Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

HDZ Bllokon Institucionet në Bosnje

Nacionalistët Kroatë në Bosnje do të kenë mosmarrëveshje me komunitetin ndërkombëtar për shkak të bojkotit të institucioneve të Bosnjes nga ana e tyre.
By Amra Kebo

Refuzimi i bashkimit Demokratik Kroat, HDZ, për të marrë pjesë në institucionet kantonale, federale dhe shtetërore në Bosnje ka paralizuar pothuajse gjysmën e këtyre institucioneve.


Këto ditë gjendja politike i ngjan më tepër një kaosi total dhe anarkisë që pasoi zgjedhjet e para të pas-luftës në Bosnje.


"Është një fatkeqësi që shteti dhe federata nuk kanë qeveri edhe kur kanë kaluar tre muaj nga zgjedhjet," thotë Oleg Milisiq, një zëdhënës i Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë.


Të Enjten e kaluar, një delegacion i nivelit të lartë të Bashkimit Europian ka shtyrë një vizitë në Bosnje për shkak të kësaj gjendjeje kaotike.


Bojkoti i HDZ-së është një shuplakë tjetër për komunitetin ndërkombëtar i cili mesa duket nuk është ende i vendosur të përballet me forcë me obstruksionizmin e Kroatëve të Bosnjes. Por tani duket se një përplasje e ashpër po bëhet e pashmangëshme.


Bojkoti i HDZ-së pason referendumin e saj të paligjshëm për një entitet të veçantë Kroat në Bosnje, i cili është mbajtur në të njëtën ditë me zgjedhjet e përgjithëshme më 11 Nantor.


Plebishiti ka shtuar tensionet etnike në të gjithë vendin, duke rritur përkrahjen për HDZ-në dhe dy partitë e tjera nacionaliste, Partia Muslimane e Veprimit Demokratik, SDA, dhe Partia Demokratike Serbe, SDS.


Megjithatë, për herë të parë që nga vitit 1991, të treja partitë së bashku kanë fituar më pak se 50% të votave të përgjithëshme.


Organizatat ndërkombëtare janë përgjigjur në mënyrë jo bindëse kësaj sfide të parë serioze të HDZ-së, duke larguar vetëm dy nga kandidatët kryesorë të partisë për zgjedhjet kantonale. Shumë njerëz mendojnë se ky nuk ka qenë një dënim i rëndë për HDZ-në.


Një vit e gjysëm më parë, Përfaqësuesi i Lartë i asaj kohe, Karlos Uestendorp, shkarkoi presidentin e Republika Srpska Nikola Poplasen për shkelje shumë më të vogla të marrëveshjeve të paqes së Dejtonit.


HDZ-ja ka penguar zbatimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 Nëntorit dhe në fakt, është bërë kundërshtari më i madh dhe kërcënimi më i fortë për procesin e paqes.


SDA dhe SDS janë treguar të kujdesëshme të mos shqetësojnë zyrtarët ndërkombëtarë pas zgjedhjeve, megjithëse ka shenja që tregojnë se disa nga zyrtarët e këtyre partive kanë filluar të mos bashkëpunojnë më si më parë të inkurajuar nga qëndrimi i Perëndimit ndaj intrasigjencës së treguar nga HDZ-ja.


Deri më tani, HDZ-ja ka paralizuar punën e dy asambleve kantonale ku ajo ka fituar shumicën absolute. Kjo, ka shkaktuar edhe bllokimin e krijimit të parlamenteve federale dhe shtetëror.


HDZ-ja po kërkon që kandidati i saj Martin Raguz të emërohet si kryeministër i ri i shtetit përpara se ata të pranojnë të bashkëpunojnë.


Presidenca tre palëshe e Bosnjes, e cila kontrollohet nga tre partitë nacionaliste, ka pranuar kandidaturën e Raguz, por javën e kaluar dhoma e ulët e asamblesë shtetërore - ku blloku i opozitës Aleanca për Ndryshim ka një shumicë të vogël por të qëndrueshme - ka votuar kundër Raguz.


Pas kësaj humbjeje fyese, kryetari i HDZ-së dhe anëtari Kroat i presidencës Boshnjake, Ante Jelaviq, ka ngulur këmbë që HDZ-ja nuk do të mbështesë asnjë kandidaturë tjetër - e cila do të thotë që praktikisht ata janë të përgatitur të vazhdojnë bojkotin e tyre të institucioneve të përbashkëta derisa rivalët të pranojnë kërkesat e tyre.


Përgjigja e komunitetit ndërkombëtar ndaj kësaj sfide të fundit të HDZ-së ka qenë përsëri zhgënjyese. OSBE-ja e ngarkuar për të organizuar zgjedhjet në Bosnje, u ka shkruajtur të gjitha kantoneve të cilat janë prekur nga bojkoti i HDZ-së, duke u dhënë atyre shtatë ditë kohë për të mbledhur asambletë dhe për të zgjedhur kandidatët e tyre për parlamentin federal.


Ata që nuk e plotësojnë këtë kërkesë do të raportohen për shkelje të rregullave të zgjedhjeve dhe mund të përballen me veprime ndëshkuese.


Ndërkohë, Aleanca për Ndryshim ka propozuar Bozhidar Matiq, një ekonomist të njohur, biznesmen, dhe intelektual nga Partia Social Demokrate e opozitës, si kandidatin e tyre për kryeministër të shtetit.


Kandidatura e tij ka mbështetjen e pothusje gjysmës së deputetëve në dhomën e ulët të parlamentit shtetëror. Nëse ai caktohet në këtë post, Bosnja do të ketë një qeveri qendrore të moderuar për herë të parë që prej vitit 1991.


Nëse kjo gjë realizohet, atëherë HDZ dhe partitë e tjera nacionaliste do të forcojnë bojkotin e tyre në institucionet e përbashkëta.


Megjithëse agjensitë Perëndimore janë të vendosura të mos e ndëshkojnë rëndë HDZ-në, duket se shumë shpejt ato do të jenë të detyruara ta bëjnë një gjë të tillë. Një përplasje ndërmjet tyre duket si e pashmangëshme - dhe kjo mund të detyrojë përkrahësit e linjës së ashpër në HDZ të përsërisin përpjekjet e tyre për krijimin e një entiteti të veçantë të Kroatëve të Bosnjes.


Amra Kebo është një bashkëpunëtore e rregullt e IWPR-së.