Izetbegoviq Mund të Fuqizojë Kauzën Nacionaliste

Nacionalistët në të gjithë Bosnjen po shpresojnë se largimi i Alija Izetbegoviq nga presidenca trepalëshe do të forcojë kauzën e tyre.

Izetbegoviq Mund të Fuqizojë Kauzën Nacionaliste

Nacionalistët në të gjithë Bosnjen po shpresojnë se largimi i Alija Izetbegoviq nga presidenca trepalëshe do të forcojë kauzën e tyre.

Politika nacionaliste në Bosnje, e cila ka pësuar një goditje të rëndë nga rezultatet e dobëta të Partisë boshnjake të Veprimit Demokratik, SDA, mund të ringrihet pas largimit të afërt të Alija Izetbegoviq nga presidenca boshnjake.


Nacionalistët e republikës shpresojnë se Izetbegoviq, për një kohë të gjatë përkrahës i partive të veçantë serbe, kroate dhe myslimane, do të përqëndrohet kryesisht në rimëkëmbjen e partisë së tij përpara zgjedhjeve të përgjithshme në muajin nëntor. Izetbegoviq planifikon të largohet nga presidenca më 12 tetor. Megjithatë ai nuk ka në plan të largohet nga drejtimi i partisë së tij.


Zgjedhjet lokale në prill kanë nxjerrë në dukje humbjen e SDA-së ndaj Partisë Social Demokrate, SDP, lideri i së cilës, Zlatko Lagumxhija, i ka përshkruar rezultatet si një "këngë dallëndyshe për partitë nacionaliste."


Megjithëse partitë nacionaliste kanë ruajtur pozitat e tyre në Republika Srpska, RS, dhe në zonat e dominuara nga kroatët, partitë e moderuara kanë arritur disa fitore edhe në këto zona.


Drejtuesit politikë në RS presin që Izetbegoviq të përdorë influencën e tij të konsiderueshme politike për të përzgjedhur një pasues dhe për të siguruar fitoren e pasuesit të tij në zgjedhjet e ardhshme. Ka dy kandidatë kryesorë që mund të pasojnë Izetbegoviqin - ish-ministri i jashtëm Haris Silajxhiq dhe kryeministri federal Edhem Biçakçiq.


Drejtuesit e RS-së frikësohen se koncepti i politikës me bazë nacionaliste në pjesën boshnjake të vendit mund të vdesë së bashku me Izetbegoviqin e sëmurë.


Bashkëpunimi ndërmjet blloqeve të ndryshme nacionaliste në Bosnje nuk është një gjë e re. Së fundi, pas një kundërshtimi të madh të komunitetit ndërkombëtar, politikanët nacionalistë nga RS, SDA dhe HDZ e kroatëve të Bosnjes u bashkuan për të arritur zgjedhjen e profesorit serb të panjohur të ekonomisë Spasoje Tusevljak në Këshillin e Ministrave të Bosnjes.


Në vitin 1990 nacionalistët serbë, kroatë dhe boshnjakë kanë bashkëpunuar ngushtë për të rrëzuar qeverinë komuniste. Në zgjedhjet për presidencën boshnjake, Izetbegoviq, Radovan Karaxhiq dhe Stjepan Kjlujiq u kanë bërë thirrje përkrahësve të tyre të votonin më mirë për kandidatët nacionalistë nga grupet e tjera etnike se sa për të moderuarit.


Në kulmin e luftës mendohet se drejtuesi i lartë serb i Bosnjes Momçillo Krajishnik është takuar me Izetbegoviqin në Sarajevë. Krajishnik ka thënë se atij do t'i vinte keq për largimin e kolegut të tij boshnjak nga skena politike, sepse e konsideronte atë si një "armik të domosdoshëm". Në vitin 1996 Izetbegoviq, nga ana e tij, ka kundërshtuar komunitetin ndërkombëtar kur u pezullua kandidatura e Krajishnik për në presidencën tripalëshe.


Komuniteti ndërkombëtar po këmbëngul për dhënien fund të politikës nacionaliste në Bosnje. Vazhdimi i kësaj ideje përbën një kërcënim konkret për unitetin afatgjatë të vendit.


Lagumxhija është në favor të qeverisë multietnike në Bosnje. Suksesi i tij në zgjedhjet bashkiake tregon se ai mund të arrijë një fitore ndaj të emëruarit të Izetbegoviqit për vendin boshnjak në presidencën tripalëshe. Një goditje e tillë do të konsiderohej si një goditje për të gjithë politikanët nacionalistë në Bosnje.


Zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit do të përcaktojnë nëse në katër vitet e ardhshme Bosnja do të mbetet e ndarë ndërmjet boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve, apo nëse vizioni i komunitetit ndërkombëtar dhe Lagumxhisë për një qeveri multietnike të bashkuar mund të mbizotërojë.


Zheljko Cvijanoviq është gazetar i pavarur nga Republika Srpska.


Frontline Updates
Support local journalists