Koment: Fundi i Muajit të Mjaltit me Kosovën

Amerika po humbet durimin me udhëheqësit e shqiptarëve të Kosovës për shkak të pamundësisë së tyre për të mbajtur nën kontroll militantizmin e anëtarëve të komunitetit të tyre.

Koment: Fundi i Muajit të Mjaltit me Kosovën

Amerika po humbet durimin me udhëheqësit e shqiptarëve të Kosovës për shkak të pamundësisë së tyre për të mbajtur nën kontroll militantizmin e anëtarëve të komunitetit të tyre.

Tuesday, 21 March, 2000

Vizita e kohëve të fundit në Prishtinë e zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit Xhejms Rubin dhe këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë për Ballkanin Kris Hill ka shënuar fundin e muajit të mjaltit të Uashingtonit me udhëheqësit e shqiptarëve etnikë të Kosovës.


Pas shpërthimit më të fundit të dhunës në Mitrovicë dhe Preshevë dhe sulmeve të vazhdueshme hakmarrëse ndaj serbëve, Rubin dhe Hill kanë përcjellë një mesazh të ashpër nga Uashingtoni - jepini fund agresionit.


Megjithatë, mesazhi ka mbërritur tepër vonë dhe u drejtohet udhëheqësve të cilët, pavarësisht se kanë poste të rëndësishme, mund të mos kenë influencën e nevojëshme për të plotësuar kërkesat e tyre. Dalja në skenë e partive të reja politike dhe lëvizjeve militante ka shtruar pyetjen rreth influencës së udhëheqësve shqiptarë në nivel lokal dhe rajonal.


Uashingtoni ka vepruar me zgjuarsi kur ka dërguar Rubin dhe Hill. Që prej kohëve të bisedimeve të Rambujesë, Rubin ka fituar besimin e Hashim Thaçit, ish drejtuesi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, dhe kryetari i tanishëm i Partisë së Progresit Demokratik në Kosovë, PPDK.


Përpara fushatës së bombardimeve të NATO-s, Rubin është takuar disa herë me Thaçin në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Po ashtu si edhe Hill, një kritik i UÇK-së, ai ka qenë një përkrahës i Ibrahim Rugovës, presidentit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK. Marrëdhëniet e tyre datojnë që nga viti 1991.


Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, u ka hequr Rugovës dhe Thaçit titujt e tyre të vetëmarrë, si president dhe kryeministër, duke u lënë kështu të kuptohet shumë shqiptarëve se tanimë UNMIK është në kontroll të plotë të situatës.


Për këtë arësye tërheqja e vëmendjes në publik dhe privat ndaj udhëheqësve shqiptarë për dështimin e tyre në kontrollin e provincës ka habitur shumë shqiptarë.


Në të njëjtën kohë Rubin dhe Hill kanë anashkaluar rolin e vazhdueshëm të Beogradit në destabilizimin e provincës apo dështimin e Europës për administrimin efektiv të provincës. Marrëveshja e arritur para luftës ka qenë se Shtetet e Bashkuara do të financonin luftën, ndërsa Europa rindërtimin e pas luftës në Kosovë dhe zhvillimin e saj.


Një numër analistësh lokalë, gazetarësh dhe aktivistësh u kanë shpjeguar Hill dhe Rubin se as Thaçi dhe as Rugova nuk janë në pozicionin dhe nuk kanë mundësi që të ndalojnë sulmet hakmarrëse të shqiptarëve ndaj serbëve. Deri më tani nuk ka prova që Thaçi apo Rugova të jenë përfshirë në organizimin e këtyre sulmeve.


Si edhe në të kaluarën, Rugova ka marrë një qëndrim pasiv ndaj çështjeve me të cilat përballet Kosova. Ai është kthyer në Prishtinë vjeshtën e kaluar dhe pothuajse nuk ka dalë as edhe nga shtëpia e tij, dhe jo më të ketë lëvizur nëpër provincë. Rugova vazhdon të sillet si mistik, duke shpalosur filozofinë e tij pacifiste në media.


Kur i është kërkuar nga administrata ndërkombëtare të përfshihet më tepër në çështjet praktike të drejtimit të provincës, përgjigja më konkrete e Rugovës ka qenë dhënia nga ana e tij e një dhurate, një copë shkëmb prej kristali, në shenjë vlerësimi për përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar.


Në ndryshim nga ai, Thaçi ka luajtur një rol më aktiv, duke vizituar fshatrat dhe qytetet më të dëmtuara nga lufta dhe nga dhuna. Ai ka qenë së fundi në Mitrovicë. Por gjatë muajve të fundit Thaçi ka humbur shumë nga struktura e partisë së tij dhe nga influenca ndaj ish luftëtarëve të UÇK-së.


Naim Maloku, një nga ish drejtuesit më të njohur dhe më me influencë të UÇK-së, është larguar së fundi nga partia e Thaçit duke krijuar Partinë Liberale të Kosovës. Maloku ka marrë pas vetes edhe disa ish anëtarë kryesorë të UÇK-së.


Tani Ramush Haradinaj, një tjetër ish drejtues i UÇK-së, është larguar nga PPDK-ja dhe ka krijuar partinë e tij Aleanca. Në të njëjtën kohë, dy figura të tjera të rëndësishme në PPDK, Bardhyl Mahmuti dhe Jakup krasniqi janë larguar nga skena politike kosovare. I riu Thaçi ka ngelur i izoluar dhe me një bazë influencë të pakët, përballë kërkesave të perëndimit.


Dy pikat më të nxehta që shqetësojnë NATO-n janë Mitrovica dhe Presheva. Në Preshevë ish luftëtarë të UÇK-së po bashkohen me Ushtrinë Çlirimtare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjes të krijuar rishtazi, të njohur me shkurtimin e saj si UÇPMB. Mendohet se drejtuesi i saj është Shefqet Hasani, një ish poet gjashtëdhjetë vjeçar.


Bashkitë e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjes, të vendosura në pjesën juglindore të Serbisë në kufi me Kosovën, janë të banuara nga një popullsi etnike shqiptare dhe gjatë javëve të fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të përplasjeve dhe incidenteve ndërmjet luftëtarëve të UÇPBM-së dhe forcave serbe.


Organizatat ndërkombëtare humanitare llogarisin se mbi 6,000 shqiptarë etnikë janë larguar tashmë nga kjo zonë për në Kosovë.


Pronari i një bari të vogël në Prishtinë, i cili frekuentohet nga artistë vendas, thotë se ai dhe 20 veteranë të UÇK-së do të nisen për në atë zonë në fund të javës. "Ne jemi betuar të mbrojmë njerëzit tanë dhe këtë do të bëjmë," thotë ai.


Për momentin UÇPMB mendohet të ketë rreth 40 deri 50 anëtarë, por është e sigurtë se ky numër po rritet. Lirk Çelja, një ish luftëtar i UÇK-së dhe tani drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës, mendon se nëse komuniteti ndërkombëtar nuk i ndihmon shqiptarët në Preshevë, atëherë UÇK-ja do të duhet ta mbushë këtë boshllëk.


"Ka rreth 20,000 luftëtarë të UÇK-së që janë pa punë, të injoruar nga të huajt dhe nga vendasit dhe që nuk kanë asgjë për të bërë," thotë Çelja. "Ndërkohë në Preshevë po thonë se UÇK-ja i ka harruar ata. Jo shumë kohë më pare ne kosovarët mendonim kështu për Shqipërinë sepse ajo nuk na vinte në ndihmë. Pra, askush nuk duhet të habitet që, nëse të huajt nuk do të ndihmojnë shqiptarët në Preshevë, atëherë do ta bëjë UÇK-ja".


Së fundi, trupat amerikane kanë kapur mbi 200 uniforma, 22 arka me municion pushkësh dhe automatiku dhe pajisje të tjera ushtarake të destinuara për në Preshevë.


Në Mitrovicë Bajram Rexhepi, kryetari i bashkisë i moderuar i pjesës jugore të banuar nga shqiptarët dhe një anëtar i PPDK-së, ka thënë se protestat e shqiptarëve kanë qenë "spontane dhe shumë shpesh si një mundësi për të bërë fotografi". Por ai ka thënë se serbët në pjesën veriore të qytetit janë "të organizuar dhe marrin urdhëra direkt nga Beogradi."


Shumë punonjës ndërkombëtarë në Mitrovicë janë dakort më këtë, të paktën pjesërisht. "Unë kam parë që disa gazetarë të huaj u kërkonin disa fëmijëve të bënin rrëmujë në rrugë me shpresën se do të krijohej një incident që ata më pas të filmonin," thotë një punonjës ndërkombëtar amerikan në Mitrovicë.


Urrejtja, krimi dhe militantizmi që Rubin dhe Hill kanë kërkuar të kontrollohen nga udhëheqësit shqiptarë janë vepër e individëve apo grupeve që janë jashtë sferës së influencës së udhëheqësve shqiptarë.


Në bazë të Rezolutës 1244 të OKB-së, UNMIK është përgjegjës për sigurinë dhe administrimin e Kosovës. Thaçi dhe Rugova, në rastin më të mirë, janë vetëm këshilltarë të administratës ndërkombëtare.


Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithëshëm të OKB-së, Bernar Kushner, është ankuar haptazi se UNMIK nuk ka stafin e nevojshëm dhe se i mungojnë fondet e duhura për të administruar Kosovën. Vetëm 3,000 nga 6,000 policët ndërkombëtarë të premtuar janë në veprim në Kosovë dhe vetëm rreth gjysma e 2.2 miliard dollarëve në ndihmë të huaj është akorduar.


Ndërkohë Uashingtoni dhe Brukseli kanë pranuar se Beogradi po koordinon përpjekjet e tij për të destabilizuar kosovën dhe gjithë rajonin. Fuqitë e NATO-s vënë gishtin tek shtimi i madh i trupave serbe në kufinjtë me Malin e Zi dhe Kosovën dhe përfshirjen direkte të Beogradit në organizimin e grupeve militante në pjesën e Mitrovicës të kontrolluar nga serbët.


Statusi i pa përcaktuar i Kosovës, autoriteti jo efektiv i administratës ndërkombëtare dhe përçarjet e brendëshme të partive politike kanë pakësuar rolin dhe influencën e drejtuesve Shqiptarë dhe i kanë reduktuar ata në politikanë fshati.


Ndërsa fuqia e tyre pakësohet çdo ditë e më shumë dhe administrata ndërkombëtare nuk po ofron siguri dhe rindërtimin e provincës, është krijuar një klimë ideale për fuqizimin e grupeve militante dhe kriminale. Ndërkohë, kërcënimi gjithnjë prezent nga Beogradi ndaj rajonit vazhdon të mbetet përtej retorikës së diplomacisë Perëndimore dhe paralajmërimeve të ashpra të Rubin dhe Hill.


Fron Nazi është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Support our journalists