Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Koment: Ëndrra Jorealiste e Një Kosove Shumëetnike

Komuniteti ndërkombëtar kërkon t'i japë fund debatit mbi krimet në Kosovë dhe të arrijë një mirëkuptim ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Por kaq shpejt pas përfundimit të luftës bashkëjetesa nuk mund të ketë sukses dhe duhet të gjendet një strategji e re
By Baton Haxhiu

Serbët nuk e konsiderojnë më Kosovën si entitetin e tyre etnik - djepin e së kaluarës së tij. Kjo është natyrisht një ide e ekzagjeruar politike. Sundimi serb në Kosovë është natyrisht një koncept kolonial i sjellë nga ndërtimi i manastireve ortodokse në territor. I ngritur në kult në folklorin serb, ideali mbetet trauma më e madhe në kujtesën kolektive serbe.


Ajo tani po zëvendësohet me mjeshtëri nga idea e viktimës, të cilën serbët po kalojnë në këtë periudhë pas-lufte. Procesi kërkon t'i japë fund debatit mbi krimet dhe viktimat - pra, shqiptarët - dhe t'i shndërrojë ata në fajtorë.


Përfaqësuesit ndërkombëtarë përballen me detyrën e vështirë të pajtimit të Kosovës. Por kjo gjë nuk do të jetë e lehtë për t'u arritur, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.


Kjo do të thotë se debati rreth krimeve të kryera nga forcat serbe nuk duhet të mbyllet. Të falësh kaq lehtë, apo nën presionin ndërkombëtar, mëkatet është një gjë e shëmtuar - shumë transparente dhe imorale nga ana e komunitetit ndërkombëtar.


Serbët e larguar nga Kosova nuk janë viktima të një vale të re spastrimi etnik, fajësimi të padrejtë kolektiv, apo ndërhyrjes së komunitetit ndërkombëtar. Ata janë viktimë e përkrahjes së tyre për politikat e luftrave të Sllobodan Millosheviqit.


Për vite me rradhë Kosova ka qenë një problem i dy minoriteteve. Shqiptarët, që përbënin shumicën në provincë, ishin pakicë në Jugosllavi, ndërsa serbët ishin një pakicë në Kosovë. Pakica serbe është pakësuar edhe më tepër për shkak të migrimit. Kjo ka qenë veçanërisht e dukshme gjatë fazës së totalitarizmit serb në Kosovë, 1989-1999. Përpjekjet për të "ri-kolonizuar" Kosovën duke vendosur këtu refugjatët nga Krajina nuk arritën të ndryshonin realitetin demografik. Vala e parë e serbëve që u larguan nga krahina në qershor 1999, pas fushatës së NATO-s, ka qenë ajo e atyre njerëzve me koshiencë jo të pastër. Shumë pak janë larguar më pas.


Tani popullsia serbe përbën vetëm 5 përqind. Më shumë serbë janë larguar nga Kosova gjatë sundimit kolonial se sa pas ndërhyrjes ndërkombëtare, por ata vazhdojnë të përkrahin të njëjtat politika nëpërmjet Oliver Ivanoviq, udhëheqësit serb në Mitrovicën veriore. Influenca e Millosheviqit po rritet në rradhët e serbëve të këtushëm pavarësisht nga prifti i moderuar Artemije. Të gjithë e dinë një gjë të tillë. Bernar Kushner, shefi i OKB-së në province, e di gjithashtu këtë megjithëse përpiqet të punojë me serbët e shqiptarët për të arritur njëfarë mirëkuptimi në Kosovë.


Sa më shumë që të vonohet zgjidhja, aq më shumë rreziqe ka që të shpërthejë një konflikt i ri në provincë. Ajo që ka mbetur nga Jugosllavia duket se po shkon drejt një shpërbërjeje totale e të dhunshme dhe kriza po shtrihet në Mal të Zi dhe Vojvodinë. Por nuk është e lehtë as edhe të mbash nën kontroll situatën në Kosovë. Tensioni etnik është i lidhur direkt me plagët e pambyllura të luftës. Një shpërthim i ri dhune do të kishte pasoja të rënda edhe jashtë kufirit të Kosovës.


Për të shmangur dhunën dhe për të avancuar procesin politik nevojitet urgjentisht një proces ndërkombëtar paqeje. Ka edhe një imperativ moral për të gjetur një zgjidhje, sepse shqiptarët në Kosovë tani po trajtohen si të huaj në tokën e tyre. Ata janë peng i largësisë territoriale gjeo-strategjike e të pazotësisë së komunitetit ndërkombëtar për të larguar Millosheviqin nga pushteti për shkak të mbështetjes që ai gëzon tek populli i tij.


Por pika kryesore e synimit të komunitetit ndërkombëtar, mbi të cilën po vihet gjithnjë e më shumë theksi, nuk është realiste. Kjo është ëndërra e shumëetnicitetit. Në të vërtetë kjo ide nuk do të funksionojë, sepse komuniteti serb nuk ka dëshirë të jetojë nën strukturën e re ekonomike që po krijohet. Pjesa më e madhe e serbëve nuk kanë asnjë mjet jetese. Për shkak të qëndrimit të "kyçit nacional"ndaj punësimit si në kohën e komunizmit ashtu edhe gjatë administratës koloniale serbe, ata tani nuk kanë më vazhdimësi. Ata tani kanë humbur avantazhin e sundimit kolonial dhe mund të mbijetojnë vetëm nëpërmjet ndihmës ndërkombëtare ose duke shitur pronat e tyre e duke shkuar në kërkim të jë jete më të mirë në Serbinë e varfëruar.


Çështja kryesore mbetet mënyra se si do të fillojë dialogu ndërmjet Beogradit dhe shqiptarëve të Kosovës. Por është një fakt i pranuar nga të gjithë se kjo nuk mund të ndodhë për aq kohë sa Millosheviq të jetë në skenën politike, Serbia të demokratizohet realisht dhe serbët të kërkojnë falje të sinqertë dhe zyrtare. Edhe tani serbët votojnë për radikalë të zhytur deri në grykë në krime lufte. Edhe tani influenca e Ivanoviq mbi serbët e Kosovës është dominuese dhe në rritje. (Artemije është mbyllur në manastirin e tij në Graçanicë dhe përkrahja e vetme për të vjen nga jashtë për shkak të premtimit ndërkombëtar se serbët do të rikthehen në Kosovë.) Edhe tani, Millosheviqi vazhdon të jetë faktori kryesor për të biseduar në Serbi - edhe për perëndimin. Kina dhe Rusia kanë përkrahur krimin dhe kriminelët, duke legjitimizuar këtë lloj sundimi.


Pra, ndërmjetësimi për Kosovën dhe statusin e saj përfundimtar ka nevojë për një shtytje të fortë nga perëndimi. Nevojitet një prani ndërkombëtare, veçanërisht ajo amerikane: një tërheqje e SHBA nga rajoni do të thotë luftë. Por nuk duhet të ketë një trajtim si ndaj një fëmije për serbët, me qëllimin e vetëm për të shkatërruar procesin e paqes. Edhe nëse ky proces fillon menjëherë, pavarësia e Kosovës është përsëri e pakthyeshme. Në këtë rast enklavat serbe si Graçanica dhe Fushë Kosova mund të vendosen nën kontrollin e përhershëm serb, të garantuar nga Kombet e Bashkuara, por nën kujdesin dhe sigurimin e përgjithshëm të shqiptarëve.


Gabimet e ekstremistëve shqiptarë nuk duhet të falen. Veprimet e tyre, së bashku me ato të Ivanoviq, janë djajtë më të këqinj në Kosovë. Por të përpiqesh të vësh shqiptarët nën kontroll duke barazuar krimet e kryera gjatë luftës me ato të periudhës që pasoi, do të jetë një dështim dhe do të ketë pasoja të dëmshme për komunitetin ndërkombëtar.


Serbët si individë janë të pafajshëm. Por shkatërrimi i Kosovës ka qenë misioni i kombit serb. Kjo politikë është institicionalizuar nga drejtues të cilët vazhdojnë të jenë në pushtet dhe të gëzojnë përkrahjen e popullit.


Pas propagandës agresive të Millosheviqit e të opozitës, nuk ka asnjë dyshim se njerëzit në Serbi kanë humbur gjykimin e tyre të ftohtë. Ka një farë çmendurie në sundimin e Millosheviqit. Por Serbia nuk është një produkt i Millosheviqit - por krejt e kundërta. Millosheviq është një produkt i Serbisë dhe serbët për një kohë të gjatë kanë prodhuar krime të cilat përfunduan me varret masive në Kosovë.


Pra, pas një kohe kaq të shkurtër nuk mund të ketë "bashkëjetesë". Në rastin më të mirë mund të ketë një jetesë pranë njëri tjetrit. Fuqitë perëndimore duhet të kuptojnë se atyre do t'u duhet të qëndrojnë në rajon për një kohë të gjatë. Ato duhet të kuptojnë gjithashtu se forma përfundimtare e një zgjidhjeje në Kosovë duhet të bëhet më e qartë. Kjo do të thotë, së pari, të ndërpritet iluzioni se forcat serbe do të kthehen në Kosovë. Kjo do të thotë gjithashtu që të ndërpritet iluzioni i shqiptarëve se ata mund të kenë një shtet pa një sistem të vlerave perëndimore.


Gjendja e tanishme nuk mundet - dhe nuk duhet - të vazhdojë. Përndryshe tensionet e paqartësia do të vazhdojnë dhe së bashku me to edhe rreziku i vazhdueshëm për shpërthimin e një konflikti të ri në Ballkan.


Serbët nuk duhet lënë të vuajnë në vetmi dhe të grumbullojnë zemërim. Por qëndrimi perëndimor duhet të mbështetet në një marrëveshje të re dhe jo në rindërtimin e sistemit të vjetër të bazuar mbi absolutizimin e veprimeve të tyre të gabuara. Ata duhet të zgjedhin ndërmjet udhëheqësve të larë në gjak apo bashkëjetesës dhe mbështetjes ekonomike të perëndimit. Ata nuk mund t'i kenë të dyja gjërat njëkohësisht.


Baton Haxhiu është kryeredaktor i Koha Ditore. Ky artikull vazhdon një shkëmbim mendimesh dhe raportesh ndërmjet IWPR-së dhe Koha Ditore rreth të drejtave të minoriteteve dhe së ardhmes së shumëetnicitetit në Kosovë. Për të parë të githë artikujt, shih www.iwpr.net.