Janë nxjerrë thikat për miqtë e HDZ
Qeveria e re kroate po lufton korrupsionin si pjesë e përpjekjeve të saj për të përmirësuar gjendjen ekonomike.
Janë nxjerrë thikat për miqtë e HDZ
Qeveria e re kroate po lufton korrupsionin si pjesë e përpjekjeve të saj për të përmirësuar gjendjen ekonomike.
Vetëm pak pasi qeveria e vjetër kroate përfundoi sesionin e fundit parlamentar më 27 Janar, ministri i turizmit, Ivan Herak, është akuzuar për përvetësimin e 250,000 marka gjermane (125,000 dollarë) nga fondet shtetërore për të paguar borxhet e gruas së tij.
Por përvetësimi i fondeve nga Herak është vetëm maja e ajsbergut, ndërsa kanë filluar të shfaqen me shpejtësi histori krimesh, korrupsioni dhe përvetësimi fondesh, të kryera gjatë qeverisjes së Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ), dhe udhëheqësit të saj, Presidentit Franjo Tugjman.
Vetëm pak ditë pas arrestimit të Herak, më 3 Shkurt, është arrestuar edhe Miroslav Kutle, një nga themeluesit e HDZ dhe një bashkëpunëtor i afërt i Tugjman. Kutle akuzohet për përvetësim të një shume tepër më të madhe se ajo për të cilën Herak është vënë pas hekurave.
Qeveria e re po kërkon të nxjerrë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për korrupsionin dhe klientelizëm si pjesë e përpjekjeve për të ripërtërirë ekonominë e shkatërruar të vendit.
Shumë prej atyre që tani janë nën hetim janë pasuruar me fitimet e nxjerra nga privatizimi. Ndërmarrje industriale, fabrika, hotele, ndërmarrje të mëdha bujqësore dhe agjensi lajmesh janë blerë nga një grup i vogël njerëzish nga rradhët e HDZ.
Pronarët e rinj ose nuk kanë paguar asgjë për këto ndërmarrje ose i kanë blerë ato duke përdorur kredi të rreme. Sipërmarrësit e mëdhenj në Kroaci kanë vazhduar në këtë mënyrë për shumë kohë, duke mos paguar faturat, dukë pushuar nga puna punëtorët dhe duke akumuluar borxhe të mëdha.
Kroacia ndodhet tashmë në një gjendje të mjerueshmë ekonomike, e cila ka qenë disi e papritur edhe për qeverinë e re.
Papunësia ka arritur një shifër tepër të lartë prej 21 përqind, borxhi i jashtëm llogaritet në 9.5 miliard dollarë, ndërsa ai i brendshëm në rreth 14 miliard dollarë amerikan.
Është e qartë se e përballur me një gjendjë të tillë katastrofike, qeveria e re është e detyruar të ndërmarrë disa masa ekonomike shtrënguese. Ajo tashmë ka filluar ta bëjë këtë duke filluar nga lart.
Gjatë sesionit të parë parlamentar, pagat e ministrave janë shkurtuar me 40 përqind të nivelit të para zgjedhjeve. Edhe pagat e deputetëve janë ulur. Megjithëse këto masa nuk do të kursejnë ndonjë shumë të madhe parash, ato përforcojnë deklarimet e qeverisë se kohët kanë ndryshuar dhe se ata që janë në pushtet janë të përgatitur të ndajnë me popullin vështirësitë ekonomike që kalojnë ata.
Në fund të vitit të kaluar, paga mesatare në Kroaci ka qenë rreth 424 dollarë amerikanë. Papunësia është tepër e lartë. Edhe të rinj të shkolluar dhe të kualifikuar e kanë të vështirë të gjejnë një punë. Dhe disa mijëra njerëz që punojnë kanë disa muaj që nuk janë paguar. Për shumë njerëz emigracioni po bëhet zgjedhja e preferuar.
Ardhja në pushtet e qeverisë së re ka rritur shpresat për një përmirësim të gjendjes, por të paktën në një periudhë afat shkurtër ndoshta do të jetë e veshtirë për qeverinë të arrijë përmirësime të ndjeshme në nivelin e jetesës.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka thënë se administrata e re ndoshta nuk do të jetë në gjendjë të pakesojë taksat gjatë vitit të ardhshëm. FMN ka propozuar gjithashtu një ngrirje të pagave në sektorin publik, të shpenzimeve për policinë, forcat e armatosura, shërbimet sociale dhe rindërtimin. Këto propozime tashmë kanë shkaktuar protesta nga ana e sindikatave.
Administrata e re është e detyruar të ndërmarrë masa të ashpra dhe natyrisht jo popullore për të përmirësuar gjendjen e ekonomisë. Nxjerrja në dritë e skandaleve të reja që përfshijnë ish figura të qeverisë së kaluar dhe besnikë të HDZ si edhe dënimi i tyre mund të shtyjë pakënaqësinë e publikut, por nuk është e qartë se edhe për sa kohë mund të bëhet kjo.
Dragutin Hedl është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së nga Zagrebi.