Inçizimet Kryqëzojnë Miqtë e Tugjmanit

Inçizimet e bisedave telefonike, të zbuluara së fundi, ndërmjet Franjo Tugjmanit dhe miqve të tij të ngushtë kanë nxjerrë në dritë një sërë skandalesh korrupsioni në qendër të ish-qeverisë kroate.

Inçizimet Kryqëzojnë Miqtë e Tugjmanit

Inçizimet e bisedave telefonike, të zbuluara së fundi, ndërmjet Franjo Tugjmanit dhe miqve të tij të ngushtë kanë nxjerrë në dritë një sërë skandalesh korrupsioni në qendër të ish-qeverisë kroate.

IWPR

Institute for War & Peace Reporting
Sunday, 9 April, 2000

Të dhëna të reja për aktivitetet e korruptuara të ish-qeverisë së Bashkimit Demokratik Kroat, HDZ, po dalin në dritë nga regjistrimet e zbuluara së fundi të bisedimeve ndërmjet presidentit të vdekur Franjo Tugjman dhe bashkëpunëtorëve të tij politikë.


Rreth 830 shirita të regjistruara, zbardhje të bisedave dhe të korrespondencës thuhet të jenë gjetur në zyrën e ish-presidentit.


Tugjman ka filluar praktikën e regjistrimit të bisedave konfidenciale në dimrin e vitit 1991. Si historian dhe njeri i obsesionuar me rolin e tij në krijimin e shtetit të ri kroat, ai mendonte se bisedat e tij do të shërbenin si një kontribut i madh për shkrimin e historisë së vendit.


Por, në fakt, këto regjistrime kanë treguar për skandale të tipit "Uotergeit" në zemër të institucionit politik kroat. Por në ndryshim nga ish-presidenti i atëhershëm amerikan Riçard Nikson, i cili pagoi për regjistrimet sekrete me postin e tij, çmimi i regjistrimeve të Tugjmanit po paguhet nga ish-bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.


Një nga bisedat e zbardhura të botuara ka treguar detaje të privatizimit të një nga gazetave më të mëdha në Kroaci, Veçernji List. Nga një bisedë ndërmjet Tugjmanit dhe Ivic Pasaliq, zëvendës-presidentit të parlamentit kroat dhe anëtar i HDZ-së, del se partia e cila ishte atëherë në pushtet kishte marrë në dorë ilegalisht kontrollin e gazetës.


Blerësi i titullit, Caritus Fund me qendër në Ishujt Virgjin, ishte krijuar nga HDZ me fonde nga disa banka kroate.


Pasaliq i ka thënë Tugjmanit: "Kam krijuar një tymnajë të madhe rreth kësaj çështjeje, sepse nuk duhet ta lëmë të duket as edhe nga një avion, që kjo [privatizimi i Vecernji List] ka të bëjë me ne."


Tugjman përgjigjet: "Shumë mirë. Është në interesin tonë ta kemi atë [gazetën] nën kontroll." Pasaliq ka shtuar, me një farë cinizmi, "për të kënaqur ata jashtë do të krijojmë edhe iluzionin e demokratizimit, privatizimit e kështu me rradhë."


Pasaliq kishte deklaruar fillimisht se biseda rreth Veçernji List nuk kishte ndodhur kurrë. Më pas ai ndryshoi mendim duke argumentuar se shiritat ishin dokumenta private që i përkisnin Tugjmanit. Biseda e zbardhur është botuar më pas në numrin e ditës së Pashkëve tek gazeta Jutarnji List. Skandali mund të çonte në hapjen e një çështjeje penale ndaj Pasaliq, i cili për momentin gëzon imunitet si anëtar i parlamentit.


Regjistrime të tjera implikojnë ministrin e financave të Tugjmanit, Borislav Skegro. Në një bisedë të regjistruar ndërmjet presidentit kroat dhe Skegro vetëm pak javë para vdekjes së Tugjmanit, Skegro ka diskutuar shitjen e kompanisë së telekomunikacionit Telekomit Gjerman për shumën prej 850 milion dollarë. Ai është mburrur se kishte transferuar 100 milion dollarë nga kjo shitje në një bankë irlandeze. HDZ-ja, ka thënë ai, mund t'i përdorë këto para në prag të zgjedhjeve parlamentare të muajit janar. Ditët e fundit Skegro ka deklaruar se fondet nuk janë prekur dhe i janë kthyer shtetit.


Mesiq deklaron se nga 830 shiritat e gjetur, 50 prej tyre japin prova për veprimtarinë e jashtëligjshme të autoriteteve parardhëse kroate, të kryera natyrisht me dijeninë e Tugjmanit. Ndërsa një pjesë e përmbajtjes së tyre është bërë publike, Mesiq duket se ka në plan që të paktën për momentin mos t'i bëjë publike këto inçizime.


Në zyrën presidenciale zyrtarët janë të zënë me kontrollin e shiritave duke ndarë ato që përmbajnë aktivitete të jashtëligjshme nga ato që dokumentojnë punën e zakonshme politike. Të parat do t'i dorëzohen policisë, të tjerat do të ruhen në arkivat presidenciale. Është e vështirë të thuhet se çfarë do të tregojnë shiritat.


Që prej fitores së tyre në zgjedhjet e këtij viti, kryeministri Ivica Raçan dhe koalicioni i tij qeveritar nuk kanë treguar shumë entusiazëm për t'u marrë me korrupsionin e paraardhësve të tyre. Deri më tani vetëm ish-ministri i turizmit Ivan Herak dhe një grup i vogël njerëzish të rëndësishëm, përfshirë Miroslav Kutle, Antun Novaliq dhe Zheljko Miletiq janë vënë në pranga.


Fakti që vetë kreu i ish-qeverisë është i implikuar në korrupsion do të krijojë një situatë interesante. Pjesa më e madhe e ish-anëtarëve të qeverisë së kaluar janë tani anëtarë të parlamentit. Në mënyrë që të nisin hetimet ndaj tyre parlamenti së pari duhet të anullojë imunitetin, një procedurë kjo që mund të kërkojë njëfarë kohe.


Drago Hedl është korrespondent i Feral Tribune me qendër në Split dhe bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Croatia
Frontline Updates
Support local journalists