Koment: Dialogu në Rrezik

Politika e shqiptarëve të Kosovës për të vendosur kushte për dialog me Beogradin mund të jetë shkatërruese për provincën.

Koment: Dialogu në Rrezik

Politika e shqiptarëve të Kosovës për të vendosur kushte për dialog me Beogradin mund të jetë shkatërruese për provincën.

Tuesday, 6 September, 2005

Kur është koha e përshtatshme për të filluar dialogun politik ndërmjet drejtuesve të rinj jugosllavë dhe atyre që pretendojnë se përfaqësojnë popullin e Kosovës?


Nga deklaratat e lëshuara nga partitë politike kryesore të Kosovës dhe artikujt e shkruajtur nga disa komentatorë, pjesa më e madhe duket se pranojnë se dialogu mund të fillojë vetëm pasi të jenë përmbushur parakushtet kryesore.


Të gjithë të burgosurit shqiptarë që mbahen ende në Serbi duhet të lirohen; të gjithë të dyshuarit për krime lufte të ekstradohen në Hagë; dhe të pranohet e drejta e Kosovës për vetëvendosje.


Këto parakushte janë shpeshherë të shoqëruara edhe me kërkesën që Serbia të kërkojë falje për "genocidin" në Kosovë.


Kushtet për fillimin e dialogut tregojnë edhe synimin e kufizuar të debatit të sotëm politik në Kosovë. Dështimi kryesor i udhëheqjes politike në provincë është se ajo nuk e ka kuptuar që dialogu është parakusht për arritjen e këtyre synimeve dhe jo e anasjellta.


Dështimi për të diskutuar këto çështje me Beogradin do të çojë në anashkalimin e Kosovës - një proces që ka filluar tashmë.


Shumë në Kosovë, përfshirë edhe Grupin Nderkombëtar të Krizave, kanë paralajmëruar perëndimin për "nxitimin drejt Beogradit". Por pothuajse sapo u bë e qartë se Sllobodan Millosheviqi ishte larguar nga pushteti, komuniteti ndërkombëtar filloi të riintegrojë Jugosllavinë.


Presidenti i ri i Jugosllavisë, Vojisllav Koshtunica, u ftua në takimin e Bashkimit Europian në Biarritz, ku shtetet e BE-së premtuan një paketë ndihme prej 173 milion dollarë amerikanë si një "shenjë e fortë e përkrahjes së tyre".


Më pas i dërguari special i Kombeve të Bashkuara në Ballkan u takua me Koshtunicën, pikërisht për të diskutuar bashkëpunimin me Misionin e OKB-së në Kosovë, UNMIK, dhe mënyrat për shtimin e përfaqësimit të Jugosllavisë në organizatat ndërkombëtare.


Tani zyrtarët e Beogradit janë ftuar për të marrë pjesë në takimin e 27 nëntorit të ministrave të jashtëm të Organizatës për Sigurim dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE, që do të mbahet në Vienë, duke hapur rrugën kështu për pranimin e Jugosllavisë në këtë organizatë.


Arsyeja për këtë aktivitet të ethshëm diplomatik është e lehtë për t'u kuptuar. Shtetet e Bashkuara, BE-ja dhe OSBE-ja kanë interes për të investuar sa më shpejt si politikisht ashtu edhe ekonomikisht në Serbi.


Ky është një pranim i faktit se Serbia është çelësi i stabilitetit politik i të gjithë rajonit të Ballkanit, si edhe motorri ekonomik i rajonit.


Shpresa është se ky investim do të stabilizojë gjendjen duke forcuar pozitat e Koshtunicës dhe, në të njëjtën kohë, duke shërbyer si një shpërblim për popullin e Jugosllavisë që rrëzoi Millosheviqin.


Nuk ka dyshim se Koshtunica ka nevojë për këtë mbështetje. Ai mund të vendoset si president federal, por përkrahësit e Millosheviqit ende kontrollojnë qeverinë e Serbisë dhe udhëheqja malazeze nuk ka hequr dorë nga thirrjet e saj për pavarësi.


Kjo valë nismash diplomatike i lë shqiptarët e Kosovës në një gjendje të vështirë. Pavarësisht nga sigurimet se mbështetja për provincën do të vazhdojë, është e qartë se Serbia tani është e përkëdhelura e momentit.


Pra, cili ka qenë reagimi ndaj këtyre zhvillimeve në Kosovë? Ai mund të përmblidhet më së miri si një gjendje mohimi totale.


Në vijim të linjës së ndjekur nga Agim Çeku se "Kosova është ndarë nga Serbia përgjithnjë", drejtuesit politikë shqiptarë filluan duke injoruar atë që kishte ndodhur në Jugosllavi, duke deklaruar se ngjarjet atje nuk kishin të bënin aspak me ata.


Kjo ndjenjë u përhap edhe në media, e cila, me fare pak përjashtime, nuk ka njoftuar pothuajse asgjë nga zhvillimet e fundit në Jugosllavi; një redaktor ka thënë se ai ka hequr nga gazeta e tij ato deklarata të drejtuesve politikë europianë dhe amerikanë me të cilat ai nuk ishte dakort.


Tani gjendja ka ndryshuar pak, ndërsa drejtuesit politikë shqiptarë të Kosovës po fillojnë të kuptojnë se ndryshimet në Jugosllavi kërkojnë një përgjigje edhe prej tyre. Pozicioni i tyre tani është se ndërsa mund të ketë ndryshime në Beograd, ato nuk janë të mjaftueshme për t'u konsideruar si pozitive e përfundimtare dhe natyrisht jo të mjaftueshme për të justifikuar nxitimin e madh të komunitetit ndërkombëtar për të filluar bisedimet me Koshtunicën.


Drejtuesit shqiptarë të Kosovës kishin nevojë për Millosheviqin si faktorin kryesor për mbështetjen ndërkombëtare ndaj Kosovës.


Tani që Millosheviq është larguar, ata po përpiqen të japin një pamje të njëjtë të Koshtunicës me Millosheviqin - duke e paraqitur atë si një nacionalist me kallashnikov, i cili do të dëshironte të fillonte të shtypte përsëri shqiptarët sapo t'i krijohej mundësia.


Një rishikim i këtij mendimi për Koshtunicën do të kërkonte një rishikim të politikave - diçka që politikanët shqiptarë të Kosovës duket se nuk kanë ndërmend ta bëjnë.


Kjo ka penguar edhe përpjekjet e shefit të UNMIK-ut Bernar Kushner për të nisur sigurimin e pozicionit të Kosovës duke filluar dialogun me Beogradin. Kushner është kundërshtuar ashpër nga Këshilli i Përkohshëm Administrativ për përpjekjet e tij dhe është detyruar të tërhiqet nga kjo çështje derisa gjërat të qetësohen.


Kushner ka propozuar që prej asaj kohe se OKB-ja dhe Jugosllavia të fillojnë bisedime për të ardhmen e Kosovës në Zagreb më 24 nëntor, duke sugjeruar që Kosova të përfaqësohet nga vetë ai dhe ndoshta edhe nga drejtues politikë shqiptarë.


Më shumë se një zë në Kosovë ka shprehur shqetësimin se pranimi i Beogradit pa siguruar më parë Prishtinën mund të radikalizojë gjendjen në Kosovë. Kjo do të mund të çonte edhe në rritjen e dhunës, të drejtuar këtë rradhë ndaj pranisë ndërkombëtare, veçanërisht nëse OKB-ja lejon trupat dhe policinë serbe të kthehen në provincë.


Megjithatë për shkak të rreziqeve për sigurinë, shefat e KFOR-it duket se nuk ka mundësi ta bëjnë një gjë të tillë në të ardhmen e afërt.


Shqetësimet e drejtuesve të Kosovës janë legjitime dhe duhet të merren parasysh nëse mendohet që kjo të jetë një zgjidhje e qëndrueshme.


Por cilat janë këto shqetësime? Çështja e të burgosurve shqiptarë në Serbi duket se është më e lehta dhe më e mundshmja për t'u zgjidhur. Në ato raste kur janë arrestuar dhe burgosur pa të drejtë, ata mund të lirohen menjëherë në mënyrë prioritare.


Gjyqi i kriminelëve të luftës duhet të jetë një prioritet për komunitetin ndërkombëtar, por jo një parakusht për dialog. Shumë kanë shprehur shqetësimin për pozicionin e Koshtunicës për këtë çështje, duke patur frikë se ai nuk do të pranojë të dorëzojë të akuzuarit nga Gjykata e Hagës.


Por, megjithatë, Koshtunica nuk e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me gjykatën ndërkombëtare në të ardhmen, gjë e cila lë një hapësirë për negociata. Bazuar në shembujt e Bosnjes dhe Kroacisë, ekstradimi i menjëhershëm i kriminelëve të luftës nuk është i mundur.


Nëse drejtuesit e shqiptarëve të Kosovës presin derisa Jugosllavia të përmbushë kushtet e gjykatës përpara se të nisin dialogun, ekziston një mundësi e mirë që diskutimet e rëndësishme për statusin e Kosovës deri atëherë do t'i kenë anashkaluar ata.


Çështja e statusit përfundimtar të Kosovës është një ndër problemet më të mëdha. Kushner ka shprehur shqetësimin e tij për këtë çështje, duke besuar se të përpiqesh të përcaktosh tani statusin përfundimtar të Kosovës më tepër mund të krijojë probleme se t'i zgjidhë ato.


NATO-ja ndërhyri për arsye humanitare - jo për të treguar mbështetjen e saj për kërkesat e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi. Është mirë të shikohet me kujdes Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, e cila bën thirrje për një "autonomi substanciale dhe vetë-administrim të gjerë" për Kosovën duke riafirmuar "sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës Federative të Jugosllavisë."


Pavarësisht nga dëshirat, në kundërshtim me shumë njerëz në Kosovë ky është konteksti në të cilin shqiptarët e Kosovës duhet të afrohen me Beogradin. Këmbëngulja e vazhdueshme për njohjen e shpejtë të Kosovës si shtet i pavarur (një pozicion i cili tani është kaq i rëndësishëm saqë edhe Partia e Gjelbër e ka atë si një ndër platformat kryesore në zgjedhjet komunale) mund të çojë në një situatë që forcat e perëndimit të zgjedhin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.


Për çfarë duhet të punojnë drejtuesit shqiptarë të Kosovës duke parë këto zhvillime?


Duke mos hequr dorë nga kërkesat e tyre për pavarësi, drejtuesit politikë shqiptarë të Kosovës duhet të fillojnë të mendojnë në mënyrë më strategjike rreth çështjeve të tilla si, për shembull, çfarë do të thotë praktikisht "autonomi substanciale" dhe si mundet të përfitojnë autonominë sa më substanciale të mundshme.


Kjo nuk do të jetë një detyrë e lehtë, por populli shqiptar i Kosovës ka treguar tashmë se ka rezervat e nevojshme të fleksibilitetit për ta kryer këtë detyrë.


Hapi i parë duhet të jetë normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duke përdorur OKB-në për të lehtësuar këto marrëdhënie, si një mënyrë për të theksuar se Beogradi nuk ka kontrollin administrativ ndaj provincës.


Në çdo diskutim të tillë - kudo që të organizohet në Zagreb apo diku tjetër - çështjet kryesore të përmendura më sipër duhet të hidhen për diskutim që në fillim. Pozicioni shqiptar duhet të bëhet i qartë si pikë fillimi për diskutimin dhe jo si ultimatum.


Vendosja e parakushteve për dialogun është një mënyrë e mirë për të siguruar që dialogu të mos nisë kurrë. Parakushtet që po diskutohen këtu janë pikërisht ato që do të mbyllin çdo mundësi të Koshtunicës për të negociuar një kompromis.


Duke parë se komuniteti ndërkombëtar po nxiton të afrohet me Beogradin, rezultati i mundshëm i vendosjes së këtyre parakushteve do të jetë një izolim edhe më i madh i Kosovës.


Problemi kryesor është se të dyja palët e shohin gjendjen si një betejë ku fituesi i merr të gjitha dhe humbësit nuk i mbetet asgjë. Të dyja palët duket se nuk kanë një vizion politik për të kërkuar rrugë për të përmbushur të gjitha kërkesat e tyre pa krijuar një konflikt tjetër, i cili do të ishte një mallkim edhe për brezat e ardhshëm.


Koha do të tregojë nëse Koshtunica mund të nxjerrë popullin serb nga gjendja e kësaj utopie të madhe që e ka përfshirë; ndërkohë, a do të tregojnë udhëheqësit politikë shqiptarë të Kosovës se ata kanë vizionin për të cilin ka nevojë populli i tyre? Apo do të rrezikojnë duke luajtur për të fituar gjithçka ose asgjë - dhe të përfundojnë me asgjë?


Pol Karriën është konsulent OJQ-sh i vendosur në Kosovë.


Frontline Updates
Support local journalists