Koment: Beteja e Fundit e Millosheviqit

I pandehuri mund të ketë llogaritur se e vetmja shpresë e tij për "fitore" është të mos lejojë përfundimin e gjyqit.

Koment: Beteja e Fundit e Millosheviqit

I pandehuri mund të ketë llogaritur se e vetmja shpresë e tij për "fitore" është të mos lejojë përfundimin e gjyqit.

Pas ndërprerjes së katërt të gjyqit për shkak të problmeve shëndetësore të të pandehurit, gjykatësit dhe prokurorët e rastit të Sllobodan Millosheviq po përballen me një zgjedhje të vështirë: ata ose mund të kufizojnë të drejtën e të pandehurit për t'u vetë përfaqësuar në sallën e gjyqit ose të shkurtojnë kohën e caktuar për paraqitjen e provave të akuzës.


Pozicioni i tyre mund të përshkruhet si një rast tipik i marrjes peng, në të cilin i pandehuri ka drejtuar një armë mbi kokën e tij dhe thotë "Ose ndërprisni gjyqin ose unë do të vritem".


Deri më tani, problemet shëndetësore të Millosheviqit kanë shkaktuar tetë javë vonesë ngjatë nëntë muajve të gjyqit.


Kur i pandehuri nuk është paraqitur për seancën e 1 Nëntorit, për shkak të një "lodhjeje" mendore, gjykatësit për herë të parë kanë shprehur publikisht shqetësimin e tyre për vazhdimin e procesit. Ata gjithashtu i kanë kërkuar prokurorëve, dhe avokatëve të caktuar nga gjykata për Millosheviqin të paraqesin me shkrim mendimet e tyre rreth cështjes se si mund të cohet në fund ky gjyq. Për prokurorët, zgjedhja është e qartë: e drejta për vetëpërfaqësim ka kufi, dhe ky kufi është tejkaluar në këtë rast.


Për këtë arësye, ata thonë se trupi gjykues duhet të insistojë në mënyrë urgjente që i pandehuri të caktojë një avokat mbrojtës, në mënyrë që të shmangen vonesat dhe ndërprerjet në të ardhmen.


Prokurorët thonë se në bazë të statutit të gjykatës, lejohet që trupi gjykues të vendosë një këshill avokatësh për të mbrojtur të pandehurin në interes të drejtësisë.


Kështu ndodh në shumicën e vendeve Europiane dhe edhe në Republikën Federale të Jugosllavisë, ku avokatët mbrojtës janë të detyrueshëm në gjyqe në të cilat i pandehuri rrezikon një dënim me mbi dhjetë vjet burgim.


Rruga tjetër, do të ishte një zvogëlim i kohës në dispozicion të prokurorëve, që është krejtësisht e papranueshme. Kjo deklaratë është përfshirë në një letër të kryeprokurores së Hagës Carla Del Ponte drejtuar, trupit gjykues të Premten e kaluar.


"As komuniteti ndërkombëtar dhe as prokurorët nuk mund të pranojnë një reduktim të këtij gjyqi në një situatë kur i pandehuri, duke mos dashur të përfitojë nga mundësia e mbrojtjes me anë të avokatëve, ka keqësuar shëndetin e tij," thuhej në letrën e Del Ponte.


Prokurorët kanë paralajmëruar se ti lejosh të pandehurit të diktojë tempin dhe qëllimin e gjyqit ndaj tij - për shkak të problemeve të cilat janë kryesisht të shkaktuara nga ai vetë - do të shkaktonte një precedent tepër të rrezikshëm. Prokurorët gjithashtu kanë thënë se Millosheviq mund edhe të manipulojë me problemet e tij shëndetësore, dhe i kanë kërkuar trupit gjykues të urdhërojë një ekzaminim të përgjithëshëm mjeksor të të pandehurit nga specialistë të paanshëm.


Njeriu përgjegjës për shëndetin dhe mirëqënien e të gjithë të burgosurve, përfshirë, natyrisht edhe Millosheviqin, kujdestari i burgut të OKB-se, Timothy McFadden, ka thënë për IËPR javën e kaluar se "pothuajse të gjithë, në mos të gjithë të dënuarit pa përjashtim, gëzojnë një shëndet më të mirë tani se sa ditën që kanë hyrë në burg".


Ai thotë se ka disa arësye për një situatë të tillë: "Ata nuk konsumojnë fare alkool, flenë shpejt dhe ngrihen herët në mëngjes, bëjnë shumë stërvitje, kanë një dietë të balancuar - dhe e gjithë kjo është një recetë për pasjen e një shëndeti të mirë".


McFadden e ka përshkruar Millosheviqin si "shumë, shumë të kujdesëshëm dhe punëtor" i cili shpenzon një pjesë të madhe të kohës së tij për tu përgatitur për seancën e ardhëshme. "Një rregjim i tillë do të ishte tepër i lodhshëm për këdo, për të mos folur më për një 61 vjecar, kështu që është e kuptueshme që ai lodhet herë pas here," ka thënë ai.


Nëse fakti që ai përfaqësohet vetë në procesin gjyqësor është shkaku kryesor i problemeve të tij shëndetësore, atëherë, duke gjykuar me llogjikë, ai ka nevojë më tepër për një avokat se sa për një doktor. Megjithatë, kjo është e fundit gjë që mund të mendohet se Millosheviq mund të pranojë.


Millosheviq mendon se askush nuk është më tepër kompetent për të shpjeguar ato që sipas tij janë të rëndësishme për rastin e tij se sa vetë Millosheviq. "Ju nuk mund të krahasoni ato që di unë me ato që do një avokat," ka thënë ai javën e kaluar.


Meqënëse ai ka kaq shumë besim në vetvete që po mbrohet mire, ka shumë mundësi që ai të interpretojë propozimin e prokurorëve si një konfirmim të suksesit të tij. Gjithashtu duket qartë se Millosheviq do të konsiderojë në të njëjtën mënyrë të gjitha masat e propozuara nga prokurorët, me qëllim shpejtimin e gjyqit.


Për shembull, detyrimi i gjykatës për të rishikuar vendimin e saj për të lejuar të pandehurin të bëjë pyetje dëshmitarëve të cilët kanë dhënë dëshmi me shkrim; përdorimi më i madh i fakteve të siguruara nga procedura të tjera përpara gjyqit, vecanërisht në rastet e krimeve në Bosnje; dhe lejimi i të ashtuquajturve dëshmitarë "përmbledhës" - hetues të cilët përmbledhin provat e dëshmitarëve të krimeve, megjithëse një gjë e tillë është kundërshtuar tashmë nga trupi gjykues.


Gjykatësit në këtë mënyrë po përballen përsëri me dilema të cilat kishin menduar se i kishin zgjidhur në konferencën e parë për statutin më 30 Gusht 2001, kur ata kanë vendosur se i pandehuri kishte të drejtën të mbrohej vetë. Ata kanë pranuar këtë gjë me qëllim që të siguronin paraqitjen e të pandehurit në sallën e gjyqit.


Në paraqitjen e mendimeve të tyre, prokurorët nuk kanë munguar të theksojnë se ky vendim "është marrë përpara se të ishin të dukëshme pasojat e vetë përfaqësimit të të pandehurit".


Megjithatë, taktikat e Millosheviqit në sallën e gjyqit nuk kanë qenë të papritura për ata që e njohin atë.


Ai po mbrohet në të njëjtën mënyrë sic ka bërë politikë gjatë dekadës së fundit: si një luftë vetëshkatërruese. Ai ka përdorur pikërisht të njëjtat argumente dhe stil që ka përdorur më parë për të lodhur partnerët e tij në bisedime, të cilat më pas cuan në luftë dhe në shpërbërjen e Jugosllavisë; dhe për të mërzitur paqeruajtësit ndërkombëtarë. Ai ka qenë i bindur se mund të ishte më i fortë se ata. Megjithatë ai dështoi.


Këtë herë, mesa duket, problemi nuk qëndron në faktin se Millosheviq ka besim se ai mund të durojë më tepër se gjykatësit dhe prokurorët e Hagës. Përkundrazi, ai mund të ketë menduar se mos përfundimi i gjyqit mund të përbëjë mundësinë e fundit për të për të dalë fitimtar në një luftë vetëshkatërruese.


Mirko Klarin është një redaktor i vjetër i IËPR në Hagë dhe kryeredaktor i agjensisë së lajmeve SENSE.


Frontline Updates
Support local journalists