KOMENT: MAQEDONIA E PAPREKUR NGA NGJARJET NË KOSOVË

Shpërthimi më i fundit i dhunës ndër etnike në protektoratin e OKB-së nuk ka dhënë asnjë shenjë se mund të përhapet edhe në Maqedoni.

KOMENT: MAQEDONIA E PAPREKUR NGA NGJARJET NË KOSOVË

Shpërthimi më i fundit i dhunës ndër etnike në protektoratin e OKB-së nuk ka dhënë asnjë shenjë se mund të përhapet edhe në Maqedoni.

Monday, 21 February, 2005

Brenda më pak se një muaji, dy ngjarje kanë ngritur shqetësime serioze në lidhje me stabilitetin e Maqedonisë.


E para ka qenë vdekja e presidentit Boris Trajkovski. Për shkak të rolit të tij pajtues i cili ka shmangur shpërthimin e një lufte civile në vitin 2001, vdekja e tij është interpretuar si një kërcënim për stabilitetin dhe si një krijim i mundësive për konflikt të ri ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha të vendit.


E dyta ka qenë shpërthimi më i fundit i dhunës në Kosovë, i cili ka ngritur shqetësimin se mund të zgjerohej edhe në Maqedoni.


Në ditët pas vdekjes së Trajkovskit, Maqedonia është bashkuar në dhimbjen e saj, megjithatë, është bërë gjithnjë e më e qartë se tragjedia nuk e ka vendosur në pikpyetje stabilitetin e brendëshëm.


Sa për shpërthimin e dhunës në Kosovë, i cili në disa momente u duk se ishte jashtë cdo kontrolli dhe lehtësisht i transferueshëm edhe në Maqedoni, duhet thënë se publiku këtu ka treguar më tepër maturi dhe arsyetim se sa më parë.


Për sa i përket stabilitetit, për shkak të numrit të madh të shqiptarëve që jetojnë në të dyja anët e kufirit, Kosova dhe Maqedonia janë konsideruar prej kohësh si të lidhura ngushtësisht.


Pozicioni i qeverisë së mëparëshme maqedonase, vecanërisht i kryeministrit Ljubco Georgievski, ka qenë se në vitin 2001 Maqedonia ka qenë viktimë e një agresioni nga ana e shqiptarëve të Kosovës.


Deri vitin e kaluar, pjesa më e madhe e partive në Maqedoni e kanë konsideruar pavarësinë e Kosovës si hapin e parë drejt bashkimit të të gjithë shqiptarëve në një Shqipëri të Madhe, të cilët ata e kanë quajtur si destabilizuese për rajonin.


Por gjatë përplasjeve më të fundit në Kosovë, rreziku i përhapjes së dhunës në jug drejt Maqedonisë është trajtuar me kujdes. Kjo cështje nuk ka pasur shumë hapësirë në faqet e gazetave, edhe nga ata elementë në media të cilët normalisht nuk vonojnë kurrë të analizojnë cështjet të cilat do të mund të hidhnin një hije mbi të ardhmen e marrëdhënieve ndër etnike.


Ky ndryshim i pozicionit të Maqedonisë në lidhje me potencialin destabilizues të Kosovës ishte bërë i qartë edhe përpara vdekjes së Trajkovskit dhe shpërthimit të dhunës në Kosovë.


Qëndrimi zyrtar i qeverisë mbi statusin përfundimtar të Kosovës është i përcaktuar dhe thotë vetëm se një Kosovë e qëndrueshme ku të veprojë rendi dhe ligji është në interesin e Maqedonisë.


Në bllokun politik shqiptar në Maqedoni, vetëm Partia Demokratike e Shqiptarëve, PDSH, dhe kryetari i saj, Arbën Xhaferi, në fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të vitit 2002 ka insistuar për pavarësinë e Kosovës si një parakusht për stabilitetin e Maqedonisë.


Ali Ahmeti dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, nga ana tjetër, janë më të përqëndruar në gjendjen e brendëshme në vend. Edhe përpara krijimit të partisë së tij, Ahmeti ka thënë se zgjidhja për Kosovën ëshë në duart e komunitetit ndërkombëtar dhe të qytetarëve të saj.


Ahmeti është i pari drejtues shqiptar në Maqedoni i cili nuk mbështetet shumë në vizitat konsultative në Prishtinë dhe Tiranë, gjë e cila ka qenë dicka e zakonëshme për drejtuesit e mëparëshëm të partive shqiptare në Maqedoni.


Deklarata e Prizrenit, të cilën Ahmeti e ka nënshkruar në pranverë të vitit 2001 në emër të Ushtrisë Clirimtare Kombëtare, UCK, së bashku me drejtuesit e partive më të fuqishme shqiptare të përfaqësuara në parlament – Imer Imeri i Partisë për Prosperitet Demokratik, PPD, dhe Arbën Xhaferi i PDSH – përmban parimin që “territoret nuk janë një zgjidhje për problemet etnike”. I njëjti parim është pranuar më pas dhe është përfshirë në marrëveshjen e Ohrit.


Kur UCK është shpërbërë në shtator 2001, qeveria kishte humbur kontrollin mbi një të tretën e territorit të saj. Por që prej asaj kohe, patrullat e përziera të policisë, me ndihmën e OSBE, janë vendosur në të gjitha rajonet e përfshira nga kriza. Misioni europian, Proxima, është present tanimë në ato zona, dhe po fillojnë reformat në shërbimet policore me synim përmirësimin e gjendjes së saj në zonat e krizës.


Numri i incidenteve ndër etnike në Maqedoninë perëndimore, të banuar kryesisht nga shqiptarët, ka rënë, ndërsa disa persona të cilët kanë kontrolluar fshatra apo rajone të tëra dhe kanë qenë më problematikët – tani janë jashtë vendit ose në burg.


Duke konsideruar këto fakte, fushat e ardhëshme zgjedhore për postin e presidentit duket se do të jetë e qetë dhe askush nuk mendon se përpjekjet për të fituar votat do të shkaktojnë tensione ndër etnike.


Zgjedhjet do të jenë interesante vetëm si një test për pushtetin dhe influencën në dy komunitetet e mëdha etnike, dhe një anketim i opinionit publik përpara zgjedhjeve të ardhëshme lokale në vjeshtë.


Tema kryesore do të jetë beteja zgjedhore ndërmjet kryetari të partisë social demokrate dhe kryeministër i tanishëm, Branko Crvenkovski dhe kandidatit pak të njohur të partisë më të madhe të opozitës VMRO-DPMNE, Sasko Kedev.


Për sa i përket shqiptarëve, pasi Xhaferi – i cili ka luajtur kartën e Kosovës në fushatën e vitit 2002 – ka tërhequr kandidaturën, zgjedhjet presidenciale kanë humbur në një farë mënyrë interesin. Megjithatë, mund të ketë probleme nëse do të ndodhin incidente ndërmjet përkrahësve të partive shqiptare, sic kanë ndodhur në zgjedhjet lokale të vitit 2000.


Kjo nuk do të thotë aspak se Maqedonia është bërë papritmas një oaz stabiliteti apo se është krejtësisht e imunizuar ndaj sëmundjeve të rajonit. Kjo do të thotë se mundësitë për krijimin e instabilitetit politik janë kryesisht brenda vendit.


Vendi po hyn në një periudhë zgjedhjesh e cila do të zgjasë deri në fund të vitit. Pas zgjedhjeve presidenciale do të zhvillohen ato lokale në vjeshtë. Crvenkovski ka shumë mundësi të zgjidhet president, kështu që Maqedonia ndoshta do të ketë një kryeministër dhe një qeveri të re.


Një faktor negativ është se këto zgjedhje praktikisht do të bllokojnë punën e parlamentit, i cili pritej të niste debatin dhe të miratonte ligjet mbi decentralizimin dhe pikat e tjera të marrëveshjes së paqes së Ohrit.


Gjendja e dobët ekonomike dhe sociale, e cila mban në vete potencialin për krijimin e problemeve dhe krizave nuk po përmirësohet. Ndërsa prodhimi industrial vazhdon të ulet dhe papunësia të qëndrojë në nivelin e 400,000 të papunëve, Maqedonia nuk do të mund të arrijë kurrë një paqe të qëndrueshme dhe stabilitet.


Iso Rusi është kryeredaktor i gazetës së përjavëshme shqiptare Lobi në Shkup.


Macedonia, Albania, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists