Kërcënimi i Separatizmit Kroat në Bosnje

Partia HDZ në Bosnje duket se po përgatitet për krijimin e një shteti kroat të Bosnjes.

Kërcënimi i Separatizmit Kroat në Bosnje

Partia HDZ në Bosnje duket se po përgatitet për krijimin e një shteti kroat të Bosnjes.

Tuesday, 6 September, 2005

Bashkimi nacionalist Demokratik Kroat, HDZ, ka shkaktuar një furtunë politike duke bërë thirrje për një referendum për të drejtat e kroatëve në Bosnje në ditën e zgjedhjeve të përgjithshme.


Ky është veprimi më i fundit në kuadrin e një fushate të përkrahësve të linjës së ashpër të kroatëve të Bosnjes kundër asaj që ata e konsiderojnë si humbje të influencës së tyre në federatën myslimano-kroate.


Referendumi duket se është një përpjekje e HDZ-së për të përgatitur terrenin për vendosjen e një entiteti të veçantë të kroatëve të Bosnjes nëse rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme të 11 nëntorit nuk shkojnë siç duan ata.


Sipas marrëveshjes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës në Bosnje, vendi është ndarë në Republika Srpska dhe Federatën Myslimano-Kroate. Një sërë rregullash për votimin garantonin të drejtat e secilit komunitet.


Ajo që ka shkaktuar pakënaqësinë e HDZ-së janë regullat e reja zgjedhore të vendosura nga Organizata për Sigurim dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE, për zgjedhjet e parlamentit federal.


Sipas sistemit të vjetër, kroatët mund të votonin vetëm për kroatë dhe myslimanët vetëm për myslimanë. Rregullat e reja thonë se deputetët e asamblesë kantonale mund të zgjedhin cilindo kandidat për parlamentin federal.


Kjo do të thotë se HDZ-ja do të humbasë monopolin e saj mbi votat e kroatëve. Megjithëse numri i kroatëve të përfaqësuar në asamble do të mbetet i njëjtë, ka mundësi që ata të jenë përfaqësues të partive të tjera.


Drejtuesit e HDZ-së mendojnë se ndryshimet do të ulin influencën e tyre në federatë dhe nuk do t'i lejojnë më ata të bllokojnë punën e parlamentit siç kanë bërë në të kaluarën.


Pas vendimit për të thirrur një referendum, posterat e HDZ-së janë vendosur në të gjithë federatën me parrullën "Vendim ose Zhdukje". Fushata është dënuar nga grupet e tjera politike si një thirrje për "ligje linçimi dhe aparteidi".


Presidenti i HDZ-së dhe anëtar i presidencës trepalëshe të Bosnjes, Ante Jelaviq, ka denoncuar rregullat e reja të OSBE-së si "anti-kushtetuese dhe me synimin për të larguar pushtetin nga kroatët në Bosnje Herzegovinë."


Në një takim elektoral të mbajtur të Dielën, Jelaviq tha se "federata tashmë ka vdekur".


Gjatë luftës drejtuesit e HDZ-së shpallën minishtetin e tyre, Herzeg Bosnjen. Ai ishte i lidhur ngushtë me Kroacinë duke përdorur të njëjtën monedhë, simbole shtetërore, media, si edhe të njëjtat pensione e paga.


Pas Dejtonit, kroatët e Bosnjes hynë zyrtarisht në institucionet e përbashkëta me myslimanët, por HDZ-ja në Bosnje ka ruajtur marrëdhënie të ngushta me HDZ-në në Kroaci duke shpresuar se mund të bashkoheshin një ditë.


HDZ-ja e Bosnjes mbështetej fuqimisht në udhëheqjen kroate derisa ishte gjallë presidenti Franjo Tugjman.


Pas humbjes së HDZ-së në Kroaci, autoritetet e reja në Zagreb u kanë thënë kroatëve të Bosnjes të kthejnë sytë nga Sarajeva. Kjo ka dobësuar ndjeshëm pozicionin e HDZ-së nacionaliste, e cila tani e konsideron referendumin si të vetmen mundësi për mbijetesë.


Menjëherë pasi OSBE-ja njoftoi rregullat e reja, Jelaviq u ankua tek udhëheqja e tannishme në Kroaci.


Presidenti Stipe Mesiq është përgjigjur prerë se kroatët e Bosnjes duhet të zgjidhin problemet e tyre me autoritetet e Sarajevës dhe ka konfirmuar se ai ishte kundër referendumit.


"Ata që ende duan një referendum nuk e kuptojnë atë që po ndodh në Bosnje dhe Herzegovinë," ka thënë Mesiq. "Ata nuk e kuptojnë se nuk ka më luftë dhe nuk ka më ndarje, se Bosnja është një vend me kufinj të njohur ndërkombëtarisht, e cila ka institucionet e saj shtetërore."


Zyrtarë të tjerë të Zagrebit, përfshirë kryeministrin Ivica Raçan dhe kryetarin e Asamblesë Kombëtare Zlatko Tomiq duken të shqetësuar për ankesën e HDZ-së së Bosnjes, por u qetësuan menjëherë pas vizitës së shefit të misionit të OSBE-së Robert Berri në Zagreb dhe shpjegimeve të tij për situatën.


Ky episod e ka dobësuar edhe më tej pozicionin e HDZ-së në Bosnje. Sipas një studimi të Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, influenca e partisë në rradhët e votuesve kroatë të Bosnjes ka rënë nën 40 përqind.


Deklarata e HDZ-së për referendum është hedhur poshtë menjëherë nga disa parti kroate të opozitës.


Dy zyrtarët kryesorë të kishës katolike në Bosnje, peshkopi Vinko Puljiq dhe kryetari i franciskanëve, at Mijo Xholan, kanë marrë pjesë në një takim muajin e kaluar në Novi Travnik, ku është marrë edhe vendimi për plebishitin.


Disa zyrtarë katolikë më pas u përpoqën të shpjegojnë se njerëzit e kishës kishin qenë atje vetëm si të ftuar. Por HDZ-ja e shfytëzoi praninë e tyre si një mbështetje zyrtare për referendumin.


Incidenti krijoi përçarje të reja në gjirin e kishës katolike në Bosnje, ndërsa disa priftërinj të njohur kritikuan publikisht peshkopin e tyre për përzierje në politikë dhe me përkrahësit e linjës së ashpër.


Pozicioni i komunitetit ndërkombëtar për këtë çështje është i qartë. OSBE-ja si edhe ndërmjetësi i lartë ndërkombëtar për Bosnjen, Përfaqësuesi i Lartë Volfgang Petriç, ka theksuar se një referendum i organizuar nga një parti politike nuk do të ketë vlerë ligjore.


Në një letër drejtuar Jelaviqit, Robert Berri e ka paralajmëruar HDZ-në se ajo nuk ka të drejtën ekskluzive për të përfaqësuar popullin kroat në dhomën e ulët të parlamentit federal.


Amra Kebo është bashkëpunëtore e IWPR-së.


Support our journalists