituar kohët e fundit Beogradin dhe ka biseduar me kolegët e tij në qeverinë federale dhe atë serbe.


Kjo marrëveshje pa dyshim tregon se Gjukanoviq është duke u përpjekur të fitojë kohë dhe të përfitojë disa lëshime nga gjeneralët e UJ. Në këtë lojë të tij me Millosheviqin, presidenti malazez ka mundur deri tani të shmangë konfliktin e drejt për drejtë. Por, pavarësisht bisedimeve dhe kompromiseve, ai po humbet në të gjitha frontet. Në mënyrë të ngadaltë por të pandërprerë Ushtria Jugosllave po merr në dorë kontrollin e kufinjve të Malit të Zi.


Milka Tadiq është bashkëpunëtore e rregullt e IWPR-së.


Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists