Hulumtim: Serbi: Më Shumë Zbulime Rreth Djegjes së Trupave Në Mackaticë
Dëshmitarë okularë të ri po ndihmojnë zgjidhjen e një krimi që ende pret të dalë para drejtësisë.
Hulumtim: Serbi: Më Shumë Zbulime Rreth Djegjes së Trupave Në Mackaticë
Dëshmitarë okularë të ri po ndihmojnë zgjidhjen e një krimi që ende pret të dalë para drejtësisë.
Dëshmi të dëshmitarëve okularë që i ka siguruar IWPR përmbajnë evidencë të re dramatike se si policia që ka punuar për Slobodan Milosheviçin kanë djegur kamionë të mbushur me trupa të pajetë të shqiptarëve në një fabrikë në Serbinë jugore gjatë konfliktit të vitit 1999.
Burime të IWPR-së kanë paraqitur dëshmi të reja për kronologjinë e krimit, si ka ndodhur dhe rolin kyç që ka luajtur policia si në procesin e djegjes së trupave ashtu edhe gjatë mbulimit të gjurmëve.
Dëshmitë e tyre do të ngrisin presionin mbi gjykatat që të zgjidhin sa më shpejtë misterin rreth asaj se kush ishin këta njerëz dhe kush e urdhëroi djegjen e tyre.
Natasha Kandiç, drejtoreshë e Qendrës për Ligjin Humanitar, HCL, për herë të parë zbuloi fshehtësitë e tmerrshme të kompleksit të aluminit në Mackaticë, afër Surdulicës, në distriktin e Pcinjit në Serbinë jugore, dhjetorin e kaluar.
Në një artikull në të përditshmën Danas më 24 dhjetor 2004, ajo tha se furrat e larta të fabrikës ishin përdorur për të djegur trupat e shqiptarëve të vrarë në Kosovë me 16 dhe 24 maj 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s.
Një burim i IWPR-së – punëtor i fabrikës – tha se e tërë afera filloi me arritjen e papritur të disa kamionëve të panjohur gjatë natës.
“Kamionë me ngarkesa misterioze vazhdonin të hynin në fabrikë me drita të shuara. Punëtorët e ndërrimit të tretë – si unë vetë – u dërguan në shtëpi para hyrjes në fabrikë,” tha burimi.
Burimi i IWPR-së konfirmoi se kishte parë arritjen e trupave në dy raste të ndryshme, “në mes dhe në fund të majit”, 1999.
“Askush nuk na tregoi se çfarë transportohej dhe asnjëri nga punëtorët nuk kishte çasje aty [ në vendin e djegjes],” tha ai për IWPR-në. “Por njoh shumë njerëz që kanë marrë pjesë, dhe një pjesë e kam parë vetë.
“Pjesëmarrës të drejtpërdrejtë ma kanë konfirmuar atë çka kam parë. Trupat janë sjellur në fabrikë dhe janë djegur aty. Unë nuk jam i vetmi që ka parë këtë.
“Nuk isha prezent në vetë aktin e djegjes së trupave, por kam mundur të shoh kamionët duke u shkarkuar.”
Një burim tjetër i IWPR-së, statusin dhe profesionin e të cilit s’mund ta zbulojmë, e konfirmoi verzionin e punëtorit, duke thënë se edhe ai poashtu kishte qenë dëshmitar gjatë shkarkimit të trupave. Ky burim shtoi se trupat ishin transportuar nga Kosova perëndimore, kryesisht nga Prizreni, Gjakova dhe Peja, dhe fshatrat përreth.
“Kur kamionët shkonin [pas djegjes] të ashtuquajturit “pastrues” rrinin dhe kontrollonin se mos kishte mbetur ndonjë pjesë e trupit ose mos kishte rënë ndonjë pronë personale e tyre në hyrje të fabrikës,” tha ai.
“Edhe pas sa ditëve, ende mund të ndihej era e mishit të djegur në Surdulicë. E njoh këtë erë sepse edhe unë kam marrë pjesë në fronte të luftës në ish-Jugosllavi.”
Ky burim tha se Mackatica ishte zgjedhur si vend krimi sepse ishte afër Kosovës, vetëm 170 kilometra larg Prizrenit, dhe relativisht e panjohur – pak njerëz jashtë fabrikës e dinin që fabrika kishte furra të larta.
Artikulli i Kandiçit në Danas thotë se të dy djegjet kanë ndodhur diku rreth mesnatës nën sigurim të rreptë nga Njësiti i Operimve Speciale të Policisë, JSO, atëherë me bazë në Bele Vode, afër Vranjës, në Serbinë jugore.
Në artikull thuhet se komandanti i atëhershëm i JSO-së, Milorad “Legija” Ulemek, tani i dyshuari kryesor për vrasjen e kryeministrit serb Zoran Gjingjiç në 2003, kishte përcjellur njërin konvoj të trupave në vendin e ngjarjes dhe kishte qenë prezent gjatë djegjes së tyre në “furrat numër katër dhe pesë”.
Sipas HCL-së, zyrtarë të lartë të policisë – disa prej të cilëve ende mbajnë postet – kanë organizuar djegjet, derisa zyrtarë tjerë të besueshëm të Milosheviqit kanë organizuar “pastrimin pasues të terrenit”.
INFORMATA TË REJA RRETH ROLIT TË POLICISË SË MILLOSHEVIQIT NË KRIM
Një burim i tretë i IWPR-së, ish-inspektor në policinë sekrete të Millosheviqit, ishte aktiv në kohën e ngjarjeve në Mackaticë, dhe ka siguruar IWPR-në se policia ka “informata precize dhe të sistematizuara” se si janë djegur trupat në Mackaticë.
“Ka të dhëna të qarta për këtë çështje në arkivat e polcisë lokale, të shënuara si “rreptësisht konfidenciale”, tha burimi, duke iu referuar dy djegjeve.
“Njerëzit që morrën pjesë në këtë aksion kanë qëndruar në Hotelin Theranda në Prizren. Një punë e tillë ishtë pregatitur për një kohë të gjatë dhe nuk mund të kryhej brenda një apo dy dite.
“Policia lokale publike dhe sekrete i dijnë të gjitha por kjo po fshihet për arsye se zyrtarë të tanishëm të policisë dhe ish-zyrtarë e agjentë të zakonshëm ishin të përfshirë.
“Çdo gjë është e përfshirë në dokumentacionin e policisë – nga emri i kodit të aksionit deri te lista e njerëzve që kanë qëndruar në Hotel Theranda dhe kanë punuar në ‘sanitimin e terrenit’, deri te ata që kanë ngarkuar kamionët dhe i kanë vozitur deri te fabrika e Mackaticës, ky Legija dhe ekipi tij pastaj e kanë marrë punën në dorë.”
“Gjithashtu dihet saktësisht se kush i ka vozitur dhe përcjellur kamionët, kush ka qenë përgjegjës për mbulimin e aksionit në fabrikë dhe kush drejtpërdrejtë është marrur me furrat gjatë djegjes.”
“Emrat e atyre që më vonë kishin për detyrë të zhdukin gjurmët në fabrikë dhe atyre që kishin për detyrë ta fshihnin të vërtetën nga policia lokale poashtu dihen. Në fund, është edhe një listë me emra të politikanëve që kanë qenë në dijeni të krejt kësaj, derisa aksioni planifikohej.”
Ish-polici thotë se i din shumicën e këtyre emrave por frikohet t’i zbulojë publikisht ato.
Së bashku me gjithë ata që kishin njohuri direkte për këto djegje, ai kishte pasur presione të fuqishme që të mos fliste.
“Të gjithë ata të cilët në një mënyrë apo tjetër janë të lidhur me ngjarjet në Mackaticë në maj të vitit 1999, janë të ekspozuar ndaj kërcënimeve, presioneve dhe shantazheve,” tha ai.
“Frikohem për sigurinë time dhe të familjes time,” tha ai. “Pjesëmarrësit në krimin e Mackaticës do ta dinin që unë kam zbuluar sekretet, që ata po mundohen aq shumë t’i fshehin.”
Burimi i parë i IWPR-së, punëtori i fabrikës në Mackaticë, thotë se disa dëshmitarë tjerë që kanë parë kamionat me kufoma duke hyrë në fabrikë ende jetojnë në Serbi.
“Njerëz tjerë e dijnë çfarë ka ndodhur, edhepse çdo gjë është bërë që operacioni të kryhet me fshehtësi të madhe,” tha ai.
Të gjithë kanë qenë të kërcënuar dhe të shantazhuar, shtoi ai, për të ndaluar shpalosjen e ngjarjes edhe më tej. Megjithatë, ky burim thotë se është i gatshëm të dëshmojë publikisht.
IWPR gjithashtu ka folur edhe me një burim të katërt të drejtpërdrejtë të ngjarjeve në Mackatice. Ky burim nuk deshi të zbuloj as vendndodhjen dhe as profesionin e tij por insistoi që ka qenë prezent në të dyja djegjet ne maj të vitit 1999.
“Çdo gjë është kryer pas mesnatës, por më kujtohet që qielli ka qenë i kthjellët dhe se ka pasur dritë të hënës,” tha ai. “ Pashë, për disa minuta, nga një distancë prej dhjetë metrave, trupa që po shkarkoheshin nga një kamion dhe transportoheshin me një karrocë të madhe të fabrikës drejt pjesës së fabrikës ku ndodheshin furrat.”
Ky burim tha se e “dinte me siguri” se disa nga trupat ishin fëmijë dhe gra. Ai insistoi se nuk kishte marrë pjesë në djegje.
Asnjëri nga burimet e IWPR-së nuk kishte në gjendje të jipte ndonjë numër të saktë apo të përafërt të trupave që ishin shkarkuar dhe djegur në Mackaticë, edhepse njëri nga ata tha se ishin transportuar në “më shumë se dhjetë kamiona,” që tregon për një numër të madh.
LISTA E EMRAVE PRAPA DJEGJEVE
Në artikullin e saj në Danas, Kandiç citon disa prej partnerëve më të besueshëm të Millosheviqit si figurat kyçe prapa operacionit.
Ajo përmendi emrat e ish-Minitrit të Policisë Vlajko Stojilkoviç; ish-zëvëndës ministrit Nikola Sainoviç; kryesuesit të atëhershëm të sigurimit publik dhe shtetëror Vlastimir “Rogja” Gjorgjeviq, dhe Radomir Markoviçit, ish-kryesues i policisë sekrete.
Sainoviçi, i akuzuar nga Gjykata për krime lufte në Hagë, për krimet e kryera në Kosovë në vitin 1999, iu dorëzua vullnetarisht autoriteteve në pranverë të vitit 2003. U lëshua në Prill 2005 duke pritur gjykimin.
Markoviç është momentalisht në burgun qendror të Beogradit, i ballafaquar me proces gjyqësor për akte kriminale. Stojilkoviç, gjithasthtu në listën e Hagës të personave të akuzuar për krime në Kosovë, bëri vetëvrasje më 11 prill 2002.
Nga të gjithë emrat e përmendur nga Kandic, më interasanti ishte ai i Gjorgjeviçit. Njëri nga katër gjeneralët e kërkuar nga Haga për krime të luftës në Kosovë më 1999, ai ka lindur ne Koznicë, vetëm disa kilometra larg nga Mackatica.
Gjorgjeviq njihet të ketë qenë njëri nga personalitetet më me ndikim në sferat, fjala e të cilave konsiderohej pothuajse ligj. Ai mbante nën kontroll të gjitha strukturat e pushtetit lokal, sidomos policinë.
Pas rënies se regjimit të Millosheviqit më 5 tetor 2000, GjorgjeviçI thuhet të këtë lëshuar vendin dhe besohet se është duke u fshehur në Rusi.
PROKURORI SPECIAL FILLON TË HULUMTOJË
Për muaj të tëra, pas publikimit të artikullit ekskluziv në Danas, as autoritetet e as gjykatat në Serbi nuk reaguan publikisht rreth pohimeve të rënda që nxirrte në pah ky artikull.
Megjithatë në mes-prill të vitit 2005, Vladimir Vukçeviç, prokurori special i shtetit për krime lufte, e vizitoi Surdulicën.
Duke vepruar nën kërkesën e Vuçkeviçt, gjykatësi hulumtues i gjykatës së distriktit të Vranjës, zëvendësi i prokurorit special dhe një ekip i ekspertëve gjyqësor me trajnim special gjithashtu vizituan Mackaticën.
Vukçeviç i tha radios B-92 se kishte biseduar me dëshmitarë, por theksoi se shumë gjëra ishin ende në etapen e “fshehtësisë komplete, duke marrë parasysh natyrën serioze të procedurës”. Prokuroria po priste rezultatet nga raportet e mjekësisë ligjore, tha ai.
Duke dhënë informata më të hollësishme se deri ku kishin arritur me hetime, ai shtoi, “Furrat e larta në kompleksin e Mackaticës janë inspektuar, dhe vendet ku depozitohen mbeturinat gjithashtu.” Ai nënvizoi se se vetëm përfundimet e ekspertëve mund të konfirmonin nëse kishte gjurmë të mbetjeve të trupave në mbeturina.
Vuçkeviç nuk e fshehi faktin se vendimi i tij për të mbikqyrur personalisht procesin nënkuptonte mungesë besimi në aftësinë dhe vullnetin e policisë lokale për ta hulumtuar rastin.
Ai gjithashtu tha se i vinte keq që një njësit special i policisë nuk ishte krijuar për të hulumtuar krime të tilla të luftës dhe për të ndihmuar ekipin e prokurorisë.
Një burim i IWPR-së i afërt me policinë e distriktit të Pcinjit konfirmoi se fillimi i punës në terren nga ana e prokurorit special për krime lufte kishte trazuar anëtarët e policisë lokale.
“Policia e Pcinjit ende operon me të njëjtat principe dhe me të njejtit njerëz si në vitin 1999” tha ky burim.
IWPR gjithashtu ka kuptuar se ky rast kurrë nuk do të ndriçohej sikur një ish-agjent dhe një agjent aktiv nga Agjencia për Sigurim dhe Informim, BIA, - pasardhëse e Sigurimit të Shtetit, DB – nuk do t’i kishin dërguar dëshmi Kandiçit.
Zoran Stosic, kryesues i DB-së rajonale në kohën e rastit të Mackaticës është shkarkuar nga posti i inspektorit gjeneral në policinë e distrtiktit të Pcinjit, para një muaji dhe është zëvendësuar me Vujica Veliçkoviçin, gjithashtu një figurë kyçe në policinë rajonale gjatë dekadës së kaluar.
Burimi i tretë i IWPR-së, ish-inspektori i fshehtë i policisë, përsëriti se policia lokale kishte të dhëna të sakta mbi tërë aferën. “Krejt çka nevojitet është vullneti politik për zbulimin e tyre.”
MURI I HESHTJES NË SURDULICË
Surdulica është qytet i vogël, rreth 10, 000 njerëz, diku 10 km larg autostradës që lidh Beogradin dhe Shkupin. Është më pak se një orë rrugë nga Bullgaria ose nga Maqedonia apo Kosova.
Njerëzit në Surdulicë, të cilët i intervistoi IWPR-ja, ose refuzonin të flisnin për djegjet e trupave, ose i mbronin ato. Askush nuk mohon se diçka ka ndodhur, por në qytet, ku nacionalistët ekstrem të Partisë Radikale Serbe janë në pushtet, ekziston një konspiracion i heshtjes.
Në një kafiteri në qendër të qyteti, një grafit i madh thotë “Serbia për Serbët”.
“E çka nëse kanë djegur ‘Shiptar’ [emër nënçmues për Shqiptarët]?” tha një burrë. “Ata nuk kanë merituar asgjë më mirë. Pse nuk shkruani për krimet që po bëhen kundër Serbëve në Kosmet [emër nacionalist serb për Kosovën] sot?”
Një shitëse ishte më e pajtueshme. “Gati askush nuk guxon të flasë publikisht për atë,” ishte e tëra që tha ajo për ngjarjet e zymta në fabrikën pranë.
Por arritja në Surdulicë e prokurorit special të shtetit për krime të luftës, tregon se me gjithë dëshirën e popullatës lokale për të mbuluar dhe harruar këtë aferë, autoritetet gjyqësore janë të vendosur për t’u ballafaquar me këtë çështje të dhimbshme.
Se a do të vendoset ndonjëherë drejtësia për çfarë ka ndodhur në Mackatice, mbetet të shihet.
Bruno Vekaric, zëdhënës i prokurorit për krime lufte, tha se nuk do të jetë lehtë. Fakti se krimet ishin kryer shumë kohë më parë dhe se policia dhe ministria e drejtësisë ishin larg nga bashkëpunimi ishin vetëm disa nga pengesat me të cilat ballafaqohen, tha ai për IWPR-në.