KOMENT: PLANI PËR DECENTRALIZIMIN: RRUGA E DREJTË PËR MOMENTIN
Nuk ka asnjë bazë për akuzat që propozimet për ndarjen e re territoriale do të shtojnë ndarjen etnike.
KOMENT: PLANI PËR DECENTRALIZIMIN: RRUGA E DREJTË PËR MOMENTIN
Nuk ka asnjë bazë për akuzat që propozimet për ndarjen e re territoriale do të shtojnë ndarjen etnike.
Shumë maqedonas ndjehen të pasigurtë në lidhje me ndryshimet e propozuara në hartën e qeverisjes lokale të vendit të tyre. Në një vend emri i të cilit nuk është pranuar ende nga komuniteti ndërkombëtar, dhe i cili e ka njërin sy nga çështja e pazgjidhur e statusit të Kosovës fqinje, është e kuptueshme një farë nervozizmi. Por në raportin tonë më të fundit, Maqedonia: Të Bëhet ose Shpërbëhet (botuar më 3 gusht), Grupi Ndërkombëtar i Krizave thotë se kjo frikë është pa vend.
Ata të cilët thonë se ndarja e propozuar në një farë mënyre thellon ndarjen etnike të vendit nuk kanë parë me kujdes situatën nga afër. Maqedonia ka trashëguar 34 njësi të qeverisjes lokale kur është bërë e pavarur në vitin 1992. Në vitin 1996, ato janë ndarë në 123 njësi më të vogla. Propozimet e tanishme do të shpërbëjnë disa prej tyre duke lënë 80 bashki.
Procesi i ndryshimit të zonave administrative apo zgjedhore është gjithmonë i ndjeshëm ndaj politizimit, dhe mund të shkaktojë mosmarrëveshje të thella. Po të shohim një hartë lokale të Belgjikës, apo të një rajoni në Shtetet e Bashkuara, do të shohim se edhe në demokracitë e konsoliduara ka vështirësi të mëdha në zgjidhjen e këtyre çështjeve, veçanërisht kur bëhet fjalë për të drejtat e pakicave dhe etnive të ndryshme. Prandaj, nuk është për tu habitur që propozimet e tanishme në Maqedoni kritikohen.
Ajo që është për tu habitur është fakti se propozimet nuk përbëjnë ndonjë shkelje dhe nuk duket të shtojnë përçarjen etnike. Natyrisht, është e vështirë që të provohet një gjë e tillë. Por nëse konsiderojmë proporcionin e bashkive, përpara dhe pas ndarjes së propozuar, të cilat kanë një popullsi me mbi 90 përqind nga një etni, ndryshimet janë çuditërisht të pakta.
Për të qenë më specifik, 48 nga 123 bashkitë e tanishme kanë një popullsi me mbi 90 përqind maqedonas, 16 kanë popullsi mbi 90 përqind shqiptare, dhe një, Plasnica, është 97 përqind turke. Megjithëse në këtë listë përfshihet edhe Kisela Voda, mini bashkia më e madhe e banuar nga serbët në Shkup, shumica e këtyre janë kryesisht njësi të vogla rurale; popullsia e përgjithëshme e tyre është vetëm 37 përqind e vendit.
Ndryshimet e propozuara tani pakësojnë numrin e këtyre bashkive në vetëm 30 nga 80 bashkitë në tërësi. 26 prej tyre do të kenë një popullsi me mbi 90 përqind maqedonase, tre me mbi 90 përqind shqiptare dhe Plasnica me shumicën e saj të pandryshuar turke; popullsia e përgjithëshme e tyre është 32 përqind e shtetit. Të paktën në këtë drejtim, ndryshimet e propozuara do të krijojnë bashki me popullsi më të përzier etnike, dhe jo një ndarje më të thellë.
Po të shohim më poshtë, dhe të shqyrtojmë bashkitë ku ka një shumicë lokale me mbi 50 përqind, pamja ndryshon pak. Sipas propozimeve të reja, 92 përqind e maqedonasve etnik dhe 77 përqind e shqiptarëve etnik, do të jetojnë në bashki ku ata përbëjnë një shumicë. Por në momentin e tanishëm 91 përqind e maqedonasve dhe 70 përqind e shqiptarëve jetojnë në bashki të tilla. Ky nuk është ndonjë ndryshim i madh.
Në fakt, ndryshimi më i madh i hartës së ndarjes lokale është bërë në vitin 1996; 34 bashkitë e vjetra kanë qenë me një popullsi shumë më të përzier. Sipas shifrave të vitit 1994, 14 prej tyre kanë pasur një popullsi maqedonase etnike me mbi 90 përqind (dhe asnjë nuk ka pasur një përqindje kaq të lartë nga ndonjë grup tjetër etnik), dhe këto bashki kanë pasur vetëm 36 përqind të popullsisë së përgjithëshme të vendit. Tetëdhjetë e tetë përqind e maqedonasve dhe 45 përqind e shqiptarëve atëherë jetonin në bashki ky ata përbënin shumicën. Politikanët shqiptarë të opozitës në Maqedoni kanë thënë se decentralizimi i propozuar është një rikthim në gjendjen përpara vitit 1996; kjo është sigurisht diçka e saktë.
Sidoqoftë, kjo nuk duhet të ketë rëndësi. Pasoja më e madhe praktike e pasjes së një shumice nga një etni dhe jo nga një tjetër do të jetë në identitetin e kryetarit të bashkisë. Nëse je kryetar i bashkisë së Strugës, qyteti më i madh ku do të ndryshojë proporcioni i shumicës nga maqedonas në shqiptarë, natyrisht kjo është diçka e rëndësishme.
Pika tjetër e rëndësishme është mosmarrëveshja për kryeqytetin, Shkupin, kufinjtë e të cilët do të zgjerohen dukë përfshirë edhe dy rrethet fqinje me popullsi kryesisht shqiptare për ta shtuar përqindjen e tyre në mbi 20 përqind. Ky është qartësisht një vendim politik për ti dhënë pakicës më të madhe etnike në vend një status të rëndësishëm në kryeqytet. Si në çdo vend tjetër, përcaktimi i kufinjve ndërmjet kryeqytetit dhe pjesës tjetër të vendit është një çështje e vështirë politike.
Por, kudo që të jesh në Maqedoni, nëse i përket në grupi etnik i cili përbën mbi 20 përqind të popullsisë lokale, do të kesh të drejtën për t’ju drejtuar këshillit lokal në gjuhën tënde, dhe këshilli lokal do të ketë të drejtën në bazë të legjislacionit të decentralizimit për të shqyrtuar çështje të tilla si shërbimet publike, planifikimin urban dhe rural, mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e ekonomisë lokale, kulturën, financat lokale, arsimin, mbështetjen sociale, dhe kujdesin shëndetësor. Pasaporta dhe nënshtetësia nuk do të preken nga ligji i ri, dhe askush nuk do të detyrohjet të largohet nga shtëpia e tij – të përshkruash ndryshimet e propozuara si “spastrim etnik” është një ekzagjerim kolosal, dhe një fyerje e madhe për ata të cilët janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre gjatë konflikteve në ballkan që prej vitit 1991.
Do të kishte qenë më mirë sikur qeveria të kishte qenë më e hapur për bisedime me partitë e opozitës dhe me drejtuesit e bashkive të tanishme. Do të kishte qenë më mirë nëse qeveria do të kishte ngarkuar me përcaktimin e kufinjve të rinj bashkiak një komision ekspertësh të pavarur, përfshirë edhe ata ndërkombëtarë. Por unë nuk dua të bëhem si ai irlandezi i një historie të cilin kur e pyetën për drejtimin e një rruge u përgjigj “Nëse do të shkoja atje, nuk do të nisesha prej këtej!” Tani jemi këtu ku jemi, dhe propozimet për decentralizimin janë rruga e drejtë përpara për momentin.
Nicholas Whyte është Drejtor i Programit për Evropën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.