"Kauboi" Reziston në Bosnje

Drejtuesit nacionalistë të Bosnjes janë tërhequr nga kërcënimet e tyre për të revokuar akreditimin e ambasadorit "të bezdisëshëm" Amerikan në vend

"Kauboi" Reziston në Bosnje

Drejtuesit nacionalistë të Bosnjes janë tërhequr nga kërcënimet e tyre për të revokuar akreditimin e ambasadorit "të bezdisëshëm" Amerikan në vend

Friday, 16 February, 2001

Një stuhi diplomatike ka rrezikuar të turbullojë ujrat në Bosnje dhe në SHBA javën e kaluar kur kryetari i presidencës tre palëshe të Bosnjes, Serbi Zhivko Radishiq, ka njoftuar se qeveria po bënte plane të hiqte akreditimin diplomatik për Ambasadorin Amerikan në Bosnje, Tomas Miller.

 

Në një konferencë për shtyp në Banja Luka më 6 Shkurt, Radishiq ka përmendur Ambasadorin Miller si një nga diplomatët e huaj që presidenca i kishte kritikuar për shkelje të mandatit të tyre diplomatik dhe për ndërhyrje në punët e brendëshme të vendit. Ai ka thënë se presidenca kishte diskutuar për heqjen e akreditimit diplomatik.

 

Radishiq dhe anëtarët e tjerë të presidencës - Kroati Ante Jelaviq dhe Boshnjaku Halid Genjac - duket se kanë qenë tepër të shqetësuar nga roli i këtyre zyrtarëve në arritjen e bashkimit të koalicionit opozitar Aleanca për Ndryshim. Aleanca ka siguruar shumicën në parlamentin shtetëror të Bosnjes dhe në asamblenë e federatës Boshnjako-Kroate në zgjedhjet e fundit.

 

Sapo filluan reagimet e para ndaj këtyre komenteve, Jelaviq dhe Genjac u distancuan nga deklaratat e Radishiqit. Analistët vendas dhe të huaj dyshojnë se Jelaviq ka inkurajuar kolegun e tij Serb të bëjë këto komente. Të nesërmen edhe Radishiq u ankua se deklarimet e tij ishin keqinterpretuar.

 

Një gazetë lokale ka botuar një titull ngacmues: "Unë nuk kam thënë atë që keni dëgjuar të gjithë ju".

 

Kjo përplasje e fundit me superfuqinë e vetme të botës është një nga hapat më qesharake të partive nacionaliste Boshnjake dhe tregon se përkrahësit e linjës së ashpër po bëhen gjithnjë e më nervozë ndërsa kanë filluar të humbasin pushtetin e tyre dhjetë vjeçar.

 

Miller, ka qëndruar indiferent gjatë kësaj stuhie diplomatike, duke lënë që departamenti Amerikan i shtetit dhe zyrtarë të tjerë Perëndimorë të flasin në emër të tij. Pasi stuhia është qetësuar, Miller përsëri ka ruajtur qetësinë, duke pasur aprovimin e Uashingtonit, dhe i gatshëm për të vazhduar drejtimin e tij energjik të politikës Amerikane në rajon.

 

Ata që e njohin Millerin mendojnë se ai ndoshta e ka pëlqyer këtë përplasje me nacionalistët e Bosnjes. Por i gjithë incidenti ka bërë që ambasadori të vendoset në qendër të vëmendjes në Bosnje dhe shumë jerëz të cilët e kanë konsideruar më parë si një pjesë të zakonëshme të skenës politike, tani po pyesin se "Cili është ky kauboj?"

 

Miller ka filluar punë në shërbimin e jashtëm Amerikan në vitin 1976 dhe ka arritur rangun e lartë të Konsullit Ministror. Ai njeh mirë rajonet në konflikt sepse ka shërbyer si Koordinator Special në Qipro përpara se të vijë në Sarajevo në Korrik të vitit 1999. Ai ka punuar në Greqi për çështjet e Lindjes së Mesme dhe në hapat e para të karrierës së tij ka qenë i përqëndruar në Azinë Juglindore.

 

Ai ka një reputacion si njeri të cilit i pëlqen "qëndrimi i ashpër" dhe disa vëzhgues Amerikanë janë në fakt të çuditur se sa ka mundësi që konfrontimi me nacionalistët lokalë ka dalë haptazi vetëm 18 muaj pas emërimit të tij.

 

Një gazetar vendas ka thënë se Miller është "aq jo diplomatik me gangsterët vendas sa ç'janë ata me të". Mesa duket ambasadori është tepër i ashpër dhe i drejtpërdrejtë kur vjen fjala për shqetësimet Amerikane.

 

Miller është një njeri i afërt me Riçard Hollbruk, krye negociatori i Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, dhe thuhet se ka një stil të ngjashëm me të, megjithëse disi më pak tërheqës dhe i sofistikuar.

 

Politika Amerikane në Ballkan ka qenë kryesisht ajo e diplomatëve si Hollbruk dhe të tjerë si ai - pra negociatorë shumë të fortë.

 

Pasuesi i Hollbrukut si këshilltar special, Robert Gelbard, ka pasur një reputacion të ngjashëm me atë. Miller ka punuar ngushtësisht me të dy këta dhe ka treguar se është nga i njëjti brum.

 

Sipas një burimi të IWPR-së, Miller ka pranuar këtë post në Sarajevo vetëm me kusht qëtëlejohet të bëjë politikë dhe jo vetëm të ndjekë instruksionet dhe ndërhyrjet nga Uashingtoni.

 

Stafi i Millerit janë tepër të kujdesëshëm që i gjithë informacioni ndërmjet Uashingtonit dhe Sarajevos të kalojë vetëm nëpërmjet kanaleve të ambasadës. Nuk është një gjë e pazakonëshme që stafi i Ambasadës Amerikane të kërkojë që kolegët e tyre nga agjensitë zbatuese të Dejtonit të kanalizojnë informacionin nëpërmjet Ambasadës. Miller ka mbyllur kështu pjesën më të madhe të komunikimeve të pavarura që më parë e kishin anashkaluar atë.

 

Miller është shumë popullor në rradhët e publikut Boshnjak. Ai ka ndërmarrë një qëndrim të drejt përdrejtë, jo formal ndaj mijëra njerëzve të zhvendosur dhe të shpronësuar dhe njihet për ekskursionet e tij gjatë fundjavës për të ndihmuar në rindërtimin e shtëpive të shkatërruara nga lufta - një akt bamirësie i cili nuk është kryer nga asnjë zyrtar Perëndimor apo politikan vendas.

 

Gruaja e Millerit, Boni, jep mësim falas në universitetet Boshnjake dhe mbështet në mënyrë aktive organizatat jo-qeveritare në vend. Ajo ka publikuar një libër në Sarajevo mbi punën me fëmijët e traumatizuar.

 

Por është përfshirja e madhe e Millerit në zhvillimet politike në Bosnje që ka provokuar sulmet e Radishiqit. Përpara zgjedhjeve, ai ka organizuar shumë "darka dhe dreka të fshehta" për drejtuesit e opozitës Boshnjake të cilat kanë ndihmuar në krijimin e Aleancës për Ndryshim.

 

Edhe zyrtarët vendas dhe ndërkombëtarë, të cilët e admirojnë Millerin, kanë frikë se ai mund të jetë sjellë shumë si një "kauboj", duke mos pasur delikatesën e nevojëshme për të luajtur lojën politike tepër të ngatërruar dhe Bizantine në Bosnje.

 

Duke parë ardhjen në pushtet të Presidentit Amerikan Xhorxh Bush dhe Sekretarit të tij të Jashtëm Kolin Pauell, stili i ashpër i Millerit mund të mos jetë në një gjatësi vale me politikën e Uashingtonit.

 

Administrata e Bushit është në favor të një qëndrimi "të distancuar dhe të qetë" në politikën e jashtëme.

 

Një zyrtar i departamentit të shtetit të periudhës së Klintonit ka komentuar kështu: "Stili i Hollbruk, Gelbard, dhe Millerit po bëhen të tejkaluar dhe nuk janë më shumë të pëlqyer. Ata nuk krijojnë një imazh të mirë për SHBA-në jashtë vendit".

 

Por riorganizimi i departamentit të shtetit nga ana e Pauellit mund të bëjë që Miller të ketë një pushtet më të madh se sa deri tani, saqë as nuk mund ta mendonte deri më parë nën qeverinë e Presidentit Bill Klinton.

 

Megjithëse ende nuk është njoftuar zyrtarisht, shkrirja e zyrës së Zbatimit të Dejtonit ka filluar tashmë. Kjo zyrë, e drejtuar nga këshilltari special për Ballkanin, ka pasur lidhje të drejtpërdrejtë me sekretarin e shtetit. Ajo ka qenë krejtësisht e fokusuar në zbatimin e paqes në Bosnje dhe më pas në ndërhyrjen në Kosovë. Këshilltari special i fundit, Xhim O'Braian, është larguar në Janar. Sipas burimeve të IWPR-së departamenti i shtetit nuk ka në plan ta zëvendësojë atë.

 

Të gjitha pozicionet e këshilltarëve specialë do të shkurtohen dhe përgjegjësitë do të transferohen tek zyrat rajonale. Zbatimi i paqes në Bosnje do të jetë përgjegjësi e Zyrës për Problemet Europiane.

 

Shumë njohës të departamentit të shtetit thonë se ky riorganizim duhet të ishte bërë me kohë. Mosmarrëveshjet në kongres dhe burokracia kanë dëmtuar efektivitetin e departamentit të shtetit në bërjen e politikës së jashtëme gjatë dekadës së kaluar.

 

Por riorganizimi, së bashku me mesazhin e administratës së Bushit se ajo planifikon të largojë trupat e saj nga Ballkani, tregon se SHBA mund të mos i kushtojë shumë rëndësi politikës së saj në SHBA.

 

Miller ka fituar raundin e parë me nacionalistët e Bosnjes. Uashingtoni është i larguar për momentin nga shqetësimet e përditëshme të rajonit, duke u përqëndruar kryesisht në ristrukturimin e departamentit të shtetit dhe forcimin e administratës së re.

 

Sfida më e vështirë e Millerit gjatë muajve të ardhëshëm mund të jetë zbatimi i politikës "modeste" të qeverisë së tij të re në çështjet e jashtëme.

 

Tania Domi ka qenë zëdhënëse e OSBE-së në Bosnje Herzegovinë. Ajo tani po kryen studime pasuniversitare për të Drejtat e Njeriut në Universitetin Kolumbia në Nju Jork.

Frontline Updates
Support local journalists