HETIM SPECIAL: ÇFARË ËSHTË ÇMIMI I DREJTËSISË

Lejimi i Beogradit që të mos zbuloj haptazi fakte kyçe në gjykimin e Millosheviqit mund të ketë pasoja të rënda për drejtësinë dhe pajtimin.

HETIM SPECIAL: ÇFARË ËSHTË ÇMIMI I DREJTËSISË

Lejimi i Beogradit që të mos zbuloj haptazi fakte kyçe në gjykimin e Millosheviqit mund të ketë pasoja të rënda për drejtësinë dhe pajtimin.

Friday, 18 November, 2005

Tribunali i Hagës ka lejuar Beogradin të prezentojë dokumente kyçe në gjykimin e gjatë të Sllobodan Millosheviqit me kusht që ato të mos zbulohen para publikut, duke goditur kështu njerëzit të cilët dëshirojnë të shohin drejtësi.


Si rezultat i rregullave të konfidencialitetit të tribunalit rreth dokumenteve kryesore në arkivat e qeverisë së Jugosllavisë, popullata në Serbi, shumë prej të cilëve besojnë se qeveria e Millosheviqit nuk ka bërë asgjë të keqe në Bosne, nuk do të kenë [asje në informatat rreth rolit të kësaj qeverie edhe për disa vite.


Dhe mungesa e transparencës do të thotë se të tjerët të cilët dëshirojnë të shfrytëzojnë arkivat e Beogradit si fakte nuk do të kenë çasje në to.


Gjykimi i ish presidentit të Jugosllavisë për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid i është afruar momentit kur ai duhet të filloj mbrojtjen e vetëvetës nga akuzat lidhur me involvimin e tij në luftën në Bosne.


Më herët gjatë gjykimit të Millosheviqit, prokurorët në tribunalin e Hagës – Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavi, arritën përparim të rëndësishëm kur fituan çasje në arkivat kryesore në Beograd të cilat mbanin informata për rolin e armatës Jugosllave në konfliktin e Bosnës.


Por çmimi ishte i lartë: qeveria e Kosovës siguroj një marrëveshje ku dokumentet kruciale të cilat mund të zbulojnë involvimin e Millosheviqit në luftën e Bosnës duhet të mbesin konfidenciale sipas marrëveshjes së ashtuquajtur “masat mbrojtëse.”


Nuk ka shenja të keqbërjes apo mosrespektimit të rregullave. Por vëzhguesit e tribunalit thonë se rregullorja të cilën serbët e eksploatuan nuk kishte për qëllim të ndihmojë qeverinë që të ikë nga turpi.


Përkundër kërkesave praktike, marrëveshja duket se është në kundërshtim me idenë e tribunalit, i cili ndër synimet e tjera përfshiu pajtimin dhe zbulimin e të vërtetës rreth konfliktit të Jugosllavisë, e gjithashtu edhe arritjen e drejtësisë.


Që nga fillimi i gjykimit të Millosheviqit, kur zyrtarët e tribunalit e akuzuan Serbinë dhe Malin e Zi se nuk po ofronin bashkëpunim të plotë rreth dëshmitarëve dhe zbulimit të fakteve, vëzhguesit kanë deklaruar se anëtarët e elitës konzervative ishin fajtor për zhagitjen e procesit për arsye se ata nuk dëshironin të përkeqësonin pozitën e të akuzuarve për krie luftë.


Por në realitet, brengat e Beogradit nuk kanë të bëjnë vetëm me fatin e të dyshuarve për krime luftë apo me procesin e tribunalit të Hagës.


IWPR ka zbuluar se tentimet e Beogradit për të siguruar masa mbrojtëse janë shtyer nga frika e humbjes së një rasti tjetër gjyqësor. Një pasojë e menjëhershme është se dokumente të rëndësishme do të mbesin të fshehura nga një gjykim tjetër i rëndësishëm, në të cilin Bosna dhe Hercegovina ka paditur Serbinë dhe Malin e Zi, si pasardhës të shtetit të Jugosllavisë, për akte të gjenocidit gjatë luftës 1992-1995.


Procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ICJ, vetëm 15 minuta larg nga tribunali i Hagës, pritet të filloj në shkurt 2006.


Autoritetet e Beogradit nuk dëshironin që dokumentet e kohës së Millosheviqit, tani nën mbrojtjen e tribunalit, të bëhen publike, pasi kjo do të thoshte se qeveria e Sarajevës mund të fitoj çasje në to dhe mund t’i shfrytëzoj në gjykimin në ICJ.


Nëse gjykata vendos se Beogradi në të vërtetë ishte përgjegjës për akte të gjenocidit kjo do të ishte shumë e turpshme për Serbinë, dhe mund të çoj drejtë dëmshpërblimit në vlerë të miliona dollarëve.


Dokumentet të cilat tani gëzojnë status të mbrojtjes në tribunal mbajnë referenca të involvimit të regjimit në luftën e Bosnës. Dokumentet më të rëndësishme rikujtojnë aktivitetet e institucionit të atëhershëm më të lartë politik dhe ushtarak të Jugosllavisë, Këshilli Suprem Mbrojtës, SDC, prej 1992 deri 1999.


Një pjesë e vogël e këtij materiali i cili është ndëgjuar publikisht në tribunal përmban referenca të çarta të financimit të ushtrisë së serbëve të Bosnës nga buxheti ushtarak i Jugosllavisë – një marrëdhënie të cilën Beogradi gjithmonë e ka mohuar.


Marrëveshja mbrojtëse shihet nga shumë në Beograd si fitore e diplomacisë dhe aftësive juridike sërbe: ata konsiderohen se kanë bashkëpunuar me tribunalin e Hagës derisa në të njejtën kohë kanë ndaluar dëm më të thellë që publikimi i dokumenteve mund të ketë shkaktuar.


Ndoshta edhe më dëmtuese se ndikimi në rastin e ICJ është pasoja afatgjate e mohimit të këtyre dokumenteve para publikut të Ballkanit. Përpos viktimave, gjithmonë është konsideruar e rëndësishme fakti që qytetarët e shteteve agresorë duhet të ballafaqohen me fakte për të ndaluar mohimin dhe inkurajuar pajtimin.


Organizatat e të drejtave të njeriut në Beograd dhe Sarajevë paralajmërojnë se mbajtja e këtyre dokumenteve jashtë syve të publikut do të përforcoj injorancën e gjërë në Serbi rreth rolit të vërtetë të regjimit të Millosheviqit në luftërat e përgjakshme në të nëntëdhjetat.


Ata frikohen se një injorancë e tillë po përforcon një kulturë të mohimit dhe fajësimit, duke ndaluar një kuptim të vërtetë të luftërave të Ballkanit, dhe përpos kësaj po ndalon pajtimin i cili mund t’i vë fund politikës së tensioneve etnike e cila vazhdon të rrezikoj stabilitetin e rajonit.


VEPRIMET E BEOGRADIT NË KUFIZIMIN E DËMEVE


Një nga rregullat më të komplikuara që rregullon tribunalin e Hagës, Rregulla 54 bis, lejon qeveritë të kërkojnë masa mbrojtëse për dokumente të cilat dorëzohen në tribunal – derisa shteti mund të provoj se hapja e dokumenteve për publikun do të mund të “rrezikonte interesin kombëtar të sigurisë” të atij shteti.


Në baza të tilla qeveria e Beogradit aplikoj për mbrojtje të tërë arkivës së SDC, duke pohuar në disa seanca para gjykatësve të tribunalit të Hagës se publikimi i tyre do të rrezikonte intereset e Serbisë dhe Malit të Zi.


Burimet nga Beogradi dhe Haga thanë për IWPR se masat speciale mbrojtëse për dokumentet SDC ishin kërkuar pikërisht me qëllim që ato të mos shrytëzohen si fakte në ICJ.


Ky shfrytëzim i rregullës nuk është paraparë kur është përpiluar në ligjet e gjykatës, me qëllimin e mbrojtes së burimeve të kundërzbulimit dhe sigurisë së shteteve të cilat do të prezentonin fakte sensitive.


Në pyetjen e IWPR se a ishte rasti i ICJ arsye kryesore pse qeveria e tij ka insistuar në mbrojtjen e dokumenteve, zyrtari në krye të negociatave me tribunalin, ish ministri i jashtëm i Serbisë dhe Malit të Zi Goran Svilanovic, u përgjigj “kjo është absolutisht e vërtetë.”


Kjo deklaratë u konfirmua nga një burim brenda ministrisë së jashtme të Serbisë dhe Malit të Zi i cili insistoj të mbetej anonim.


“Ata insistonin për masa mbrojtëse për dokumentet tona sepse ishin të brengosur se çfarë efekti ato mund të kishin për rastin e gjenocidit,” tha burimi . “SDC ishte involvuar në vendimet rreth forcave serbe në Bosne dhe Hercegovinë, dhe avokatët tanë brengoseshin për këtë fakt.”


Analistët e Beogradit i thanë IWPR-së se ata ishin të brengosur rreth rastit të ICJ mbi gjenocidin në Bosne sepse nëse Serbia dhe Mali i Zi do të humbin, shteti mund të paditej për një shumë të lartë të dëmshpërblimit.


“Kjo do të thoshte se edhe ata serbë në Beograd që ishin kundër luftës në Bosne do të duhej të paguanin taksa shtesë për popullin e Bosnës,” tha profesor Vojin Dimitrijevic, ekspert i të drejtës ndërkombëtare në Beograd dhe ish këshilltar jozyrtar i Svilanoviqit.


Qeveria e Bosnës ka deklaruar se dëmshpërblimi nuk është synimi më i rëndësishëm i padisë së tyre – në vend të kësaj kjo qeveri dëshiron të fitoj njohjen se Beogradi ishte involvuar në aktet e gjenocidit.


“Shuma e dëmshpërblimit nuk është aq e rëndësishëme se pranimi [i fajit],” deklaroj për IWPR, profesori Sakib Softic, zyrtar i emëruar nga qeveria e Bosnës për rastin e Bosnës në ICJ.


AVOKATËT SERB MPOSHTIN PROKURORËT


Në disa intervista më ish zyrtarë të lartë të Beogradit dhe burime diplomatike afër tribunalit, IWPR ka mësuar si Serbia dhe Mali i Zi kanë arritur të sigurojnë këto masa të sigurisë.


Në vitin 2001, kryeprokurorja e Hagës Carla Del Ponte shfaqi interes të fitoj çasje në dokumentet e SDC gjatë takimeve të saja me presidentin e atëhershëm jugosllav Vojisllav Kostunica dhe ministrin e tij të jashtëm, Goran Svilanovic.


“Mendoj se arsyeja pse Zonja Del Ponte ishte e interesuar në dokumente ishte për të gjetur një lidhje në mes të Millosheviqit dhe oficierëve, dhe të zbuloj se çka po ndodhte me forcat në Bosne dhe Kroaci,” Svilanovic deklaroj për IWPR.


Vitin e ardhshëm, nën presionin politik nga bashkësia ndërkombëtare për të bashkëpunuar me tribunal, Koshtunica vendosi të veproj.


“Koshtunica ishte nën presion të vazhdueshëm nga Del Ponte dhe të tjerët, dhe si kryesues i SDC, ai i hapi këto dokumente,” tha Svilanovic. “Edhepse Koshtunica ka deklaruar publikisht se unë mërzitesha më shumë për Hagën se sa për vendin tim, ai ishte shumë i vetëdijshëm se çka ne po bënim.”


Koshtunica urdhëroj që dokumentet të dërgoheshin në Këshillin Kombëtar për Bashkëpunim me Hagë, i cili udhëhiqej nga ministri Svilanovic.


Svilanovic dhe ekipi i tij ligjor gjithashtu ishin përgjegjës për pregaditjet në rastin e ICJ të gjenocidit ndaj shtetit të tyre, dhe ishin të vetëdijshëm për rrezikun që kanosej me ofrimin e dokumenteve si fakte në tribunalin e Hagës.


Ata filluan të negociojnë mbrojtjen e dokumenteve me prokurorët e Hagës në vitin 2002.


“Ne i bëmë atyre një ofertë,” tha Svilanovic. “Ne i ofruam atyre informata se çka mund të përmbanin këto dokumente, dhe me procedurën për zbulimin e dokumenteve nëse ata ishin të interesuar t’i përdornin ato.”


Në atë moment, zëvendës prokurori i Hagës Geoffrey Nice deklaroj për media se dokumente të tilla ekzistonin – dhe kjo zemëroj negociatorët e Beogradit.


“Ne ishim të zemëruar sepse një gjë e tillë nuk bëhet. Kjo ishte shkatërrim i besimit,” kujtoj Svilanovic.


Sipas ish këshilltarit juridik të Svilanovic, Vladimir Djeric, “Në atë moment ne humbëm besimin në zyrën e prokurorit. Dokumentet të cilat ata kërkonin ishin shumë të rëndësishme, dhe ne dëshironim të siguronim një procedurë për rishqyrtimin e tyre, me qëllim të mbrojtjes së intereseve tona.”


Në vend të zgjidhjes së problemit me prokurorë, ekipi i Beogradit aplikoj tek gjykatësit në rastin e Millosheviqit për aprovim të kërkesës së tyre.


Svilanovic spjegoj se proceduat e kërkuar nga Beogradi kërkonin “seancë të veçantë të dhomës së gjyqit të Millosheviqit, apo seancë pa praninë e publikut, apo ndonjëherë ne do të kërkonim që pjesë të dokumentit të fshihen krejtësisht.”


Në tërësi, pas disa kërkesave të prokurorëve të tribunalit dhe ekipit juridik të Beogradit, dhoma e tribunalit lëshoj 13 vendime lidhur me dokumentet sekrete, disa nga të cilat ende janë konfidenciale.


“Ne nuk arritëm ndonjë sukses në bisedime me prokurorinë, por patëm më shumë sukses me gjykatën, ku u morrëm me çështje ligjore,” tha Djeric.


Në dhjetor të vitit 2002, prokurorët e Hagës, të frustruar nga mungesa e përparimit rreth çështjes së dokumenteve, gjithashtu aplikoj në dhomën e tribunalit për një udhëresë e cila do të obligonte autoritetet e Beogradit të respektonin kërkesën e tyre. Në seancën e marsit dhe qershorit 2003, prokurorët deklaruan se ata nuk kishin çasje në 100 dokumente prioritare nga Beogradi përfshirë edhe tekset e SDC.


Djeric kundërshtoj këtë pohim duke thënë se Beogradi ishte i gatshëm të bashkëpunoj, por dhoma e tribunalit e jo prokuroria mund të vendoste se cilat dokumente Serbia dhe Mali i Zi do të duhej të zbulonte. Ai pohoj se qeveria e tij vetëm kishte filluar negociatat me tribunalin, dhe se Rregulla 54 bis lejonte dhomën e tribunalit të refuzoj kërkesën e urdhërimit të shtetit të zbuloj dokumente nëse vetë aplikanti nuk kishte bërë hapa të arsyeshëm për të siguruar këto dokumente.


Rregulla 54 gjithashtu thotë se kërkesa për të urdhëruar zbulimin e materialeve duhet të identifikoj dokumente specifike e jo kategori të gjëra, të tregoj arsyet pse ato dokumente ishin të nevojshme dhe lejoj shtetit mjaft kohë për t’i zbuluar ato.


Argumentet juridike të Djericit para dhomës së tribunalit ishin të suksesshme.


Edhepse dhoma e gjykatës urdhëroj Serbinë dhe Malin e Zi të zbuloj shënimet e SDC, ajo refuzoj shumë mocione të prokurorisë për zbulimin e dokumenteve nga arkiva shtetërore në periudhën deri në dhjetor të vitit 2003.


Djeric është i hapur rreth dështimit të prokurorëve të fitojnë atë çka ata dëshironin, “Prokuroria bëri një gabim strategjik kur iu drejtuan gjykatës dhe humbën. Nëse ata do të vazhdonin presionin e tyre politik, ata mund të kenë fituar çasje në të gjitha arkivat.”


Prapa në Beograd, Djeric dhe kolegët e tij të cilët mirren me tribunalin dhe me ICJ fituan lëvdata për diplomacinë e tyre të aftë dhe argumentimin juridik.


“Shumë kanë konsideruar se ne kemi bërë një punë të suksesshme në të mirën e vendit,” tha Svilanovic.


“Në anën tjetër, ne u ballafaquam me probleme politike. Komuniteti i OJQ-ve kundërshtuan ashpër Vladimir Djericin dhe profesorin Dimitrijevic. Ata thonin, ‘Pse po bëni këtë? Pse po thoni se Srebernica nuk ishte gjenocid?’ Kështu ne u konfrontuam me një grup të njerëzve që ne admironim.”


Një burim nga ministria e jashtme e Serbisë dhe Malit të Zi i cili kërkoj të mos zbulohet konfirmoj këtë përfundim paradoksal, “Svilanovic dhe ekipi i tij arritën të pengonin shfrytëzimin e dokumenteve tona në rastin e ICJ. Por këtë ata e bënë me një çmim politik, ata humbën mbështetës në rrethin e drejtave të njeriut të cilët ishin të vetëdijshëm për lidhjen e tribunalit me ICJ.”


AVOKATËVE TË ICJ IU MOHOHET ÇASJA.


Përpjekjet e Svilanoviqit dhe ekipit te tij ishin të motivuara nga frika se dokumente kyçe të kohës së Millosheviqit nuk duhej të zbuloheshin para publikut, pasi kjo do të thoshte se qeveria e Sarajevës do të fitonte çasje dhe do të mund t’i përdorte në ICJ.


Në krahasim me tribunalin, ku individët ballafaqohen me akuza para tribunalit – përshirë, në rastin e Millosheviqit, përgjegjësi personale për gjenocid – ICJ mirret me padi civile që një shtet ngritë ndaj ndonjë shteti tjetër. Me 20 mars, 1993, Bosna dhe Hercegovina ngriti një aktakuzë në ICJ kundër Republikës Federale të Jugosllavisë për mosrrespektim të Konventës për Ndalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit të vitit 1951.


Aplikimi i Bosnës pohoj se “Jugosllavia, zyrtarët e saj publik, agjentët dhe surrogatët kanë cenuar, dhe janë duke cenuar, dhe kërcënojnë të vazhdojnë të cenojnë… konventën e gjenocidit në rastin e popullit të shtetit të Bosnës dhe Hercegovinës”. Krimet specifike me të cilat Jugosllavia ballafaqohet janë vrasje, keqtrajtim, dhunim, paraburgim ilegal, dhe spastrim etnik.


Si rezultat i rregullave sipas të cilave ICJ funksionon, vetëm fakte që ofrohen nga vetë palët mund të shfrytëzohen në gjyq. Gjykata funksionon vetëm në bazë të informatave të ofruara nga palët, dhe nuk ka kompetenca të kërkoj fakte në mënyrë të pavarur.


Avokatët e Bosnës konfirmuan se ata do të përdornin faktet e tribunalit kurdo që ato të jenë në dispozicion. “Në rastin tonë në ICJ, strategjia ynë është që të përdorim fakte të cilat janë dorëzuar para tribunalit,” deklaroj për IWPR profesori Softic.


Softic i vie keq se dokumente të SDC do të mbesin të fshehura si rezultat i masave mbrojtëse.


“Është fat i keq për ne që Beogradi siguroj një marrëveshje me Hagën, pasi ne do të dëshironim të shfrytëzojmë arkivat e Beogradit,” ai tha.


LIDHJET E BEOGRADIT ME SERBËT E BOSNËS


Dokumentet më të rëndësishme janë rreth 50 volume të protokollit dhe shënimeve të takimeve në SDC, e cila gjatë viteve 1992-1999 ishte institucioni më i lartë politik dhe ushtarak i shtetit jugosllav.


SDC kishte tri vendimmarrës – presidentin e Jugosllavisë dhe republikat përbërëse të Serbisë dhe Malit të Zi – dhe në takime gjithashtu ishin prezent ministri jugosllav i mbrojtjes, shefi i stafit të forcave të armatosura dhe zyrtarë të tjerë të lartë.


Sipas kushtetutës së Jugosllavisë, SDC kishte kompetenca të mobilizonte ushtrinë në kohë të luftës, promovoj dhe pensionoj gjeneralët dhe të marrë vendime rreth financimit dhe logjistikës. SDC gjithashtu kishte përgjegjësi për aprovimin e planeve të mbrojtjes të prezentuara nga shefi i stafit të armatës.


Pasi këto dokumente mund të zbulojnë se si ushtria jugosllave është udhëhequr, ato mund të ofrojnë përgjigje për shumë pyetje rreth natyrës dhe nivelit të involvimit të Jugosllavisë në luftën e Bosnës.


Millosheviqi dhe zyrtarët e tij gjithmonë kanë mohuar se ata kanë ofruar mbështetje për udhëheqësinë e serbëve të Bosnës në Republikën Srspka, RS, dhe insistonin se lufta në vendin fqinj ishte “problem i brendshëm i Bosnës.”


Fakte për lidhje zyrtare me RS, përmes ofrimit të resurseve njerëzore, financiare dhe të tjera do të përforconin pozitën e atyre të cilët po tentojnë të demonstrojnë se Millosheviqi dhe qeveria e tij kanë pasur rol, dhe mbajnë përgjegjësi, për akte të gjenocidit në Bosne. Një mocion i prokurorisë në gjykimin e Millosheviqit në datën 6 janar, 2005, thotë, “Këto dokumente mund të jenë disa nga dokumentet më të mira për konsideratë nga gjyqi në përqendrimin e saj në kompetencat e vërteta të të akuzuarit, njohurinë dhe gjendjen e tij mentale.”


Shënimet dhe protokolli i SDC mund të ofrojnë detale të diskutimeve dhe vendimeve rreth mbështetjes logjistike dhe financiare të ofruar për forcat e RS.


Disa dokumente të zbuluara theksojnë rëndësinë e SDC dhe ofrojnë indikacione në lidhjen e saj me RS, dhe kjo lë të kuptojë se dokumentet e mbrojtura mund të përmbajnë materiale të ngjajshme.


Dëshmia e ofruar nga ish presidenti i Jugosllavisë Zoran Lilic në rastin e prokurorisë kundër Millosheviqit në vitin 2002 përmendi çartë financimin e ushtrisë së serbëve


Duke folur para gjyqit me 16 qershor, 2002, Lilic përshkruajti një vendim të SDC në nëntor të vitit 1993 i cili formalizoj marrëveshjen për të financuar dhe mbështetur oficierët e armatës së serbëve të Bosnës, si dhe të forcave sërbe në Kroaci. Kjo planifikohej të bëhej përmes qendrave 30 dhe 40 të personelit të armatës jugosllave.


Lilic madje tregoj shumën e të hollave që Beogradi paguante për oficierët e ushtrisë së serbëve të Bosnës dhe atyre të Kroacisë, “Pagat mujore për anëtarët e qendrës 30 të personelit arritën në rreth 1.6 milion marka gjermane apo 800,000 euro. Pagat vjetore arritën shumën prej tetë milion euro.”


Materiale të tjera nga dokumentet e SDC lëjnë të kuptohet se financimi nga Beogradi për serbët e Bosnës vazhdoj gjatë tërë konfliktit të Bosnës.


Një seancë e SDC e mbajtur me 10 nëntor, 1997, protokolli i së cilës është i hapur për publikun, diskutoj buxhetin ushtarak të Jugosllavisë për vitin 1998.


Si duket të hollat për paga mungonin, prandaj pjesëmarrësit diskutonin mënyrat e ndarjes së shpenzimeve të mbrojtjes nëpër agjensitë qeveritare, për shembull rialokimin e shpenzimeve të pagave dhe pensioneve për personelin ushtarak.


Në të njejtin kontekst, protokolli tregon një nevojë për “të lëvizur shpërndarjen e pagave për ushtarët profesionist të Ushtrisë të Republika Srpska nga buxheti ushtarak në buxhetin për ndihmë bilaterale ndërmjet dy shteteve.”


Faktet tregojnë se në vitin 1997, oficierët serbë të Bosnës nuk janë paguar nga administrata e RS, sikurse pretendohej, por nga shteti fqinj, dhe plani ishte të vazhdohej edhe në vitin 1998.


Zyrtarët serbë të involvuar në fitimin e masave mbrojtëse nuk theksuan vlerën e dokumenteve të SDC.


“Ato nuk janë aq të rëndësishme sa mendoni,” tha Djeric “Millosheviqi nuk kishte regjistrua gjithçka. Ai nuk i kryente gjërat përmes dokumenteve, por këtë e bëntë sy në sy.”


Megjithate, disa nga dokumentet e zbuluara të SDC lëjnë të kuptohet – në mungesë të fakteve kundërshtuese – se çështja e marrëdhënieve me entitetin e serbëve të Bosnës dhe ushtrisë së tyre është diskutuar në takimet e SDC, dhe disa nga këto informata mund të jenë të çmueshme për avokatët të cilët kanë ngritur padinë në ICJ në emër të qeverisë së Bosnës.


GJENOCIDI I SREBERNICËS KYÇ PËR TË DY RASTET


Krimi i më i madh gjatë konfliktit ishte masakra e korrikut 1995 e rreth 7800 meshkujve dhe djemëve musliman nga enklava e mbrojtur e Kombeve të Bashkuara, Srebernica. Kjo ngjarje, dhe roli i supozuar i Begradit, është boshti i akuzave të gjenocidit kundër regjimit të Millosheviqit në tribunal, si dhe në rastin e Bosnës para ICJ.


Burimi anonim i IWPR në ministrinë e jashtme të Serbisë dhe Malit të Zi i tha IWPR se brenga kryesore e Beogradit është gjetja e lidhjes së mundshme në mes të qeverisë së Beogradit dhe gjeneralit Ratko Mlladiq, kryekomandanti i armatës së serbëve të Bosnës i cili akuzohet të ketë qenë arkitekti i vrasjeve në Srebernicë.


Mlladiqi ende është në arrati nga aktakuza e tribunalit, dhe presioni mbi administratën e RS dhe Beogradit ka dështuar në kapjen e tij.


Srebernica është i vetmi rast i cili është emëruar gjenocid sipas terminologjinë juridike. Gjenerali i serbëve të Bosnës Radovan Krstic u dënua për këtë krim në vitin 2000. Nëse vërtetohet se qeveria e Beogradit ka qenë e involvuar, rasti i ICJ do të fitoj një shtyerje të rëndësishme.


“Ata janë shumë të brengosur për zbulimin e çfarëdo dokumenteve shtetëore të cilat lidhin Mlladiqin me Beogradin, pasi kjo mund të mirrej nga avokatët e Bosnës në ICJ si fakt për bashkëfajësi në gjenocid,” burimi i ministrisë së jashtme deklaroj.


Në dëshminë e tij, Lilic konfirmoj se Mlladiq kishte marrur pjesë bile në një takim të SDC të mbajtur me 25 gusht 1995 – vetëm gjashtë javë pas masakrës së Srebernicës – por ai nuk hyri në detale se çka ishte diskutuar në atë takim.


KUJTESA SELEKTIVE


Burimet në tribunal konfirmojnë se ata kanë protokollet dhe arkivat e plota të SDC, përfshirë edhe ato të periudhës maj-gusht 1995, periudha e cila përfshinë ngjarjet e Srebernicës.


Ka shenja se dokumente të tjera relevante nuk janë zbuluar dhe disa madje edhe mungojnë.


Një dokument i tillë si duket zbulon se sikurse oficierët e tij ushtarak të RS, vet gjenerali Mlladiq kishte marrur pagën si anëtar i rregullt i ushtrisë jugosllave.


Udhëheqësi i këshillit ligjor në ministrinë e jashtme të Serbisë dhe Malit të Zi, profesori Radoslav Stojanovic, në gusht të vitit 2004 zbuloj për IWPR ekzistencën e urdhëresës sekrete të ushtrisë jugosllave në vitin 1993 e cila shpërblen Mlladiqin me ngritje në gradë. Kjo urdhëresë ishte nënshkruar nga presidenti i atëhershëm jugosllav Zoran Lilic në cilësinë e tij si udhëheqës i SDC.


Nëse dokumenti do të zbulohej para publikut dhe në fakt do të konfirmonte përshkrimet e Stojanoviqit, kjo do të ishte dëshmi se nga aspekti administrativ Mlladiqi është konsideruar oficier i armatës jugosllave në kohën kur lufta e Bosnës vetëm kishte filluar, dhe si i tillë ishtë nën komandën e Beogradit përkundër ndarjes zyrtare të armatave jugosllave dhe të serbëve të Bosnës në maj të vitit 1992.


Edhepse urdhëresa për promovim është zbuluar për media në Sarajevë në nëntor të vitit 2004, kjo nuk duket së është dërguar në tribunal nën marrëveshjen për masa mbrojtëse.


IWPR ka siguruar një kopje të dosjes personale të Mlladiqit e cila përmban informata të pensionit dhe datat e urdhëresave të promovimit. Dokumentet tregojnë se Mlladiq pranoj gradimin e fundit me 16 qershor 1994, në gradën Kolonel Gjeneral. Dosja e tij e personelit provon deklaratën e profesorit Stojanovic se Mlladiq kishte mbetur oficier në armatën jugosllave shumë më vonë se sa Beogradi pohon se ai ishte nën komandën e tyre.


Kjo çoj tek dyshimet se edhe dokumente te tjera të cilat ndërlidhin Beogradin me konfliktin në Bosne nuk janë zbuluar për tribunal.


Mungesa e informatave, në sytë e publikut, rreth Beogradit dhe masakrës së Srebernicës duket se do të vazhdoj edhe për një kohë të konsiderueshme, pjesërisht si rezultat i dështimit të prokurorëve të tribunalit për të fituar dy komplete tjera të dokumenteve të rëndësisë së njejtë me shënimet e SDC: arkiva personale presidenciale e Millosheviqit dhe dosja e shërbimit ushtarak të Mlladiqit.


Gjykatësit e tribunalit të Hagës kanë deklaruar se ata janë të bindur se qeveria e Beogradit ka bërë gjithçka për të gjetur dosjet presidenciale dhe dokumentet e tjera, dhe ka refuzuar kërkesën e prokurorisë të vazhdoj kërkesën e dorëzimit të tyre. Kjo lë të kuptojë se një pjesë e materialit nga arkiva mungon.


Ka shenja se dikush me qëllim ka ngatërruar arkivat presidenciale të Millosheviqit. Në një rast të veçantë, në shtator të vitit 2004 autoritetet e Beogradit kanë nisur një proces penal kundër isht shefit të kabinetit të Millosheviqit, Goran Milinovic, për fshehje apo shkatërrim të arkivës së kërkuar nga tribunali i Hagës e cila ka të bëjë me aktivitetet e forcave sërbe të sigurisë në Kosovë gjatë vitit 1999.


TË VËRTETAT E FSHEHURA


Dhjetë vite pas përfundimit të luftës në Bosne, përkundër një numri të rasteve të ndëgjuara në tribunalin e Hagës, tregimi i rolit të Beogradit në luftërat gjatë të nëntëdhjetave ende mbetet i pazbuluar.


“Ndonjëherë ndihem se ne nuk kemi sjellur popullin e Jugosllavisë një hap më afër të vërtetës,” një burim i tribunalit i cili kërkoj të mos zbulohet deklaroj vitin e kaluar derisa IWPR filloj këtë hetim.


Millosheviqi mund të jetë larguar që moti, por një varg i qeverive demokratike në Serbi kanë mbajtur të fshehur këtë ngjarje, duke refuzuar të zbulojnë para publikut dokumentet e vjetra, dhe përmes procedurave të tribunalit ata u siguruan se këto informata do të mbesin të pazbuluara edhe për një kohë të caktuar.


Shumë punëtorë të tribunalit të intervistuar nga IWPR theksojnë se pranimi i kushteve të Beogradit ishte mënyra e vetme që gjykatësit të fitojnë një ide më të çartë të rolit të Millosheviqit në luftën e Bosnës.


“Është shumë thjeshtë: ne ose pranojmë që të mbajmë këto dokumente të fshehta, ose nuk i marrim ato,” një punëtor tha (shiqoni artikullin në (http://www.iwpr.net/index.pl?archive/tri/tri_350_1_eng.txt)


Aktivistët e drejtave të njeriut në Beograd të brengosur rreth pajtimit dhe përgjegjësisë mendojnë se marrëveshja do të thotë se publiku i Serbisë kurrë nuk do të shohin dokumentet zyrtare të cilat tregojnë se Millosheviqi ka dhënë urdhëresa të tilla.


Një çasje e njëanshme ndaj të së vërtetës nuk ishte diçka që tribunali ka synuar të bëj në fillim, sipas shumë ekspertëve juridik të Ballkanit. Një nga katër qëllimet e tribunalit, përpos vendosjes së të dyshuarve për krime të luftës para drejtësisë, ofrimi i drejtësisë për viktima dhe parandalimi i krimeve të ardhshme, është edhe “të kontriboj në rindërtimin e paqes duke promovuar pajtimin në ish Jugosllavi.”


“Nëse supozojmë se efekti i masave mbrojtëse çon drejtë fshehjes së protokolleve dhe shënimeve të SNC nga popullata sërbe, kjo nuk kryen shërbim për tregimin e të vërtetës historike rreth ngjarjeve tepër të kundërshtuara,” tha për IWPR hulumtuesi i Human Rights Watch në Beograd Bogdan Ivanisevic.


Me këtë vështrim u pajtuan edhe analistë të tjerë nga Beogradi.


“Kjo marrëveshje është e pamoralshme sepse publiku në Serbi ende është i hutuar nga gënjeshtrat e shpërndara nga regjimi i Millosheviqit rreth luftës në Bosne,” deklaroj për IWPR, James Lyon, drejtor i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Serbi dhe Mal të Zi.


“Nëse pajtimi do të është i vërtetë, popullata e Serbisë duhet ta ketë të çartë se çka kanë bërë Millosheviqi dhe miqët e tij.”


Millosheviqi shfrytëzon me aftësi çështjen e zbulimit të arkivave, madje edhe duke kritikuar gjykatësit për fshehjen e tyre nga publiku.


Çasja themelore ndaj informatave si mjet për pajtim ende është i rëndësishëm në Serbi, ku sondazhet e opinionit tregojnë se një numër i madh i njerëzve nuk besojnë se shumë nga ngjarjet kruciale në konfliktin e Bosnës kanë ndodhur ndonjëherë. Si rezultat, është më lehtë të fillohen teoritë e konspiracionit se sa një debat i sinqertë mbi të kaluarën.


“Masat [mbrojtëse] fshehin të vërtetën nga shoqëria serbe sepse njerëzit nuk do të besojnë zbulimet e bëra në një gjykatë të huaj njësoj si në rastin kur këto informata do të vinin nga arkivat qeveritare,” tha Sonja Biserko, udhëheqëse e Komitetit të Helsinkit në Serbi.


Përkundër viteve të tëra të rindërtimit të krimeve të Srebernicës në gjykatat e tribunalit, disa organizata në Beograd shohin dhjetë vjetorin e masakrës atje si arsye për festim e jo kujtim të rëndë.


Me 17 maj, asociacioni i studentëve Nomokanon festoj “Çlirimin e Srebernicës” në fakultetin juridik të universitetit të Beogradit. Profesorët dhe ish gjeneralët të cilët folën në këtë ndodhi të emëruar “Srebernica: Dhjetë vjet pas çlirimit” kundërshtuan masakrën si “gënjeshtra të perëndimit” dhe “fabrikime të muslimanëve”.


Natasa Kandic, drejtoreshë e Qendrës të së Drejtës Humanitare në Beograd, lidhë këtë mohim me refuzimin e qeverisë të jetë e hapur sa i përket të së kaluarës.


“Në këtë rast, qeveria mendoj se ishte në interes kombëtar të ndalohej Bosna për të shfrytëzuar dokumentet në rastin e ICJ duke fshehur të vërtetën,” tha ajo për IWPR.


“Por interesi i vërtetë kombëtar është krijimi i një shoqërie të shëndoshë në të cilën roli i regjimit të Millosheviqit në luftë do të dihet dhe pranohet nga të gjithë.


“Kjo nuk do të ndodhë nëse dokumente të rëndësishme shtetërore vazhdojnë të fshihen nga popullata.”


Hugh Griffiths është koordinator i hetimeve për IWPR. Ana Uzelac është udhëheqëse e programit të IWPR në Hagë.


Frontline Updates
Support local journalists