Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

KOMENT: BALLKANI PËRBALLET ME NJË IZOLIM NDOSHTA SHKATËRRIMTAR

Pakësimi i interesit të komunitetit ndërkombëtar në ballkan mund të dëmtojë rëndë zhvillimin e mediave dhe demokracinë në rajon.
By Veran Matic

Pesë vjet më parë, gjatë bombardimeve të NATO-s, kur janë botuar artikujt e parë të Raportit të Krizës në Ballkan të IWPR, shumë njerëz mendonin se rajoni do të qetësohej sapo Sllobodan Millosheviq të largohej nga pushteti. Ata janë gabuar rëndë. Rajoni mbetet ende i mbytur nga probleme të shumta, në një kohë, që donatorët më të mëdhenj ndërkombëtarë po largohen nga rajoni. Sytë e botës janë kthyer nga Azia, vecanërisht në Lindjen e Afërt dhe të Mesme.


Pesë vjetët e fundit në Serbi janë shënuar nga dy ngjarje tepër të rëndësishme – 5 tetor 2000 dhe 12 mars 2003 – e para ka shënuar rrëzimin e regjimit autoritarist të Millosheviq dhe e dyta, vrasja e kryeministrit të zgjedhur në mënyrë demokratike, Zoran Gjingjiq.


Gazetat dhe mediat elektronike të Serbisë kanë pësuar ndryshime të thella që prej rrëzimit të Millosheviqit. Megjithëse ato vazhdojnë të jenë pre e presioneve politike, fushatave të fyerjeve dhe manipulimeve, tabutë janë prishur dhe niveli i lirisë së shprehjes dhe pavarësisë së mediave është më i lartë se më parë.


Në të njëjtën kohë, drejtimi i ashtuquajtur i tregut, në kuadër të të cilit sensacionalizmi i lirë, i pambështetur me prova shihet si një kërkesë për mbijetesë, po fiton terren. “Tabloidizimi” nuk është vetëm rezultat i një realiteti të egër ekonomik në të cilin vepron media por edhe i kulturës së konformizmit dhe amatorizmit si edhe mungesës së rendit dhe ligjit.


Dhe procesi i përballjes me të kaluarën e afërt mbetet ende i vështirë. Instituti për Raportimin e Luftës dhe Paqes po ndihmon në këtë drejtim, duke ofruar një platformë ndërkombëtare për gazetarët lokal dhe ribotimin e artikujve të tyre në të gjithë rajonin. Duke bërë këtë, IWPR ka thyer barrierat e krijuara gjatë një dekade lufte dhe inkurajuar komunikimin ndërmjet vendeve të ballkanit.


Deri në rrëzimin e Millosheviqit, ka pasur një aleancë të fortë ndërmjet mediave të pavarura dhe sektorit jo qeveritar. Për fat të keq, OJQ-të nuk kanë mbajtur ritmin e mediave, dhe influenca e tyre ka rënë. Fakti që organizatat e mëdha ndërkombëtare dhe donatorët tani po përqëndrohen në pjesë të tjera të botës ka kontribuar gjithashtu në këtë.


Largimi i kaq shumë donatorëve nga Serbia dhe ballkani përbën një kërcënim serioz për idetë e shoqërisë civile dhe betejës për të drejtat e njeriut. Ata të cilët mendojnë se ndryshimet e mëdha sociale do të ndodhin brenda natës dhe do të zhvillohen vetë rrezikojnë të bëjnë që Serbia dhe ballkani të zhytet në një tmerr edhe më të madh kur të përballen me krizën e ardhëshme. Ngjarjet në 17 mars në Kosovë tregojnë se sa shpejtë dhe në mënyrë të keqe ndryshojnë gjërat në rajon.


Nëse vendosmëria e komunitetit ndërkombëtar për rajonin pakësohet, kjo do të dobësojë median dhe sektorin e OJQ-ve. Si rezultat, ata nuk mund të jenë në gjendje të inkurajojnë vendosjen e demokracisë, paqes dhe stabilitetit. Kjo mund të bëjë që të përsëriten gabimet e vjetra.


IWPR po luan një rol të rëndësishëm dhe po përpiqet që kjo të mos ndodhë, duke u bërë një zë i rëndësishëm në shoqërinë tonë duke nxitur debatin publik për cështje të rëndësishme dhe të vështira si krimet e luftës, korrupsioni dhe pengesat e tjera me të cilat përballen vendet e rajonit në përpjekjet e tyre për integrim në BE dhe NATO, duke na lejuar që të shohim problemet tona me sytë e fqinjëve.


Veran Matiq është drejtor i Radio dhe TV B92 në Beograd.