KOMENT: PERRALLA E DY TIRANEVE
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kapur pa humbur shumë kohë Saddam Hussein, por mesa duket ata nuk shohin ndonjë përfitim nëse Radovan Karaxhiq do të dilte para drejtësisë.
KOMENT: PERRALLA E DY TIRANEVE
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kapur pa humbur shumë kohë Saddam Hussein, por mesa duket ata nuk shohin ndonjë përfitim nëse Radovan Karaxhiq do të dilte para drejtësisë.
“Zonja dhe zotërinj, e kapëm”: këto ishin fjalët e shqiptuara me një gëzim të madh dhe pa fshehur ndjenjën e triumfit nga Pol Bremer, i dërguari special i SHBA në Irak.
Kjo ka ndodhur pikërisht pak kohë përpara se SHBA të humbiste ushtarin e 500 që prej ditës kur presidenti Bush ka deklaruar përfundimin e luftimeve në Irak dhe “përmbushjen e misionit”.
Sadam Husein – Asi spathi dhe luani i Babilonisë – është kapur i fshehur në një vrimë nën tokë, vetëm pak larg nga një prej pallateve të tij madhështore. Tirani, në fund të fundit ka qenë vetëm një burrë i plakur i cili nuk ka pasur as kurajon për të luftuar për të mos u kapur i gjallë – sic bënë dy djemtë e tij të urryer – apo të vriste veten, sic kishte premtuar se do të bënte nëse “Satanai i Madh” do ta kapte atë.
Unë kam qenë në Samarra, në një tjetër qoshe të të ashtuquajturit “Trekëndëshi Suni”. “Nuk di si ti shpjegoj emocionet,” ka thënë pronari i një kafeneje Ali Al-Alaëi, me një buzëqeshje. “Përse nuk ka vrarë veten si Hitleri, apo të vdiste duke luftuar? Gjithë këto vjet kemi menduar se ai ishte një njeri i keq, por ama burrë. Tani ai nuk është më as burrë. Tani, disa njerëz protestojnë që ai është arrestuar, të tjerët janë të lumtur, dhe vrasjet në zonën time janë shtuar më tepër se kurrë”.
Pamja e një vrasësi në masë i cili është shndërruar nga një njeri i plotfuqishëm në një hic është një skenë e cila nuk ka kaluar pa u vënë re nga ata të cilët merren me rindërtimin e Bosnjes, pavarësisht nëse janë ndër milionat e njerëzve të popullsisë civile të cilët i kanë ende të freskëta pasojat e luftës, apo ashtu si mua, kanë qenë vizitorë të këtij vendi të ndryshuar përgjithnjë nga lufta dhe masakrat. “Një përzierje e vërtetë emocionesh,” sic tha edhe Al-Alaëi.
“Zonja dhe zotërinj, e kapëm”: Mendoj se do të jetë Paddy Ashdoën ose Carla Del Ponte që do të bëjnë këtë njoftim. Më pas do të ngrihet pëshpërima dhe pyetja: cilin? Karaxhiq apo Mlladiq?
Eshtë e vështirë të thuash se cili nga këta të dy do të ishte një pamje më e pëlqyeshme pa imunitetin e tij megalloman, retorikën dhe pangopjen e tij për gjak.
Imagjinoni Radovan Karaxhiq (ai ka më tepër mundësi të kapet), me atë tufë flokësh të pakrehur, me një pamje dikur aq krenare tani të rrënuar, i cili shoqërohet nga një roje. Apo Mlladiq pa atë nënqeshje prej sadisti, me mjekrën e tij të dalë tani të mbushur me qime dhe që ja hapin për ti kontrolluar dhëmbët; ato sy, dikur të vdekura nga administrimi i vdekjes, të rikthyera në jetë me turp.
Këta dy njerëz janë shumë herë më të rëndësishëm për Bosnjen se Sllobodan Millosheviq. Drejtuesit në terren të genocidit, provat ndaj tyre janë të panumërta. Ata nuk do të kenë mundësinë ti shndërrojnë gjyqet ndaj tyre në emisione televizive.
Ka ende mundësi që Dr. K të ndjejë rrathët e ftohtë dhe të shtrënguar të prangave rreth kyceve të duarve. Por – kjo në ëndërr. Sepse ka aq shumë ndryshim ndërmjet një vrasësi në masë kapja e të cilit është një nevojë politike për një fushatë të ardhëshme presidenciale në SHBA dhe vrasësve në masë dhuna e të cilëve është ushtruar në një cep të botës për të cilin Uashingtoni thjesht do të dëshironte të mos ekzistonte fare.
Ekziston një ndryshim i madh ndërmjet një vrasësi në masë në një vend arab ku Shtetet e Bashkuara janë të vendosura të mbrojnë interesat strategjike dhe ekonomike tepër të rëndësishme për planet e tyre për të ruajtur hegjemoninë në të gjithë globin – dhe vrasësve në masë në një vend nga i cili presidenti Bush kërkon të largojë edhe ushtarin e fundit amerikan sa më shpejt të hetë e mundur.
Ekziston një ndryshim i madh ndërmjet një vrasësi në masë posterat e të cilit përbëjnë një simbol për ndërhyrjen më të madhe amerikane që prej luftës në Vietnam dhe vrasëve në masë të kërkuar nga një gjykatë në Hagë, të cilën SHBA kërkon të përfundojë sa më shpejt veprimtarinë e saj.
Ekziston një ndryshim i madh ndërmjet një vrasësi në masë të dërguar në gjyq nga një system drejtësie kolonial i cili mund të kontrollohet lehtësisht nga amerikanët dhe vrasësve në masë të nxjerrë para drejtësisë nga një sistem drejtësie të cilin amerikanët janë të vendosur ta pengojnë.
Ish rojet e kampit të Omarska apo ekzekutorët e Srebrenicës nuk do të shkojnë në Gjirin Guantanamo.
Disa prej prokurorëve më të dedikuar dhe të aftë në sistemin e drejtësisë ndërkombëtare po punojnë në Hagë për rastet ndaj Karaxhiq dhe Mlladiq. Por ata ende nuk kanë mundur të përballen me të pandehurit në sallën e gjyqit.
Përse jo? Shumë gjëra i lidhin njerëz si Sadami, Karaxhiqi, dhe Mlladiq, përvec kënaqësisë së tyre për të vrarë një numër të madh njerëzish. Një prej këtyre të përbashkëtave është fakti që përpara se të bëheshin të kërkuar për krime lufte, ata kanë gëzuar mbështetjen e fuqive perëndimore të cilat tani po i ndjekin për ti nxjerrë para drejtësisë.
Amerikanët nuk kanë dëshirë të kujtojnë që në vitet tetëdhjetë Sadami ka qenë “njeriu i tyre” në rajon. Vizita e Donald Rumsfeld në Bagdad për ti shtrënguar dorën atij – dhe për të dëgjuar ndonjë kërkesë apo informacion që ai kishte për armë kimike – nuk është tema më e preferuar e sekretarit të mbrojtjes këto kohë.
Por ndërsa perëndimi filloi të armiqësohej me Sadamin pasi ai sulmoi Kuvaitin e pasur në naftë, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë me Karaxhiq dhe Mlladiq, me të cilët miqësia në fillim ka qenë edhe më e afërt.
Për tre vjet me rradhë, fuqitë e mëdha e kanë marrë me të mirë Karaxhiqin, duke mbështetur në këtë mënyrë idenë e këtij tirani për tu bërë një burrë shteti.
Për tre vjet, psikiatri i dështuar nga Mali i Zi i cili tani kërkohet për genocid, është pritur me nderime në Paris, Gjenevë e Londër, ndërsa perëndimi përpiqej të qetësonte Palen dhe Beogradin me anë të “planeve të shumta për paqe”.
Kushedi sa do të ketë qeshur me vete Karaxhiq kur lordët Kerrington dhe Ouen, Sairus Vens dhe të tjetër uleshin për darkën e rradhës, duke shtrënguar duart me të dhe duke biseduar, ndërsa ai premtonte armëpushimin e rradhës dhe ndërsa ata studjonin harta dhe “zgjidhje” absurde për rajonin.
Një premtim i tillë është pranuar nga qeveria konservatore britanike në Londër në gusht 1992 vetëm disa ditë pasi një ekip i televizionit ITN kishte zbuluar kampe përqëndrimi në Omarska dhe Trnopolje.
Karaxhiq vizitonte Londrën për të dytën herë Brenda një muaji, duke u takuar dhe duke bërë premtime të tjera, për ty kthyer më pas në Bosnje ku ka vazhduar gjakderdhjen edhe për tre vjet të tjera, deri në kulmin e saj në Srebrenica.
Ajo masakër është kryer me urdhër dhe në prezencë të gjeneralit serb të Bosnjes të cilit një gjeneral amerikan, i cili tani kandidon për president, i ka dhuruar pistoletën e tij në shenjë respekti.
Por Ueslei Klark nuk ka qenë i vetmi. Ata të gjithë e kanë parë Mlladiq si një officer dhe si të barabartë. Ashtu si gjenerali britanik Maikell Rouz, dhe ai francez Zhanvier, të cilët janë shtruar duke ngrënë mish qingji të pjekur me këtë kasap dhe kanë dhënë urdhër për ndalimin e sulmeve ajrore të cilat mund të kishin shpëtuar Srebrenicën.
E kam pyetur gjeneralin Zhanvier pas masakrës se cfarë njeriu ishte Mlladiq. “Ai është një ushtar i cili bën atë që mendon se është e drejtë, lufton për popullin e tij,” ka qenë përgjigja e tij.
Edhe pasuesi i Rouz, gjeneral Rupert Smith, i cili ka pasur një qëndrim më pak tolerant ndaj këtyre njerëzve, ka qenë në një tavolinë me Mlladiq dhe kryetarin e bashkisë së Srebrenicës vetëm disa ditë përpara masakrës. Ky i fundit nuk është parë më pas masakrës.
Pra të përkëdhelurit e djeshë, sot janë kriminelë lufte.
Sadami i ka kryer krimet më të rënda në fund të viteve tetëdhjetë kundër kurdëve ndërsa ai ka qenë një prej të përkëdhelurve të Amerikës dhe kundër shiitëve në vitin 1991, të cilët u nxitën nga amerikanët për të ngritur krye por u tradhëtuan.
Amerikanët dëshironin që Sadami të largohej nga Kuvaiti por jo nga pushteti. “Amerikanët hoqën një tullë në mur, dhe panë se muri mund të rrëzohej. Kështu ata e rivendosën përsëri atë tullë,” më ka thënë një diplomat Italian në atë kohë në Irak.
Unë kam ndjekur valën e shkatërrimeve në jug të Bagdadit që ka pasuar vendimin e amerikanëve. Sipas njoftimeve rreth 300,000 shiitë janë vrarë. Majin e kaluar, pas më tepër se 12 vjetësh, kam parë skeletet e tyre me duar të lidhura të cilat nxirreshin nga varre masive (oshëtima e Srebrenicës është tepër e fortë) – nën vëzhgimin e ushtarakëve amerikanë të cilët i kishin lënë në harresë në vitin 1991.
Karaxhiq dhe Mlladiq gjithashtu i kanë kryer krimet e tyre më të rënda gjatë kohës kur ata trajtoheshin si lojtarë të rëndësishëm politik dhe ushtarë profesionist.
Në terren kjo gjë dukej e pabesueshme. Fillimisht masakrat përgjatë lumit Drina, dhe deportimet në masë dhe një stuhi dhune përgjatë veri perëndimit. Më pas, kampet e përqëndrimit, përdhunimet në masë, bombardimet e pandërprera të qyteteve dhe fshatrave të mbushur me fëmijë, gra dhe pleq të fshehur nëpër bodrume dhe rrethimi i një kryeqyteti europian i shndërruar në një torturë; popullsitë e “zonave të sigurta” janë lënë në duar të xhelatëve pa asnjë mbrojtje.
Dhe të gjitha këto, ndërsa Karaxhiq dhe Mlladiq bisedonin me politikanë dhe diplomatë, të gjithë po aq të pafuqishëm sa edhe ushtarët lodra të “forcës mbrojtëse” të dërguar për të ruajtur një paqe të shkatërruar. Cdo mundësi është përdorur për të mbrojtur Karaxhiq dhe Mlladiq në vend të viktimave të tyre, duke sabotuar forcat e qëndresës.
Përvec embargos së armëve të vendosur ndaj asaj qëndrese, ka pasur edhe përpjekje pafund për të mbuluar dicka që dukej tepër qartë; pornografia politike e mbështetur nga “shërbimet sekrete”, të cilat thoshin se ishin boshnjakët dhe jo Mlladiq e Karaxhiq, të cilët po kryenin masakra në kryeqytetin e Bosnjes me qëllime propagandistike.
Gënjeshtra të ulta, në një kohë kur e vërteta ishte aq e thjeshtë. Cfarë duhet të ndodhte që perëndimi të kuptonte se cilët ishin kriminelët e vërtetë?
Përgjigja ishte Srebrenica, por vetëm herën e dytë. Pas kësaj ngjarjeje u ndërmorrën disa sulme ajrore, dhe pati një marrëveshje ndërmjet Millosheviq dhe Ricard Holbruk e cila ka ndaluar ofensivën e boshnjakëve për të cliruar territoret nga të cilat ata ishin “spastruar etnikisht”, dhe që më vonë u pasua nga një marrëveshje e cila në fakt i dha Karaxhiq dhe Mlladiq pjesën më të madhe të atyre që kishin kërkuar.
Disa njerëz nuk shikojnë asgjë të keqe në mungesën e ndërhyrjes në Bosnje (apo Ruanda) dhe pushtimit të Irakut, dhe ndërmjet nevojës për të arrestuar Karaxhiq e Mlladiq dhe asaj për të ndaluar Sadamin. Ata harrojnë faktin që ndaj Karaxhiq dhe Mlladiq nuk është bërë asnjë ndërhyrje, por ndaj Sadamit u ndërhy. Që Karaxhiq dhe Mlladiq janë lejuar që për vite me rradhë ti shpëtojnë arrestimit, ndërsa Sadami u kap brenda pak muajsh.
Ndërhyrjet në Bosnje dhe Ruanda do të kishin ndoshur pikërisht në momentin e duhur kur genocidet po zhvilloheshin. Nëse do të ndërhyhej një ditë të hënë, të martën nuk do të kishte më masakra. Në Irak, krimet më të rënda janë kryer shumë kohë më parë. Ato janë kryer ndaj kurdëve, kur Iraku ishte aleati i Amerikës, dhe pasi Amerika nuk pranoi të shkonte deri në Bagdad në vitin 1991.
Në Irak, regjimi i terrorit qëndroi në këmbë, por genocidi ishte pakësuar. Regjimi dobësohej cdo ditë, dhe Iraku mund të kishte mbetur pjesë e Arabisë në vend që të shndërrohej si tani në një bazë ushtarake dhe investim tregtar për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Disa vazhdojnë të kërkojnë me ngulm interesa strategjike të ngjashme amerikane në ballkan por argumentat e tyre nuk të bindin. Bosnja i ngjan shumë më tepër Spanjës së viteve tridhjetë se sa Irakut të sotëm. Sarajeva ka qenë Madridi i brezit tonë; dhe Srebrenica, Gernika jonë.
Bosnja dhe Ruanda duhet të kishin qenë vendet ku duhet ndërhyrë në bazë të idealeve politike dhe morale – dhe për këtë arësye nuk ka ndodhur një gjë e tillë.
Po ashtu, arrestimi dhe gjyqi i Mlladiq e Karaxhiq është një cështje e drejtësisë dhe vetëm e drejtësisë – dhe kjo ndihmon të kuptojmë se përse ata janë ende të lirë.
Iraku së bashku me Izraelin përbëjnë shtyllën e cdo plani që grupi neo konservator i cili mbështet administratën e Bushit ka përgatitur dhe po zbaton gjatë 12 vjetëve të fundit – në fushën gjeopolitike, teologjike, tregtare dhe ushtarake.
Eshtë i rëndësishëm fakti që kjo administratë amerikane është në një lëvizje të vazhdueshme me industrinë e energjisë, dhe se nëntoka e Irakut përmban rezervat më të mëdha të naftës në planet.
Dhe nuk duhet të harrojmë që kjo është një administratë e ndërtuar mbi një aleancë ndërmjet kristianizmit evangjelik dhe sionizmit të djathtë, dhe se një prezencë e fuqishme e SHBA në zemër të Arabisë mund të jetë goditja vdekjeprurëse për palestinezët, duke i lënë dorë të lirë Izraelit. Kjo është edhe kauza më e dashur për neo konservatorët në Uashington.
Në këtë plan të gjerë, vrasja e disa qindra mijëra boshnjakëve nuk ka rëndësi. Dhe për këtë arësye as Ashdaun dhe as del Ponte nuk kanë pasur ende kënaqësinë të njoftojnë: “Zonja dhe zotërinj, e kapëm”.
Ed Vulliamy është një korrespondent i vjetër i politikës së jashtëme për gazetat The Guardian dhe The Observer. Ai ka ndjekur nga afër luftërat në Kroaci, Bosnje dhe Irak dhe ka vituar shtatë cmime të gazetarisë.