Jugosllavia Anëtarësohet në Paktin e Stabilitetit

Anëtarët e Paktit të Stabilitetit kanë mendime të ndryshme ndaj anëtarësisë së Jugosllavisë në këtë organizëm.

Jugosllavia Anëtarësohet në Paktin e Stabilitetit

Anëtarët e Paktit të Stabilitetit kanë mendime të ndryshme ndaj anëtarësisë së Jugosllavisë në këtë organizëm.

Pothuajse tre javë pas ardhjes në pushtet të presidentit Vojisllav Koshtunica, Jugosllavia është bërë anëtare me të drejta të plota e Paktit të Stabilitetit në Europën juglindore, një organizëm i krijuar vitin e kaluar për të sheshuar mosmarrëveshjet në Ballkan dhe për të krijuar aty një grup harmonioz rajonal.


Në një ceremoni në Bukuresht të enjten, Bodo Hombah, koordinatori i organizatës, i ka dorëzuar një çelës, i cili simbolizonte anëtarësimin e Republikës Federative të Jugosllavisë në pakt.


Një ditë më parë, Koshtunica është pranuar edhe nga fqinjët e Jugosllavisë në një takim jozyrtar në Shkup ndërmjet drejtuesve të vendeve të Europës juglindore.


Anëtarësimi i Jugosllavisë vjen pas një valë euforie për largimin e Sllobodan Millosheviqit dhe pas një sërë vizitash të diplomatëve të nivelit të lartë perëndimorë dhe zyrtarëve të lartë, gjë të cilën Beogradi nuk e kishte parë që nga koha e Josip Broz Titos.


Anëtarët e Paktit shpresojnë se ky anëtarësim do të shpejtojë aktivitetet e grupit pas një fillimi të ngadaltë, ku premtimet e trumpetuara me të madhe nga Perëndimi për mbështetje ekonomike, politike dhe në fushën e sigurimit nuk janë materializuar ende.


Pakti është krijuar në një takim të drejtuesve të Bashkimit Europian në Këln pasi bombarduesit e NATO-s kishin përfunduar sulmet e tyre ndaj Jugosllavisë vitin e kaluar. Kjo nismë u përshkrua me të madhe si "projekti më i rëndësishëm europian në vitet e ardhshme."


Drejtuesit e BE-së bënë thirrje për "nxitjen e reformave politike dhe ekonomike dhe zhvillimin e sigurisë në rajon." Ata premtuan gjithashtu "përgjegjësi të përbashkëta për rindërtimin e një Europe të pandashme, demokratike dhe paqësore."


Pesëmbëdhjetë muaj më vonë, analistët nga vendet e Ballkanit ankohen se njerëzit në rajon janë të mërzitur nga dështimi i organizmit për të sjellë ndonjë ndryshim dhe përmirësim konkret në jetën e tyre të përditshme.


Pjesa më e madhe e 35 projekteve të infrastrukturës të zgjedhura si prioritare në programin e "fillimit të përshpejtuar" në një konferencë në mars të këtij viti ende nuk ka filluar. Në atë kohë u premtuan 1.8 miliardë Euro për projektet, plus 600 milionë Euro për projekte të tjera. Kur kanë kaluar shtatë muaj, nuk ka asnjë shenjë se këto para do të jepen.


Diplomatë me eksperiencë të gjatë në Ballkan, si Karl Bild dhe Zhak Klein, kanë deklaruar se deri më tani Millosheviq kishte përmbushur më shumë projekte rindërtimi në Serbinë e vendosur nën sanksione në një vit se sa Pakti i Stabilitetit në të gjithë vendet e Ballkanit.


Në takimin e Shkupit, drejtuesit e vendeve të Europës juglindore denoncuan paktin si shumë të ngadaltë. Ata janë ankuar se Bosnje Herzegovina, ku lufta ka mbaruar pesë vjet më parë, ende është larg vendosjes së një ekonomie të shëndoshë dhe arritjes së rikthimit të personave të zhvendosur.


Por diplomatë perëndimorë të përfshirë direkt në këtë organizëm këmbëngulin se ai është i suksesshëm, duke theksuar numrin e paprecedent të takimeve në nivel drejtuesish dhe ekspertësh nga të gjitha vendet pjesëmarrëse në rajon, numrin e projekteve të miratuara dhe të filluara, që në shkallë individuale mund të duken të vegjël, por që kanë një rëndësi të madhe po të merren të gjitha bashkë.


"Unë nuk jam shumë i shqetësuar për zbatimin e projekteve të infrastrukturës me fillim të shpejtë, pjesa më e madhe e tyre janë në rrugë të mbarë," ka thënë Jan Ludin, koordinator për Paktin e Stabilitetit në ministrinë e jashtme suedeze. "Pakti është në rradhë të parë një proces politik dhe jo ekonomik." Kjo tregon edhe kuptimin e ndryshëm të paktit nga vendet e Ballkanit dhe ato perëndimore.


Ndërsa vendet e rajonit presin kryesisht mbështetje në fushën ekonomike, diplomatët perëndimorë vazhdojnë të thonë se pakti nuk ka buxhetin e tij dhe se qëllimi kryesor është të shërbejë si një pikë kyçe për takimet dhe mbledhjen e ideve të mira për t'u prezantuar tek ata që kontrollojnë fondet. Perëndimi pret që grupi të inkurajojë reformat për të krijuar një mjedis të qëndrueshëm për investime private në të ardhmen.


Ajo që theksohet veçanërisht është rëndësia e demokratizimit dhe të drejtave të njeriut, si edhe lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trainimit të ish-ushtarakëve për të marrë përsipër detyra civile.


Vëzhguesit e huaj fajësojnë për vonesat në arritjen e rezultateve të dukshme jo mungesën e fondeve, por mungesën e përgatitjes serioze të projekteve.


Përvoja e përfituar në Bosnje, ku fondet e dhuruara janë përdorur keq dhe ka patur shpërdorime, ka bërë që kreditorët e huaj dhe donatorët të ngulin këmbë në transparencën përsa i përket shpenzimeve dhe kontrollin mbi këto shpenzime përpara se të fillojnë projektet e infrastrukturës.


Ekspertët paralajmërojnë se fluksi i fondeve në një vend të caktuar nuk duhet të jetë më shumë se 3 përqind i prodhimit të përgjithshëm bruto të vendit me qëllim që të shmanget sindroma e korrupsionit.


Nga pikpamja ballkanike, duket se vendet të cilat deri pak kohë më parë kanë qenë në luftë me njëri tjetrin tani pritet të paraqesin projekte të përbashkëta të një cilësie të lartë, ndërsa Bashkimi Europian po humbet shumë kohë për koordinimin dypalësh, duke vonuar ende transferimin e fondeve të caktuara.


Hombah, i pyetur se cila është pika më e dobët e paktit, ka thënë për IWPR-në: "Burokracia. Unë u besova atyre shumë. Tani me të vërtetë që kam kuptuar se programet e BE-së kanë shumë vonesa."


Anëtarësimi i Jugosllavisë i jep një dimension të ri të gjithë paktit. Nga ana tjetër, të gjithë presin më shumë stabilitet dhe më tepër projekte, me fjalë të tjera, një përfitim të madh për të gjithë rajonin. Vendimi i marrë për pastrimin e Danubit, i cili do të sjellë si pasojë vendosjen e një lundrimi të lirë dhe një trafik të shtuar lumor nëpër këtë korridor të rëndësishëm europian, përbën edhe shembullin më të mirë të përfitimeve për të gjithë nga ndryshimet në Beograd.


Mladen Stanishiq, drejtori i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Zagreb dhe koordinator i Strategjisë për Politikën e Jashtme të Kroacisë për shekullin e 21-të, mendon se Zagrebi do të përfitojë nga anëtarësimi i Jugosllavisë në pakt: "Serbia do të ketë një detyrim për të sugjeruar projekte, ku do të përfshihen edhe vendet fqinje, gjë e cila është një mundësi e mirë për Kroacinë."


Por ka edhe nga ata që nuk janë të bindur nga kjo. Ekziston një ndjenjë frike se Serbia është bërë brenda ditës "e favorizuara e perëndimit," gjë e cila do të thotë një lënie pas dore për vendet e tjera në rajon.


Një diplomat perëndimor, i cili dëshiron të mbetet anonim, ka komentuar: "Interesi për Serbinë është i madh, ajo është një treg i madh e qendra e rajonit dhe unë e di se disa nga fqinjët do të kishin preferuar më mirë që Millosheviqi të qëndronte ende në pushtet, le të themi, edhe për një vit, kështuqë projektet e aprovuara tashmë, të cilat anashkalojnë Serbinë, të ishin përfunduar."


Detyra kryesore e Hombahut në këtë moment është të bëjë të qartë se mjetet për të ndihmuar Serbinë nuk do të ndikojnë në ato projekte të cilat tashmë janë të aprovuara për vendet e tjera të rajonit.


Në të njëjtën kohë, ende ekziston një farë hezitimi rreth mënyrës së trajtimit të autoriteteve të reja në Beograd përpara zgjidhjes së problemit të anëtarësimit të Jugosllavisë në organizatat ndërkombëtare dhe bashkëpunimit me Gjykatën e Hagës.


Megjithëse ky kujdes është i kuptueshëm, duket se nismëtarët e Paktit të Stabilitetit kanë një shans me anëtarësimin e Jugosllavisë për të përmbushur të gjitha premtimet e tyre të mëdha.


Svetlana Xhorxheviq-Lukiq është një gazetare e së përditshmes së Beogradit NIN, e cila për momentin studion në Oksford me një bursë të Fondacionit Reuters.


Support our journalists