KOMENT: NË KËRKIM TË NJË ZGJIDHJEJE

Është në interesin e Rusisë dhe Bashkimit Evropian të zgjidhin një problem i cili po troket në dyert e të dyve.

KOMENT: NË KËRKIM TË NJË ZGJIDHJEJE

Është në interesin e Rusisë dhe Bashkimit Evropian të zgjidhin një problem i cili po troket në dyert e të dyve.

Monday, 21 February, 2005

Moldavia do të bëhet së shpejti një prej fqinjëve më të rinj të Bashkimit Evropian. Me anëtarësimin e pritshëm të Rumanisë në vitin 2007, BE do të ketë një vijë të gjatë kufitare me shtetin më të varfër në Evropë, i cili po vuan ende pasojat e mos përcaktimit të qartë të kufinjve dhe mungesës së një ndjenje identiteti.


Rajoni separatist i panjohur i Transdniestrit është jashtë kontrollit të qeverisë në Kishinev, që prej vitit 1992 dhe praktikisht është një territor i drejtuar nga mafia i cili mbijeton falë fitimeve nga veprimtaria kriminale dhe mbështetja e disa qarqeve në Rusi dhe Ukrainë – si edhe prezencës ushtarake të Armatës së 14 të Rusisë.


Rajoni është shndërruar në një qendër të pastrimit të parave dhe prodhimit e eksportimit illegal të armëve. Armët e zjarrit të prodhuara dhe trafikuara nga Trnsdniestri thuhet se nuk kanë numra serie, të cilat i bëjnë ato të pamundura për tu identifikuar dhe për rrjedhim tepër të kërkuara dhe preferuara nga krimi i organizuar.


Në gjendjen e tanishme, këto aktivitete kriminale kryhen lirisht në Transdniestër dhe pa u ndëshkuar, sepse organizmat ndërkombëtare të rendit dhe drejtësisë nuk lejohen të veprojnë atje, dhe organizatat ndërkombëtare ndër qeveritare dhe jo qeveritare nuk mund të veprojnë normalisht brenda kufinjve të këtij rajoni.


Si rezultat, është e vështirë që këto organizata të ofrojnë trajnime për zyrtarët apo të japin ekspertizën e duhur për legjislacionin, fushatat për informimin e publikut dhe programet për mbrojtjen e dëshmitarëve në rastet e trafikimit, sepse autoritetet lokale nuk njihen zyrtarisht nga komuniteti ndërkombëtar dhe kundërshtojnë presionin e ndërhyrjen ndërkombëtare.


Lufta civile në Moldavi ka qenë relativisht jo e përgjakëshme sipas standardeve të periudhës post sovjetike po të kemi parasysh ngjarjet në Gjeorgji, luftën ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit për rajonin e Nagorny Karabakh, apo dhjetëvjeçarin e luftës në Ceceni. Por kjo nuk do të thotë që gjetja e një zgjidhje afatgjatë do të jetë më e lehtë për tu gjetur.


Një përpjekje nga ana e Rusisë për të zhbllokuar situatën, i ashtuquajturi Memorandum Kozak i paraqitur në nëntor 2003, është përqëndruar në dy çështje: krijimi kushtetues i një shteti të bashkuar të Moldavisë, dhe vazhdimi i prezencës ushtarake ruse në Transdniestër.


Zyrtarë rus kanë pranuar më pas se përfaqësuesi i tyre në bisedime Dmitry Kozak – një këshilltar i presidentit Vladimir Putin – nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e Uashingtonit dhe BE-së nëpërmjet mekanizmit ekzistues të bisedimeve me anë të OSBE-së, për planin e propozuar.


Megjithatë, Politika e re e Fqinjësisë Evropiane e paraqitur nga BE – e cila është planifikuar për të përmirësuar stabilitetin në zonat kufitare me BE-në pas zgjerimit të saj – ka shtuar shpresat për një zgjidhje të shpejtë të problemit në Moldavi.


Komisioni Evropian do të publikojë së shpejti një Plan Veprimi për vendin, i cili duhet të përmbajë disa standarde të qarta për zhvillimin e demokracisë në vend, si edhe për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Pas një periudhe fillestare kur Kishinevi ka siguruar një gjykim të mirë për arritjet në këto fusha, zgjedhjet lokale të vitit 2003 dhe ngacmimet e vazhdueshme ndaj gazetarëve dhe mediave tregojnë një keqësim të vazhdueshëm.


Një regjim vizash i cili është vendosur ndaj drejtuesve të transdniestrit, në fillim të vitit 2003 për shkak të pakënaqësisë në lidhje me dështimet e tyre për shtytjen e proceseve të demokratizimit përpara, është intensifikuar në korrik të vitit 2004 pas shtimit të presioneve të Tiraspolit ndaj shkollave në gjuhën moldave.


Tensionet janë shtuar gjithashtu në qytetin e ndarë të TighinaçBendery në vjeshtën e vitit 2004, kur milicia e Transdniestrit ka marrë nën kontroll një stacion hekurrudhor shumë të rëndësishëm.


BE ka interes të ndihmojë në shmangien e problemeve serioze të shkaktuara nga varfëria dhe shkalla e lartë e kriminalitetit në Moldavi, sepse të dyja këto kërcënojnë të shkaktojnë probleme edhe më të mëdha pas anëtarësimit të Rumanisë brenda ndoshta tre vjetëve të ardhëshme.


Kjo gjendje gjithashtu nuk mund ti interesojë as Rusisë nëse merren parasysh deklarimet e Kishinevit se armët e prodhuara në Transdniestër dërgohen në rajonet e rebelëve në Kaukaz.


Për momentin, aktorët ndërkombëtarë nuk janë të interesuar të investojnë në Moldavi, pasi janë ende të freskëta kujtimet jo të mira të planit Kozak.


Mënyra më e mirë për të gjetur një zgjidhje është një përpjekje e përbashkët e BE-së dhe Rusisë, në kontekstin e Politikës së Fqinjësisë Evropiane dhe të premtimit të Rusisë të vitit 1999 për të tërhequr trupat dhe pajisjet ushtarake nga Moldavia, dhe pikërisht nga rajoni i Transdniestrit.


Komisionerja e sapo emëruar e BE-së për marrëdhëniet ndërkombëtare, Benita Ferrero-Valdner, ka një eksperiencë për këtë çështje nga periudha kur ajo ka kryesuar OSBE-në në vitin 2000.


Ndoshta Brukseli dhe Moska do të gjejnë kohën dhe energjinë e nevojëshme për të zgjidhur këtë problem relativisht të vogël për ta sa më shpejtë.


Nicholas Whyte është Drejtor i Programit për Evropën për Grupin Ndërkombëtar të Krizave në Bruksel.


Frontline Updates
Support local journalists