Haga Dyfishon Përpjekjet

Gjykata e Hagës ka shtuar ndjekjen e saj ndaj kriminelëve të luftës në Bosnje.

Haga Dyfishon Përpjekjet

Gjykata e Hagës ka shtuar ndjekjen e saj ndaj kriminelëve të luftës në Bosnje.

Friday, 12 May, 2000
IWPR

IWPR

Institute for War & Peace Reporting

Vetëm pak përpara Krishtlindjeve serbi nga Bosnja Goran Jelisiq është dënuar me 40 vjet burgim për krimet e kryera në qytetin e Brçkos në Bosnjen veriore.


Që prej asaj kohe Gjykata e Hagës për ish-Jugosllavinë ka shtuar ritmet e saj dhe tani po sheh një rritje të madhe të aktivitetit të saj që prej krijimit në vitin 1993.


Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ofruar një shpërblim prej 5 milion dollarësh për arrestimin e presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq dhe pasuesve të tij boshnjakë, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, duket se nuk ka mesazh më të qartë se ky për të gjitha palët se kriminelët e luftës do të dalin para drejtësisë herët apo vonë.


"Unë mendoj se Haga ka një rol të dorës së parë për të hedhur dritë mbi të vërtetën," thotë Murat Kurtiq, anëtar i Komisionit shtetëror të Bosnjes për të Zhdukurit. "Unë mendoj se mund të shohim fajtorët kryesorë, Karaxhiq dhe Mlladiq, para drejtësisë shumë shpejt."


Këtë pranverë SFOR ka arrestuar dhe ekstraduar disa të dyshuar për krime lufte, përfshirë këtu edhe Momçillo Krajishnik - politikani i nivelit më të lartë i dalë para gjykatës së Hagës deri më sot. Dragan Nikoliq mendohet se është arrestuar në Serbi në mes të prillit.


Që prej vdekjes së Franjo Tugjmanit Kroacia është treguar më e gatshme për të bashkëpunuar me Gjykatën duke ekstraduar më së fundi Mladen Naletiq Tuta. Puna e Hagës është shtuar edhe më tepër falë mundësisë për të pasur dokumenta të klasifikuara si sekrete dhe falë përfshirjes personale të kryeprokurores Karla Del Ponte, e cila ka gjetur edhe kohën të marrë pjesë në zhvarrimet e njerëzve nga varre masive.


Në të njëjtën kohë, opinioni publik në Bosnje ka ndryshuar. Skepticizmi se drejtësia nuk do të bëhej kurrë po zëvendësohet me optimizmin ndërmjet boshnjakëve myslimanë të cilët kanë humbur miq dhe familjarë gjatë luftës.


"Pas gjithë kësaj kohe kisha humbur çdo shpresë se ndonjë nga krimet do të ndëshkohej," thotë Hidajeta Aliq, mësuese nga Tuzla. "Duket se Gjykata po bëhet më efikase. Tani kemi një shpresë."


Edhe serbët e Bosnjes, të cilët për shumë kohë kanë dyshuar rreth Gjykatës së Hagës, e cila sipas tyre ishte një organizëm që komplotonte kundër tyre, po ndryshojnë mendim: "Le t'i arrestojnë të gjithë, këdo që është fajtor," thotë Dragoljub Iliq. "Ne nuk mund të jetojmë më me të kaluarën dhe të vazhdojmë të paguajmë për krimet e tyre."


Kroatët janë tronditur dhe zemëruar kur gjenerali boshnjak kroat Tihomir Blashkiq u dënua me 45 vjet burgim - dënimi më i rëndë i dhënë nga Haga deri më tani.


Megjithatë, tani që ka kaluar një muaj ka një farë pranimi për nevojën për drejtësi. "Dënimi i Blashkiq mund të ketë qenë shumë i ashpër, por pas ekstradimit të Tutas askush nuk mund të thotë se kroatët nuk kanë bashkëpunuar me Gjykatën," thotë Marinko Pejiq, kroat nga Mostari.


Por ankesat më të mëdha nga të gjitha palët janë se akoma gjërat po ecin ngadalë. "Koha nuk pret," thotë Mehmet Celivkoviq nga Bratunac në Bosnjen lindore. "Shumë të vjetër të cilët kanë qenë dëshmitarë të krimeve po vdesin. Të rinjtë largohen dhe ngjarjet po harrohen. Kjo duhet të ishte bërë më shpejt."


Celivkoviq ka qenë dëshmitar i krimeve të kryera ndaj myslimanëve në korrik të 1995 në fshatin e Podubjes, ku forcat serbe të Bosnjes kanë bërë pritë dhe vrarë të mbijetuarit nga Srebrenica që përpiqeshin të largoheshin.


Fajtorët e Bosnjes nuk do të bëjnë gjum të qetë këtë pranverë. Ky shtim i aktivitetit të Gjykatës të paktën po sjell një ndjenjë lehtësimi për banorët e republikës. Shumica e njerëzve të thjeshtë, pavarësisht nga kombësia, do të dëshironin të shihnin kriminelët të dënuar për krimet e tyre. Vetëm atëherë do të jenë në gjendje të fillojnë jetën e tyre të re.


Nermina Dujmiq-Kahroviq është bashkëpunëtore e rregullt e IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists