Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

GOTOVINA, PENGESA NË RRUGËN E KROACISË DREJT BRUKSELIT

Gjenerali i fshehur mund të dëmtojë përpjekjet e Zagrebit për anëtarësim në BE.
By Sanja Romic

Presionet mbi qeverinë kroate të Ivo Sanader për të dorëzuar të kërkuarin më të rëndësishëm, Ante Gotovina, po shtohen gjithnjë e më tepër me afrimin e afatit përfundimtar të 23 nëntorit të caktuar nga kryeprokurorja e gjykatës së Hagës, Carla Del Ponte.


Vendndodhja e Gotovinas ka qenë një pikë mosmarrëveshjesh të ashpra ndërmjet kryeprokurores dhe autoriteteve kroate që kur gjykata ndërkombëtare e ka akuzuar atë në vitin 2001 për krime lufte kundër serbëve të Kroacisë.


Gotovina është akuzuar për rolin e tij në ofensivën kroate me emrin e koduar, Operacioni Stuhia, i cili ka përfunduar me marrjen nën kontroll të rajonit të Krajinas nga forcat serbe në vitin 1995.


Gjenerali, i cili ka qenë në krye të sulmit, akuzohet për krime ndaj njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe rregullave të luftës. Thuhet se ai është përgjegjës për vrasjen e të paktën 150 serbëve të Krajinas, zhdukjen e disa qindra të tjerëve, dhe plaçkitjen e pronave, shkatërrimin e shtëpive e dëbimin e paligjshëm të rreth 200,000 anëtarëve të pakicës serbe. Gjenerali Gotovina është zhdukur menjëherë pas publikimit të akuzës ndaj tij.


Kjo çështje ka hedhur një hije dyshimi mbi bisedimet e shumëpritura të Kroacisë për anëtarësim në BE, të cilat duhet të nisin pranverën e ardhëshme.


Qeveria ngul këmbë se gjenerali nuk gjendet në Kroaci. Shumë analistë vendas e pranojnë këtë. Por nëse nuk është vërtetë kështu, atëherë mendohet se zyrtarët do të përballen me një dilemë të madhe.


Sanader është shumë i vendosur për të zgjeruar ambicjet evropiane të Zagrebit dhe e kupton se ato pengohen nga mostransferimi i Gotovinës në gjykatë. Por ai e kupton gjithashtu edhe se dorëzimi i gjeneralit mund ti kushtojë shumë politikisht, sepse do të zemëronte shumë anëtarë të partisë së tij, Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ.


Del Ponte, gjatë një takimi të ministrave të BE-së në Luksemburg më 11 tetor, ka dhënë një paralajmërim duke e përshkruar arrestimin e Gotovinës si një veprim “shumë të vonuar”.


Del Ponte ka thënë se Kroacia do të gjendet nën presion gjithnjë e më të madh “për të dorëzuar apo treguar vendndodhjen e Gotovinës brenda 23 nëntorit,” kur ajo do të japë raportin e saj përfundimtar për këtë çështje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.


Raporti i nëntorit do të jetë shumë i rëndësishëm për të përcaktuar nëse bisedimet e anëtarësimit me Kroacisë do të nisin në shkurt apo mars 2005, siç është njoftuar nga komisioneri i ri i BE-së për zgjerimin, Olli Rehn.


“Unë jam shumë e zhgënjyer sepse kur kemi folur në pranverë, unë shpresoja që Gotovina të arrestohej brenda verës,” ka thënë Del Ponte më 11 tetor.


“I duhet dhënë fund praktikës ku të kërkuarit e gjykatës së Hagës lëvizin lirisht në një vend,” ka shtuar ajo, duke përmendur disa njoftime se Gotovina ishte parë në qytetin bregdetar të Brela në Kroaci gjatë muajit gusht. Disa ditë më pas, një hetim ka treguar se personi i parë në Brela, në fakt nuk ka qenë ai.


Paralajmërimi më i fundit nga Haga – si edhe një njoftim nga Këshilli i Ministrave i BE-së se mund të ndalojë bisedimet me Kroacinë në çdo moment nëse ajo shkel kriteret e BE-së për demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut – kanë shkaktuar panik dhe shumë lëvizje në rradhët e autoriteteve kroate, duke përfshirë edhe disa kontrolle në shtëpitë e disa aleatëve të Gotovinës.


Media kroate ka botuar gjithashtu dy dokumenta sekrete, të vitit 1995, të cilat kanë qenë edhe baza kryesore për akuzat ndaj Gotovinas.


Në këto dokumente jepen planet e ish presidentit Franjo Tugjman dhe gjeneralëve të ushtrisë kroate për të hapur “korridore” daljeje për serbët e Kroacisë në Krajina në vitin 1995, kur forcat e qeverisë kanë rimarrë nën kontroll rajonin e mbajtur nga serbët pas Operacionit Stuhia. Këto dokumenta me pak fjalë duket se tregojnë planet e Tugjmanit për të spastruar rajonin nga popullsia serbe. (Avokatët e Gotovinas thonë se këto dokumenta janë të fallsifikuara, ndërsa zyra e presidentit Stipe Mesiq ngul këmbë se ato janë të vërteta).


“Pushimet kanë mbaruar dhe ne tani presim rezultate konkrete,” ka thënë një burim i rëndësishëm nga BE për IWPR, duke folur për çështjen e Gotovinas. “Kryeprokurorja mendon se disa spastrime dhe kontrollet e bëra nga ministria e brendëshme kroate dhe shëbrimet sekrete janë bërë vetëm sa për sy e faqe. Ajo nuk është e bindur”.


I njëjti burim nga BE ka shtuar se “meqënëse nuk mund të ngrihen akuza të reja pas mesit të vitit 2005 dhe nuk mund të dënohet asnjë pas vitit 2006, periudha e ardhëshme do të jetë shumë e rëndësishme për Del Ponte dhe Kroacinë”.


Ministri i jashtëm kroat, Miomir Zuzul, duke shfaqur shenja pakënaqësie të Zagrebit ndaj presionit në rritje të BE-së, është ankuar kohët e fundit gjatë një fjalimi përpara klubit të NATO-s në Bruksel se Kroacia është bërë “peng e një situate të cilën nuk mund ta zgjidhë” – një referencë ndaj mendimit të qeverisë se Gotovina nuk gjendet në vend.


Zuzul ka shtuar se megjithëse bashkëpunimi me gjykatën është diçka e vështirë për të gjitha qeveritë në rajon, Kroacia ka treguar qartësisht se ajo është e vendosur në rrugën e saj duke paraqitur të gjithë dokumentacionin e kërkuar nga gjykata.


Ministrja e drejtësisë, Vesna Skare-Ozbolt, ka konfirmuar gjithashtu se ajo mendon se vendi ka përpara probleme në rrugën e tij për anëtarësim në BE. Ministrja ka thënë për radion kroate se “ajo priste shtimin e presioneve nga Haga në prag të raportit në Këshillin e Sigurimit dhe njoftimit të datës për nisjen e bisedimeve me BE në dhjetor”.


Ish kryeministri i Kroacisë, Ivica Raçan, duke folur për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet qeveria, ka thënë për gazetën Nacional më 19 tetor se “Del Ponte është një person energjik dhe shumë e përqëndruar në rolin e saj si prokurore. Ajo e di se çfarë kërkon dhe nuk harron asnjëherë premtimet që i japin.


“Problemi qëndron në faktin se Sanader po sillet me bindje ndaj BE-së sepse ky është një urdhër, dhe jo sepse ai apo partia e tij mendojnë vërtetë se kështu është më mirë”.


Ndërsa mbështetja publike për anëtarësimin në BE po pakësohet, sipas anketimeve të fundit, politika pro BE-së e qeverisë po ushtron presion të madh mbi kabinetin e Sanader.


Në një përpjekje për të siguruar Brukselin për vendosmërinë e qeverisë për integrim në Evropë, thuhet se Sanader ka emëruar Jandranka Kosor si kandidate të HDZ për zgjedhjet e ardhëshme presidenciale sepse ajo është e preferuara e perëndimit.


“Kosor nuk gëzon shumë mbështetje në rradhët e partisë së saj,” ka thënë një zyrtar i partisë në gazetën Nacional më 19 tetor. “Por ajo është një figurë e pëlqyeshme politike jashtë vendit”.


Sanja Romiq është një gazetare kroate e vendosur në Bruksel.