Iliesku Shfrytëzon Valën e Nostalgjisë Komuniste

Ish-presidenti i Rumanisë Ion Iliesku mund të rihypë në pushtet pas një vale nostalgjie për periudhën e komunizmit.

Iliesku Shfrytëzon Valën e Nostalgjisë Komuniste

Ish-presidenti i Rumanisë Ion Iliesku mund të rihypë në pushtet pas një vale nostalgjie për periudhën e komunizmit.

Monday, 21 February, 2005

Nëse anketimet e kohëve të fundit të opinionit publik përbëjnë një tregues, votuesit rumunë duan të kthejnë prapa orën.


Problemet e vazhdueshme ekonomike dhe sociale të vendit, së bashku me zhgënjimin dhe apatinë ndaj reformave të qeverisë së qendrës, po bëjnë që shumë njerëz të kujtojnë me ëndje sigurinë dhe rehatinë e periudhës komuniste.


Nostalgjia e elektoratit për të kaluarën reflektohet në përkrahjen në rritje për ish-politikanët e periudhës komuniste, të cilët marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të 26 nëntorit. Ion Iliesku, presidenti i parë i vendit pas revolucionit dhe ish-komunist, për momentin fiton, sipas anketimeve, rreth 47 përqind të votave. Kundërshtari i tij kryesor në garën presidenciale, kryeministri Mugur Isaresku, duhet të fitojë vetëm 15 përqind.


Po ashtu Partia Social Demokrate e Ilieskut në opozitë, PDSR, duket se do të marrë rreth 52 përqind të votave për zgjedhjet parlamentare. Partitë e koalicionit të tanishëm qeveritar - liberalët, demokratët dhe aleanca e drejtuar nga social-demokratët duket se së bashku do të marrin vetëm 27 përqind.


Zgjedhjet e nëntorit do të zhvillohen në një periudhë varfërie të madhe dhe pasigurie ekonomike. Koalicioni katërvjeçar i qendrës së djathtë ka shkaktuar një kolaps ekonomik katastrofik.


Infrastruktura e Rumanisë ka shkuar drejt shkatërrimit, ndërsa shpresat për investime të huaja nuk janë materializuar. Mes kësaj katastrofe, partnerët në qeveri janë marrë kryesisht me mosmarrëveshjet ndërmjet tyre.


Shifrat më të fundit zyrtare tregojnë se rreth 40 përqind e rumunëve jetojnë tani nën nivelin e jetesës duke fituar nën 30 dollarë amerikan në muaj.


"Katër vjetë shtrëngime ekonomike dhe shtim të pabarazisë në shpërndarjen e të ardhurave janë faktorët kryesorë të rritjes së frikshme të varfërisë," thotë sociologia Alina Mungiu, presidente e organizatës jo qeveritare, Shoqata Akademike Rumune, SAR. "Në këto kushte nuk është për t'u habitur që njerëzit kanë nostalgji për kohën e komunizmit."


Një anketim i kryer kohët e fundit nga SAR-i tregon se mbi 80 përqind e rumunëve mendojnë se ekonomia ka qenë më mirë në periudhën e komunizmit. Vetëm 23 përqind e të anketuarve mendojnë se sot janë më mirë.


Edhe drejtuesit politikë nga koalicioni qeveritar janë pesimistë rreth së ardhmes së vendit. Më 24 tetor Isaresku tha se vendi nuk do të jetë i gatshëm të anëtarësohet në Bashkimin Europian, BE, përpara vitit 2007 dhe se për të arritur këtë synim duhet ende shumë punë.


Deklaratat e Isareskut janë bërë në përgjigje të një deklarate nga Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Gunter Verhojgen, i cili ka thënë se Rumania dhe Bullgaria nuk do të mund të përmbushin standartet ekonomike deri në vitin 2005 - shumë vite më pas vendeve të tjera ish-komuniste si Polonia, Republika Çeke dhe Hungaria.


Pranimi se anëtarësimi në BE mund të zgjasë edhe për shumë vjetë ka shkaktuar shqetësim tek disa vëzhgues vendas se Rumania mund të kthejë sytë nga lindja përsëri drejt ish-aleatit të saj të dikurshëm, Rusisë.


Ministri i jashtëm rus Igor Ivanov vizitoi Bukureshtin në tetor për të diskutuar marrëdhëniet diplomatike dhe ekonomike, veçanërisht në sektorët e transportit dhe energjisë.


Ekspertët e të dyja vendeve pritet të fillojnë shpejt bisedime për një traktat dypalësh. Por ende mbeten për t'u zgjidhur edhe dy çështje të ngatërruara. Problemi më i madh është këmbëngulja e Rumanisë se teksti duhet të përfshijë edhe pushtimin e territorit rumun nga Moska, të territorit të tanishëm të Republikës së Moldavisë, në kuadër të paktit të nazistëve me sovjetikët të vitit 1939. Bukureshti gjithashtu deklaron se Moska ende mban në ruajtje një sasi ari dhe thesare kombëtare rumune të dërguara në Rusi gjatë Luftës së Parë Botërore.


Gazetari Vladimir Alekse nga e përditshmja Romania Libera mendon se zgjedhjet e nëntorit duhet të sjellin një ndryshim në politikën e jashtme të vendit "duke pasur parasysh Ion Ilieskun e të kaluarën e tij dhe të partisë së tij," një referencë për lidhjet e ngushta të mbajtura me Moskën nga ish-presidenti gjatë kohës së drejtimit të tij.


Iliesku hedh poshtë zërat se ka pasur lidhje të fshehta me Moskën dhe një linjë të drejtpërdrejtë me Kremlinin. Ai gjithashtu përgënjeshtron zërat se ka thyer embargon e naftës të vendosur ndaj Jugosllavisë nga Kombet e Bashkuara në vitin 1992. (Shih BCR Nr.156.)


Gjatë gjithë fushatës elektorale 70-vjeçari Iliesku dhe PDSR-ja kanë theksuar se mbështesin anëtarësimin e ardhshëm në BE dhe përpjekjet e vazhdueshme për afrimin e Rumanisë me aleancën ushtarake të NATO-s.


Por Iliesku ka bërë thirrje të krijohet një "klimë solidariteti dhe pune" në vendin e varfëruar dhe ka ngulur këmbë se "elementet pozitive" të së kaluarës duhet të ruhen. Gjatë mandatit të tij si president Iliesku është kritikuar se nuk ka zhvilluar demokracinë dhe se nuk ka bërë përpjekje për të reformuar ekonominë e kontrolluar nga shteti në Rumani.


Marian Kiriak është redaktor i lajmeve në Agjencinë e Lajmeve MediaFax në Bukuresht dhe redaktor i Politika e Jashtme, një revistë tremujore e botuar nga Shoqata Akademike Rumune.


Frontline Updates
Support local journalists