Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Gjyqtarët e Millosheviqit Përballen me Ndëshkimin

Autoritetet e reja në Serbi shumë shpejt do të ribëjnë sistemin juridik të korruptuar të vendit.
By Sinisa Stanimirovic

Rënia e Sllobodan Millosheviqit e ka lënë sistemin juridik të Serbisë në gjendje të mjeruar me vetëm pak gjyqtarë që vazhdojnë të punojnë përveç kukullave të regjimit të vjetër, të cilët tani kanë frikë se do të ndëshkohen shumë shpejt.


Megjithatë për momentin këta gjykatës nuk mund të largohen nga puna pa miratimin e Millosheviqit dhe ata kanë aq pushtet sa të krijojnë pengesa të mëdha për presidentin e zgjedhur rishtazi Vojisllav Koshtunica.


Të zhveshur nga çdo lloj respekti, gjyqtarët po përballen me demonstrime armiqësore në rrugë dhe sharje. Problemi qëndron në faktin se sistemi gjyqësor kontrollohet ende nga një parlament i dominuar nga përkrahësit e Millosheviqit. Gjykatat dhe prokuroritë drejtohen nga njerëz të cilët kanë marrë apartamente dhe kredi me kushte lehtësuese nga shteti në shkëmbim të besnikërisë së tyre ndaj regjimit. Ata nuk mund të largohen deri në krijimin e një asambleje të re serbe me një pamje anti-Millosheviq.


Shenjat janë që kjo do të ndodhë pas zgjedhjeve të planifikuara për më 23 dhjetor.


Ndërkohë gjyqtarët e diskredituar po bëjnë sa mundin për të penguar reformat. Një shembull është hapi i ndërmarrë nga zyra e prokurorit të rrethit në Beograd për të hetuar punëtorët e minierës së Kolubarës, greva e të cilëve kundër falsifikimit të rezultateve të zgjedhjeve kontribuoi në rënien e regjimit të vjetër.


Një gjyqtar i cili nuk ka pranuar të dënojë me burgim minatorët është larguar nga çështja dhe është zëvendësuar me një tjetër, më të bindur.


Një shembull tjetër ka qenë mospranimi i një apeli për faljen e gazetarit nga Beogradi Zoran Lukoviq, i dënuar me pesë muaj burgim, sepse kishte botuar një shkrim kundër mikut të afërt të Millosheviqit, Milovan Bojiç.


Zyra e parë e prokurorisë së Beogradit, e cila ka ngritur akuzat ndaj gazetarit, i ka injoruar krejtësisht akuzat ndaj Komisionit Qendror Zgjedhor, i cili ka fallsifikuar rezultatet e zgjedhjeve.


Në rradhët e gjyqtarëve të gardës së vjetër ekziston një ndjenjë pasigurie dhe ankthi që ka të bëjë me të gjitha shkeljet e tyre të mëparshme.


Së fundi gjyqtari Pavle Vukasinoviq nuk u paraqit në gjykimin e anëtarëve të grupit kriminal "Merimanga", një grup gjahtarë të çmimeve të vendosura për personat e kërkuar, të cilët janë akuzuar se kanë rrëmbyer të dyshuar për krime lufte në Serbi dhe (mesa thuhet për çmime të majme) i kanë dorëzuar ata tek trupat e NATO-s për t'u gjykuar për krime lufte.


Suksesi i kësaj bande për të nxjerrë nga Serbia të kapurit prej saj ka shkaktuar terror tek ata njerëz që figurojnë në listën e personave të kërkuar për krime lufte.


Gjyqtari u paraqit tre ditë më pas duke thënë se ai nuk kishte mundur të vinte në gjykatë, sepse djali i tij ishte rrahur. Një koleg komentoi: "Dikush ka sulmuar djalin në shenjë hakmarrjeje ndaj Vukasinoviqit, i cili ka qenë një anëtar i Komisionit Zgjedhor që akuzohet për manipulimin e rezultateve të zgjedhjeve."


Sulme të tilla hakmarrëse janë bërë të ditura në të gjithë Serbinë. Banorët e Vladicin Han kanë gjuajtur me vezë dhe gurë ndërtesën ku jeton kryetari i gjykatës lokale. Në Prokuplje, gjyqtarët organizuan një gjyq simbolik publik për kryetarin e tyre dhe e kanë dënuar atë me gjashtë vjetë burgim!


Një oficer i prokurorisë së rrethit ka thënë: "Që prej 5 tetorit kur është rrëzuar regjimi, ne po jetojmë në një gjendje të vështirë pritjeje me ankth. Prokurori e di se ai do të largohet nga posti pas ndryshimit të pushteteve dhe tani po na e shkarkon inatin e tij ne, duke na e bërë të padurueshme jetën."


Konfuzioni në sistemin juridik e ka dobësuar atë dhe e ka bërë të paaftë për të ndërmarrë ndonjë ristrukturim të brendshëm. Vetëm në Gjykatën Tregtare të Beogradit janë bërë disa ndryshime që prej rënies së Millosheviqit. Kjo gjykatë ka qenë një mekanizëm nëpërmjet të cilit Partia e Majta e Bashkuar Jugosllave, JUL, e Mirjana Markoviqit, kontrollonte shumë kompani.


Kryetarja e kësaj gjykate e shkarkuar së fundi, Milena Arezina, ka urdhëruar që disa kompani të deklarojnë falimentimin dhe pas kësaj JUL-i i merrte këto kompani nën kontroll. Edhe firma me prona të konsiderueshme janë shpallur të falimentuara për shkak të mungesës së mjeteve financiare, thotë një avokat.


Gjykatat e tjera të Beogradit gjatë viteve të fundit janë marrë me shumë raste të krijuara. Këtu përfshihen ato kundër gazetarëve të gazetës Dnevni Telegraf pronari i së cilës, Slavko Curuvija u vra në fund të vitit të kaluar; Zoran Gjingjiq, drejtuesit të Partisë Demokratike të opozitës; dhe ish-oficerëve të shërbimeve të sigurimit të shtetit Vladimir Nikoliq dhe Bozhidar Spasiq.


Deri rreth 10 vjetë më parë, sistemi gjyqësor serb ka patur një reputacion të mirë dhe është respektuar gjerësisht. Kur komunizmi u zëvendësua nga sistemi shumëpartiak në fillim të viteve nëntëdhjetë, gjyqtarët serbë u lejuan të jenë të lirë për herë të parë pas 45 vjetësh.


Ndërsa pjesa më e madhe e gjyqtarëve kishin qenë anëtarë të partisë komuniste, shumë prej tyre nuk u anëtarësuan në Partinë Socialiste të Serbisë, pasuesja e partisë së tyre, e cila nën drejtimin e Sllobodan Millosheviqit mori në dorë drejtimin e vendit.


Më pas, në vitin 1993 shpërtheu problemi i inflacionit të lartë, kur paga e një gjyqtari mjaftonte për të blerë vetëm një kuti shkrepëse. Mbi një e treta e këtyre gjyqtarëve iu drejtuan profesionit të lirë të avokatit. Anëtarë të partisë në pushtet, pa përvojën e nevojshme dhe të pakualifikuar, zunë vendet e tyre duke ulur kështu në mënyrë të ndjeshme standartin e sistemit juridik.


Ndihmës-gjyqtarët të cilët kishin pritur me vite për t'u ngritur në përgjegjësi u injoruan, ndërsa politikanët ua dhanë vendet e punës njerëzve të cilët nuk kishin vënë këmbë më parë në jetën e tyre në një sallë gjyqi.


Gazeta Zyrtare e Republikës së Serbisë tregon se pjesa më e madhe e gjyqtarëve të rinj kanë punuar më parë në ferma, në qendra komuniteti, apo në njësitë e forcave speciale të ushtrisë jugosllave.


Shkalla e tejskajshme e politizimit u duk haptazi në vitin 1996, kur gjyqtarë të afërt me JUL-in dhe SPS-në anulluan fitoren e opozitës në zgjedhjet lokale. Pas 88 ditë protestash të opozitës dhe presionit ndërkombëtar, rezultatet u njohën.


Në atë moment, ata gjyqtarë të pavarur që kishin mbetur krijuan një organizëm profesional - Shoqatën e Gjykatësve Serbë (ASJ) - e cila prej asaj kohe ka qenë një gjemb në shpinën e rregjimit.


ASJ-ja ka kërkuar zëvendësimin e gjyqtarëve në Gjykatën Federale, Gjykatën Kushtetuese Federale, Gjyaktën e Lartë të Serbisë dhe në Gjykatën Ksuhtetuese të Serbisë.


Avokatja Vida Petroviç-Skero thotë se hapi i parë drejt rikthimit të gjyqtarëve të shkarkuar duhet të vijë nga parlamenti i ri serb. "Parlamenti i ri duhet të anullojë vendimet e jashtëligjshme dhe të krijojë kushtet për rikthimin e gjyqtarëve të shkarkuar," thotë ajo.


Mendime të ngjashme ka shprehur edhe gjyqtari i shkarkuar, Miroslav Todoroviq, tani një avokat në profesion të lirë dhe anëtar i presidencës së lëvizjes së protestës studentore Otpor: "Është ende herët për të folur për ndryshime në sistemin juridik, sepse pjesa më e madhe e njerëzve të nderuar dhe respektuar, të cilët regjimi i flaku tej, janë bërë avokatë," thotë ai.


Njerëz të cilët kanë mbyllur gojën gjatë gjithë këtyre shkeljeve ende qëndrojnë në postet e tyre në gjykata dhe riorganizimi i sistemit do të jetë një sfidë e madhe. Kryetarët e tanishëm të gjykatave dhe zëvendësit e tyre do të mbeten në këto poste ndoshta deri në krijimin e parlamentit të ri të dalë nga zgjedhjet e reja në Serbi.


Nëse deputetët e rinj veprojnë sipas mendimit që mbizotëron tani në rradhët e opozitës anti-Millosheviq, aty do të vendosen gjyqtarë të rinj të pavarur. Vetëm atëherë mund të fillojë ristrukturimi i sistemit juridik. Por rivendosja e reputacionit dhe respektit për të, si edhe e besimit në institucionet gjyqësore, do të jetë një proces i ngadaltë dhe i dhimbshëm.


Sinisha Stanimiroviq është bashkëpunëtor i IWPR-së.