Interpretimi i të çmendurit në hijen e luftës

Filmi kosovar vë në dukje disa të vërteta të çuditshme mbi natyrën e një shoqërie të pas luftës.

Interpretimi i të çmendurit në hijen e luftës

Filmi kosovar vë në dukje disa të vërteta të çuditshme mbi natyrën e një shoqërie të pas luftës.

Tuesday, 4 October, 2005

Frika nga bomba e cila ndaloi premierën e “Kukumit”, filmit të parë kosovar në produkcion të Kosovafilmit në 17 vitet e fundit, ilustroi se si festimet që moti të pritura në territorin e shkëputur mund shkojnë për së keqi.


Bomba ishte vendosur nën një veturë në parkingun e ministrisë së kulturës, duke shtyrë policinë të evakuojë kinemanë fqinje ABC, ku premiera e filmit ishte organizuar me 30 shtator.


Vetë filmi shtron pyetjen e rëndë nëse paqartësitë rreth një statusi stabil politik së bashku me mungesën e sundimit të ligjit po rrezikojnë liritë personale.


“Kukumi” është një tregim i tre të çmendurve – Mara, Hasani dhe Kukumi – të cilët arrijnë të ikin nga qendra psikiatrike gjatë kaosit të qershorit 1999, kur forcat serbe u tërhoqën nga Kosova derisa paqeruajtësit e NATO-s po merrnin kontrollin mbi Kosovë.


Filmi fitoi çmimin special në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë, si dhe çmimin Regione del Veneto në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venedik.


Filmi tregon udhëtimin e tri karaktereve në një prapavijë të kthimit të refugjatëve, euforisë së pasluftës dhe zhdukjes së ligjit dhe rendit ku vjedhësit, plaçkitësit dhe dhunuesit lulëzojnë.


Nuk është për t’u çuditur nga pikëvështrimi i të çmendurve, se bota jashtë qendrës psikiatrike duket shumë më e çmendur se sa jeta brenda institucionit të vjetër të tyre – dhe pos kësaj shumë më i pasigurt.


“Kukumi” përshkruan Kosovën si një vend i kodrave idilike, pyjeve të bukura, qiellit ngjyrë vjollce dhe vilave të bukura prej druri të banuara nga fshatarë të vrazhdë dhe të prapambetur.


Vetë fshatarët kanë një karakter të posaçëm të cilët rrezikojnë të shtypin çdo shenjë të individualitetit dhe sjelljes jashtë kornizave të caktuara shoqërore.


Burrat e vjetër të fshatit shqiptar me plisa në kokë duken më shumë si një bandë mafiozësh, të cilët kanë më shumë dëshirë të gjejnë dikë për të torturuar në vend të luajtjes së rolit të tyre më tradicional si shtyllë e komunitetit lokal.


Regjisori 56 vjeçar i Kukumit, Isa Qosja, dhe bashkëskenaristi i tij mehmet Kraja, kanë krijuar një film jashtëzakonisht të guximshëm, i cili sfidon vetë thelbin e lirisë dhe çlirimit në një kohë kur shumica e kosovarëve ka gjasë të kenë pritur që filmi i tyre i parë të prezantoi vuajtjet e tyre nën forcat serbe.


Në vend të fokusit në detalet etnike, ky film përqendrohet më shumë në shtruarjen e pyetjeve të vështira se çka ndodh me qeniet njerëzore kur anarkia sundon.


Në film meshkujt dhunojnë gratë e vëllezërve, duke menduar se ata mund të shpëtojnë pa u zbuluar, pasi askush nuk është duke shikuar.


Në një skenë tjetër, një rrugaç i fshatit vendos një pikë kontrolli dhe rrëmben të holla nga refugjatët, duke kërkuar kesh për çdo traktor i cili kalon pikën kontrolluese.


Filmi nuk ka të bëjë thjeshtë vetëm me Kosovën e pasluftës, por duket të jetë një interpretim i saktë se si kur ushqimi, strehimi dhe ligji dhe rendi zhduken, shumë njerëz do të shfrytëzojnë situatën ta ndjekin fqinjin që kurrë s’e kanë pëlqyer, të grabisin, plaçkitin apo t’i shpëtojnë dënimit për vrasje.


Për shumë kosovarë, plaçkitjet dhe brutaliteti që pasuan pas uraganit Katrina në Nju Orleans ishte kujtesë e kaosit i cili kaploi vendin pas përfundimit të fushatës ajrore të NATO-s.


Por nëse bandat janë traditë në Shtetet e Bashkuara, brutaliteti i shfaqur në Kosovën e pasluftës buron nga ligje më të vjetra patriarkale, të cilat janë shfrytëzuar si justifikim për të plaçkitur pronën nga të pafuqishmit dhe mohuar kujdesin për më të varfrit.


Dhuna me të cilën ballafaqohen Hasani, Mara dhe Kukumi gjatë filmit është e imagjinuar, por gjatë kësaj periudhe kishte mjaft përvoja të vërteta nga njerëzit në realitet të cilët u rrezikuan nga vakumi ligjor i pasluftës dhe kthimi i traditave arkaike dhe të prapambetura.


Shyrete Berisha është një nga të mbijetuarat e masakrës së Suharekës ku 57 anëtarë të familjes Berisha u masakruan nga forcat serbe gjatë marsit 1999.


Katër fëmijët e Shyretes dhe burri i saj ishin ndër të vrarët dhe ajo vet është plagosur dhe copëza të plumbave ende gjinden në trupin e saj.


Por burimi i brengave të saj buron nga traditat të cilat u shfrytëzuan nga kunati i saj në Kosovën e pas-luftës, Xhelal Berisha, si justifikim për të grabitur shtëpinë e saj, derisa ajo ishte refugjate.


Xhelali mori shtëpinë me arsyetimin se ajo kishte qenë e babait të tij para se të ishte pronë e vëllait të vdekur dhe sipas traditës shqiptare prona i jepet meshkujve e jo gruas.


Për Shyreten ishte e pamundur të jetohet në këtë pronë dhe kjo tregon një situatë të ngjashme me Hasanin dhe Marën në Kukumi.


Realiteti gjithashtu pasqyrohet në film në fshatin Krusha e Vogël, ku 114 meshkuj ishin masakruar gjatë vitit 1999. Atje, një fëmijë dhjetë vjeçar mbetet pa prindër, pasi babai është vrarë dhe derisa nëna martohet sërish, familja e burrit, sipas traditës, nuk pranon të rrisë fëmijë të një burri tjetër.


Kukumi gjithashtu përqesh institucionet e Kosovës të cilat kanë dështuar të korrigjojnë padrejtësitë e tilla.


Është posaçërisht freskuese skena ku karakteri kryesor i filmit përqesh fjalimet stereotipike të politikanëve mbi “popullin inteligjent të Kosovës”, derisa kamera fokusohet në një grumbull të meshkujve të ngathët dhe injorant, duke duartrokitur përkundër faktit se ata nuk kuptojnë fjalët e politikanit.


Reagimi i Kukumit, i cili interpretohet në mënyrë brilante nga Luan Jaha, është të zbulojë organet gjenitale m’u në momentin kur politikani fillon fjalimin mbi lirinë dhe mëmëdheun.


Gjithashtu me rëndësi, filmi vë në dyshim rëndësinë e paqeruajtësve të NATO-s në Kosovën e sotme.


Në fillim, prezenca e trupave sjell dobi, por në fund ata pasqyrohen si forca më të prira për të shkaktuar aksidente fatale se sa arritjes së ndonjë qëllimi të dobishëm.


Megjithatë, ajo çka do të bëjë të vështirë që ky film të gjejë komunikim me një publik të gjerë është mungesa e ndonjë rrëfimi më të kapshëm që përjetojnë personazhet kryesore. Duke marrë parasysh që të tri karakteret kryesore janë paraprakisht në institucion për të çmendur, nuk e kanë të qartë çka duan nga jeta ose edhe nëse e kanë nuk kërkojnë shumë, kërkon përpjekje të madhe që publiku të identifikohet me ta. Në fakt, momentet që mbeten në kujtesë pas disa dite, të gjitha kanë të bëjnë shumë më shumë me karakteret dytësore dhe komunikimin e të tre personazheve kryesorëve me “njerëz normal”, si psh skenat e akturara në mënyrë precize me Yllka Gashin e Shkumbin Istrefin që e portretojnë familjen e grumbulluar rreth sofrës që do të bëjnë çmos për të rezistuar kthimin e Hasanit në shtëpinë e vet.


Ka momente të gjata në film që dramatikisht nuk ndodh asgjë, por që figurativisht jemi të hipnotizuar me një fotografi mahnitëse, ku personazhet enden nga disa lokacione të kodrave, përroskave e stacioneve të trenit që kurrë më parë nuk i kemi parë me sy të tillë, edhe pse mund të jenë përskaj rrugëve kryesore në Kosovë. Pa dyshim që kjo ka një lloj efekti të vet; Kosova për një kohë të gjatë nuk është fotografuar të duket kështu e bukur si në “Kukumi”, ku nuk ka asnjë shenjë të ndotjes, bërllokut, e makinave të shumta që janë realitet i një peizazhi kosovar të përditshëm. Por, filmi do të kishte përfituar më shumë prej një skenari më i pasur me ngjarje e sfida për personazhet kryesore, me ç’rast edhe aktorët do të kishin më shumë material për të aktruar se sa pozat e pafjala të njerëzve kushtimisht “të çmendur”, të cilat shpesh mund të jenë material i mirë për roman, por jo nëse zgjaten shumë në film. Për shumicën do të jetë më e rëndësishme se çka ndodh në film se sa si duket ajo pak që ndodh.


Buxheti i limituar për Kukumin vërehet në skenat me turmë, të cilat nuk janë shumë bindëse për shkak të numrit të vogël të aktorëve në to dhe një aktrimi shkel-e-shko që nuk arrin të fshihet në ekran të madh.


Mirëpo, ajo çka vlen të theksohet për të mirë është tri gjëra që më në fund kanë arritur të largohen nga një kinematografi modeste të përparshme e Kosovës. Është ngushëlluese të shohim që paskemi aktorë që dinë të luajnë me gjeste që i përkojnë filmit më shumë se teatrit apo serialeve televizive. Donat Qosja, Anita Ismajli e Luan Jaha janë një gjeneratë që edhe pse s’ka shumë përvojë me kamera filmike s’ka problem të eliminojë qasjen teatrale e televizive dhe të adaptojë atë për shirit filmik. Kjo është për çdo lëvdatë. E dyta, gjuha e përdorur në film është ajo e shtëpive tona – jo gjuha letrare që e lexojmë apo që e dëgjojmë në lajme qendrore, por ajo që e flasim në shtëpi me gjithë vrazhdësinë e nuancat e të sharave tipike. Dhe e treta, qasja tematike ka mundur ta bëjë këtë film të duket patetik, si shumë vepra të tjera artistike kosovare, por nuk është. Ishte lehtësim të shohësh që pyetjet e vështira për shoqërinë tonë janë munduar të shtrohen në mënyrë më diskrete dhe artistikisht më ambicioze. Në fund të filmit, shikuesi mbetet me ndjenjën se jeta e personazheve në qendrën psikiatrike ishte më e mirë se sa ballafaqimit me pasiguri të realitetit në Kosovën e pasluftës.


Në premierë, kjo ndjenjë u theksua edhe tek publiku i cili u detyrua të lëshojë kinemanë 20 minuta para përfundimit për shkak të kërcënimit të bombës, kështu duke përforcuar pasigurinë e vazhdueshme, e cila mbretëron në realitetin e përditshëm kosovar.


Edhe pse janë bërë mjaft tentime për të shndërruar premierën e filmit të parë kosovar në një ngjarje më joshëse dhe magjepse, realiteti intervenoi për të bërë përfundimin më pak tërheqës.


Mikrofonat e përdorur për prezantimin e filmit dhe fjalime nuk punuan; shfaqja e filmit filloi me një vijë të zezë në mes të ekranit dhe mungesa e planifikimit të ulëseve bëri që shumë në audiencë të qëndronin në këmbë.


Përfundimi i filmit me kërcënim bombe vetëm sa e shtoi ndjenjën e një vendi jofunksional mbi të cilin ende varet një rrezik mbi kokë, që kurrë nuk dihet a do të shpërthejë apo dikush do arrijë pa hiri ta ndal.


Jeta Xharra është drejtoreshë e Rrjetit Ballkank për Gazetari Hulumtuese, BIRN në Kosovë.


Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists