GRATË NGA TË DYJA KOMUNITETET TË PAKËNAQURA ME GJENDJEN E TYRE

Gratë serbe dhe shqiptare po fillojnë të kundërshtojnë idenë se ato janë të destinuara për të qëndruar në shtëpi.

GRATË NGA TË DYJA KOMUNITETET TË PAKËNAQURA ME GJENDJEN E TYRE

Gratë serbe dhe shqiptare po fillojnë të kundërshtojnë idenë se ato janë të destinuara për të qëndruar në shtëpi.

Ryve Azizi, një dentiste shqiptare në Preshevë, thotë se gratë në këtë zonë rurale në kufirin jugor të Serbisë janë ende qytetare të dorës së dytë.


Ndjenja se ato janë të pavlerësuara si duhet është një prej pak gjërave që i lidhin gratë shqiptare dhe serbe në një shoqëri të ndarë. “Gratë këtu zakonisht nuk kanë zgjedhje,” thotë Azizi.


E lindur në Pejë të Kosovës, ajo ka qenë një ndër gratë e para të diplomuara për stomatologji në Universitetin e Prishtinës. Por kur ajo dhe bashkëshorti i saj kanë aplikuar për punë në qendrën shëndetësore të Preshevës, vetëm ai ka fituar postin.


Zyrtarët e qendrës shëndetësore i kanë thënë asaj se nuk dëshironin të punësonin një grua, sepse ajo mund të mbetej shtatzënë dhe të largohej për shumë kohë nga puna.


Azizi nuk e ka pranuar këtë përgjigje, dhe pasi ka folur me bashkëshortin e saj dhe drejtuesit e qendrës shëndetësore, ajo i ka bindur ata t’ia jepnin asaj pozicionin e bashkëshortit.


“Gratë punojnë tani në fusha të ndryshme, veçanërisht në arsim dhe shëndetësi,” thotë ajo, “por jo aq sa duhet – dhe zëri i tyre shpesh nuk dëgjohet. “Ato shumë rrallë janë të përfshira në vendim marrje, në punë apo edhe në shtëpi”.


Megjithëse pak më mirë se gratë shqiptare për sa i përket punësimit, edhe gratë serbe në luginën e Preshevës ndjehen gjithashtu jo të barabarta me burrat.


“Vajzat e reja në fshatra nuk shikojnë asnjë të ardhme për veten për shkak të mentalitetit të prapambetur të shoqërisë sonë,” thotë Suzana Stojkoviq, drejtuesja serbe e fabrikës së duhanit DIV në Preshevë dhe në aktiviste politike e Partisë Alternativa Demokratike. “Martesa është e vetmja mënyrë”.


Por ndërsa gratë serbe dhe shqiptare në Serbinë e jugut e kanë parë historikisht martesën si mundësinë e tyre të vetme në jetë, ka shenja se kjo gjë ka filluar të ndryshojë.


Disa po bëhen më kërkuese, thotë Stojkoviq, dhe po kërkojnë të drejtën të hyjnë edhe në profesionet e ashtuquajtura “për burrat”.


Ferdane Mehmeti ka shkaktuar shumë diskutime kur është bërë një instruktore shoferësh. “Unë kam qenë gruaja e parë në këtë profesion në zonë,” thotë ajo me krenari, “dhe më kanë mirëpritur, veçanërisht gratë”.


Mehmeti ka menduar fillimisht të bëhet instruktore shoferësh ndërsa punonte në fabrikën e këpucëve.


Pjesa më e madhe e punëtorëve në fabrikë ishin gra të cilat shkonin me vështirësi në fabrikën e cila ndodhej në periferi të qytetit. Ajo mësoi si të ngiste makinën, dhe ndërsa shoqëronte edhe shoqet e saj për në punë, e ka kuptuar se gratë kishin nevojë të ngisnin makinat dhe të shkonin në punë me makinë.


Havçe Hasani, një profesoreshë e historisë, është një tjetër grua e suksesëshme e cila nuk ka pranuar faktin që pak gra shqiptare nga Presheva kishin arritur të diplomoheshin në universitet.


“Meqënëse vetëm pak gra kanë studjuar në universitet, unë shihesha me sy të dyshimtë,” kujton Hasani. “Por unë kam punuar shumë dhe tregova që edhe gratë mund të diplomohen si burrat”.


Hasani ka qenë gjithashtu e para grua shqiptare e cila ka pasur një rol aktiv në politikën lokale, pasi është anëtarësuar në Partinë për Veprim Demokratik.


“Unë gjithmonë kam menduar se një vend nuk mund të zhvillohet nëse gratë nuk janë të lira, të pavarura dhe të emancipuara,” shton Hasani. “Por që të ndodhë një gjë e tillë, edhe burrat duhet të emancipohen dhe të ngihmojnë gratë të përfshihen më tepër në çdo fushë të shoqërisë”.


Megjithëse gratë në Preshevë janë tani më koshiente se disa vjet më parë, dhe si ato ashtu edhe burrat duket se kanë kuptuar që gratë munden dhe duhet të japin më tepër në shoqëri, problemet ekonomike në rajon bllokojnë shumë arritjen e progresit në këtë drejtim.


Gratë shpesh nuk mund të përballojnë shpenzimet për arsimin e lartë, i cili dikur ka qenë falas për të gjithë. Gjatë periudhës së komunizmit, studentët mund të ndiqnin universitetet me bursa shtetërore. Tani është e vështirë të sigurosh bursa.


Një tjetër pengesë është mungesa e vazhdueshme e vendeve të punës për ato gra të cilat arrijnë të diplomohen.


Afërdita Ismaili, një nën e dy fëmijëve, thotë se gratë në Preshevë ende kryesisht merren vetëm me fëmijët dhe shtëpinë.


Ajo do të donte të dilte nga shtëpia, nëse do të kishte mundësi të gjente një punë. Puna e paguar do të ndihmonte gjendjen financiare të familjes së saj dhe në të njëjtën kohë do ti jepte asaj më tepër pavarësi, thotë ajo.


“Nuk ka shumë fusha ku gratë e diplomuara mund të punojnë,” ka shtuar Ismaili.


Kur bëhet fjalë për ndryshimet ndërmjet grave serbe dhe atyre shqiptare, ato të parat janë më të lira për të dalë. Gratë shqiptare përballen me më tepër barriera psikologjike se sa ato serbe kur bëhet fjalë për të luftuar për të drejtat e tyre.


Kështu, të paktën i duket Miona Markoviq, nga Presheva. “Gratë serbe janë në një pozicion pak më të mirë, megjithëse burrat serbë këtu janë tipik burra të Ballkanit,” thotë ajo.


“Të paktën ne mund të dalim me shoqet tona. Vajzat shqiptare janë në një pozicion shumë më të keq – ato mund të dalin jashtë shtëpisë vetëm kur janë të fejuara, me të fejuarin e tyre”.


Në të dyja komunitetet, lufta e grave për arritjen e barazisë është ende e gjatë.


Ardita Behluli dhe Ivica Stepanoviq punojnë për RTV e Preshevës.


Ky artikull është pjesë e një numri special të përgatitur nga gazetarë nga Serbia e jugut të cilët kanë marrë pjesë në një seminar intensiv dy ditor në Nish, të organizuar nga IWPR në tetor 2004, me mbështetjen financiare të ambasadës së Britanisë së Madhe në Beograd.


Ky kurs trajnimi është pjesë e Projektit të Trajnimit të Mediave Ndëretnike në Serbi i cili synon afrimin e gazetarëve serbë dhe shqiptarë.


Ky grup artikujsh synon të hedhë dritë mbi problemet e veçanta të cilat shqetësojnë këtë rajon të lënë pas dore.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists