Jugosllavëve u Ndalohen Pushimet në Bregdetin Dalmat

Jugosllavët janë gjithnjë e më të pakët në rradhët e turistëve që zgjedhin për të pushuar bregdetin dalmat.

Jugosllavëve u Ndalohen Pushimet në Bregdetin Dalmat

Jugosllavët janë gjithnjë e më të pakët në rradhët e turistëve që zgjedhin për të pushuar bregdetin dalmat.

Tuesday, 11 July, 2000

Rradhët e gjata të makinave që presin për të kaluar kufirin për në Kroaci në drejtim të bregut të Adriatikut janë një pamje e gëzueshme për vendin i cili po përballet me probleme të vështira ekonomike dhe me një borxh të jashtëm prej pothuajse 10 miliard dollarë amerikanë.


Në vitin 1990 Kroacia ka qenë në vendin e 13-të në Europë si destinacion i pëlqyer për turistët - dhe kjo nuk është arritje e vogël po të kemi parasysh përmasat e vendit - por në 1997 ajo kishte rënë në vendin e 20-të. Lufta në Kroaci dhe Bosnje, si edhe një mospëlqim për regjimin e ish-presidentit Franjo Tugjman kanë qenë arsyet kryesore të kësaj rënieje.


Pothuajse gjysma e turistëve të cilët verojnë tani në Kroaci janë nga dy vende të tjera të cilat kanë dalë nga rënia e ish-Jugosllavisë - Sllovenia dhe Bosnja. Megjithatë një grup tjetër të cilët dikur ishin të shumtë në numër nuk janë dukur ende në Kroaci. Serbët pothuajse mungojnë në Adriatikun kroat.


Kohët e fundit një emision televiziv shumë i ndjekur "Latinica", i cili ia dedikon suksesin faktit se kryesisht merret me tema dikur tabu, i ka kushtuar kësaj çështjeje një emision të tërë.


Praktikisht një regjim vizash tepër strikt e ka vështirësuar mjaft udhëtimin ndërmjet Kroacisë dhe Republikës Federale të Jugosllavisë. Kolapsi ekonomik në Serbi ka bërë që kostoja e pushimeve në Kroaci të jetë e papërballueshme për shumë njerëz. Megjithatë emisioni televiziv i ka kushtuar edhe më shumë rëndësi pengesave psikologjike, të cilat prekin jo vetëm turistët e mundshëm, por edhe pritësit e tyre.


Vetëm një pjesë e vogël e pronarëve të hoteleve apo shtëpive të intervistuar kanë thënë se do të mirëprisnin turistë nga Jugosllavia. Të tjerët kanë thënë se ata kërkojnë një falje për vuajtjet e shkaktuara gjatë luftës së vitit 1991, kur shumë qytete bregdetare u bombarduan nga ushtria jugosllave.


Mbetet e paqartë se kush pikërisht duhet t'u kërkojë të falur. A kërkojnë një falje zyrtare nga qeveria e Jugosllavisë, apo individët e thjeshtë të cilët mund të mos kenë qenë fare të përzier në luftë të kërkojnë falje me qëllim që të mund të pushojnë në bregdetin kroat?


Duket se periudha dhjetëvjeçare e indoktrinimit ka pasur sukses - shumë njerëz janë shprehur se serbët janë të gjithë fajtorë dhe kolektivisht përgjegjës për luftën dhe duhen dënuar të gjithë - edhe nëse kjo do të thotë që Adriatiku të pësojë humbje nga biznesi.


Problemi i turizmit serb në bregdet ngre edhe një çështje tjetër të pazgjidhur ndërmjet dy vendeve. Atë të shtëpive të dyta verore dhe pronave të tjera në disa qytete turistike të Adriatikut, të cilat më parë u përkisnin qytetarëve apo firmave serbe.


Shumë pak serbë kanë mundur të shesin pronat e tyre pas fillimit të luftës. Disa qindra prona u abandonuan. Pjesa më e madhe e tyre u plaçkitën dhe u shkatërruan. Në raportin e Latinicas u dhanë edhe pamje të një qendre turistike të shkatërruar, ku më parë një kompani serbe sillte me pushime punonjësit e saj.


Pronat e kompanive ndoshta mund të përfshihen në listën e problemeve të shumta që kanë dalë për ndarjen e të dy shteteve, por nuk është e qartë se si pronarët individualë të shtëpive të verimit mund të kompensohen.


Një numër njerëzish të njohur serbë janë intervistuar për programin televiziv, përfshirë këtu aktoren Neda Arneriq, ish-yllin e basketbollit Dragan Kapixhiq dhe këngëtaret Neda Ukraden dhe Lepa Brena. Të gjithë këta flisnin me ëndje dhe mall për verat që kanë kaluar në brigjet e Adriatikut dhe Arneriq ka treguar se ajo kishte pushuar në një nga ishujt kroatë edhe verën e kaluar, nuk kishte pasur asnjë problem dhe kur njerëzit e njihnin ata ishin shumë miqësorë.


Por ndërsa nga Serbia vijnë vetëm njerëz të famshëm, nga Republika Srpska ka një dyndje të madhe në brigjet e Adriatikut. Ata nuk kanë nëvojë për vizë dhe mund të shkojnë lehtësisht në çdo vend të Kroacisë me makinat e tyre.


Po ashtu, kompanitë në Dubrovnik tani ofrojnë udhëtime ditore në Mal të Zi, të cilat thuhet se janë shumë të pëlqyera nga turistët në Dalmacinë e jugut. Këto udhëtime ndërkufitare janë të mundura sepse Mali i Zi ka hequr në mënyrë të njëanshme vizat dhe disa intelektualë kroatë, si ekonomisti Branko Horvat, kërkojnë që edhe Kroacia të ndërmarrë një hap të tillë. Një vend i cili mbështetet në turizëm duhet të jetë i hapur për të gjithë, thotë ai, përfshirë edhe qytetarët e RFJ-së.


Por për momentin zëri i tij është i vetëm dhe ndërsa serbët nga Bosnja janë të mirëpritur të vizitojnë Kroacinë, atyre nga Serbia u rezervohet një pritje e ftohtë.


Dragutin Hedl është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Support our journalists