KOMENT: REFERENDUMI NË MAQEDONI, HAP PRAPA NË RRUGËN DREJT BE-së

Shpresat për integrimin evropian të vendit mund të rrezikohen nëse ndalet progresi në drejtim të decentralizimit të vendit.

KOMENT: REFERENDUMI NË MAQEDONI, HAP PRAPA NË RRUGËN DREJT BE-së

Shpresat për integrimin evropian të vendit mund të rrezikohen nëse ndalet progresi në drejtim të decentralizimit të vendit.

Monday, 21 February, 2005

Akademikët shpesh i ndajnë vendet në vende të cilat ofrojnë siguri dhe vende të cilat kanë nevojë për siguri. Një vend i cili ofron siguri është ai i cili ka siguri brenda vetes dhe kontribuon edhe në sigurinë rajonale; një vend i cili ka nevojë për siguri, rrezikon jo vetëm veten por edhe fqinjët e tij. Zakonisht vende të tilla janë pjesë e problemit në rajon, ndërsa ato të cilat ofrojnë siguri janë pjesë e zgjidhjes në rajon.


Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, Ballkani ka pasur një mungesë të theksuar sigurie dhe një sërë konfliktesh kanë detyruar vendet me siguri në Evropë dhe Amerikë të investojnë një kapital të madh sigurie në rajon.


Sllovenia është tani një vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, ndërsa Kroacia ka arritur përparim të madh drejt integrimit euro-atlantik. Por në Serbi e Malin e Zi dhe Kosovë gjendja e sigurisë është ende një problem, ndërsa Bosnja ka ende probleme përpara se të mund të konsiderohet një shtet i qëndrueshëm, demokratik dhe liberal.


Për sa i përket Maqedonisë, ky vend është përshëndetur gjatë konflikteve në Ballkan si një rreze shprese në kaosin ndër etnik, duke treguar se ishte e mundur që grupe etnike të ndryshme të jetojnë së bashku në një shtet – nëse jo në harmoni perfekte, të paktën në bashkëjetesë paqësore.


Tanimë ështe e qartë se vitet 1990 nuk janë përdorur në mënyrë efektive për të shndërruar Maqedoninë në një vend i cili të ofrojë siguri. Reformat në ekonomi dhe sistemin e drejtësisë – për të përmendur disa fusha të rëndësishme – për fat të keq nuk janë zbatuar. Dhe, në shumë fusha, Maqedonia ka bërë prapa. Në vitin 1996, me krijimin e 124 njësive bashkiake të vogla, të pafuqishme dhe të pamundura për të mbajtur vetveten financiarisht, është shndërruar në një nga vendet më të centralizuara në Evropë. Të drejtat kushtetuese të pakicave janë përkeqësuar në krahasim edhe me kushtetutën e vjetër jugosllave. Dhe privatizimi, në vend që të sillte investime të reja, vetëm i ka hequr shtetit një pjesë të pasurisë së tij.


Në vitin 2001, imazhi pozitiv i Maqedonisë pësoi një goditje të rëndë. U bë e kuptueshme për të gjithë që problemet etnike të vendit nuk ishin zgjidhur, por vetëm ishin mbajtur të mbyllura dhe ishin acaruar edhe më tepër nga rënia e përgjithëshme e vendit.


Një periudhë e shkurtër luftimesh ka përfunduar me marrëveshjen e Ohrit, e cila ka për qëllim të zgjidhë problemet të cilat janë akumuluar prej vitesh që pas pavarësisë. Marrëveshja Kuadër ka qenë një dokument ambicjoz. Ndër problemet e rëndësishme të cilat zgjidhte ajo ka qenë përfaqësimi jo i barabartë i pakicave dhe decentralizimi.


Për sa i përket përfaqësimit të barabartë, është arritur një farë progresi. Është shtuar përfaqësimi i pakicave në rradhët e policisë, dhe ky është një fakt i rëndësishëm. Megjithëse veprimtaria e policisë në Maqedoni ka ende nevojë për tu reformuar – kjo është arësyeja që BE dhe OSBE vazhdojnë të përfshihen fuqimisht në këtë fushë – forca policore e përzier ka arritur të ulë ndjeshëm tensionet.


Por mbetet ende për të bërë në drejtim të promovimit të përfaqësimit të barabartë, dhe gjendja e rëndë ekonomike e vendit dhe sektori publik i bllokuar po e vështirëson këtë punë. Nuk është e lehtë të shtosh përfaqësimin e pakicave etnike në administratën publike të një vendi e cila ka nevojë në fakt të shkurtohet.


Kjo na sjell tek decentralizimi, ndoshta fusha më e rëndësishme e reformave të parashikuara në marrëveshjen kuadër, dhe sigurisht më e vështira. Qëllimi i decentralizimit është të krijojë demokraci të vërtetë lokale dhe të përmirësojë shërbimet për të gjithë qytetarët, pavarësisht origjinës së tyre etnike.


Nevoja për decentralizimin në Maqedoni është një reflektim i faktit që ajo është një ndër shetet më të centralizuara në Evropë – me mënyrën e organizimit të sektorit publik i cili nuk po arrin të japë shërbimet e duhura për qyetarët – si edhe faktit që ekziston nevoja e qartë për përmirësimin e dhënies së shërbimeve publike.


Decentralizimi i zbatuar, përfshirë riorganizimin e bashkive, është një pjesë e nevojëshme e procesit të pranimit në BE dhe NATO. Për fat të keq, deri më tani ka mungur planifikimi i saktë dhe procesi nuk po ecën me ritmet e duhura – Ligji për Vetëqeverisjen Lokale, i cili përmban kuadrin e përgjithëshëm të decentralizimit, është miratuar në janar 2002, më tepër se dy vjet e gjysëm më parë, dhe ende nuk është zbatuar.


Vonesat e shkaktuara nga referendumi i ardhëshëm për planet për ndryshimin e ndarjes territoriale duhet të përdoren për të shpejtuar përgatitjet për decentralizimin.


Procesi i decentralizimit është vonuar që në fazën e tij të parë, dhe kjo periudhë kohe që ka mbetur duhet të shfrytëzohet me kujdes.


Referendumi nuk është një pretekst për të qëndruar duar kryq dhe për të pritur. Pakënaqësia popullore me strukturën e re të bashkive duhet të jetë një nxitje e fuqishme për qeverinë që të sigurojë që decentralizimi funksionon.


Vetë referendumi është një hap i cili e largon vendin nga anëtarësimi në BE, i cili është edhe synimi kryesor i nënshkrimit të marrëveshjes kuadër nga Maqedonia.


Kjo është e vërtetë për katër arësye. Së pari, referendumi, nëse ka sukses, mund të jetë një goditje e rëndë për ambicjen e Maqedonisë për afrimin euro-atlantik. Të gjitha kryeqytetet euro-atlantike do të mendojnë me dyshim për aftësinë e Maqedonisë për të ecur drejt modernizimit dhe evropianizimit. Së dyti, konfuzioni politik mund të sjellë bllokimin e zgjidhjes së problemeve urgjente ekonomike. Së treti, reformat në fusha të tjera të rëndësishme, përfshirë drejtësinë, mund të bllokohen. Dhe së fundi, ekziston rreziku i vërtetë që gjendja e përgjithëshme e sigurisë të bëhet përsëri më e pasigurtë.


Shumë njerëz mezi e besojnë që në Maqedoni vetëm tre vjet më parë ka pasur një konflikt të armatosur. Progresi i arritur deri më tani në shumë drejtime është tepër i madh. Por ende mbetet shumë për të bërë, dhe referendumi e ka bllokuar këtë progres, duke vonuar seriozisht procesin e decentralizimit dhe zbatimin e marrëveshjes kuadër, e cila është një parakusht për integrimin euro-atlantik.


Shumë njerëz thonë se Maqedonia është aq larg integrimit evropian saqë edhe disa muaj vonesë nuk mund të ndryshojnë shumë gjërat. Dhe, ndërsa nuk duhet të harrojmë se edhe vetë statusi i kandidatit bart me vete përfitime konkrete në fushën e sigurisë dhe atë ekonomike, është e vërtetë se integrimi i plotë është shumë i largët. Por anëtarësimi në NATO nuk është i largët. Progresi i reformës ushtarake do të thotë që pranimi i mundëshëm në aleancë, me gjithë garancitë e sigurisë që sjell një anëtarësim i tillë, të mos jetë më larg se disa vjet.


Për më tepër, referendumi do të mbahetnë një moment kritik për aspiratat e vendit për anëtarësim në BE. Pyetjet mbi bazën e të cilave Komisioni Evropian do të formojë rekomandimet e tij në lidhje me shtetet anëtare të BE0së do të paraqiten nga presidenti Prodi më 1 tetor. Një vlerësim i pafavorshëm nga komisioni mund të shtynte datën kur Maqedonia mund të nisë bisedimet serioze për para pranim edhe për shumë vjet të tjera.


BE ka shumë për ti ofruar Maqedonisë. Përveç mundësisë për rritjen e standardeve të jetesës dhe përmirësimit të ekonomisë, ekziston mundësia që vendi të rradhitet ndër shtetet më liberal demokratike të botës, dhe të shndërrohet në një ofrues të sigurisë. Maqedonia gjendet në Evropë, dhe nëpërmjet historisë dhe kulturës ajo është pjesë përbërëse e Evropës, por vetëm nëpërmjet BE-së ajo mund të bëhet pjesë e asaj Evrope të pasur dhe moderne për të cilën aspiron.


BE, së bashku me pjesën tjetër të komunitetit ndërkombëtar, mbetet gjithashtu i vendosur në mbështetjen e integritetit territorial të Maqedonisë. Për BE, Maqedonia dhe asnjë entitet tjetër, është një shtet anëtar potencial. Idetë që qarkullojnë nëpër shtyp për një të ashtuquajtur Shqipëri të madhe, dhe çështje të tjera në lidhje me mundësinë e këtij vendi për të mbijetuar, janë në kundërshtim direkt me politikën e BE-së.


Këto janë momente përcaktuese për Ballkanin perëndimor. Bosnja në vitin 2005 do të festojë përvjetorin e dhjetë të marrëveshjes së paqes së Dejtonit. Ende nuk është gjetur një zgjidhje përfundimtare për Kosovën. Dhe Serbia e Mali i Zi e Shqipëria ende nuk kanë dalë përfundimisht nga stanjaciono ekonomik dhe politik.


Në shumë pjesë të botës fjala “Ballkanizim” është sinonim me luftë, urrejtje dhe përçarje etnike. Unë shpresoj që në vitet e ardhëshme kjo fjalë do të marrë një kuptim të ri dhe që kur njerëzit ta përdorin atë, do të jetë për të treguar se shoqëritë shumë etnike në rajon – pavarësisht sfidave të vështira – kanë qenë në gjendje të shkojnë përpara drejt një të ardhmeje më të mirë dhe të begatë.


Maqedonia është me fat që ka mundësinë për të zgjedhur. Ajo mund të zgjedhë të rikthehet në të kaluarën, të vazhdojë në rrethin vicioz dhe të ketë nevojë për siguri. Apo të dalë nga ky rreth vicioz, dhe ti futet rrugës së vështirë por të drejtë drejt Evropës dhe të shndërrohet në një vend i cili të ofrojë siguri. Zgjedhja është e thjeshtë: të jetë pjesë e zgjidhjes apo e problemit.


BE ka investuar shumë në stabilitetin politik të Maqedonisë dhe vendi, vetëm tre vjet pas një konflikti etnik të armatosur, është shndërruar në një shembull të gjallë në Ballkanin perëndimor se si komunitetet etnike mund të jetojnë së bashku në paqe. Ne nuk mund t’ja lejojmë vetes të humbasim këtë investim, jo vetëm për hatër të Maqedonisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit perëndimor, por edhe për pjesën tjetër të Evropës.


Michael Sahlin është Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian në Shkup.


Support our journalists