Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

KOMENT: TË ECIM PËRPARA

Ne kemi parë se si urrejtja mund të shkatërrojë cdo gjë – tani serbët dhe shqiptarët duhet të punojnë së bashku për të rindërtuar Kosovën.
By Hashim Thaci

Të mërkurën më 17 mars, unë kam qenë duke dhënë një leksion në Institutin Amerikan të Paqes në lidhje me vizionin tim për Kosovën e pavarur. Ky vend do të jetë një shoqëri shumë etnike, në të cilën njerëz nga grupe të ndryshme etnike të jetojnë dhe punojnë së bashku me të drejta të barabarta dhe me tolerancë dhe respekt për besimet e ndryshme fetare. Ky është një vizion shumë i ndryshëm nga ai që mësova që po ndodhte në Kosovë atë ditë: njerëz që kanë demonstruar, vrarë, djegur shtëpi, kisha dhe xhami, turma të pakontrolluara që kanë shkatërruar.


Jam kthyer menjëherë për të ndihmuar në dhënien fund të dhunës. Kam kaluar ditët në vazhdim duke shkuar në të gjithë Kosovën, dhe duke u kërkuar shqiptarëve të largohen nga rruga dhe të kthehen në shtëpitë e tyre dhe duke siguruar serbët se tanimë ishte e sigurtë të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Unë nuk kam qenë i vetëm; shumë njerëz nga Partia Demokratike e Kosovës janë përpjekur të qetësojnë njerëzit. Si kryeministri Bajram Rexhepi ashtu edhe ministry Jakup Krasniqi janë përballur me turmat e zemëruara dhe i kanë qetësuar ata.


Unë dënoj me forcë dhunën. Ka qenë e gabuar dhe na ka prishur imazhin në sytë e komunitetit ndërkombëtar duke i lejuar ata të na akuzojnë si dhunues. Cdo kosovar i cili mendon se kjo është rruga drejt pavarësisë është i gabuar. Kjo lloj sjelljeje mund të ndihmojë vetëm Beogradin. Është e rëndësishme të ecet përpara. Megjithatë, fillimisht duhet të kuptojmë se përse ka ndodhur dhuna. Mbytja tragjike e tre djemve ka qenë vetëm shkëndija e fundit e cila ka shkaktuar shpërthimin. Gjendja shpërthyese është rritur vazhdimisht gjatë pesë vjetëve të fundit. Për pesë vjet, populli i Kosovës ka pritur që komuniteti ndërkombëtar të shpallë statusin tonë përfundimtar; për pesë vjet askush në vend nuk di të ardhmen e tij. Kjo mungesë qartësie ka cuar në mungesë stabiliteti për të gjithë ne, pavarësisht nga përkatësia etnike. Dhe ka shkaktuar frikë. Është e vështirë të nënvleftësohet se sa të frikësuar janë shqiptarët e Kosovës nga mendimi se një ditë mund të drejtohen përsëri nga Beogradi.


Disa muaj më parë, Beogradi ka kërkuar kantonizimin apo ndarjen e Kosovës. Atyre të cilët thonë se kjo mund të jetë zgjidhja, unë u them: kjo zgjidhje ka dështuar në Bosnje dhe do të dështojë edhe në Kosovë. Kantonizimi i mban njerëzit të ndarë. Ne duam ti bashkojmë njerëzit. Shumë e thjeshtë, një Kosovë e ndarë në kantone kur grupet e ndryshme etnike jetojnë të ndarë në zonat e tyre të mbrojtura nuk mund të jetë një zgjidhje afatgjatë. Por nëse kjo zgjidhje bëhet, do të jetë e pamundur për tu ndryshuar.


Kantonizimi do të thotë të lëshohesh para dëshpërimit. Unë dua një të ardhme më të mirë për vendin tim.


Unë e kuptoj që serbët kanë frikë nga ne. Frika shton ndarjen etnike dhe mungesën e besimit. Në Kosovë ka pasur pak integrim etnik. Të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë gjendje. Shqiptarët duhet të marrin një pjesë të fajit. Enklavat ushqejnë krijimin e miteve dhe mungesës së besimit. Zemërimi është shtuar dhe strukturat e paligjëshme paralele nuk kanë lejuar serbët vendas të integrohen. Institucionet paralele të drejtësisë dhe të sigurisë së serbëve të mbështetura nga Beogradi veprojnë të pacënuara në Mitrovicën e veriut, nën drejtimin e kriminelëve – dhe kjo është dicka e keqe edhe për serbët të cilët banojnë atje.


Ka munguar një debat i mirëfilltë mes kosovareve dhe UNMIK-ut dhe një hendek i madh është krijuar mes institucioneve ndërkombetare dhe kosovare. UNMIK-u duhet të ketë më tepër besim tek vendasit. Ne i kuptojmë kushtet e rezolutës 1244, por ato nuk mund të qëndrojnë te ngrira përgjithnjë. Deri më sot planet e UNMIK-ut shtrihen vetëm në disiplinimin e shoqërisë dhe jo në demokratizimin e saj. Po ashtu, pothuajse të gjitha kërkesat e kosovarëve për me tepër përgjegjësi janë bllokuar nga UNMIK-u.


Ne jetojmë në një vend ku qindra e mijëra njerëz janë zhytur në varfëri e papunësi që e kalon 60%. Furnizimi me energji elektrike nuk është i vazhdueshëm. Uji i rubinetave nuk është i pijshem. Sistemet shkollore dhe ato spitalore kanë vazhdimisht mungesë fondesh. Me pak shpresa për të ardhmen, rinia jone, ajo shqiptare e serbe, bredhin poshtë e lartë pa bërë asgjë. Pothuaj të gjitha këto fusha janë nën kontrollin e UNMIK-ut. Megjithatë standarti i jetesës në Kosovë ka patur një rënie të shpejtë.


Një kombinim i humbjes së shpresës, frikës dhe mosbesimit kanë hedhur farën e konfliktit etnik. Kështu kur një i ri serb është qëlluar nga një makinë, serbët kanë menduar se fajtorë kanë qenë shqiptarë – megjithëse fajtorët ende nuk dihen – dhe kanë protestuar duke bllokuar rrugët dhe duke organizuar mitingje. Ndërkombëtarët nuk janë përpjekur për ti dhënë fund bllokimit të rrugës, i cili shkaktoi probleme të mëdha. Kështu, kur më pas një fëmijë shqiptar është shfaqur në television dhe ka thënë se ai dhe shokët e tij janë dnjekur nga serbët dhe shokët e tij janë mbytur në lum, ka qenë njëlloj sikur ti vihej flaka një fucie baruti.


Protestat kundër dhunës janë kthyer në dhunë. Ne kemi parë sesi zemërimi dhe ndarja po na shkatërrojnë, dhe për të luftuar këtë ne duhet të punojmë së bashku. Shqiptarët duhet të japin ndihmesën e tyre për të rindërtuar shtëpitë e kishat e serbëve që janë shkatërruar dhe të fillojnë të rindërtojnë këtë shtet të ndarë. Qeveria e Kosovës ka vënë tashmë në dispozicion 5 milion euro për këtë qëllim.


Të gjithë duhet ta dënojmë dhunën. Duke vepruar kështu, nuk do të lejojmë që ajo të shndërrohet në një mënyrë për të fituar pikë politike. Është e rëndësishme të mos dënojmë vullnetin e përbashkët të kosovarëve për ë pasur një shtet të pavarur dhe Sovran.


Ne nuk duhet të lejojmë përsëritjen e kësaj dhune. Kjo nuk do të thotë vetëm që KFOR të jetë më i përgatitur, por kërkon edhe përfshirjen e kosovarëve në fusha të tilla si siguria dhe drejtësia, vecanërisht në mbledhjen e informacioneve, kështu që ekstremistët të cilët përpiqen të shkaktojnë probleme nga të gjitha anët të ndalen.


Me duhet të përfshihemi në një dialog të vërtetë me komunitetin ndërkombëtar në mënyrë që njerëzit të mos humbasin besimin në procesin politik. Polikanët kosovarë duhet të punojnë ngushtësisht me njerëzit dhe të tregojnë se punojnë për të mirën e vendit, dhe jo për të fituar politikisht.


Ne duhet të paraqitemi përballë Beogradit me një zgjedhje të qartë: ose duhet të mbështesë integrimin e serbëve të Kosovës dhe të jetë pjesë e zgjidhjes ose të përgatitet të jetë pjesë e problemit dhe të përballet me pasojat nga komuniteti ndërkombëtar.


Hashim Thaci është kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.