Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

KOMENT: VIKTIMAT KANË NJË ZË

Dëshmia e dëshmitarit B-1701 mund të mos cojë në dënimin e Millosheviq, por tregimet e ngjashme me atë të tijin i japin një zë të rëndësishëm viktimave pa emër në luftërat në ish Jugosllavi.
By Emir Suljagic

Vuajtjet e viktimës së krimeve të luftës të identifikuar këtë javë në gjyq si B-1701 janë të rëndësishme në gjyqin ndaj Millosheviq – por jo për arësyet që mund të mendohet.


Historia e tij – e marrjes me forcë, dy herë ka qenë praën ekzekutimit, dhe ka mbijetuar – është e jashtëzakonëshme dhe tronditëse (shih raportin nga gjykata).


Ai ka mbijetuar vrasjes së parë sepse ekzekutorja e tij, një Serbe, ka ndaluar për të hequr një gllënjkë raki kumbulle. Për herë të dytë ai ka shpëtuar kur një re plumbash nuk e kanë kapur atë – ndërsa ai ishte shtrirë dhe bënte sikur kishte vdekur në bregun e një lumi.


Por përtej titujve, bombastikë ky tregim vështirë se mund të forcojë akuzat ndaj Millosheviq. Kjo për arësye se vuajtjet e tij përbëjnë vetëm një hallkë në një zinxhir tepër të gjatë. Për të arritur një dënim, prokurorët duhet të provojnë ekzistencën e një lidhjeje ndërmjet ekzekutorëve materialë të krimeve dhe zyrtarëve të lartë në Beograd.


Për këtë arësye pjesa më e madhe e këtij gjyqi ka kaluar me përpjekje për të shpjeguar shkallën e plotë të influencës së Millosheviq mbi ngjarjet në Kroaci dhe Bosnje.


Një ekspert ka shpenzuar dy vjet duke parë dokumentat financiare të Jugosllavisë. Të tjerë kanë kaluar nëpër duar mijëra faqe raportesh zyrtare, duke parë lëvizjet e makinerisë drejtuese nëpërmjet së cilës Millosheviq ka ushtruar kontrollin e tij.


Megjithëse B-1701 e di shumë mirë se cfarë kanë bërë forcat e sigurisë, ai nuk është në gjendje të bëjë lidhjen aq të rëndësishme për të cilët kanë nevojë prokurorët. Por megjithatë dëshmitarët okularë si B-1701, një punonjës i ndërmarrjes pyjore pa asnjë arsim nga fshati i vogël Glogova praën Bratunac, janë tepër të rëndësishëm për procesin e krimeve të luftës.


Duke treguar eksperiencën e tyre të tmerreve që kanë ndodhur gjatë luftës në Bosnje, këta dëshmitarë ndihmojnë të provojnë se krimet e përmendura në akuzë në fakt kanë ndodhur vërtetë dhe në këtë mënyrë u japin një zë viktimave.


Nuk është e lehtë për viktimat të tregojnë historitë e tyre. Karriket mbi të cilat shumë prej tyre janë ulur për të dëshmuar ndaj Millosheviq shpesh janë të mbushura me djersë. Shumë prej dëshmitarëve kanë shpërthyer në lotë. Disa nuk kanë mundur të shohin në sy të pandehurin.


Dëshmitari i parë i cili ka dëshmuar në fazën e gjyqit për ngjarjet në Kosovë, një Shqiptar i cili kishte humbur 34 anëtarë të familjes së tij, i ktheu shpinën të pandehurit, dhe e ka parë atë vetëm për një moment ndërsa rojet e gjykatës së OKB po e shoqëronin për të dalë nga salla e gjyqit.


Javën e kaluar ne nuk kemi mundur ta shohim dëshmitarin B-1701. Ai ishte i fshehur pas një xhami të errët dhe anti plumb për mbrojtje. Por ne kemi mundur të dëgjojmë zërin e tij. Dëshmia e tij nuk ka qenë elokuente. Ai shpesh ka ngatërruar data dhe shumë gjëra nuk i kujtoheshin. Por ai ka arritur të tregojë ato që ka vuajtur.


Një prej synimeve të deklaruara të gjykatës është të nisë procesin e pajtimit. Dhe në këtë mënyrë, vetëm duke treguar historitë e tyre – dhe duke i legjitimuar ato në një sallë gjyqi – këta dëshmitarë kontribuojnë shumë në arritjen e një sensi drejtësie.


Janë pikërisht dëshmi të tilla të cilat u japin zë viktimave pa emër të cilët përbëjnë statistikat e trishtueshme të luftërave në Jugosllavi. Duke treguar historitë e tyre ata janë në gjendje të rifitojnë ato të cilat kanë humbur gjatë konfliktit – të kaluarën e tyre, historitë e familjeve të tyre, gratë dhe motrat e tyre, fëmijët dhe dinjitetin.


Emir Suljagiq është një gazetar i IWPR në Hagë.