KOMENT: LIGJI “SEKRET DHE JOPARIMOR” SHKAKTON MUNGESË BESIMI TEK NEJRËZIT

Nëse ligji i ri për ndarjen lokale miratohet me dhunën e kartonit në parlament, ai do të dëmtojë marrëdhëniet ndër-komunitare.

KOMENT: LIGJI “SEKRET DHE JOPARIMOR” SHKAKTON MUNGESË BESIMI TEK NEJRËZIT

Nëse ligji i ri për ndarjen lokale miratohet me dhunën e kartonit në parlament, ai do të dëmtojë marrëdhëniet ndër-komunitare.

Ligji i ri për ndarjen e kufinjve bashkiak në Maqedoni ka shkaktuar një reagim të ashpër nga publiku dhe opozita.


Në mes të pushimeve të verës, rreth 30,000 deri 40,000 vetë kanë qëndruar pa lëvizuar nën një stuhi shiu në Shkup në shenjë mbështetjeje për opozitën e bashkuar të drejtuar nga VMRO-DPMNE, në protestën e saj ndaj ligjit të propozuar.


Nuk kemi parë prej kohësh një revoltë të këtyre përmasave në Maqedoni, as edhe më parë, në momente shumë më të vështira të historisë së vendit tonë.


Për këtë arësye, nuk do të jetë mirë që qeveria të vazhdojë të ngulë këmbë për një zgjidhje të kontestueshme. Nëse ligji i ri miratohet në parlament vetëm me votat e qeverisë, ai do të pakësojë nivelin e besimit ndërmjet komuniteteve. Ai gjithashtu do të shtojë rrezikun e shpërnguljes së maqedonasve etnik nga disa zona.


Decentralizimi nuk është një ide e re në Maqedoni. Planet për këtë janë përgatitur në vitin 1999 dhe procesi duhet të përfundonte në 2002. Pastaj kanë ndodhur ngjarjet e vitit 2001 dhe procesi është vonuar.


Por duket qartë se qeveria e tanishme ka gabuar rëndë me ligjin e propozuar për ndarjen territoriale. Vendimet e saj kanë qenë jo parimore dhe aspak transparente.


Si parti, VMRO mbështet plotësisht zbatimin e marrëveshjes së paqes së Ohrit [pjesë e rëndësishme e së cilës është edhe decentralizimi] dhe ka ajo ka marrë pjesë në mënyrë aktive në këtë proces, pavarësisht rezervave tona për disa nene në lidhje me çarmatimin dhe çështjen e personave të zhvendosur dhe të zhdukur.


Partia jonë mbështet procesin e decentralizimit dhe është një prej mbështetësve dhe inisiatorëve të procesit të integrimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe NATO.


Por ne mendojmë se ligji për ndarjen territoriale ka një problem të madh.


Në rradhë të parë, ligji është i dobët. Për shembull, një prej kritereve është që çdo bashki e re e madhe duhet të ketë një popullsi prej të paktën 5,000 banorësh. Megjithatë, në propozimin e qeverisë, 13 bashki kanë më pak banorë se numri minimal. Në të njëjtën kohë, mbi 20 njësi të tjera do të fshihen nga harta pasi nuk përmbushin këtë kusht.


Së dyti, ndryshimi i kufinjve lokal, bashkiak mendohet të bëhet edhe me pëlqimin e autoriteteve lokale. Por kur rreth 41 bashki kanë organizuar referendume të cilat tregojnë se banorët vendas nuk pranojnë ndarjen e re, qeveria nuk i ka përfilluar fare ato.


Së treti, ka edhe një problem transparence. Qeveria ka pasur bisedime për ndarjen e re territoriale prej muajsh, të cilat janë zhvilluar pa pjesëmarrjen e opozitës dhe larg vëmendjes së publikut.


Gjatë atyre bisedimeve, qeveria ka thënë në mënyrë të përsëritur se të gjitha vendimet do të bëhen në bazë të kritereve të pranuara dhe jo të kërkesave të komuniteteve etnike. Pas përfundimit të bisedimeve, ajo ka pranuar se zgjidhjet përmbanin edhe një dimension etnik – por ka thënë se kjo është diçka e pashmangëshme.


Marrëveshja e Ohrit ka theksuar qartë se asnjë zgjidhje nuk duhet të bëhet në bazë të kritereve etnike.


Një shembull i mënyrës së bisedimeve të qeverisë, është propozimi për shkrirjen e bashkive rurale me shumicë shqiptare me qytetet e Strugës dhe Kiçevos, të cilat kanë një popullsi në shumicë maqedonase.


Si rezultat, do të krijohen disa bashki të mëdha me popullsi kryesisht shqiptare.


Kjo shkrirje e pesë bashkive në një të vetme jo vetëm krijon një efekt të kundërt me atë të planifikuarin – pra centralizim të mëtejshëm – por edhe i jep publikut arësye për të qenë më të pakënaqur, sepse struktura etnike në këto bashki duket se është ndryshuar në mënyrë artificiale.


Deri më tani, popullsia në Strugë dhe Kiçevo nuk ka pasur probleme etnike, as edhe gjatë konfliktit të vitit 2001. Sot, falë propozimeve të qeverisë, këto dy qytete po bëhen pika të nxehta, me protesta të përditëshme, bllokime rrugësh dhe dhunë gjithnjë në rritje.


E thënë më thjesht, Struga ka disa nevoja që nuk përputhen me ato të katër bashkive rurale të cilat po i bashkohen asaj.


Një tjetër shqetësim është nëse maqedonasit do të largohen nga bashkitë e reja me shumicë shqiptare. Kjo është një tendencë e cila është vënë re në dekadat e mëparëshme. Nuk kemi parë ndonjëherë që shqiptarët të largohen nga zonat ku maqedonasit përbëjnë shumicën.


çfarë garancie mund t’u jepet banorëve të Strugës dhe Kiçevos që kjo tendencë nuk do të vazhdojë, nëse ata do të jenë nën presione institucionale? Pavarësisht se çfarë thonë politikanët dhe komuniteti ndërkombëtar, njerëzit në këtë zonë kanë frikë dhe nuk duan ta pranojnë këtë propozim.


Nëse ligji miratohet në formën e tanishme, dhe modeli i emigracionit të maqedonasve nga disa zona vazhdon, të gjitha shpresat për krijimin e një shoqërie shumë etnike të qëndrueshme në këto zona do të shuhen. Ky nuk ka qenë synimi as i marrëveshjes së paqes së Ohrit dhe as i procesit të decentralizimit.


Sjellja e Bashkimit Demokratik për Integrim, BDI, të Ali Ahmetit, partneri kryesor shqiptar në qeveri, ka qenë po aq fajtore.


Vendosmëria thuajse fanatike e Ahmetit për të arritur zgjidhjet që ai do ka shtuar tensionet dhe ka ngritur edhe pikpyetje mbi synimet e vërteta të disa shqiptarëve radikalë.


BDI ka shtuar tensionet veçanërisht me kërkesat e tij që dy bashki rurale shqiptare të përfshihen në kryeqytet, duke rritur përqindjen e shqiptarëve etnik në Shkup në 20 përqind për të përfituar statusin e dygjuhësisë.


Në ditët e para të bisedimeve, përfaqësuesit e qeverisë kanë mohuar kategorikisht që Shkupi do të bëhet zyrtarisht dy gjuhësh. Pas 40 ditë bisedimesh të mbyllura, të njëjtët njerëz kanë thënë të kundërtën dhe pastaj janë përpjekur të bindin njerëzit se kjo ishte zgjidhja më e mirë e mundëshme, dhe që do ta çojë vendin në Evropë.


Si rezultat qeveria vetëm ka rënduar situatën dhe ka shtuar tensionet etnike. Unë mendoj se nëse ky ligj miratohet në parlament, ai do të dëmtojë dhe nuk do të përmirësojë marrëdhëniet ndërmjet dy komuniteteve.


Ai gjithashtu, sic kam thënë më parë, do të shtojë rrezikun e largimit të maqedonasve etnik nga disa zona. Nëse maqedonasit largohen nga pjesa më e madhe e Maqedonisë perëndimore, e gjithë kjo zonë do të mbetet me shumicë dërrmuese shqiptare.


Një zhvillim i tillë do të ngrinte shumë dyshime në lidhje me planet e disa radikalëve shqiptarë për të nisur ndonjë konflikt të ri të armatosur, i cili mund të përfundojë shumë keq për integritetin territorial të Maqedonisë.


Nëse qeveria punon mirë, unë mendoj se Maqedonia ka një mundësi të mirë për tu anëtarësuar në BE brenda gjashtë deri nëntë vjetësh dhe në NATO në vitin 2007.


Në atë moment, tensionet etnike nuk do të jenë më një çështje e rëndësishme. Për këtë arësye është e rëndësishme që ndërkohë të mos merret asnjë vendim i rrezikshëm, apo që dëmton besimin e ndërsjelltë.


Në fund të fundit, për dekada me rradhë komunitetet e ndryshme në Maqedoni kanë ndarë, po ndajnë dhe do të ndajnë, të njëjtin fat dhe jetojnë së bashku.


Nikola Gruevski është kryetar i partisë më të madhe të opozitës, VMRO-DPMNE, në Maqedoni.


Macedonia
Frontline Updates
Support local journalists