Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Kaos në Partinë Rumune në Pushtet

Pas katër vjetësh në pushtet, partia më e madhe në koalicionin qeveritar në Rumani duket më tepër e shqetësuar me përçarjet që ekzistojnë brenda saj se sa me përmbushjen e premtimeve elektorale për begati ekonomike.
By Marian Chiriac

Partia më e madhe e koalicionit qeveritar në Rumani është ne një gjendje kaosi pasi përçarja e madhe që ka ekzistuar prej kohësh shpërtheu javën e kaluar me dorëheqjen e dhjetë anëtarëve të rëndësishëm të saj.


Dorëheqjet e datës 28 Janar nga Partia Kombëtare e Fermerëve Kristian Demokrate (PNTCD) erdhën pasi anëtarët u takuan për të shmangur ndarjet që ekzistojne dhe për të zgjidhur problemet me imazhin e partisë në prag të zgjedhjeve parlamentare të nëntorit.


Dhjetë rebelët që janë lidhur me një fraksion besnik ndaj ish kryeministrit Radu Vasile, i cili është përjashtuar nga partia një muaj më parë, kanë vendosur të krijojnë një grup të quajtur Partia Popullore me në krye Vasile.


Këto largime mund të kenë pasoja të rënda për PNCTD-në dhe koalicionin qeveritar, sepse tanimë ata nuk kontrollojnë një shumicë parlamentare.


Ka kohë që partia është mbërthyer nga një krizë politike - duke çuar në shkarkimin e dy kryeministrave të saj - Viktor Çiorbea në 1998 dhe Vasile dhjetorin e kaluar.


Gjendja ka qenë shumë më e ndryshme katër vjetë më parë kur partia erdhi në pushtet si pjesë e një koalicioni liberal, duke mbushur me shpresë rumunët për një të ardhme më të mirë ekonomike.


Por mungesa e sabilitetit politik, vonesat në kryerjen e reformave ekonomike, korrupsioni dhe mungesa e një qeverisje të efektshme kanë zhgënjyer shumë njerëz dhe kanë ulur përkrahjen për partinë.


Takimi i javës së kaluar u përpoq të sillte një frymë të re në PNTCD duke zëvendësuar udhëheqjen e vjetër me njerëz më të rinj.


Nga takimi ka rezultuar edhe një premtim për të përkrahur presidentin Emil Konstantinesku në një mandat të dytë presidencial si e vetmja rrugë për të siguruar anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian.


Në përgjigje, Konstantinesku i bëri thirrje PNTCD-së që të pastronte veten nga korrupsioni dhe të dedikojë krejtësisht forcat e saj për të zgjidhur problemet e shumta të vendit. "Mos kërkoni të mirën tuaj personale, por atë të vendit," bëri thirrje ai.


Konstantinesku pranoi se PNTCD-ja ishte përballur me vështirësi serioze gjatë tre vjetëve të fundit. Por ai tha se "ndërtimi i një Rumanie të re" sipas standarteve europiane kishte filluar tashmë. Janë hedhur piketat, jane vendosur shtyllat mbajtëse, janë ndërtuar muret, tha presidenti.


Megjithëse Konstantinesku nuk ka qenë asnjëherë anëtar i PNTCD-së - përveç një periudhe të shkurtër në vitin 1996 kur u bashkua me partinë me qëllim që të emërohej si kandidati i saj në zgjedhjet e atij viti - ai mund të përpiqet të marrë nën kontroll partinë në rast se ajo humbet në zgjedhjet e ardhshme.


PNTCD-ja është e vendosur të shkojë në zgjedhjet parlamentare me flamurin e Konventës Demokratike (CDR), një aleance e cila konsiston në bashkimin e saj me Partinë Liberale Kombëtare (PNL), koalicioni i cili fitoi zgjedhjet në vitin 1996.


PNTCD-ja do të insistojë që blloku i CDR-së të paraqesë lista të përbashkëta për zgjedhjet lokale të planifikuara për t'u mbajtur në pjesën e parë të këtij viti. Duket se PNTCD-ja dhe koalicioni qeveritar do të mund të mbijetojë deri atëherë.


Megjithatë, PNL, partneri i saj në koalicionin qeveritar, po planifikon të shkojë e vetme në zgjedhje. Në rast se arrin rezultate të mira, ateherë ndoshta PNL-ja mund të vendosë të shkojë e vetme në zgjedhjet e përgjithshme.


Marian Kiriak është redaktor i lajmeve për Agjensinë e Lajmeve MediaFax në Bukuresht dhe redaktor i Politika e Jashtme, nje revistë tremujore e botuar nga Shoqata Akademike Rumune.